Sport » Sporti
Albert Zholi: Flet Mjeshtri i Sportit, ish-rekordmeni atletikës Ali Murrizi
E shtune, 18.01.2020, 10:11 AM
Flet “Mjeshtri i Sportit”, ish-rekordmeni atletikës Ali Murrizi (Kali): E lashë atletikën pasi nuk po fitoja gjë as financiarisht, as shpirtërisht dhe pse arrija rezultate
-Si kam pritur Kadri Roshin, Dritëro Agollin,
Panajot Panon, Ali Kastratin por veçoj Luftar Pajën
- Për ekipin e atletikës “Divjaka Ekspres”
kanë shkruar dhe gazetat amerikane
-Vajzat e Divjakës morën fitore në 12 shtete,
por trajtoheshin shumë keq
- Shteti asnjëherë nuk ka menduar për
atletikën, rekordmenet hanin makarona
-Jashtë habiteshin me ne, kurse në Shqipëri
nuk kishim kushtet elementare
Nga Albert
Z. ZHOLI
Edhe pse mbiemrin e ka Murrizi, kudo në Shqipëri dhe më
gjerë ai njihet me mbiemrin Kali. Një emër i madh në atletikën shqiptare.
Shkollën tetëvjeçare e kreu në Hajdaraj të Kavajës, të mesmen në Lushnje për
veterinari dhe të lartën (Instituti i Fizkulturës) në Tiranë. Ka punuar si
mësues dhe drejtues në shkollën e Sulzotaj. Është i martuar me Mimozën (që ka
dhënë mësim në Sulzotaj gjithashtu) dhe kanë tre fëmijë, Alfonsin, Jurgenin dhe
Brajan. Rrestoranti “Ali Kali” mbetet një ndër vendet më argëtuese e më të
veçantë për pushuesit që qëndrojnë në Divjakë ose ata ditorë. Atmosfera në
ambientet e këtij lokali, nuk është si tek lokalet e tjerë. Absolutisht jo!
Fëmijë, adoleshentë dhe të rritur përveç ushqimit të freskët, gjejnë dhe
argëtimin që iu ofron i zoti i shtëpisë. Ai nuk iu shërben vetëm me kalin e tij
të bardhë, por me mikun e tij besnik nis edhe argëtimet për të gjithë klientët
pasi Aliu është shumë i pasionuar pas hipizmit. Ali Kali, ish rekordmeni i
atletikës bënë spektakël me kuajt aq sa të shtang dhe nuk largohesh për minuta
të tëra duke e parë. Ai kalëron, shërben si dhe kryen numra të ndryshëm cirku.
Por megjithatë ai sërishmi shpirtin e ka tek atletika....
Kur ishit në kulmet e sukseseve,
papritur e latë sportin e bukur të vrapimit, pse?!
E vërtetë. Ishte një kohë që atletika shqiptare në femra
po arrinte rezultate të larta. Po bënim emër në Ballkan dhe Evropë. Por ja
erdhi një moment që u dorëzova. Dëshira përballë realitetit thuhet. E lashë
pasi ju dhashë shumë-shumë këtij sporti kaq të bukur dhe nuk po fitoja gjë as
financiarisht as shpirtërisht dhe pse arrija rezultate. Në vitin 1999 bëra
shkëputjen përfundimtare kur me vajzat e mia isha në kulmin e suksesit. I
dhashë shpirtin dhe pasurinë atletikës. I dhashë gjithçka timen më të bukur.
Isha idealist, por pashë që shteti nuk interesohej fare-fare. Pra Unë si
trajner kisha një rrogë simbolike dhe një mbështetje të pallogaritshme, kur në
atë kohë ne ishin ndër më të mirët në Ballkan. Sportistet nuk inkurajoheshin,
nuk vlerësoheshin maksimalisht kur në botë sportistet që kanë rezultate kanë
trajtim special. Edhe ushqimi vlente për të dëshiruar. Atëherë çfarë të bëja?
