Kulturë
Blerim Rrecaj: Në fund të kësaj vere
E premte, 13.09.2019, 08:51 PM
Në fund të kësaj vere
Nga
Blerim Rrecaj
Në
fund të kësaj vere, sikur kemi bërë valixhet gati për t'u nisur drejt vjeshtës.
Sidoqoftë ende ecim nëpër verë. Të paktën edhe pak ditë zyrtarisht. Po
shtegtojmë drejt pragut mallëngjyes. Nga stina në stinë. Duke dëgjuar, e duke u
bërë pjesë e ndejave të paracaktuara a të paplanifikuara. Ja, një i moshuar
duke biseduar me një të ri, që ka hyrë në moshën e pjekurisë, flasin e flasin,
e para se të përshëndeten, lë një fjalë i moshuari flokëthinjur që vazhdon të
vërtitet në kokën e të riut jo krejt kokëpathinjur. Ne folëm e folëm, thotë
baci, duke shprehur drojë e valë shqetësimesh, pasi që dhembjen e kemi në një
vend. E për këtë vend. Që ka nevojë t'i hiqen barishtet e këqija, erërat
kutërbuese e të pastrohet ambienti i jashtëm prej pluhurave siç pastrohet shtëpia.
Plaku vazhdon të qëndrojë, të meditoj, ëndërroj e kundroj nga ulësja, nën hije,
me një gazetë, e i riu vazhdon rrugën e tij, me telefonin e tij mençurak në
xhep. Vazhdon kjo ditë e seç humbemi e përhumbemi rrugëve e qoshqeve të
kafe-bareve. Shtëpive, kasollave e pallateve strehuese. Si më së miri
ndonjëherë ulemi e zgjasim duart mbi tavolinën ku ndodhet një kalavesh rrushi i
Therrandës a Rahovecit dhe një grusht kumbullash amerikane rritur e vjelur nga
ndonjëri prej kopshteve vendore. Fillimisht merr një kokërr të ëmbël rrushi,
pastaj një kokërr kumbulle, të mirëpjekur e lëngëmbël si rrushi, vazhdojmë një
kokërr rrush, një kokërr kumbull, ngjyrë njejtë, emëruespërbashkët: e kaltër e
mbyllët, paksa të errët shkëlqyese. Vazhdo një këso e një aso, sa për t'u
kujtuar bukur vonë shprehjen e mirënjohur: rrush-e-kumbulla. Duke lënë pas një
ëmbëlsi paksa shqetësuese e dehëse, por nëse kësaj i japim kuptim figurativ të
keqpërdorimeve e zhvatjeve, atëherë patjetër na tund e na shkund fjala:
falimentim shteti... Vazhdon vera duke na nxitur të mendojmë për të mbjella, të
korrura e të vjela. Për të na ardh mendjeve dhe fjalët shijehidhura: të
vjedhurat dhe të vjellurat. A të mjelurat, dy e më shumë kuptimëshe e
drejtimëshe. Një bletë mbi platonë e kanaçes thith qosheve të saj ndonjë pikëz
shwepsi të mbetur. E një bletë tjetër në hapësirë bleroshe, sikur s'ngopet duke
kullotur mbi livadhin e kësaj luleje portokalltëndezur petaleputhitur që i
ngjan një dielli të zjarrtë. E tash këtu në këtë ambient rrethuar me shumëkatëshe
fëmijët më të shkathët hipin pa shkallë në murin, e që matanë është një shtëpi
me oborr e me pemë, e që fëmijët ia mësyejnë asaj molle, për të marrë molla për
vete e për bashkëmocanikët që me gëzim kokrrat e mëdha të mollave të gjelbërta,
pak të skuqura në ndonjë pjesë, si farë kuqëlimi i lehtë në ndonjë pjesë të
qiellit përgjatë në të përënduar të diellit. E në verandën e restaurantit vijnë
e zënë karriket ca aktivistë, militantë a të matur, liberalë a radikalë, të
cilët harrojnë të hedhin vështrimet nga fëmijët të dhënë pas mollave e pas
ndonjë cope hapësire për të luajtur, pasi tremben nga ndonjë rojë, pasi që
thyerja e ndonjë xhami ka koston e vet. Në fund të kësaj vere, sikur mundohemi
të përmbledhim e perzgjedhim atë që do na duhet, për të vazhduar nëpër jetë, aq
sa do të kemi jetë, rrethepërqark stinëve...