Kerko: a
Alfred Papuçiu: Ismail Kadare - një gjeni krijues i artit ndërkombëtar
E merkure, 01.01.2020, 05:06 PM
Ismail Kadaré - një gjeni krijues i artit ndërkombëtar
Nga
Alfred Papuçiu
Më
1 janar 2020, presidenti i Francës, Makron i dha shkrimtarit tonë, Ismail
Kadaré, titullin më të lartë shtetëror “Oficer i Madh i Legjionit te
Nderit”. Ky titull është krijuar në 19
maj 1802 nga Napolon Bonaparti. Ky titull u jepet figurave më të shquara të
Francës por dhe të botës. Eshtë një nder i madh që i bëhet një biri të Kombit
shqiptar. Ky titull vjen pas çmimit botëror Cino del Duca, çmimit Man Booker
ndërkombëtar, çmimit të letërsisë të Princit të Asturias, çmimit Jeruzalem,
çmimit ‘Nonino 2018’ që i është dhënë nga një juri, e autorizuar nga ‘Nobel’,
çmimit Bokacio , çmimit Lerici Pea, po në Itali. Presidenti francez i ka dhënë
më parë titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”, duke e cilësuar si “autor i
mrekullueshëm i historisë së Ballkanit”. Kadaré u nderua me çmimin Pak Kyongni
për vitin 2019, më datë 26 tetor në Korenë e Jugut. Ai ka marrë edhe “Medaljen e Artë të Lidhjes
së Prizrenit”. Kadaré është anëtar për
jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Blanco Calderón,
pas një ankete që u bë kohët e fundit në Spanjë shkruan se: “Nga kjo anketë, më
habiti dhe më gëzoi konsensusi i gjerë se një nga autorët të cilit i duhet
dhënë pa asnjë dyshim Nobeli është shqiptari Ismaíl Kadaré”. Ai ka marrë edhe
titullin « Doctor Honoris Causa » nga Universiteti i Palermos, si dhe nga
universitete të tjera me prestigj në botë. Ai ka marrë titullin “Nderi i
Kombit” në Shqipëri. Gazeta franceze “Le Monde” e cilëson veprën e tij në 100
më të mirat në botë. Shkrimtar i përkthyer në mbi 45 gjuhë të botës. Ismail
Kadare « i ka kapërcyer kufijtë për t’u
bërë një zë universal kundër totalitarizmit ». "Gjenerali i ushtrisë së
vdekur", “Dimri i vetmisë së madhe”, “Prilli i thyer”, “Dosja H”, “Pallati
i ëndrrave”, “Darka e gabuar”, “Ura me tre harqe”, “Kush e solli Doruntinën”,
“Përbindëshi, “Piramida”, “Tre këngë të kobshme për Kosovën”, “Clirimi i
Serbisë prej Kosovës”, 1973, 1980, 1981; të gjitha librat e tij janë në
dispozicion nga Fayard, i cili botoi veprat e tij të plota në dymbëdhjetë vëllime,
midis 1993 dhe 2004). Ai vazhdon të shkruajë, duke mos u kufizuar vetëm tek
gjinia e romanit. Ai krijon novela, ese, poema të reja, por gjithashtu edhe
pjesë teatrale, pa harruar edhe publiçistikën. Nuk mungojnë edhe skenaret e
filmave si: “Te paftuarit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Ballë për
ballë”, “Radiostacioni”, “Kur vjen nëntori”. Ismail Kadaré ka marrë shumë çmime
dhe dekorata për talentin e tij të papërshkruar. Ai është autori më i lexuar
shqiptar në botë. Kadare ka 378 botime në shqip dhe 923 në 45 gjuhë të huaja.
Ai është zëri i Shqipërisë moderne dhe këngëtar i identitetit të lashtë. Stili
i tij frymëzohet nga klasikët e mëdhenj të letërsisë botërore: Homeri, Eskili,
Dante Aligieri, Shekspiri, Servantes, Gogoli. Ai njihet ndërkombëtarisht, më
tepër se presidentët e botës. Ai nuk i përket vetëm Shqipërisë por njerëzimit.