Kisha luftuar dhe punuar shumë dhe kisha lënë familjen time pa atë që
meritonte. I thirra mendjes. Ishte koha ti shërbeja familjes. U ktheva në
vendlindje dhe hapa këtë lokal që shihni ju. Sporti kishte bërë që familja të
kishte kaluar në radhë të dytë. Isha verbuar pas atletikës.
-Kur e ke filluar për herë të parë
atletikën? Në çfarë vrapimesh dhe kush të zgjodhi për të filluar këtë sport?
Më 21 shkurt të vitit 1981 në krosin kombëtar. Aktiviteti
im i parë ka qenë krosi kombëtar, seleksionimin e bëri Viktor Gjermeni në
Lushnjë pastaj kalova në ekipin dhe klubin e Leshnjes “Traktori”.
-Në atë konkurrim çfarë vendi zure?
-Zura vend të parë. Dhe konkurrentët ishin në shkallë
Republike. Ai ishte kros masiv në rang Republike në Sarandë. Distanca 10 km.
Pastaj më mori direkt klubi i Lushnjes si element dhe për 3-4 vite përfaqësova
ekipin e Lushnjes dhe pastaj kam shumë histori...
-Pra 3-4 vite me Lushnjen me çfarë
garash konkurroje?
Në distancat 3000 dhe 5000 m , dhe arrita rezultatin nën
kampion dhe kampion për garat e mia në Shqipëri dhe pastaj mu dha mundësia që
të vazhdoj Institutin e fizkulturës në 1997-98. Pastaj kalova një periudhë me
“Partizanin” dhe “Studentin” dhe më vonë me ekipin kombëtar.
-Po me “Partizanin” në çfarë disiplinash
konkurrove?
Po në garën time 3000-5000. Dhe vazhdova të isha
nënkampion dhe kampion Shqipërie në vitet 88-89 deri në 90, pastaj kalova me
klubin “Studenti” dhe pastaj krijova ekipin vetë. Krijova ekipin tim “Divjaka
Ekspres”. U ktheva përsëri në Divjakë.
-Kur ke shkuar për herë të parë
jashtë shtetit?
Ka qenë viti 1994, nuk më jepej mundësia më përpara pasi
ishim me biografi të keqe (qesh) . Një periudhë punova dhe vrapova shumë derisa
arrita që të marr Institutin e Fizkulturës sepse kisha dy faktorë negative,
shtatlartësia që isha 1 e 65 dhe kriteret e Institutit ishin që duhej të isha
mbi 1 e 65 I gjatë ose duhet të ishe kandidat mjeshtër . Në këtë periudhë u
shpalla kampion dhe mora titullin “Kandidat mjeshtër në garat me kuaj” dhe në
atletikë dhe pastaj mu dha e drejta që mund të vazhdoja Institutin e
Fizkulturës që desh u përjashtova nga shtatlartësia. Kjo ishte në vitin 1998.
Kur u ktheve në Divjakë?
Jam kthyer në vitin 1993-1994 dhe pastaj krijova “Divjaka
Ekspres”. Krijova grup atletike me grupmoshat nga 10-14 vjeçarë meshkuj dhe
femra, por kryesisht dominova tek femrat. Rezultat qenë mbresëlënëse sepse
sfidova ekipin kombëtar të Shqipërisë në 800-1000-1500-3000-10000-20 km.
-Kush kanë qenë këto femra që kanë
garuar me kaq sukses?
