Kulturë
Albert Zholi: Servet Tartari - Libri, pushteti më bujar
E shtune, 14.09.2019, 09:28 AM
“LIBRI, PUSHTETI MË BUJAR” ku emrat e mëdhenj japin mesazhin e kohës
(Intervista,
portrete, reportazhe, mbresa, kujtime, bashkëbisedime)
Nga
Albert Z. ZHOLI, Shkrimtar-publicist
(Redaktor i librit)
Thuhet
se një libër është një histori për mendjen, ndërsa një këngë është një histori
për shpirtin. Apo “Miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje të fjetur: Kjo
është jeta ideale”. Leximi i një libri ka qenë në të gjitha kohërat dhe në të
gjitha moshat një burim i dijes, i lumturisë, i kënaqësisë dhe madje edhe
kurajos morale për ta parë botën dhe jetën ndryshe, me optimizëm. Aktualisht në
botë më shumë se për të njohur dhe për të mësuar, imediate gjithashtu
mbetet nevoja për një përpjekje të
vetëdijshme për të balancuar situatat që i japin drejtimin e duhur jetës. Në
ditët e kaluara, nëse leximi nuk ishte kultivuar apo inkurajuar, ka pasur një
zëvendësim të tijin në predikimet fetare dhe në traditën gojore. Por sot,
leximi, pasja e një biblioteke e një libri është një domosdoshmëri. Një person
i cili lexon gjerësisht është në gjendje që të debatojë logjikisht me të tjerët
pasi ai është një bashkëbisedues më i mirë se sa ata që nuk lexojnë. Leximi
zgjeron vizionin, ai është në një mënyrë një zëvendësuese e udhëtimit. Leximi
mund të plotësojë boshllëkun e krijuar nga mungesa e udhëtimit pasi jo çdo kush
sot ka mundësi të udhëtojë dhe të mësoj në udhëtim. Leximi nuk ka fund, sepse
gjendet një shumëllojshmëri e subjekteve për t’u lexuar në shumëllojshmërinë e
librave anembanë botës.
Në
të vërtetë, publiku është i lirë të zgjedhë mes vlerave që i ofrohen, sepse jo
gjithnjë kushtëzohet prej informacionit paraprak, i cili mund t’i vijë nga
kritika komerciale ose e specializuar, por mund t’i vijë edhe nga reklama e
paguar; ose edhe nga ekspozimi mediatik i autorit dhe mënyra të tjera promovimi
agresiv – përfshi këtu edhe recensione të zjarrta dhe mallëngjyese, që botohen
në media, të cilat kanë të njëjtin pronar dhe të njëjtat interesa me disa
shtëpi botuese të librave. Ajo çfarë mëton të arrijë tregu, reklama dhe
zallahia televizive është të zëvendësojë një hierarki me një tjetër, kur
kritika letrare nuk është koherente dhe korrekte. Në një shoqëri komplekse dhe
pluraliste, roli i kritikës letrare është jo vetëm të evidentojë vlerat e mirëfillta,
por edhe të kompensojë ndaj trysnisë brutale të tregut duke i dhënë lexuesit
atë liri dhe orientim leximi që, përndryshe, do t’i mungonte realisht tregut.
Parë në tërësi ky është dhe objekti i librit të ri i Servet Tartarit që jo më
kot e ka titulluar aq bukur “Libri pushteti më bujar”. Në këtë libër do të
gjeni, portrete, profile, reportazhe, biseda, përshkrime, intervista, dialogë,
letërkëmbime, meditime, refleksione që autori i ka mbledhur në vite me
skrupulozitet dhe tashmë i sjellë në formë libri për të plotësuar lëndinën e
gjerë të librave të tij me një libër karakteristik publicistik ndryshe nga të
parët. Ajo që dallon në libër janë portretet ndaj figurave të ndryshme shkencore, letrare, sportive,
intelektuale të çdo fushe si inxhinierë, aktorë, regjisorë, gazetarë,
operatorë, agronomë, mësues, etj, me të cilët autori ka bashkëpunuar në jetë,
apo ka zhvilluar intervista. Kushdo që merret me krijimtari e ka të qartë se
portreti është ndër gjinitë më të vështira të krijimtarisë letrare është një gjini
që do kujtesë, korrektësi, disiplinë, studim, por mbi të gjitha ekuilibër. Pra
të ruhet sensi i masës. Portreti nuk i lejon as teprimet, as zbukurimet, as
nënvleftësimet, as mbivlerësimet, as ujërat, as thatësirën as miqësitë, as
lajkat dhe as nënvleftësimin. Portreti është një mini-monografi që jep figurën
tërësore të një personi me të gjitha cilësitë, virtytet, angazhimet,
rrugëtimin, aftësitë, arritjet, zhgënjimet, disfatat. Portreti nuk lejon
sforcime, as denigrime, ai është një psiko-analizë korrekte e personazhit. Nëse
nuk je korrekt në portretizimin e tij, athere koha, kritika, njerëzit, nuk do
ta pranojnë, por do të largohen në heshtje nga ky portret. Një gjini tjetër e
këtij libri është reportazhi, një gjini shumë e vështirë por që autori e ka përcjellë
me shumë vërtetësi dhe inforamcion të bollshëm. Në mënyrë publicistiko-letrare
autori ka përshkruar shumë udhëtimë në Europë duke përcjellë historinë,
gjeografinë, akitekturën e veçantë të çdo shteti që ka vizituar. Me përshkrimet
e tij interesantë ai nxit kërshërinë e lexuesit deri në fund të reportazhit ku
ka detaje që të befasojnë. Intervistat nga ana tjetër gjallojnë jo vetëm me
veçantinë dhe cilësinë e personazheve,
por edhe me jetën e tyre interesante ku ke çfarë mëson, ke çfarë plotëson në njohuritë
individuale. Pyetjet provokuese, pyetjet për jetën dhe veprimtarinë e
personazheve tregojnë për studimin paraprak të autorit për të hyrë thellë si në
botën e brendshme po ashtu dhe në tërë jetën e tij. Në këto intervista autori
ka ditur të zbërthejë pjesët më të bukura jetësore të personazheve që po na bën
prezent. Ndaj theksoj se, në këtë libër autori është munduar të jetë korrekt me
personazhet dhe i qetë në ndërgjegjen e tij pasi ka ruajtur sensin e masës por
dhe të jetë në ekuilibër me zhvillimet kohore dhe ato letrare. Ky është një
kujdes krijues pasi, duke eliminuar kritikën letrare, kritikat e sotme
kulturore në Shqipëri nuk i shërbejnë pluralizmit, as zbulimit dhe kultivimit
të vlerave letrare por individëve, autorëve me para, që i shmangen konkurrencës
reale. Ndërsa ky libër është pjesë e tregut real pasi të tillë janë personazhet
e librit, personazhe që gjallojnë në shumë fusha me kontribute të mëdha dhe
shumë shprehëse. Marcel Proust shprehet:
“Leximi
është me vlerë të jashtëzakonshme për natyrën njerëzore. Një aspekt i kësaj
vlere është mënyra që na jep vetëdijesim. Nëpërmjet librave dhe sidomos
nëpërmjet heronjve të letërsisë, ne mund të njohim botën tonë emocionale”. Tek
ky libër autori shkruan me gjuhën e shpirtit që lexuesi të gjejë pjesë nga jeta
e tij. Ai shkruan me sinqeritet pasi e ka të qartë se librat janë qirinj të
përjetshëm të mençurisë dhe njohurive të akumuluara që çojnë në vetëdije dhe në
këtë mënyrë, në lumturi.