Kerko: a
Alma Lama: Rritja e mungesës së tolerancës
E hene, 30.12.2019, 08:55 PM
Rritja e mungesës së tolerancës
Nga
Alma Lama
Para
tre ditësh opinioni në Kosovë u trondit nga thirrja publike për vrasje që një
anëtar i një partie politike bënte në Facebook, për kryetarin e VV-së, z. Albin
Kurti, kandidat për kryeministër. Reagimet ishin të shumta, si për ta dënuar
këtë akt, ashtu edhe reagimi i policisë që e arrestoi personin në fjalë. Mbase
ky rast shërben si shembulli më i mirë për të ilustruar një fenomen që prej
kohësh është bërë shqetësues në Kosovë: rritjen e mungesës së tolerancës.
Rastet
e tjera të kësaj mungese tolerance, që lidhet me disa faktorë siç janë
ndryshimi i gjuhës së mediave, zhvillimin e mediave sociale dhe shfrytëzimi i
tyre nga ana e atyrë që kërkojnë të dëmtojnë apo bëjnë keq, pabarazitë
ekonomike, pakënaqësitë politike, krimi, korrupsioni, janë të pafund.
Unë
vetë, kam marrë (dhe vazhdoj të marr herë pas here) me mijëra sharje, fyerje e
kërcënime nëpërmjet rrjeteve sociale. Manifestimi i urrejtjes së tyre ndaj
meje, lidhet me një proçes të gjatë të dehumanizmit tim që kanë bërë disa media
me agjenda persekutuese, dhe rrjetet sociale të përdorura nga grupet
ekstremiste politike dhe fetare. Shumë herë në të shkuarën i jam drejtuar
Policisë së Kosovës, por është e qartë se ky është një fenomen që nuk mund ta
ndalin prangat që i vihen dikujt.
Është
një fenomen masiv, në një shoqëri moderne, ku informacioni lëviz me shpejtësi
të jashtëzakonshme, ku askush nuk ka kohë të përqendrohet e të thellohet, dhe
gebelsianëve iu ka riardhur dita të manipulojnë faktet dhe të nxisin urrejtje,
të lincojnë njerëz, të dehumanizojnë, të rrisin padurueshmërinë ndërmjet
grupeve të caktuara shoqërore, fetare, politike, etnike. Prandaj duhen marrë
dhe trajtuar seriozisht thirrjet për vrasje dhe të gjitha kërcënimet e linçimet
që bëhen ndaj individëve.
Dikush
mund të thotë se personi i lartpërmendur, që bënte thirrje publike për vrasje,
mund të jetë shprehur në mënyrë të tillë nga mllefi, dhe nuk kishte ndërmend të
kryente krimin, pasi ata që kanë ndërmed të bëjnë krime nuk flasin publikisht,
por problemi është se thirrjen e tij publike mund ta dëgjojë edhe dikush që
mendon se porosia e tij e duhet cuar në vend. Të njejtin problem kam pasur për
t’iu shpjeguar prokurorëve që nxitja e urrejtjes fetare, mund të rezultojë me
pasoja fatale, pasi aktin mund ta kryejë dikush tjetër, pra të nxiturit, dhe jo
vetë nxitësi. Pikërisht kjo është arsyeja që nxitja e urrejtjes konsiderohet
vepër penale.
Edhe
kërkesën për ta falur kërcënuesin publik, nga ana e Kurtit e gjykoj të pavend,
pasi çdokush duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit për veprat e tij. Nuk jemi
në kohën e Kanunit. Për më tepër, kjo kërkesë e bërë nga një dikush që nesër
pritet të bëhet kryeministër, con një mesazh të gabuar tek të gjithë
kërcënuesit e linçuesit. Janë institucionet e drejtësisë që duhet të vendosin
nëse personi në fjalë duhet të qëndrojë në burg apo të kthehet në shtëpi,
bazuar në veprën penale të konsumuar prej tij, shkallën e rrezikshmërisë që
paraqet për individin dhe shoqërinë, dhe sjelljen e tij, si psh. pendesa.