Ai është cilësuar nga shkrimtarë të sërës së tij të njohur në botë si :
“krijues i një universi të rrallë letrar”, “illuminist dhe humanist, njeri i
lirë dhe një demokrat i flaktë”, “transmetues i mendimit, ideologjisë, dëshirës
për liri”.Ai është një nga gjenitë e artit që ka bota. Ismail Kadaré mbush
jetën tonë me një kënaqësi estetike dhe intelektuale të paparë, me një lumë
emocionesh, me njohjen reale të dekadave dhe shekujve të kaluar, me ideale që
na stimulojnë ta shohim me guxim të ardhmen, me respekt dhe dashuri për gjeniun
krijues. Ismaïl Kadaré akoma nuk figuron në kartëmonedhat e monedhës shqiptare
, por ai mishëron kulturën e vendit të
tij të vogël. Në Shqipëri, ai studjohet në shkollë dhe është i njohur për të
gjithë, që nga shoferi i taksisë deri tek kamarieri i restorantit. Pjesën
tjetër të kohës, ai jeton në Paris, ku u
vendos në vitin 1990, kur mori azilin politik në Francë. Në moshën 83 vjeç,
shkrimtari festohet sa herë që kthehet në kryeqytet, Tiranë. Në maj 2019, ai
përuroi “ Muzeun- studio Kadare” . Ky është apartamenti, i dekoruar në stilin
tipik të viteve 1960, ku ai jetoi dhe shkruante gjatë orëve më të këqija të
regjimit komunist (1944-1991.
Në
këto çaste, m’u kujtua takimi i ngrohtë me shkrimtarin Ismail Kadaré, nga fundi
i vitit 1994, në Universitetin e Gjenevës, kur më dha me autograf një nga
librat e tij që e mbaj me kujdes, me veprat e tjera të tij. Më kujtohen
gjithashtu takimet me të, tek Panairi i Librit në Palekspo të Gjenevës dhe më
vonë në shtëpinë e tij dhe jam tepër i gëzuar kur shoh se në libraritë më të
mëdha në Zvicër, si edhe në bibliotekat e shumta jo vetëm në Gjenevë, por edhe
në qytete të tjerë, si në bibliotekat e organizatave ndërkombëtare, ku kam
punuar, emri i Ismail Kadaresë zë një vend të veçantë. Në Bibliotekën
madhështore të Pallatit të Kombeve në Gjenevë, ku kam patur fatin të
punoj, kërkoheshin dhe lexoheshin me
kënaqësi veprat e shkrimtarit Ismail Kadaré. Dhe unë isha krenar që vija nga «
vendi i Kadaresë ». Jam i mendimit se figura e Ismail Kadaresë, këtij
shkrimtari të shquar të kombit tonë, por edhe të botës moderne, të shekullit të
njëzetë, e tani në shekullin e njëzetë e një, nuk duhet të përlyhet, as nuk
duhet të denigrohet, pasi nëpërmjet tij dhe veprave të tij, shumë qytetarë të
botës, kanë mundur të njohin edhe Shqipërinë e vogël, me njerëz të mirë,
mikpritës, me karakter, luftëtarë trima, por edhe që e kanë dashur dhe e duan
paqen dhe fqinjësinë e mirë. Kadareja nuk i përket vetem kombit tonë, por edhe
kombeve të tjerë, ku ai ka fituar zemrat e miliona njerëzve me shkrimet e tij
për Shqiperinë dhe shqiptarët, për Ballkanin, Europën, në veçanti dhe Kosovën
dhe më tej. Nuk dua të përmend edhe tituj të tjerë dhe lavdërime që ka marrë
Kadareja në Francë apo gjetiu, apo sa kryetarë shteti njohin më mirë Ismail
Kadarene dhe veprën e tij se sa një president republike të çdo vendi qoftë.
Duam a nuk duam ne, ai nuk ka nevojë per ne, ne kemi nevojë për të, për
gjithçka ai do të shkruajë edhe tani edhe në të ardhmen për kombin e tij të
lashtë.
Shkrimtarë
të shquar zviceranë si Marie-Luce Dayer, gazetari i televizionit zviceran
Pierre Barde, Antoine Bordier, Liliane Perrin, Francine Koch etj etj, e kane
njohur fillimisht Shqipërinë nëpërmjet veprave të Kadaresë. Di që zvicerani
Marcel Cellier, një nga njohësit më të mirë në botë per muzikën popullore të
kombeve të ndryshëm dhe i njohur në Francë, Zvicër, Amerikë e kudo për disqet
me muzikë popullore shqiptare, bullgare etj., në emisionet e tij të përkryera
për Festivalin e Gjirokastrës, dhënë tek "Radio Suisse Romandë",
përmend disa herë me respekt birin e shquar të atij qyteti: Ismail Kadarenë. Di
që profesori zviceran Jean-Philippe Assal, mik i shqiptarëve, i apasionuar pas
profesionit të tij fisnik, por edhe letërsisë ka pranë tavolinës së tij të
punës apo në bibliotekën e tij të pasur edhe veprat e Kadaresë, të cilat i
citon në seminaret e Grimenzit, ku vijnë mjekë nga gjithë bota.
Di
që emri dhe vepra e Ismail Kadaresë zënë një vend të nderuar në letërsinë
europiane dhe atë botërore të shekullit të XX-të, paçka qe ai nuk ka marrë
cmimin Nobël në letersi që e ka merituar në fakt nga lexuesit e shumtë në botë.
Di që nga udhëtimet që kam pasur fat të bëj në botë, si rezultat i punës me
organizatat ndërkombëtare., nuk kam gjetur asnjë libër te Kadaresë në kioskat e
shumta të librave tashmë të lexuar e stërlexuar, pasi ato ruhen në bibliotekat
e njerëzve të thjeshtë, të atyre të kulturës, të artit dhe të shkencës. ..
Kemi
fat që një "Doctor honoris causa" është shqiptar, kemi fat që vepra e
tij ndodhet kudo: në Kongresin amerikan, në Bibliotekën më të vjetër të botës,
themeluar në shekullin e XII-të në Oksford të Anglisë, në Universitetin Jale
(SHBA), tek "Payot", "FNAC". Një akademik francez ka thënë
për Ismailin tonë: "Toujours vous porterez l'Albanie et toujours l'Albanie
vous portera" (Ju do të mbani gjithmonë Shqipërinë dhe Shqipëria do t'u
mbajë). Shqiptarët, siç është shprehur vetë shkrimtari ynë, "e humbën Europën"
dy herë, në radhë të parë në shekullin e XV-të, si popujt e tjerë nga zgjedha
otomane; radhën e dytë, pas Luftës së Dytë Botërore, kur ranë nën thundrën
komuniste; herën e tretë, megjithëse jetojnë akoma nën "ankthin" se mos e shohin akoma
veten jashtë Europës, Ismail Kadare, ithtar europian i shqiptarëve dhe ata që e
pasojnë, do ta vënë në jetë aspiratën e bashkëkombasve të tyre, me veprat e
tyre, për ta parë edhe Kombin tonë në Brukselin e të 27-tëve. Japonezët,
Norvegjezët, Baskët, Italianët, Britanikët, Grekët, Amerikanët, Portugezët,
Zviceranët dhe natyrisht Francezët kanë qënë lexuesit e parë të Ismailit tonë
dhe janë besnikë ndaj tij, do apo s'do ndonjë Akademik shqiptarofolës, apo ata
që për dy kacidhe hedhin anatema ndaj tij. Lexuesit e shumtë të veprës së Ismailit
në botë janë mësuar të deshifrojnë qysh në kohën e diktaturës së E.H., mesazhet
që përmbanin veprat madhore të Ismail Kadaresë.
Francezi i shquar Moris Dryon (Maurice Druon) ka deklaruar për Ismailin
fisnik: "dëshmitar i Shqipërisë për Shqipërinë, ju u kthyet në
universal" (botëror). Përsëris: jam i mendimit se figura e Ismail
Kadaresë, këtij shkrimtari të shquar të kombit tonë, por edhe të botës moderne,
të shekullit të njëzetë, nuk duhet të përlyhet, as nuk duhet të denigrohet,
pasi nëpërmjet tij dhe veprave të tij, shumë qytetarë të botës, zviceranë,
amerikanë, francezë, anglezë, afrikanë, të Amerikës Latine, australianë, kanë
mundur të njohin edhe Shqipërinë e vogël, me njerëz të mirë, mikpritës, me
karakter, luftëtarë trima, por edhe që e kanë dashur dhe e duan paqen dhe
fqinjësinë e mirë.
Ismail
Kadareja ka bërë shumë edhe për Kosovën. Mjafton të përmendim letrën që i ka
dërguar para disa vitesh ish Presidentit Francez lidhur me masakrat e
serbomëdhenjve. Ai shkroi aq bukur parathënien e librit të Ibrahim Rugovës
“Ceshtja e Kosovës” që u botua nga shtëpia botuese me prestigj “Fayard”. Midis
të tjerëve mund të përmendim lexuesit e veprës së Kadaresë, etnologët e huaj,
veçanërisht francezë, të cilët janë magjepsur nga romanet e tij, në të cilat ata
kanë gjetur tema që për ta janë të shtrenjta: nderi dhe fjala e dhënë,
mikriptja, martesa, por gjithashtu identiteti kombëtar, transmetimi gojor,
epopeja. Vepra e tij shpesh duket, për këtë arsye, si një dritare mbi një
shoqëri dhe një kulture që më parë ishin të mbyllura për etnologët e huaj, deri
në 1990 dhe që për shkak të “hermetizmit” të shoqërisë shqiptare deri atëhere,
ishin të panjohura në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Ismail Kadare
është cilësuar me të drejtë nga studjuesit e letërsisë botërore si
“antikonformist”, “rezistues i heshtur”, “një kundërshtar i heshtur i
regjimit”, deri sa u kthye në një aktivist i palodhur kundër tiranisë. Ai është
një shkrimtar gjeni, vepra e të cilit u kthye në një simbol shprese. Le të
kujtojmë, të dashur lexues, se gjatë lëvizjes së studentëve dhe manifestimeve
të mëdha antikomuniste të viteve 1990-91, demostruesit mbanin në duar pankarta, me portretet e patriotit të shquar
shqiptar Fan S. Noli dhe të Ismail Kadaresë, si dhe të dy personalitete që
simbolizonin Europën, humanizmin dhe një kulturë të vërtetë kombëtare. Ai u
kthye në një idhull për një numër krijuesish të rinj që guxonin të shprehnin
disa mendime antikonformiste në veprat e tyre. Ismail Kadaresë ju desh të
përballojë me dinjitet thëniet kërcënuese: “Dëgjo Ismail! Partia dhe populli të
ngritën në Olimp. Në rast se ti nuk qëndron besnik idealeve tona, ata do të të
hedhin në humnerë”. Kërcënim i hapur në praninë e gruas së Diktatorit. Por
Ismail Kadare nuk ishte më një shkrimtar modest i viteve 60-të dhe veprat e tij
tanimë ishin botuar jo vetëm në Francë, por edhe në vende të tjera.
