Editorial
Enver Bytyçi: Vendet e pushtuara qeverisen me guvernatorë. A është Shqipëria një rast i tillë?!
E marte, 09.07.2019, 08:30 PM
Vendet e pushtuara qeverisen me guvernatorë. A është Shqipëria një rast i tillë?!
Nga
Enver Bytyçi
Voltana
Ademi sot ka bërë një hap interesant kur në një letër drejtuar ambasadorëve të
Bashkimit Europian iu kërkoi që Shkodrën deri në zgjedhjet e reja të pushtetit
lokal ta administrojë një komision ndërkombëtar. Eshtë ky një hap i guximshëm,
por që dëshmon për një krizë institucionale të pakthyeshme në Shqipëri.
Kjo
do të thotë se 30 qershori këtë krizë e thelloi më tepër dhe mospajtimin midis
Edi Ramës dhe qytetarëve shqiptarë që e refuzuan atë e ka thelluar deri në
papajtueshmëri. Rezultatet e zgjedhjeve të 30 qershorit Rama i ka lexuar si
fitore e kandidatëve të tij për kreun e baskisë. Në fakt është e kundërta.
Kandidatët socialistë u refuzuan dhunshëm e paqësisht, pasivisht e me pa asnjë mëdyshje,
vendosmërisht dhe qartësisht.
Megjithatë
kryeministri i Shqipërisë ka vendosur që këta kandidatë të refuzuar t’i vendosë
dhunshëm në krye të qeverisjes vendore. Kjo i kthen bashkitë e Shqipërisë, si
ato që drejtoheshin nga demokratët dhe përfaqësuesit e LSI-së, edhe ata që
drejtoheshin nga socialistët, në sistemin e qeverisjes direkt nga qeveria
përmes guvernatorëve ose komisarëve të saj. Ky lloj sistemi i qeverisjes është
i njohur në historinë e vendeve pushtuese. Psh Milosheviçi p.sh heqjes së autonomisë
së Kosovës më 23 mars të vitit 1989 dhe vendosjes së sistemit të aparteidit në
këtë vend, dërgoi në Prishtinë një guvernator. Ky guvernatori serb që e
administroi Kosovën deri më 12 qershor 1999, kur ajo u çlirua nga forcat ajrore
të NATO-s, ndërtoi një administratë të dhunshme në vend. Menjëherë pas
vendosjes së tij, u hoqën nga puna 114 mijë shqiptarë, u mbyll universiteti i
Prishtinës, Shtëpia Botuese që për fat të keq pati emrin e qeverisjes së sotme
në Shqipëri, ‘Rilindja’, u mbyll radiotelevizioni në gjuhën shqipe, u thirrën
në stacionet policore mbi 500 mijë shqiptarë dhe një pjesë e madhe e tyre u
dënuan me burgime të ndryshme. Shkurt, guvernatori i Milosheviçit e shndërroi
Kosovën në një vatër zjarri, në një oxhak prushi, që do të digjte vetë
diktatorin serb.
Ka
edhe shembuj të tjerë të qeverisjes me guvernatorë në vende të tjera pushtuese.
Më e përhapur kjo praktikë ishte e përhapur në vendet koloniale në periudhën e
kolonializmit britanik, francez, holandez, spanjoll apo portugez. P.sh India
qindra-milionëshe u qeveris me guvernator anglez. Dhe kjo praktikë qeverisëse
po kthehet pas puçit kushtetues të 30 qershorit në Shqipëri. Qeveria ka
vendosur që të vendosë me dhunë në karrigen e njeriut të parë në baskitë e
vendit, atë që ajo e projektoi si kandidat për kryetar bashkie. Për herë të
parë në historinë e demokracisë shqiptare dikush me ndihmën e qeverisë bëhet
kryetar bashkie thjesht për faktin se ai ka kandiduar për këtë detyrë të
rëndësishme, thjesht për faktin se personi në fjalë është kandiduar nga
qeveria.
Kjo
e bën qeverisjen vendore te ne të ngjashëm ose identike me qeverisjen me
guvernatorë. Prej 30 qershorit qytetarët shqiptarë nuk do të kenë në zyrat
përfaqësuese të tyre njerëzit e zgjedhur, por njerëzit e emëruar nga pushteti qendror.
D.m.th qytetarët shqiptarë do të qeverisen nga guvernatorët e emëruar nga një
diktator i ri shqiptar. Dhe si për të kopjuar Milosheviçin, ose si inerci e
pakushtetutshmërisë së saj, qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama vendosën të
aplikojnë të njëjtat standarde të guvernës së Kosovës të viteve 1989-1999. Ka
hyrë në procedurë parlamentare shkarkimi i presidentit të vendit dhe ligji për
ndëshkimin e fjalës së lirë. Prej këtij momenti media e lirë do t’i nënshtrohen
censurës dhe dhunës së guvernës qendrore. Guvernatorët lokalë do të kenë në
dispozicion të tyre policinë bashkiake e policinë e shtetit. Kanë filluar
përgatitjet për të shtuar repartet e forcave speciale dhe si të tilla u
reklamuan edhe repartet speciale të ushtrisë, të cilat u përdorën më 30 qershor
për ‘mbrojtjen’ e a ambasadave të huaja në Shqipëri.
Guverna
qendrore, e cila ka humbur mbështetjen e shqiptarëve, dërgoi në dyert e pranë
dritareve të ambasadave ushtarakë me uniformë të forcave speciale, që i shohim
në Kabul ose Kandahar, ndërkohë që asnjë ambasador nuk u ndje keq për këtë.
Kreu i guvernës qendrore shqiptare testoi me ushtri aplikimin e gjendjes së
jashtëzakonshme në një kohë e proces të zakonshëm e njëkohësisht të
jashtëzakonshëm. Por dha edhe sinjalin se mbas 30 qershorit Shqipëria do të
marrë formën e qeverisjes nën pushtim.
Në
këtë raport zgjedhjeje midis qeverisjes me guvernatorë pushtues të Edi Ramës
dhe administrimit nga BE të bashkive të vendit, duket se më e dobishme për
shqiptarët duket kjo e dyta. Në fund të fundit Shqipëria e ka një eksperiencë
të protektoratit ndërkombëtar, kur Konferenca e Londrës vendosi që vendi ynë të
shpallej ‘Principatë sovrane dhe pavarur, nën mbikëqyrjen e Fuqive të Mëdha’
dhe dërgoi në Durrës princin gjerman Wilhelm Wied. Ajo eksperiencë po rikthehet
tek ne pas 105 vitesh dhe për këtë ka meritë të padiskutueshme kryeministri i
Shqipërisë Edi Rama.
Nëse
doni argumente të tjerë për këtë lloj trajtese, ju lutem qytetarëve shqiptarë
të lexojnë mirë atë maskaradë që po ndodh në këto çaste në sallën e parlamentit
shqiptar.
Tiranë, më 08.07.2019