Rastet
e lartpërmendura dhe shumë e shumë të tjera, ku personat lincohen e kërcënohen
në mënyrë të papërgjegjshme, ku tentohet të vihen në shtyllën e turpit dhe
sistemi gjyqësor zëvendësohet me gjyqin publik si në kohën e inkuzicionit, ku
njerëz të painformuar apo të keqinfromuar nxitojnë të japin verdiktet e tyre,
po përseriten gjithnjë e më shpesh në Kosovë. Rrjetet sociale të nxitura edhe
nga mediat joprofesionale dhe qëllimkëqija, që shkelin përditë etikën e
gazetarisë, janë shndërruar në “makina të grirjes së mishit”, ku cdo ditë fusin
dikë për ta copëtuar. Asnjë respekt për dinjitetin e njeriut, asnjë kujdes për
rrezikun që iu shkaktojnë njerëzve duke i dehumanizuar e poshtëruar. Këtu nuk
po flasim për kritikën konstruktive, që është dhe duhet të jetë e pranishme në
një shoqëri demokratike.
Përmasat
e shfaqjes së këtij fenomeni global, në shoqërinë Kosovare, flasin për një
mungesë të theksuar të tolerancës. Mungon toleranca në politikë, mungon
toleranca tek disa grupe fetare, dhe të gjitha argumentet janë se toleranca
mungon në cdo hallke të shoqërisë, përfshirë edhe raportet familjare.
Duke
qenë një shoqëri që ka përjetuar dhunë dhe represion, është e shpjegueshme deri
diku kjo mungesë tolerance, mirëpo 20 vite pas luftës, ku është një brez i tërë
që nuk e ka përjetuar drejtpërdrejt dhunën serbe, dhe me një investim të
jashtëzakonshëm të bashkësisë ndërkombëtare, do të duhej që gjendja të ishte më
ndryshe.
Fatkeqësisht
nuk është kështu.
Nëse
në vitet e para të pas luftës mungesën e tolerancës dhe agresivitetin politik e
nxisnin partitë që kishin dalë nga lufta, ku përveç gjuhës agresive, pati edhe
shumë vrasje politike dhe jo politike ndërmjet shqiptarëve; në dekadën e
fundit, intoleranca dhe fryma revanshiste është nxitur nga Lëvizja Vetëvendosje
dhe grupet radikale fetare. Mosdurimi i tjetrit, mospranimi i ideve të tjetrit,
shpallja si armik e kujtdo që mendon ndryshe nga turma, refuzimi i fakteve,
ngritja e teorive konsirative për gjithçka, veshja e akuzave me teori
konspirative për interesa politike, gjuha e rëndë fyese e diskriminuese,
dikursi i helmuar politik, shpallja e njerëzve brenda natës në heronj dhe
tradhëtarë, janë të dëmshme për kohezionin e secilës shoqëri, përfshirë ato më
të konsoliduarat. Ndërsa për shoqëri të brishta, ato mund të rezultojnë fatale.
Është
koha e fundit që mekanizmat shtetërore të veprojnë me seriozitet ndaj
kërcënimeve online dhe nxitësve të tyre. Mediat, duhet t’i kthehen etikës së
gazetarisë që ka vite që e kanë braktisur (me pak përjashtime) dhe janë bërë
levë ose e korrupsionit, ose e babëzisë për fitim, duke shkelur mbi dinjitetin
e njerëzve. Është e nevojshme që deputetët e kësaj legjislature të miratojnë
një ligj kundër linçimit publik, siç e kanë disa shtete ku ky fenomen ka qenë i
pranishëm në të shkuarën. Është e domosdoshme që subjektet politike të
ndryshojnë në mënyrë rrënjësore diskursin publik, ku përjashtimi dhe linçimi të
zëvendësohen nga kritikat kontruktive.
Alma Lama
30/12/2019
Prishtinë