Mendime
Adil Fetahu: UÇK - janë shkronjat më të bukura të alfabetit tonë
E diele, 01.12.2019, 05:15 PM
UÇK - JANË SHKRONJAT MË TË BUKURA TË ALFABETIT TONË
(Teuta Haxhimusa – Çerkini: “ËNDËRRA E ANËS”,
roman, botoi DE RADA, Ferizaj, 2019)
Nga Adil
FETAHU
Ana, një vajzë 23-vjeçare, ishte “mobilizuar”, kishte veshur uniformën dhe
ishte angazhuar si përkthyese e gjuhës angleze në Ushrinë Çlirimtare të
Kosovës. Pas përfundimit të luftës, në gusht të vitit 1999 ishte angazhuar në
një organizatë ndërkombëtare humanitare që vepronte në rajonin e Ferizajt,
Kaçanikut dhe Shtimjes. Ishte zgjedhur udhëheqëse e stafit prej 24 vetash,
vendorë e ndërkombëtarë, që punonin në atë organizatë. Organizata iu ofronte nevojtarëve ndihma në ushqime,
veshmbathje, artikuj saniarë, ndërtim të shtëpive; organizonte
këshillime e seminare dhe ofronte shërbime për tema të ndryshme sociale, madje edhe
psikologjike. Në stafin e Anës, përveç vendorëve e ndërkombëtarëve nga Amerika,
Anglia, Austria, Gjermania dhe
Australia, punonte edhe serbi Marko, me të cilin Ana kishte punuar në dy
projekte, tri vjet rresht. Ana me Markon
komunikonte në gjuhën angleze, por në ndërkohë u bënë edhe miq. Në fillim, hezitonte të shkonte në
terren ku duhej të takohej me serbë të tjerë, për shkak se e dinte se në mesin
e tyre mund të gjendeshin edhe kriminelë, të cilët kishin kryer krime kundër
shqiptarëve.
Gjatë punës në atë organizatë
humanitare, Ana kishte krijuar miqësi me shumë nga kolegët ndërkombëtarë. Por
ata ishin si zogjët shtegëtarë: sapo kryenin projektet e caktuara, shkonin në vende tjera, në misione të tilla
humanitare. Ana mbante korresoodencë përmes letrave elektronike me miqët e
bashkëpunëtorët që kishin ikur. Pas 17 vjet pune në atë organizatë, i lindi
ideja t’i ftojë si mysafirë, në shtëpinë e saj, bashkëpunëtorët e miqtë ndërkombëtarë,
për 8-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Këtë ide të Anës e pëlqeu dhe përkrahi
bashkëshorti i saj, Beni. U dërgoj ftesa
në adresat e tyre elektronike. Ftesës iu përgjigjen: Kapiteni dhe Klara nga
Amerika, Xhoni dhe Sara nga Anglia, Dilani nga Australia, Mersa nga Sarajeva,
Denisi e Dona. Mersa, që e fliste një anglishte me theks boshnjak, nuk kishte
lidhje direkte nga Sarajeva me Prishtinën, prandaj kishte ardhur përmes Vjenës.
Edhe 10 të ftuarë tjerë nuk kishin mund të vinin, për shkak të angazhimeve në
punët e tyre nëpër botë. Për ardhjen e
mysafirëve (më 10 shkurt), Ana dhe Beni kishin organizuar shërbimin e taksive,
për t’i marrur, në orare të ndryshme, nga Aeroporti i Prishtinës, deri në
fshatin (Ilirias), buzë maleve të
Sharrit. Arritjen e mysafirëve Ana e Beni i pritën, sipas traditës shqiptare të
mikpritjes. Pak para darkës kishte
ardhur edhe serbi Marko, nga Shtërpca. Në darkën e shtruar, me specialitete
vendore, Ana po iu shpjegonte emrat, reçetat dhe mënyrën e përgatitjes. Pas darkës, mysafirët bisedonin për
përsshtypjet e tyre nga koha kur kishin punuar në Kosovë. Të nesërmën që dolën
në qytet, ishte një befasi e këndshme për Kapitenin amerikan, i cili me njësinë
e tij tankiste kishte hyrë i pari në Ferizaj, më 12 qershor 1999. Një rrugë e
Ferizajt kishte marrë emrin: “Rruga e Kapitenit”. Kur për dreke hynë në
Restorantin e Ahmet Gjylës, të gjithë sa ishin aty, u ngritën në këmbë, në
shenjë nderimi për mysafirët ndërkombëtar, ndër të cilët kapitenin
e njihnin shumica, sidomos ish-ushtarët e UÇK-së, të cilët kishin pasur
rastin të bashkëpunonin me Kapitenin.
Në mbrëmje, në shtëpinë e Anës, po bisedonin për përshtypjet e ditës dhe
evokonin kujtimet e mëparshme. Ana po u tregonte përjetimet e saj të hidhura:
përjashtimin nga objektet shkollore kur ajo ishte nxënëse; përjashtimin e
punëtorëve prej pune; burgosjen dhe torturimin e njerëzve të pafajshëm, ndër të
cilët edhe vëllaun e Anës, Artistin në
ushtrinë jugosllave, prej së cilës shumë shqiptarë ktheheshin në arkivole;
krimet serbe kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës. Ana e kishte një
dhomë-muze, në të cilën e kishte bibliotekën dhe shumë potrete, fotografi,
eksponate, letra, gjësende e copa gazetash
vendore e ndërkombëtare që kishin shkruar për krimet serbe në
Kosovë. Për shkak të të gjitha atyre
përjetimeve të rënda në fëmijërinë dhe rininë e saj, Anës iu kishte
pikasur dhe po i përsëritej pothuajse
çdo natë ëndërr e ankthshme.
Mysafirët po habiteshin nga rrëfimet e Anës, të cilat nuk i kishin dëgjuar
asnjëherë prej saj, edhepse kishin punuar bashkë me vite të tëra. Ata
pyesnin të kujat ishin portretet, fotografitë, vizatimet, letrat, gjësendet,
Markon (serb i Shtërpcës), po e kaplonin djersë nga rrëfimet e Anës. Kulmin e
nervozës Marko e shprehi kur Ana po e tregonte uniformën e saj, të cilën e
kishte mbajtur sa ishte me shërbim në UÇK. Kapelën me simbolet e UÇK-së po e
venin mbi kokë edhe disa nga mysafirët. Marko u xhindos nga kjo, doli në
ballkon për të pirë një cigare. Kur mysafirët e pyetën Anën për domethënien e
shkronjave UÇK, ajo iu shpjegoi me një rrëfim të dhembshëm, se djali i tezës,
Dani, i cili ishte punëtor në Gjermani, ishte kthyer t’i bashkohet UÇK-së në
luftën kundër forcave serbe. Kur e kishte veshur uniformën e bërë betimin,
kishte thënë: UÇK janë shkronjat më të bukura të alfabetit shqip,
sepse ato nënkuptojnë dhe simbolizojnë
lirinë e Kosovës. Dani kishte rënë dëshmor në Betejën e
Koshares, më 30 maj 1999, dhe Ana mbante portretin e tij në dhomën-muze.
Mysafirët bënin pyetje të shumta, jo vetëm për eksponatet dhe gjësendet e
dhomës-muze, por edhe për gjendjen aktuale. Ana u shpjegonte se populli nuk
ishte i kënaqur me zhvillimet e pasluftës. Mirë që vendi u çlirua nga okupimi
serb, populli po jeton në liri, por ky vend e ky popull ka nevojë për zhvillim,
fuqizim ekonomik dhe institucional. Plagët e luftës nuk janë shëruar; akoma
janë edhe më se 1600 persona të pagjetur; kriminelët serbë nuk janë dënuar për
krimet e kryera, dëmët materiale e jomateriale nuk janë kompensuar nga
agresori. Populli është i pakënaqur edhe me Bashkimin Europian, që po e mbanë
Kosovën të izoluar. Rinia po e braktisë Kosovën.
