E diele, 06.10.2024, 11:25 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Parlamenti i 4000 dhomave!

E marte, 25.06.2019, 08:46 PM


Kuvendi i Australise

Parlamenti i 4000 dhomave!

Nga Prishtina në Australi

Nga Gani Mehmetaj

Kanberra, ndryshon nga Sideny, Melburni e Adelaida. Është kryeqytet i administratës federale, ku nëpunësit e qeveritarët vijnë të shërbejnë, bëjnë karrierë politike e kthehen nga kanë ardhur. Shteti është punëdhënësi më i madh. Kanberra nuk e ka jetën dinamike që ua ofron Melburni, Sidnei dhe Adelaida. Por ka nga ata që pastaj mbetën tërë jetën në këtë vend të qetë, të këndshëm dhe të pranueshëm për tri kategoritë: çiftet e reja që duan të krijojnë familje, burrat e gratë që duan të bëjnë karrierë dhe pensionistët që kërkojnë paqe e qetësi. Përkujdesja ndaj gjelbërimit, lulishteve e parqeve është ajo që bie në sy. Hapësira e pafund  u jep mundësi të këtillë: kodrinat e pyllëzuara, parqet kombëtare ku jetojnë kangurët, ndërsa në Australi thuhet se janë 44 milion kangurë (2016), një lloj i papagallit me disa shpezë të tjera janë aq të shumtë e të shpeshta sa që i has në shumë pjesë të qytetit, mbi pemë dhe në rrugë.

Kryeqyteti e ka një liqe artificial, i cili bëri gjashtë muaj të mbushej, ka parqe të pafundme, zogj të rrallë, ka dhiare malore për ecje të këmbësorëve e vrapime, ka infrastrukturë moderne. Kanberra  është qytet i shtrirë në një hapësirë të gjerë, me rrugë të shumta, pyje e drunj australianë aq të dendur e të shpeshtë. Kangurët janë të mbrojtur me ligj, kanë rezervatet e veta, qarkullojnë lirshëm në hapësira të mëdha, janë shumë kureshtarë kur u afrohesh, por bënë mirë të mbash largësinë e duhur me ta, sepse mund të jenë të paparashikuar, të godasin me grushte si në filmat e vizatuar.

Ëndrra australiane është shtëpia njëkatëshe me një kopsht para. Janë mijëra shtëpi të tilla në periferi me nyje komunikacioni që kanë lidhje të mira me qytetin. Njerëzit e kamur po ashtu jetojnë në periferi. Ishte një ekspozitë bashkëkohore, ku paraqitej jeta australiane në mënyrë simbolike, në çdo një metër që e shkelje më këmbë, simbolizonte njëqind kilometra të territorit australianë, kurse shtëpia shënohej në të gjitha gjuhët më të njohura të botës, ishte edhe në gjuhën shqipe.

Në kryeqytet organizoheshin disa ekspozita të përhershme paralelisht: ekspozita e karikaturës, ekspozita e fotografisë dokumentare, ekspozitave e pikturave të njerëzve e personaliteteve të kohës dhe ekspozita e makinave e teknologjisë. Që të katër ekspozitat shënonin historinë australiane nga fillimi i kolonizimit të kontinentit të ri. Ngjarjet e ndryshme historike e personalitetet paraqiteshin me aq  mjeshtëri sa pos kënaqësisë estetike të jepnin informacionin e munguar. Aranzhimi i ekspozitave ishte aq i bukur, me profesionalizëm e korrektësi.

Në sallën tjetër  mbahej ekspozita e kulturës kineze, ku shfaqej një film i gjatë dokumentar që paraqiste historinë kineze. Jo larg ishte ekspozita koreano- jugore. Kishte aq shumë ekspozita e ekzibicione sa të duheshin ditë të tëra që t'i vizitoje e t'i shijoje. Është mirë të provojmë organizimin e ndonjë ekspozite në kryeqytetin australianë, ku nuk na njohin, ndërsa duhet ta popullarizojmë kulturën tonë, pastaj kemi diasporë të organizuar.

Arkivi i filmit dhe kinoteka ishin në të njëjtën pjesë ose pothuajse ngjitur me Akademinë e Filmit, që kishte korpuse ndërtesash, hapësirë pushimi e gjelbërimi për studentë. Objekti i arkivit shtetëror të filmit ishte impozant me dy salla kinemash ultra moderne, ku shfaqeshin filmat nga mëngjesi në mbrëmje. Mund të shikoje cilindo film pa të pyetur njeri ku shkoje. Nëpër foaje kishte ekspozita të përhershme, pllakate filmash, paraqitje të historisë së filmit australianë e të  bashkëprodhimeve dhe pamje që paraqisnin historinë e Australisë në shiritin e celuloidit. Në njërën kinema ku ndenjëm më gjatë shfaqej një film dokumentar australian për vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar. Ishte mallëngjyese kur i shihje njerëzit, vendet, mënyrën e veshjes e modën, të njëjta ose të ngjashme me veshjet, shtëpitë, veturat e mënyrën e jetesës në Evropë. Arkivi i filmit ishte oazë paqeje e qetësia, ku nuk mërziteshe edhe po të qëndroje tërë ditën. Salla e kinemasë dhe ambienti të cytnin në përsiatje se e vlente të angazhoheshe për organizimin e Javës së Filmit të Kosovës në Australi. Java mund të organizohej edhe në Sidnei e Melburne, ku kishte shumë shqiptarë. Besoj se do të ishte ngjarje kulturore.