Inteligjenca dhe pena e tij e mprehtë ishin mbi diktaturën, o ju kritizerë
qaramanë që shpini pa dashur ujë tek mulliri i serbomëdhenjve dhe atyre që duan
të na denigrojnë me “mashat” tona mjerane!
Për
respekt të atyre që e vlerësojnë letërsinë shqipe dhe Ismail Kadarenë, po ju
jap lexuesve vetëm disa pasazhe të vlerësimeve që ju bënë atij, më 28 tetor
1996, kur ai u pranua si anëtar bashkëpunëtor i huaj i Akademisë së Shkencave
Morale dhe Politike të Francës.
Presidenti i asaj Akademie Zoti Alain Plantey, ndër të tjera përmendi
tiparet kryesore të personalitetit të Ismail Kadaresë dhe të veprës së tij,
cilësitë e të cilave vlerësohen kudo. “Në rast se ju jeni në mënyrë të
pakundërshtueshme një shkrimtar, tha ai, veprat tuaja kanë, në gjithë botën,
një kuptim të fuqishëm…
Duke
ju zgjedhur juve, ne caktojmë natyrisht një Europian të një soji të veçantë,
një Ballkanik, që për më tepër është shqiptar, përfaqësues i shquar i një prej
Kombeve dhe prej kulturave më autentike ballkanike. Në rast se sot, si për
shumë në Europën Qëndrore dhe Ballkanike, Shqipëria sheh drejt Perëndimit
liberal, ky Perëndim, nga i cili në të vërtetë komunizmi kishte frikë, kjo
është pikërisht në sajë tuajën. Ju keni treguar fuqinë etike dhe politike të
mesazhit letrar, kur ai mbështetet në kurajon dhe talentin. Vendi juaj është
ashtu si duket midis nesh.
Pastaj,
ai ja dha fjalën anëtarit tëi Akademisë, Zotit Henri Amouroux, i cili ndër të
tjera theksoi:
“Cilin
po pranojmë ne sot: romancierin Ismail Kadare, njërin nga më të mëdhejtë të
kohës sonë…Por në 1989, Ismail Kadare ka qënë zgjedhur anëtar korespondent i
seksionit të histories dhe gjeografisë të Akademisë sonë. Një romancier në
seksionin tone të histories dhe gjeografisë?
Më kujtohet atëhere, Ismail, se u thashë kolegëve të mij, i bindur
menjëherë se e gjithë vepra juaj ishte e pandarë nga gjeografia e një vendi që
Ptolemeu, i pari, e quajti Albanoï, emër që mendohet se ai i referohej në këtë
mënyrë maleve, këtyre maleve, që zënë dy të tretat e territorit, që ishin
strehë jo vetëm e të gjitha rezistencave ndaj të gjithë pushtuesve, por
gjithashtu e muzikës, valleve, kostumeve, dhe ajo që është kryesorja e gjuhës
shqipe”.
Të
heq Kapelen miku im i mirë, modest,
fisnik, por penë artë, Ismail dhe ty Helenë që ke qëndruar gjithmonë
pranë tij në Shqipëri, Francë e gjetiu, ku ju kanë shpënë rrugët e jetës. Së
bashku me nderimin e madh që i bëri presidenti i Francës së fundi, ne do bëjmë
çmos dhe do ndikojmë që Njeriu ynë i Madh, Ismail Kadare të marrë faktikisht
çmimin "Nobël" që e ka merituar prej kohësh. Më 28 janar 2020, ne do
të festojmë me madhështi ditëlindjen e shkrimtarit tonë mbarëkombëtar.
Gjenevë, më 1 janar 2020