Kerko: a
Enver Bytyçi: Albin Kurti në kurthin e Edi Ramës
E shtune, 26.10.2019, 06:55 PM
Albin Kurti në kurthin e Edi Ramës
Nga
Enver Bytyçi
Katër
orët e takimit Rama-Kurti janë momenti mëi spikatur i kohëve të fundit në
përpjekjet e kryeministrit të Shqipërisë për të ngrit kurthe të reja kundër
Kosovës, pavarësisë dhe integritetit territorial të saj. Nga deklaratat e zotit
Kurti ve re se lideri i Vetëvendosjes, kandidat për kryeministër të Kosovës,
qenka bindur se “Rama nuk është për ndarjen e Kosovës dhe tjetërsimin e
territoreve të saj përmes shkëmbimit të territoreve”. Ndërkaq zoti Kurti qenka
surprizuar nga propozimi i zotit Rama për formimin e ministrive të përbashkëta
midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Detaje
tjera nuk dimë nga ai takim katër orësh midis dy majtistëve anarkistë
shqiptarë. Por mua më mjaftojnë këto dy indicje për konkluduar se kryeministri
i ardhshëm i Kosovës po shkon në rrjetën e Edi Ramës dhe ndoshta pavetëdijshëm
po bëhet patericë e tij. Nëse Kurti akoma pa u mbyllur mirë takimi merr
përsipër të shfajësojë Edi Ramën nga akti antikombëtar i tij për ndarjen e Kosovës,
ky veprim i tij jo vetëm që konsiderohet i papjekur, por shkon në funksion të
shtrembërimit të të vërtetës. Albin Kurti, duke deklaruar se “Edi Rama nuk
është për ndryshimin e kufijve”, e shfajëson atë nga marrëveshjet që
kryeministri shqiptar ka me presidentin e Serbisë, Vuçiq, si dhe e ndihmon Edi
Ramën për t’iu kundërvënë akuzave që atij ia ka bërë publikisht kryeministri në
detyrë, Ramush Haradinaj.
Nëse
kjo do të ishte e vërteta, do ishte një mrekulli, sepse po të mos kishte një
marrëveshje Rama-Vuçiq e më pas Thaçi-Vuçiq për ndarjen e Kosovës, pavarësinë e
shtetësinë e saj do ta kishin njohur shumë vende të tjera në botë dhe Prishtina
zyrtare do ta kishte vendin e saj tashmë në INTERPOL, UNESCO dhe organizata të
tjera prestigjioze mbarë-planetare. Ishte pikërisht projekti i ndarjes i
hartuar në Beograd dhe i mbështetur prej Edi Ramës e Hashim Thaçit që i ka
krijuar ngërç shtetit të Kosovës.
Por
mesa duket kryeministri i Shqipërisë i ka përrallisur kryeministrit në ardhje
të Kosovës ninullat foshnjore, sipas të cilave Edi Rama është engjëlli dhe
mesia e kombit shqiptar. Me naivitet apo me dashje, Albin Kurti jo vetëm e
paska dëgjuar me respekt, por edhe na qenka bind se “Edi Rama është “akullore”
në raport me qëndrimet e tij për Kosovën”.
Ndërkaq
joshja pas idesë së zotit Rama për krijimin e ministrive të përbashkëta nuk
është as më pak, as më shumë se skemë në funksion të zbehjes së imazhit të
institucioneve të Kosovës, dobësim i shtetësisë dhe mohim i pavarësisë së saj.
Nëse Albin Kurti vjen në pushtet që sovranitetin e vendit të tij ta dorëzojë te
Edi Rama, atëherë e sigurt është se do ta përfundojë projektin e Serbisë për
shkëmbimin e territoreve dhe ndarjen e Kosovës. Atë që Edi Rama dhe Aleksandër
Vuçiq nuk mundën ta bëjnë me Hashim Thaçin do ta realizojnë me Albin Kurtin.
Ndoshta
zoti Kurti joshet nga ndonjë dredhi e Ramës për “bashkimin kombëtar”! Por ky
lloj bashkimi, pa formalizuar ndërkombëtarisht pavarësinë dhe shtetësinë e
Kosovës, do të çojë automatikisht në ndarjen e Kosovës. Dua t’i bëj me dije
zotit Kurti se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë pa arritur që ajo të ulet në
OKB dhe pa u depozituar në OKB rezoluta për njohjen e saj në kufijtë e sotëm,
do të thotë ndarje e Kosovës. Dhe në këtë rast gërshërët e presin hartën e
Kosovës jo më në Ibër, por shumë kilometra poshtë tij. Bashkimi i Kosovës së
mbetur me Shqipërinë është projekti më dobiprurës për Beogradin dhe më
shkatërrues për shqiptarët.
Së
fundi një këshillë për zotin Kurti dhe gjithë politikanët shqiptarë. Duhet të
merrni një vendim. Të hiqni dorë nga retorika e bashkimit kombëtar së paku
derisa Kosova të realizojë shtetësinë e saj të plotë. Të jem i sinqertë, unë
jam e do të jem për dy shtete të ndara, edhe pse shqiptarët e Kosovës do të
quhen ashtu siç janë, kosovarë. Hiqni dorë nga kjo, sepse interesat e kombit e
të atdheut qëndrojnë shumë më lart se keqpërdorimi i emocioneve nacionaliste
nga ana e politikës. Nuk më erdhi mirë as për atë që mbrëmë Doktor Berisha e
ritheksoi dëshirën për bashkim kombëtar. E kuptoj se një dëshirë e tillë buron
nga shpirti. Por shpirti i kombit varet te integriteti territorial i tij dhe
rritja e mirëqenies, kulturës dhe jetës sociale. Politika duhet t’u ofrojë
shqiptarëve mirëqenie, jo bashkim fiktiv, socializim të shoqërisë, jo përçarje
dhe grindje pa fund, civilizim të politikës, arsimim, shëndet, mundësi pa fund
dhe jo izolim, emigrim, shpërbërje, injorancë!
Bashkimi
i kombit qëndron në forcën konkurruese të tij me kombet e tjera. Edi Rama me
nisma si ajo e Shëngenit Ballkanik, dëshiron ta vendosë kombin tonë në varësinë
e Beogradit. Albin Kurti ia paska mbajt ison, si në këngën labçe. Ky nuk është
vetëm inferioritet i tij, por edhe kapitullim e dështim ende pa nis detyrën e
lartë të kryeministrit të Kosovës!