Si në Arkivin e filmit si në institucionet kulturore e shtetërore mund  të futeshe lirisht pa pyetjen bezdisëse : ku shkon. Këtë liri qarkullimi e patëm në të gjitha ekspozitat e tri galerive, pastaj në Bibliotekën Kombëtare, ku mund të shkoje deri në sallën qendrore të leximit që ishte plotë lexues. Mund të futeshe edhe në Kuvendin e Australisë, ku të skanonin për armë, por nuk të legjitimonin, as nuk të pyesnin ku shkon as kë e kërkon, gjë që më hutoi, ndërsa e kujtoja rreptësinë policore kur futem në Kuvendin e Kosovës me punë zyrtare e jo nga kureshtja.  Vetëm një herë imagjinova çfarë rrëmuje e stresi policorë do të krijohej sikur të futeshin qindra a mijëra turistë gjatë ditës në Kuvendin tonë.  Zyrtarja australiane na mori pwr vendws nga Sidnei, por kur i treguam se vinim nga Evropa-Kosova na këshilloi që të ngjiteshim edhe në terasën e kulmin e Kuvendit me ashensor. Ka pamje të bukur na tha. Dhe nuk u zhgënjyem.

Nga paraqitja monumentale pas Përkujtimores Australiane të Luftës, të imponohet Kuvendi i Australisë me një ndërtesë që përfshinë hapësirë të gjerë, me 4000 zyre (dhoma) me dy parlamente ai i senatorëve dhe ai i deputetëve, me restorantet e terasën që të ofronte visore magjike. Mbi kulmin e Kuvendit ishte hapësira e gjelbëruar, ndërsa punëtorët e mirëmbajtjes e kositnin barin. Ato ditë kur shkuam ne, qeveria e Kuvendi qenë shpërndarë, bëhej fushatë politike, krejtësisht ndryshe nga ajo të ne, pa nervozë, pa strese dhe pa fyerje. Kryetari i opozitës me mbiemër Albaneze që doli në sipërfaqe u bëri përshtypje shqiptarëve. Të entuziazmuar me thërrisnin me telefon. Se a ishte me prejardhje shqiptare-arbëreshe nuk arrita ta kuptoj, por që mbiemri të bënte ta besoje se duhej të ishte stërnip i arbëreshëve që u shpërngulën në Itali pas pushtimit turk të Arbërisë.  Shqiptarët e Australisë me të parën e pranuan për të tyrin, edhe pse kishin përcaktime të ndryshme politike, sepse disa ishin me partinë që fitoi, meqë i zvogëloi taksat, të tjerët ishin me partinë që humbi, meqë propozoi rritjen e taksave.

Australia ka 26 milion banorë.

Në Kanberra nuk e pashë asnjë polic sa kohë që qëndrova. Nuk e di cila ishte shkalla e krimit në kryeqytet, por me thanë se është e ulët. Për kufizimet e pirjes së duhanit flitej më shumë, meqë gati askund nuk pihej duhan, as në kafene, as në rrugë, hotele, apartamente, as në trotuare. Sikur të bëja ndonjë krahasim me ne, imagjinoni sikur për të gjitha kafet e vogla të Prishtinës të ishte vetëm një pushimore duhanpirësish për katër-pesë veta. Duhani pihej kryesisht në këmbë. Pakoja e cigares me thanë se është më e shtrenjta në botë- 25 dollarë. Pak kush pinte  duhan.

Kanberra zgjerohej. Mbi 20.000 banorë në vit vijnë në kryeqytet.

Të gjitha institucionet shtetërore janë këtu: Kuvendi, qeveria federale, institucionet qendrore publike e kulturore, Biblioteka Kombëtare, Arkivi Qendror i Filmit, Kinoteka, Galeritë e arteve (ishin shumë sish), produksioni filmik etj.

Një autobus lokal i qytetit i shëtiste turistët falas tërë ditën nga një institucion kulture në tjetrin, nga Përkujtimorja Australiane e Luftës të Kuvendi federal. Disa nga këto institucione i vizituam me sqarimet e ciceronëve, disa të tjera i pamë vetëm kalimthi.

Narrabunda ishte një lagje e zgjedhur dhe e qetë ku me gruan i kalonim  mbrëmjet. Me Zanën e Dardanin pinim verë australiane dhe kujtonim Kosovën. Vera australiane ishte e mirë, por ne gjithnjë në frymën patriotike thoshim se nuk ia kalon verës sonë. Ata ishin të përmallshëm për Prishtinën, ndërsa unë mendoja me se mund t'u imponoheshim australianëve: me verë, prodhime bio, me filma, apo diçka tjetër?Australia ishte e madhe. Fqinjët tonë ballkanik ishin të pranishëm me prodhime bujqësore, e kishin diasporën e tyre, mbase më të madhe se tonën, ndërsa tregtarët arabë ua shpërndanin djathin, hajvarin dhe jogurtin serbëve e sllavëve të Maqedonisë. Ne s'kishim ndërmjetës. Për prodhimet dardane e shqiptare tregu mund të ishte Sidnei, Melburni, Adelaida, por edhe Kamberra.  Dikush duhej të mendonte për këtë treg, kur edhe diasporën e kemi të madhe, ndërkaq hapësirat në mes të Australisë e Dardanisë po zvogëlohen vazhdimisht me avion. Brezi i vjetër  është i lidhur me Dardaninë, jo pak prej tyre kanë ndërtuar shtëpi në vendlindje apo kanë blerë apartamente në Prishtinë. Vinë për pushime. Por me rastisi që edhe të rinjtë shqiptarë të interesoheshin për mundësitë e investimeve. Luli nga Sidnei, menaxher, ëndërronte të udhëhiqte një filial të kompanisë australiane në Prishtinë. Pyeste për kushtet e rrethanat ekonomike e politike. E inkurajuam. Eja, shih dhe futu në valle, i thamë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora