E shtune, 12.10.2024, 01:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Rexhep Halimi: Krimet serbe të gurëzuara në një roman tejet të suksesshëm

E merkure, 11.09.2019, 08:00 PM


Krimet serbe të gurëzuara  në një roman tejet të suksesshëm

(Fatmire Duraku,  “Ora me qostekë”, botoi “Fad” Prishtinë, 2019)

Nga Rexhep Halimi

Romani i sapo botuar i Fatmire Durakut dëshmon dhe një herë  përkushtimin dhe arritjen e  lakmueshme në disa gjini letrare të autores. Ajo shkruan poezi, tregim për fëmijë e të rritur dhe sidomos është shquar në shkrimin e prozës së gjatë. Romani “Ora me qostekë” është sa real dhe  kaq rrëqethës – me inserte, detaje dhe ngjarje tronditëse, të cilat i përjetoi popullata shqiptare. Çdo shkronjë, çdo fjalë, çdo thënie e këputur nga shpirti dhe goja e personazheve ndërsa e lexon librin të vijnë prapë të gjallë dhe me jehonë të përhershme, njëjtë ata që arritën t`i ikin rrezikut të vdekjes dhe atyre që mbetën të vdekur. I sheh dhe nuk mund të kuptosh me diçka kaq bizare, të cilat i bëri  sodateske serbe. I lexon dhe njëkohësisht i sheh para vetes nga i mbyllin sytë, nga i lënë ëndrrat dhe nga shuhen. Prozë e punuar me shpirt, shkrim i radhitur me vetëflijim, për ditët dramatike nëpër të cilat kaloi mbarë populli shqiptar duarthatë, i ballafaquar me egërsinë e tmerrshme, veç për ta lënë pragun e shtëpisë, për t`i bërë hapat e fundit , për të lëvizur kryesisht plakat, gratë shtatzëna dhe fëmijët e mitur nga trojet e veta etnike, për t`i lënë vatrat e tyre dhe varret e për të marrë botën në sy për ta shpëtuar kokën.

Shumë nga këta mbetën të varrosur në tokën e tyre, të zhvarrosen prapë me kapitullimin dhe tërheqjen e forcave vrastare serbe për t`u varrosur në varre  të përbashkëta nëpër mbarë Serbinë.

Nxirën banorët nga shtëpitë, krijohen kolona të gjata, ecin ditën e natën për të ikur nga toka e tyre etnike, për të shpëtuar kokën, për tu ndalur në postblloqe dhe për të nxjerr nga kolona vashat e pashme, për t`i dhunuar në pranin e të tjerëve e pastaj për t`i vrarë, për t`i ndarë gratë nga burrat, për t`i mbyllur në ndonjë shtëpizë dhe shtëpizës për t`ia dhënë flakën. Zërat dhe klithjet e tyre ke përshtypjen se ende dëgjohen të gjallë nëpër rreshtat e romanit “Ora me qostekë”.

Autorja ka shënuar gjatë gjithë kohës atë që e ka përjetuar dhe e ka parë me sy. E tërë kjo është kthyer në përjetim, në një shkrim me shënime autoktone nga ditët dramatike të luftës së fundit atdhetare në Kosovë, pjesëmarrëse e së cilës isha ajo vetë. Të gjitha insertet në këtë roman janë të ilustruara me çaste e data e ngjarje tronditëse, të veshura me petkun e personazheve të ndryshme të vrarë, të plagosur, të dhunuar e të torturuar deri në frymën e fundit nga armiku klasor serb. Libri nuk është shkruar në formë të ditarit klasik me data të caktuara, me vende të caktuara, por ka prekur momentet më të rënda, me të cilat dy personazhet kryesore janë ballafaquar me ferrin e luftës.

