Kerko: a
Eshref Ymeri: Një “panteon” me vlera mbarëkombëtare
E marte, 07.01.2020, 07:15 PM
Një “panteon” me vlera mbarëkombëtare*
Dy
fjalë për veprën më të fundit të shkrimtares, publicistes dhe studiueses së
talentuar Vilhelme Vranari Haxhiraj, me titull “Elitat e Mohuara… Krenari
Kombëtare”, të prezantuar më 10 gusht 2019 në mjediset e Universitetit
“Pavarësia”, Vlorë
Nga
Prof. dr. Eshref Ymeri
Nder dhe respekt të veçantë për
shkrimtaren, poeten, publicisten e shquar dhe hulumtuesen këmbëngulëse të
kombit shqiptar, zonjën Vilhelme Vranari Haxhiraj, për këtë ikonë të kulturës
sonë kombëtare, e cila, me punën e saj të shkëlqyer kërkimore, ka hyrë thellë
në rojtinat e historisë dhe ka nxjerrë në dritën e diellit personalitete të
shquara të kombit shqiptar, duke filluar që nga periudha e mesjetës.
Kur njihet me këtë vepër madhore të
kulturës sonë kombëtare, e cila ka dalë nga një penë e talentuar, lexuesi e
përfytyron zonjën Vilhelme si një
alpiniste të shkathët, që ka filluar t’u ngjitet me vendosmëri shpateve të
maleve të thepisura, për të arritur deri në kreshtat e tyre, atje ku prehen ato
77 figura të ndritura të kombit shqiptar.
Pikërisht kjo këmbëngulje shembullore
e zonjës Vilhelme, kjo vendosmëri e paepur e karakterit të saj burrëror, të
kujton një thënie fort kuptimplote të Tomas Higinson (Thomas
Higginson - 1823-1911) personalitet i shquar amerikan, luftëtar i
vendosur për heqjen e skllavërisë dhe për bashkimin e shteteve amerikane, i
cili thoshte:
“Njerëzit e shquar
rrallë përfaqësojnë maja të vetmuara malesh, ata përfaqësojnë më shpesh maja
kreshtash malore”.
Dhe me të vërtetë, të 77 figurat e
shquara, në penën e zonjës Vilhelme, përfaqësojnë një kreshtë malore plot
hijeshi.
Zonja Vilhelme, me veprën e saj të
shquar, hodhi hapin e parë në nderim të Elitave të Mohuara. Për këtë ajo e
meriton të përgëzohet dhe të falënderohet përzemërsisht. Ajo arriti të
përfshijë në këtë libër 77 figura nga e kaluara jonë historike. Studiuesit dhe
hulumtuesit e tjerë duhet ta vazhdojë veprën e saj për nxjerrjen nga harresa
edhe të shumë figurave të tjera të shquara të kombit shqiptar.
Kjo vepër e zonjës Vilhelme mund të
vlerësohet pa mëdyshjen më të vogël si një panteon i shkëlqyer që ajo u ka
ngritur 77 figurave të nderuara mbarëkombëtare. Ne, për fatkeqësinë tonë
kombëtare, nuk kemi panteon, ku të prehen eshtrat e njerëzve të shquar të
kombit tonë. Këtu në Vlorën tonë të lashtë sa vetë jeta e kombit shqiptar,
duhej të qe ngritur me kohë panteoni i 40 firmëtarëve të Pavarësisë, ku në çdo
përvjetor të shpalljes së saj, ne të shkonim dhe të përuleshim me nderim para
vendprehjes së eshtrave të tyre.
Ne nuk e kemi panteonin e
personaliteteve të nderuara, të cilat, në vitin 1908, u mblodhën në qytetin e
Manastirit dhe nxorën nga humnerat e lashtësisë iliriane alfabetin e gjuhës
shqipe, që nuk është aspak alfabet latin, siç thonë mjaft intelektualë të
painformuar, por është alfabet ilirik, siç e ka pohuar vetë shkencëtari i
shquar i lashtësisë romake Plini Plaku (23-79 e.r.) në veprën me titull “Historia
e natyrës” (Naturalis Historiae), ku shkruan:
“Ilirët (arbërit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre
e morën nga ilirët”.
Pra, zonja
Vilhelme, me këtë vepër madhore, e cila, në këndvështrimin tim, shërben si “tafta
mbi kadife” në krijimtarinë e saj të pasur në fushën e letërsisë artistike,
të publicistikës shëmbullore nacionaliste dhe të memorialistikës sonë
kombëtare, ka nderuar veten e saj dhe, tërthorazi, i ka dhënë një sinjal klasës
politike shqiptare, që t’i thërrasë mendjes dhe të kujtohet të ngrejë panteonin
madhështor në nderim të njerëzve të shquar të kombit tonë, ashtu siç i kanë
ngritur shtetet e tjera në kryeqytetet e tyre.
Le të shpresojmë
që pena të tjera të talentuara, të cilat nuk i kanë munguar kurrë kombi
shqiptar, do të vazhdojnë ta pasurojnë panteonin e parë që ngriti zonja
Vilhelme për 77 figurat e nderuara të këtij libri jashtëzakonisht mbresëlënës.
Jemi kombi më i vjetër
i kontinentit, kemi gjuhën shqipe që është themeli i gjuhëve evropiane. Për
këtë na kanë vlerësuar lart personalitete të shquara të kulturës evropiane.
Studiuesi i talentuar Fotaq Andrea që jeton dhe punon në Strazburg, ka botuar
para disa vitesh një vepër madhore prej 767 faqesh, me titull “Pena të arta
franceze për shqiptarët”. Prandaj
zonja Vilhelme, me këtë vepër, e radhit veten pranë atyre personaliteteve, mes
të cilave po përmend vetëm dy personalitete të shquara gjermane.
Dijetari Leibnici (Gottfried
Wilhelm Leibniz (1646 - 1716), ka thënë:
“Në qoftë se duam të
dimë historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe, duhet t'i drejtohemi
gjuhës shqipe”.
Studiuesi Johan Turhan, në librin me titull “Kërkim
në histori”, të botuar në Lajpzig në vitin
1774, ka deklaruar:
“Asnjë popull tjetër i botës, në të
cilën jetojmë, nuk është aq i panjohur për Evropën Perëndimore, për sa i përket
prejardhjes, historisë dhe gjuhës, se shqiptarët. E megjithatë, ai është
populli kryesor i botës së lashtë e të rëndësishme që çdo historian do të donte
ta njihte: historia e tyre do të plotësonte zbrazëtitë e mëdha në historinë e
vjetër dhe të re të Evropës”.
Figura e shquar e zonjës Vilhelme, e cila vetë përfaqëson
një elitë të nderuar të kombit shqiptar dhe që e meriton t’i kushtohet një
vepër biografike profilit të saj intelektual, më sjell në kujtesë një thënie të
Gjergj Brandesit (Georg Morris Cohen Brandes -
1842-1927), studiues i letërsisë dhe publicist danez, teoricien i
natyralizmit.
“Njeriu i shquar
asnjëherë nuk përfaqëson bilancin e qytetërimit ekzistues. Ai përfaqson burimin
dhe fillimin e një gjendjeje të re të qytetërimit”.
Kjo vepër e pasuron me dinjitet
thesarin e kulturës sonë kombëtare dhe mendoj që Vlora, duke filluar nga
institucioni i Bashkisë dhe komuniteti i shkrimtarëve vlonjatë, t’i përcjellin
Presidentit të Republikës propozimin për t’i akorduar Zonjës Vilhelme titullin
e lartë “Nderi i Kombit”.
Vlorë,
10 gusht 2019