Luisida Shejmoni u fut në 3000 që vendosi rekorde
Evropian në Greqi në 11:04 për 12 vjeçarët që ishte një kohë e paarritshme edhe
për moshat 18-19-22 vjeçare. Migena Gorrea në 800-1500. Migena përveçse ishte
bërë jehonë ballkanike por edhe në Rusi arriti rezultate mbresëlënëse që u fut
edhe e pesta në Botë ndërmjet 85 shteteve në Moskë. Margarita Prifti ishte
konkurruese 10-15-20 km që ishte krah për krah me Manushaqe Takun. Kjo ishte e
Kombëtares por kryesisht përfaqësonte Dinamon me specialist Hajri Alian. Kjo
aksidentalisht ndërroi jetë në Greqi mbas përfundimit të aktivitetit dhe
Margarita automatikisht kaloi sfidantë nr. 1 për Shqipërinë dhe shumë vajza të
tjera.
-Sa vite vazhdove me këto vajza të
talentuara?
Për katër, pesë vite kam administruar ekipin kombëtar të
Shqipërisë me këto vajza, bëhet fjalë në vitet ’95-99 deri më 1 korrik të vitit
1999.
-Në sa shtete shkove jashtë?
Në periudhën me vajzat e Divjakës duke bërë seleksionimin
kryesor arrita të shkoj të paktën deri në 12 shtete. Ne në çdo dy muaj kishim
aktivitet zyrtar jashtë. Vajzat që kanë qenë cilësore kanë qenë 7, ndërsa në
total kanë qenë 12 femra.
-Në cilin ambient i stërvitje
atletet?
Kishim mbështetje nga Durrësi dhe nga Kavaja. Në
ambientet e tyre sportive,
-A kishit mbështetje nga shteti?
Nga shteti kam pasur edhe përkrahje, nuk ka qenë
përkrahje financiare por përkrahje morale po. Vajzat merrnin shpërblime dhe çdo
gjë mbulohej me anë të shpërblimeve. Dietat ishin të mira por nuk përfitonin
dot paga sepse ishin nën moshë.
-Përse u larguat pastaj nga trajneri
kombëtar?
E pashë të arsyeshme jo për çështje të sportistëve se ata
nuk i braktisa unë, por ishte mospërkrahja financiare nga shteti. Ishte një
përkrahje e njëanshme. Psh, skandali që ndodhi në Korçë ku Migena Gorreja
përfaqësonte shtetin jashtë kishte një dietë prej 5 dollarësh dhe i takonte që
të hante vetëm makarona dhe djathë, kurse dy tre vajza të tjera po të ekipit
kombëtar kishin dallim ushqimi shumë më të mirë dhe pse nuk kishin rezultatet e
saj. Të 7 vajzat e ekipit tim kanë qenë yje. Po të kishte më përkushtim shteti
deri në nivelin e duhur, mendoj se mund të ishin garuese edhe sot dhe do kishim
marrë shumë medalje.
-Me largimin tuaj u larguan edhe
këto vajza?
Po, sigurisht, u shkri ekipi.
-Si i arrite këto rezultate dhe a
mund të organizohet një grup i tillë sot??
-Jo, vetëm se ndjej kënaqësinë shpirtërore se këto vajza
kanë vazhduar një stërvitje origjinale ruse, sepse rusët njihen për një
përgatitje të fortë fizike pavarësisht pastaj u kopjuan nga amerikanët. Vajzat
e Divjakës kanë punuar për 6-7 vite pa ndërprerje. Ne ishim futur kësaj pune
dhe donim rezultate. Mos arritja e rezultatit ne kishim shumë batuta edhe në
qytet. Doja të thyeja mentalitetin e të gjithë njerëzve që më rrethonin që këto
vajza të bëheshin jehonë botërore dhe realisht u bënë. Por ndjej kënaqësinë
shpirtërore se të shtata vajzat mbaruan fakultetet, ato përveçse ishin
sportiste cilësore por ishin edhe të një niveli të lartë arsimor. Këto nuk
humbën gjë nga sporti por përfituan edhe sportin edhe shkollën. Ata vazhduan
për juridik, mjekësi, institutin, ekonomik etj. Të gjitha vajzat përfituan nga
sporti por njëkohësisht ishin me zhvillim kulturor shumë të lartë. Do më ngelej
peng nëse nuk do vazhdonin shkollat e larta pasi do mendonin se ngelen pa arsim
nga sporti.
-A keni nostalgji tani?
Pavarësisht se para disa ditësh mua Federata e atletikës
më dekoroi me titullin e lartë të “Mjeshtrit të Sportit” por gjatë kohës që ato
komunikojnë mua më rrëqethin mishtë për arsyen se ky qytet por edhe breznia e
dytë larg Tiranës ka mundësi që mund të nxjerri elemente të nivelit të kalibrit
qoftë ballkanik, evropian por edhe botërorë, por duhet përkrahje.
-Këtë titull e more pas sa vitesh?
Mbas 30 vjetësh, ku kisha heshtje për 30 vjet nga shteti
shqiptar dhe Federata Shqiptare e Atletikës. Gjatë kësaj kohe kam pasur oferta
nga Greqia ose nga shtetet të tjera që më kanë njohur si element si specialist
dhe kurrë nuk kam shkuar. Nuk kam pranuar sepse deri dje unë qaja për himnin kombëtar
dhe sot duhet të shkoj të drejtoj një himn të një shteti tjetër nuk është në
kulturën time.
Kush ka shkruar për arritjet tuaja
jashtë shtetit?
Personat që arritën që të bënin jehonë këtij ekipi dhe
vetë emrit që mori “Divjaka ekspres” shkruanin edhe gazetat amerikane në atë
periudhe, sepse ato shikonin edhe rezultatet e Evropës dhe të Ballkanit në atë
periudhë. Gjatë kësaj kohe shkruanin edhe gazetat e huaja për një ekip që
normalisht i dha jehonë edhe qytetit për të njohur se kush ishin dhe nga vinin
këto vajza por edhe specialistët e Shqipërisë që normalisht i vlerësuan me një
nivel shumë të lartë qoftë profesor doktor Albert Karriqi dhe Leonidha Toskën
që i kisha konsulentë që më jepnin gjithmonë ngrohtësinë dhe më korrigjonin në
moment të caktuara në drejtim të vajzave. Qëllimi i tyre ishte që këto të
avanconin dhe mos të digjeshin si sportistë se ka momente që të gjithë
programet stërvitore nuk detajohen në mënyrë të atillë sportistja të vazhdojë
sa më gjatë. Kisha edhe një ngrohtësi dhe një përkrahje të madhe. Por, gjatë
gjithë periudhës unë nuk flisja fare qoftë me asamblenë dhe rrija shumë pasiv
në dialog me të gjithë përfaqësuesit e Shqipërisë vetëm e folura ime ishte
pista. Kush del në pistë dhe më sfidon do të thotë se ai është më i mirë nga
unë. Për 6 vite nuk doli njeri që të sfidonte “Divjaka Ekspres” dhe gjithmonë
ne në qytet ktheheshim me rezultate super pozitive por edhe me krenari
shpirtërore.
-Po rekordet tuaja janë thyer
ndonjëherë?
Nuk mund të flas dot për rekordet, sepse ajo periudhë
mund të ketë pasur edhe stimulime për të pasur impulse apo shtysa ndaj njërit
apo tjetrit dhe ndoshta rekordet mund të kenë qenë edhe fallco në disa
disiplina. Kjo për arsye se debatet më të mëdha që bënim ne në Federatë vinin
edhe nga mëritë që kishim ne si specialist ku nëse do të futej sot në garë një
atlete e nivelit kalibër, duhet të futej një kundërshtar tjetër që kjo mund të
arrinte rezultate super pozitive dhe rekorde. Ishte stimulim artificial pasi
kur dilnin jashtë shtetit ktheheshin të gjithë ose me tërheqje muskulore ose me
këputje tendinash. Për të zbutur ambiciet dhe zënkat u detyrova që ti tërheq
nga gara disa nga vajzat e këtij qyteti për ti futur në gara të tjera që nuk
kishte kundërshtar. Vajzat në Tiranë që pretendonin për të thyer rekordin nuk
futeshin me vajzat e Divjakës në garë, por do futeshin me ato atlete që të mos
ti sillnin shumë probleme kampiones apo rekordmenes që dëshironin. Më vjen keq
vetëm në drejtim të Migenës sepse ajo arriti deri në atë stad për të marrë
bursën e amerikane (megjithëse ajo në atë periudhë nuk kishte mbushur moshën),
dhe po të kishte pasur më shumë kujdes federata por njëkohësisht edhe
specialistët që na mbulonin ajo mund të ishte yll sot. Ishte edhe mentaliteti,
se si vajzë fshati nuk kishte vendin që i takon. Ne kur u futëm në garim
atëherë kur Divjaka ishte fshat dhe ka marrë emrin qytet në vitin 1996 me 8
mijë banorë.
Filluat aktivitet privat. Kush e ka frekuentuar nga artistët, shkrimtarët,
poetët lokalin tuaj?
Janë të shumtë
njerëzit e shquar, ikona të sportit dhe artit që kanë frekuentuar dhe
frekuentojnë odën-pyll këtu në Golem. Po të shumtë. Kam shumë miq këngëtarë,
aktorë, profesorë, shkrimtarë gazetarë. Së pari Luftar Paja. Këtë e kam timin.
Pastaj me radhë kanë qenë Kadri Roshi, Dritëro Agolli, Panajot Pano, Ali
Kastrati, apo Ahmet Golemi, Kreshnik Tartari, Pavlina Evro, I boksierët Qato
dhe Keta, Irini Qirjako, Hysni Zela, Petrit. Lulo, Ylli Baka, etj. Po ashtu
kanë drekuar në këtë odë edhe qeveritarë e deputetë, diplomatë të huaj e
turistë nga Italia, SHBA, Gjermania, Anglia, Franca, Holanda etj.
-Ju keni një libër (në fakt të vjetër disa) përshtypjesh, sa veta kanë lënë
përshtypjet e tyre në këto libra?\
Ah! (qesh). Janë
shumë thuajse kanë arritur 82 mijë. Ta besosh. Ky libër, për nga numri i
firmëtarëve, shpërndarja gjeografike e tyre dhe individualiteti i mendimeve të
shprehura aty, është një enciklopedi më vete. Në sa e sa raste, kur Aliu shkon
pranë tavolinave për të bërë llogarinë e shpenzimeve, është parë e dëgjuar të
shprehet: “Ai fëmijë atje, kjo e moshuar, ky djaloshi këtu (për një të sëmurë),
filani (emri i një sportisti…), ju që jeni i njohuri i mikut tim – dhe
ndonjëherë – e gjithë kjo tavolinë, më nderuat me praninë tuaj, këtu në odën
time, prandaj është në nderin tim që këtë drekë t’ua ofroj unë. Ndaj jush jam
borxhli. Faleminderit që erdhët”!
Hipizmi dhe Aliu
Duke pasur pasion
kalërimin, në vitin 1992, Aliu i nxitur edhe nga A. Ohri, Q. Biba dhe A.Ruçi,
formoi Shoqatën e Hipizmit me anëtarë Myslim Murrizi, Miço Prifti, Mimoza Murrizi,
Sokrat Labi etj. Të gjithë kanë marrë pjesë në gara lokale dhe kombëtare, kurse
Aliu është shpallur edhe kampion kombëtar. Aktivitetet e kalërimit
zhvilloheshin në livadhin në mbarim të pyllit, fare pranë detit. Për t’i ardhur
në ndihmë kësaj shoqate, Aliu ngriti pranë pistës së hipizmit një lokal të
vogël ku mblidheshin të apasionuarit e garave me kuaj, para dhe pas stërvitjes.