E lexon një faqe të romanit dhe ndalesh. Beson në ato gjëra apo humb në diçka të pabesueshme. I mbyll sytë e ik në  rrjedhat dhe përjetimet që i ka ndier autorja gjatë kalimit nëpër udhëtimin e tmerrshëm të  luftës. Shkrimi është bërë i tillë, jo vetëm për një lexim dhe asnjëherë nuk ke mundësi për të dalë nga ajo golgotë. Prapë e vazhdon leximin, hyn në përshkrimin e atyre që kanë ngjarë dhe e ndien të rëndë, gjithnjë e më të rëndë ecjen në këtë katarzë.

Romani është shkruar në ditët dramatike të luftës atdhetare. Të mundimeve të pabesueshme, të vrasjeve të përhershme, të përdhunimeve, vetëm pse  flet shqip,secili bëhet viktimë, secili që pi ujë shqip, secili që ha bukë shqip.

-Më s`mund të rrimë në shtëpi, - tha me fytyrë të vrarë babai.-Sonte do të vijnë të na vrasin…

-Ikim, atëherë!… Shpërthyen vetëtima, zbrazeshin bubullima të rënda. Binte shi pa ndërprerë.      Ikëm të gjithë me nga ndonjë send në dorë. Unë e mora kujtimin e fëmijërisë sime, lepurushin e verdhë, - tregon njëra nga personazhet.

Ata, kolona familjare, ikën nëpër shi e prapa u ngelin kujtimet, e prapa u ngel vatra, sofra, pusi i ujit, e prapa u ngelin varret, e prapa u ngeli varri i nënës së tyre, vdekur në rini. Vendosen – të lagur qull në shi, në një shtëpi.

Babai, me atë fytyrën e vet thatime, hynte e dilte orë e çast nga shtëpia, tek ishim ne; një shtëpi e vogël, e tëra prej thuprash dhe baltës, tak-tuk nga çatia e së cilës pikonin pika shiu, që s`prante. Ikën dita e shtatë prej se frymojmë në ankth në këtë shtëpi të vjetër në Firë. Pandërprerë, tërë kohën, binte e binte shi. Shi i imtë. E babai, ngjashëm me shiun që s` prante, lëvizte pa pra, hynte dhe dilte jashtë, pas pak të kthehej prapë brenda. I brengosur. Nuk i zihej vendi vend. Na shikonte veç e veç, me sy të lëngshëm, të trembshëm, sikur na shihte për herë të parë, apo për herë të fundit. Kishte brenda syve një dhembje të çuditshme, të pashpjegueshme, një nostalgji të përzier me frikë... Çfarë ngjante kaq e rëndë brenda shpirtit të babait.

Ai dhe koha ishin bërë një. Ai fare i humbur, tërësisht i shqetësuar, ndërsa koha e rëndë, vrasëse, e hirtë fare, si para mbarimit të botës, si para katër hijesh të apokalipsit të ri.

- I vdekur, po. Ama... - e dëgjova nga po i fliste njërit aty pranë, - ...ama dhe i vdekuri e do shtëpinë e vet.

Nuk dinim gjë – ishte afër armiku, apo jo. Mbase dhe ishte larg, por ai ishte njëkohësisht afër, shumë afër, gjithnjë i pranishëm mes nesh; në mendime, në biseda, fanitej këtu dhe aty, kudo.

- E kanë vrarë tërë një familje...

- E kishin dhunuar një vajzë të mitur...

- E kishin djegur tërë fshatin...

Binin zëra – gurë të rëndë, mbi ne për çdo ditë. Ndoshta është më mirë të ikim dhe nga këtu, nga ky fshat i vogël me një xhami të vogël, pa minare, rrëzë malit... Ama, nga mund të ikën njeriu në një mot të këtillë, në një rrethim të tillë, të egër, çfarë kishte vënë armiku në këtë pjesë të atdheut, këtu tek ishim strehuar tash e sa kohë.

*

Shtëpia gjatë natës u rrethua.

Dyert u thyen me forcë. Disa veta të maskuar hynë në oborr e ia dhanë flakën shtëpisë ku brenda saj bënin gjumë  burrat dhe djemtë. Përjetonim tmerr të pa përshkruar. Shikonim të humbura në dritare. Të maskuarit që shiheshin qartë nën dritën e flakës mbanin uniformë të policisë serbe. Kishte dhe civilë. Askush nuk kishte guxim të dilte jashtë shtëpisë ku ishim ne, ajo që dilte e kishte të çartë se do të vritej.

