Kerko: a
Anton Marku: Kosova, 'Mini Shengeni' dhe taksa
E shtune, 28.12.2019, 05:58 PM
Kosova, ‘‘Mini Shëngeni’’ dhe taksa
Nga
Anton Marku
‘‘Mini
Shëngeni’’ duket të jetë një ndër përpjekjet e para serioze në dekadën e
fundit. Ajo ka filluar të hedhë hapat e parë në realizimin e një ëndërre që
mund të ketë karakter rajonal, por që në mënyrë konkrete e promovon elementin
evropian të integrimit mes njerëzve, kombeve dhe shteteve. Kundër kësaj ideje
janë kryesisht idhëtarët e taksës që e futi vendin në izolim si pothuajse
asnjëherë më parë që nga vitit 1999.
Frika nga liria
Është
për tu habitur kundërshtimi i hapur, kryesisht i pajustifikuar, i konceptit, jo
vetëm nga pushtetarët e deridjeshëm, por edhe e një pjese të shoqërisë civile,
sidomos mediave dhe intelektualëve të (pa)varur.
Nga
njëra anë edhe mund të përceptohet skepticizimi i atyre që sjellin paralele mes
të djeshmes dhe të sotmes, sidomos në kontekstin historik të pas luftës së dytë
botërore dhe tentativave të përfshirjes së Shqipërisë në kuadrin e një federate
jugosllave si republika e shtatë e saj. Po ashtu mund të kuptohet edhe rikthimi
në kujtesë i pozitës diskriminuese të Kosovës në shtetin e dominuar nga sllavët
e jugut, e sidomos dhunës sistematike të Beogradit ndaj tyre.
Sidoqoftë
duket se në rastin konkret argumentet pro përfshirjes eventuale të Kosovës në
iniciativa të tilla rajonale janë më të mëdha se sa mendohet aktualisht. Ndër
to mund të veçohen:
-Fuqizimi
i shtetësisë së Kosovës në kontekstin ballkanik: Kosova synon të ketë
marëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet që e rrethojnë. Tre nga
katër shtetet që momentalisht janë bërë pjesë e këtij procesi e kanë njohur
Kosovën dhe nuk do të lejonin që ky realitet të vihet në pikëpyetje.
-Rritja
e imazhit të Kosovës në skenën ndërkombëtare: pas dështimeve në sjelljen e
njohjeve të reja dhe në anëtarësimin në organizata të mëdha në nivel global
(UNESCO, INTERPOL, etj), si dhe vendosjen e taksës si instrument i cili nuk
solli rezultatet e pritura (një ndër to edhe njohjen nga Serbia), Kosova do të
tregonte maturi politike nëse qeveria e ardhshme, pas një analize të thuktë,
rimendon çasjen dhe pozicionimin e saj në raport me projektet të cilat i
mbështesin, politikisht dhe financiarisht, qendrat e mëdha të vendosjes në
botë.
-Rikthimi
në një treg të hapur: prodhuesit dhe tregtarët kosovarë do të sfidoheshin nga
konkurenca rajonale, por dhe do të përfitonin nga shkëmbimi i përvojave me të
tjerët, ndërsa konsumatorëve do të iu ofroheshin mallëra më cilësore me një
çmim më të ulët.
-Vazhdimi
i ëndërrës evropiane: është utopi të mendohet se shteti i Kosovës do të mund të
bëhet një ditë anëtar i BE duke u sjellë në mënyre izoluese, gjë që është vlerë
anti-evropiane. Nuk mund të pretendosh të bëhesh pjesë e familjes së madhe me
seli në Bruksel duke i përplasur dyert tua për pjesën tjetër të botës, andej
mureve.
Shoqëritë
e civilizuara nuk kanë frikë nga hapja por nga mbyllja.
Të guxosh
Në
këtë kontekst natyrisht se përfituesit më të mëdhenj do të ishin vetë qytetarët
e Ballkanit, ndër ta edhe ata të Kosovës. Qarkullim i lirë i njerëzve,
mallërave, shërbimeve dhe kapitalit është ndër projektet më të mira paqësore që
ka njohur njerëzimi deri më tani dhe Kosova duhet të guxoj që të afrohet në
këtë grup shtetesh, ngadalë dhe me kujdes, por me një energji pozitive dhe pa
paragjykime.
Në
lidhje me këtë duhet thënë se është për tu pritur që bartësit e institucioneve
kosovare janë të vetdijshëm se ndër hapat e parë që do të detyrohen të
ndërmarrin në rast se do të duan të bëhen pjesë e ‘‘Mini Shëngenit’’ do të jetë
edhe rishikimi i vendimit për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe
Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila konsiderohet se ishte një instrument politik
në kundërshtim me parimet ekonomike. Kjo dhe mund të jetë arsyeja e refuzimit
të ftesës nga ana e Presidentit Thaçi për të qenë pjesë e samitit të dhjetorit
mbajtur para pak ditëve në Tiranë.
Kuptohet
se ‘‘Mini Shëngeni’’ do të jetë një alternativë e përkohshme e integrimit në
BE, por edhe ashtu rruga për atje çon nëpër vargmalet dhe autostradat e
Ballkanit.
Hija e Ramës
Kosova
nuk duhet të ketë frikë nga Edi Rama, e aq më pak nga shteti shqiptar. Ata dhe
po të duan nuk mund të vendosin për fatin e saj. As nuk e kanë këtë mandat e as
nuk duket se pretendojnë diçka të tillë. Në këtë rast Kosova, duke pasur në
krah Shqipërinë, vetëm sa do të përfitonte nga pjesëmarrja në një forum në të
cilin do të dëgjohej edhe zëri i saj. Nëse për pothuajse dhjetë vite Kosova
dialogoi me Serbinë e vetme pse duhet të ketë rezerva për tu ulur në tavolinë
aty ku është dhe Shqipëria.
Është
për tu shpresuar se qeveria e re e Kosovës do të gjej mënyrat e duhura, qoftë
dhe në cilësinë e vëzhguesit, që të mos mbetet jashtë rrjedhave të cilat i
ofrojnë asaj mundësinë që nga vështruesi pasiv të marrë rolin e pjesëmarrësit
aktiv në diçka e cila, në një perspektivë afatgjatë, mund të jetë në dobi të
saj.
(Mos)njohja
Po,
Serbia duhet të kërkojë falje dhe ta njohë Kosovës. Absolutisht po. Por, kjo
mund të mos ndodhë në 50 vitet e ardhshme. Ky mund të jetë fati ynë. Dhe i
tyre. Megjithatë kjo nuk do të thotë se edhe gjysmë shekulli duhet të vazhdojmë
të shikohemi përmes tytave të pushkëve.
Për
të parë larg nuk mjaftojnë vetëm sytë.
Vjenë, 28 dhjetor 2019