Ditët në vazhdim Ana e Beni me mysafirët vizitonin vende të ndryshme, ndër
të cilat edhe Monumentin e 60 dëshmorëve të Ferizajt, të rënë në betejën e
Jezercit e në vend tjera, Kompleksin memorial të 45 martirëve civilë të Reçakut
(“Srebrenicës së Kosovës”), Bifurkacionin e Nerodimes, etj.
Në ditën e manifestimit të 8-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së
Kosovës, Ana dhe Beni i sollën mysafirët në Prishtinë, për ta përcejllë
manifestimin. Ata u kënaqen me atë që panë në manifestim. Para se të ndaheshin
prej mysafirëve, të cilët të nesërmën ktheheshin nga kishin ardhur, përveç fotografive të shumta kolektive dhe
dy-nga-dy, Ana dhe Beni u kishin blerë për secilin nga një dhuratë modeste,
figurën miniaturale të obeliskut “NEWBORN”. Mysafirët e falënderuan Anën për
ftesën, për ditelindjen e 8-të të Kosovës dhe për gjithë kujdesin e treguar
gjatë vizitës.
Para se të ndahen, Dilani, që ishte psikolog me përvojë, i kishte thenë
Anës: më duket se e kam gjetur shpjegimin e ëndërres sate makthe; realiteti
që ke përjetuar e parë, të ka plagosur zemrën, ndërsa ëndërra ta ka
plagosur gjumin. Ajo ka qenë shkak i dhimbjeve, traumave e përjetimeve të
rënda, të cilat i ke mbajtur të mbyllura në shpirt dhe në dhomën-muze, pa iu
treguar të tjerëve e shkarkuar nga
vetvetja. Pas rrëfimeve që na tregove në dhomën-muze, besoj se ajo ëndërr nuk
do të përsëritetmë. Ana e falënderoi Dilanin për këtë shpjegim të logjikshëm
psikologjik, i mori ngryk dhe u përshëndet me secilin, duke iu uruar rrugë të
mbarë , me dëshirë që të takohën përsëri.
* * *
Ky është syzheu i romanit “Ëndërra e Anës”, dhe është romani i parë i autores, por për nga përmbajtja,
shtjellimi, stili i rrjedhshëm dhe gjuha
e pasur, nuk le përshtypje se është vepra e parë, veçse të një shkrimtareje me
përvojë të mjeshtrisë së shkrimit dhe të horizontit të gjërë të njohjes së
realitetit Kosovar të para, gjatë dhe pas luftës. Romani mund të jetë edhe
si një autobiografi e vet utores,
e shtjelluar në mënyrë letrare-artistike. Ka në këtë roman përplot ngjarje të
vërteta dhe emra të përveçëm nga realiteti kosovar. Në 231 faqe të këtij
romani, lexuesi do të gjejë edhe shumë ngjarje, dëshmi dhe rrëfime interesante,
reale e virtuale, shumë emra të përveçëm realë dhe asi virtualë që lidhen me
ngjarjet dhe përjetimet e autores, por edhe të shumë e shumë kosovarëve tjerë.
Ne këtu i prezantuam vetëm disa prej tyre, pa dashur ta shtrydhim tërë
përmbajtjen e romanit, por me qëllimin më të mirë, për ta nxitur leximin.
Biografia e shkurtër e autores: Teuta
S.Haxhimusa-Çerkini, u lind në vitin 1976, në Ferizaj. Pas gjimnazit të kryer në vendlindje,
studimet për gjuhë dhe letërsi angleze i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë, të
Universitetit të Prishtinës. Studimet master, për Menaxhim të Përgjithshëm, e
me specializim për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, i kreu në Universitetin e
Sheffieldit, më 2013. Prej vitit 1999 ka punuar në organizata të shumta
ndërkombëtare, duke e zhvilluar karrierën e saj profesionale për 20 vjet në
role e pozita të ndryshme menaxheriale dhe në konsulenca me organizata të
ndryshme ndërkombëtare, të cilat veprojnë ose kanë vepruar në Kosovë.Me botimin
e këtij romani, të parë, është dëshmuar se ka
dije, vullnet, pasion dhe talent edhe për letërsi, dhe në të ardhën mund
të priten vepra të reja prej kësaj autoreje.