Me të aguar i gjithë fshati u mblodhën të sheshi i vogël para xhamisë

*

Bëheshin ditë nga ndarja me shtëpinë e mbetur vetëm, pa zë e vesh e sy - matanë lumit Llap. Ditë me radhë hamendeshim ta lëshonim fshatin. Ndërkohë ndodhi të shpërndahej lajmi për rrëmbimin e një vajze të re në shtëpinë e vet nga policia serbe. Ajo flitej të jetë Vasfije Krasniqi, fshatare jona. Kjo gjë i tronditi të gjithë. E askush nuk e dinte çfarë ndodhi me të, në të vërtetë. Të gjithë flisnin për të e askush nuk gjente përgjigje.

Të tubuar në sheshin e vogël para xhamisë, dëgjoheshin vetëm ofshamë. Të vetmen gjë e dëgjoje:

-Ja çfarë i ngjau familjes Krasniqi!

-Të ikim nga këtu.

-I ndodhi Vasfijes...

-Çfarë i ndodhi, - u dëgjua një zë.

-I ndodhi më e keqja. E morën dhe pak gjë dimë për të.

-Një e keqe po...

-Nesër mund të marrin dikë tjetër.

-Secilës prej nesh i kanoset i njëjti rrezik...

Flisni njerëzit dhe gratë të shqetësuara.

Askush nuk e kishte të çartë dhe prapë secili e krijonte pamjen e një të keqeje që do të ketë mundur t`i ndodhte Vasfijes. Ishte shumë e re, i kishte vetëm 15 apo 16 vjeç, e imët nga shtati dhe përplot jetë.

-Ndoshta do ta kenë vrarë?

-Të ikim nga këtu sa më parë... – ra prapë një zë.

*

Ja si flet një paramilitar serb i kapur nga forcat e UÇK-ës:

Çdo gjë qe mashtrim. Më nxorën nga burgu i Nishit e më thanë të vija, të vrisja, të dhunoja kë të hasja- vashat më të bukura, të plaçkitja, t`i jepja flakën çdo gjëje që është shqiptare... Krijuam njësit të veçantë, vrasës. Digjnim e dhunonim, vrisnim e prisnim... Ama, pak ose fare kishim të plaçkitnim. Ua prisnim gishtat atyre që bartnim unaza, t`ua merrnim, ua shkulnim veshët t`ua merrnim vathët. Mblidhnim qaforet e arit, rruazat e qelibarit, bylyzykët... Ua zhvishnim rrobat, ua grisnim, i lenim pa asgjë - të lëkurta, para nesh e i merrnim për qejf, secili sa donte dhe si donte. I poshtëronim, e ato – sulmonin lart zotin me grushte. Donin të vriteshin, por s`kishin me çfarë ta bënin një gjë të tillë. Ndonjëra, me zemër të thyer dhe ashtu – pa asgjë në trup, merrte vrapin të ikte. I vrisnim. Ndonjëra e plagosur mbetej aty – në mes të udhës, apo të fushës, të përpëlitej me plagët e veta derisa t`i mbyllte sytë përgjithmonë. Urinonim mbi to, mbi secilin të vrarë, femër apo mashkull qoftë... Ndonjëri mbushte torbën me veshët e tyre, që ua priste ndërmjet klithjesh të tmerrshme, me sytë e tyre, që ua nxirrte, ndërmjet klithjesh të padëgjuara deri atëherë... e – pastaj, i shponte, i fuste një nga një në ndonjë tel, t`i tregonte trofe lufte-trimërie sapo të kthehej në Serbi... Asnjëri nga ne nuk ngjanim në njerëz, por në bisha, në krijesa tërësisht pa tru-pa vetëdije. Me vetëm një qëllim, të vrisnim sa më shumë, të digjnim sa më shumë, të dhunonim sa më shumë... të pasuroheshim e të ktheheshim nga kishim ardhur me shpresë të nisnim jetë të re mbi gjakun e atyre që derdhnim, krejt për qejf të dikujt, për ta lënë Kosovën tokë të djegur, siç e lamë kohë më parë... Zot, edhe kafshët, delet, lopët, edhe fluturat, zogjtë iknin nga ne, nga kundërmimi që binte nga fryma e secilit ...”

Ja dhe rrëfimi i paramilitarit tjetër të zënë rob nga UÇK-ja:

“... Asnjëherë nuk gjeta guxim të shikoja sa të vrarë ka mes nesh. Zjarri qe i ashpër dhe herë-herë dëgjoja vetëm një gjëmë, atë gjëmën serbe, që të ndezte tmerrin, - oh, majko moja (nëna ime)!... Ca më vonë thirra të lajmëroheshin ata që ende janë gjallë, Përveç jevgut, që më kishte thënë për pasurinë që ka shqiptari që e sulmonim, do të lajmërohet edhe ai tjetri, i vrari këtu. Kishim – nga shtatë vetë sa ishim, katër të vrarë. Kjo gjë më tmerroi. Nxora nga torba bombat dhe një nga një i hodha për dritare në brendinë e shtëpisë. Dëgjoheshin gjëmë dhe vaje fëmijësh. Shtëpia mori flakë në çdo cep. Krye-shtëpiaku doli dhe kërkoi t`i lejonim t`i nxirrnin fëmijët.

- Jo, - fola unë. - Nuk do ta lejojmë të shpëtojë askush.

- Vetëm fëmijët!

- Askush, - ia bëra dhe ndërsa ai po përpiqej të thoshte edhe diçka e godita me breshëri plumbash dhe ai ra në gjunjë, shikoi diku larg, pastaj e ktheu fytyrën nga qielli dhe me fjalën zot në gojë ra me fytyrë në tokë. I hodha dhe disa bomba brenda në shtëpi dhe ca më vonë pushoi rezistenca, pushuan gjëmat, klithjet e vajet... Hymë brenda në shtëpi. Shoku im i shikonte të gjithë të vrarët me radhë. U ndal te një grua e cila kishte rënë mbi fëmijët e saj. Nxori thikën dhe ia këputi kokën nga trupi pastaj vazhdoi te burri në moshë të re, edhe atij ia morri kokën që më pastaj të ndez një zjarr në mes të oborrit e t`i ziejë kokat për t`ua larguar mishin nga to. I duheshin vetëm kafkat për t`i marrë me vete në Serbi, për të bërë shandan me to në dhomën e tij të gjumit. Qëllimin e kishte të krekosej në ndejat me raki mes banorëve serbë në fshatin prej nga vinte.  Kafkën e burrit thoshte se do ta vendoste në anën ku flinte gruaja e tij, ndërsa kafkën e gruas ta vëntë në anën ku flinte ai. ”

Kolona e të ikurve nga shtëpitë e veta  sillej në rreth ,  pa gjetur zgjidhje të përbironte dhe të ikte nga përballja me paramilitarët serbë. Të ikurit vuanin  për çdo gjë, për bukë, për gjera elementare ushqimore tërë kohën. Bashkë me kolonat e pashpresa qe dhe  shkrimtarja Fatmire Duraku, gjatë tërë kohës, e strehuar në male. Atë gjë që e përjetoi në këtë ballafaqim të egër me forcat paramilitare serbe i radhiti në një prozë të gjatë dhe suksesshme.

Ja pse romani “Ora me qostekë” është përveç mjaft mirë i realizuar dhe ndër librat e suksesshëm , ai është dhe një dëshmi e tmerreve të cilat i ka bërë policia, ushtria dhe paramilitarët serbë në Kosovë, pa kursyer gratë shtatzëna, plakat e të pafuqishmit…

Ky është romani i katërt  i Fatmire Durakut dhe njëri ndër librat më të suksesshme të botuar në kohë të fundit te ne.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora