Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Pushtuesit osmanë vrisnin arbërorë katolikë, ua digjnin shtëpitë e kishat
E merkure, 12.06.2019, 10:18 PM
Marin Bici, Gjergj Bardhi e Pjetër Mazreku: pushtuesit osmanë vrisnin arbërorë katolikë, ua digjnin shtëpitë e kishat
Nga
Gani Mehmetaj
Prizreni
ishte qytet i rregulluar me pallate, objekte pasunarësh e sundimtarësh, kisha
paleokristiane, kisha katolike, por edhe kisha të stilit bizantin. Shumica e
kishave pastaj janë shndërruar në xhami, me ardhjen e pushtuesit osman. Janë
një mori kishash katolike apo bizantine, si Kisha e Shën Premtes, Manastiri i
Kryeengjëjve, Kisha e Shën Shpëtimtarit, Katedralja e Zonjës Ndihmëtare, ndërsa
Xhamia e Sinan Pashës, Hamami i Gazi-Mehmet Pashës janë rindërtuar mbi themelet
e kishave arbërore. Kisha e Shën Premtës ishte kishë katolike, e ndërtuar mbi
themelet e kishës paleokristiane, pastaj ishte bazilikë bizantine, ndërsa shumë
shekuj më parë ishte faltore ilire, pra tempull pagan, që iu përkushtua
hyjneshës ilire të pëlleshmërisë e lindjes. Më vonë u bë xhami- "Xhuma
xhamia".
Në
kohën e lulëzimit të Mbretërisë së Dardanisë prodhonte e eksportonte metale
fisnike, punime nga ari e argjendi. Pas pushtimit nga Perandoria Romake, u bë
pjesë e zinxhirit të metropoleve me rëndësi ekonomike e strategjike. Bizanti e
sundimtarët vendës sërish e këndellën pas sulmeve të furishme të sllavëve e bullgarëve. Madje edhe nën sundimin e
Perandorisë Osmane, sipas Hahnit, ishte qytet më i madh se Shkodra, Janina e
Novobërda.
Argjendarët,
filigranët ilirë që nga antika e mbajtën këtë zeje. Edhe sot janë shqiptarët
katolikë ata që e kultivojnë me përkushtim argjendarinë e punimeve mjeshtërore,
duke e trashëguar zejen e të parëve. Një
pjesë e tyre janë shpërndarë në
bregdetin kroat e në brendësi, pastaj në Slloveni, Çeki e Sllovaki, madje edhe
në Austri e Zvicër. Punimet e tyre artistike e kanë pushtuar jo vetëm
gadishullin.
Por
të rralla janë qytetet në Dardani që kanë pësuar sulme e goditje më të mëdha se
sa Prizreni. Disa herë gjatë historisë prizrenasit me rrethinë janë përpjekur
të dalin nga zgjedha, të konsolidohen, të dëbojnë pushtuesin, të krijojnë
mëvetësinë. E nisi Pjetër Bogdani, e vazhdoi kreu i Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit, kur sërish u mëtua që ky qytet të shpallej kryeqytet i Shqipërisë.
Gjykimet më famëkëqija ndaj nacionalistëve e atdhetarëve pas hyrjes së trupave
serbo-malazeze në Prizren u bënë. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore u bë
kryeqytet i Kosovës, por shumë shpejt administrata u bart në Prishtinë.
Qyteti
i Lumbardhit (një lumë malor i rrëmbyeshëm), ka pësuar goditje shkombëtarizuese
gjatë historisë më shumë se çdo qytet tjetër i Dardanisë. Vala e parë goditëse
ishte ardhja egërshane e pushtuesve osmanë. Kishat katolike arbërore i
shndërruan në xhami, kishat bizantine janë përpjekur t' ua japin në dorëzim
sllavëve: bullgarëve e serbëve. Priftërinjtë shqiptarë Marin Bici, Gjergj
Bardhi, Pjetër Mazreku etj. raportonin për pushtuesit osmanë se si vrisnin
arbërorë, katolikë, se si ua digjnin
shtëpitë e kishat.
Vala
e dytë goditëse ishte pas disfatës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur për
disa kohë u bë kryeqytet i Shqipërisë, koordinoi dhe organizoi kryengritjen
deri në Janinë e Prevezë, mblodhi të parët e krahinave shqiptare për një shtet
unik etj. Ishte qendër shpirtërore për shqiptarët edhe gjatë pushtimit turk.
Nga të dhënat statistikore e kronistët e kohës pak para ikjes së Perandorisë
Osmane, qyteti me rrethinë e kishte shumicën absolute të popullatës shqiptare.
Kolonët serbë erdhën me pushtuesin, d.m.th. pas vitit 1913, kurse një pjesë të
shiptarëve të robëruar i shndërruan në turq apo i dëbuan në Turqi. Shqiptarët
katolikë i vunë në thumb, i dëbuan apo i izoluan. Megjithatë, çdo lëvizje
kulturore, politike e kombëtare ishte e lidhur me shqiptarët katolikë: shkollat
e para shqipe, muzika, letërsia, teatri. Teatri ka filluar aktivitetin në
shekullin XIX, ndërsa ishin mësuesit e priftërinjtë e shkollave shqipe, ata që
ua mësuan nxënësve artin dramatik. Një nga kontribuuesit e parë, që tregoi
suksesin e këtyre shfaqjeve, ishte Mati Logoreci dhe Lazër Lumezi, që të dy
ishin mësuesit e parë në shkollat e Prizrenit.
Kultura
shqiptare e letërsia për Dardani janë të lidhura ngushtë me shqiptarët
katolikë, duke nisur nga Pjetër Bogdani. Disa historianë duan ta nxjerrin
Gjergj Kastriotin me prejardhje nga rrethet e Prizrenit. Autori i “Çetës së
Profetëve”, Pjetër Bogdani, ishte nga Guri i Hasit. Bogdani thuhet se u nis nga
Prizreni me mijëra ushtarë arbërorë dhe e çliroi Prishtinën nga turqit.
Shqiptarët
katolikë të Prizrenit i kanë dhënë vulë të veçantë qytetit në këngë, letërsi e
teatër. Janë po aq meritorë mu si shqiptarët katolikë të Shkupit, me të cilët
kanë komunikuar, kanë bërë tregti e kanë pasur lidhje farefisnore. Vulën
shqiptare të pasluftës ata ia dhanë qytetit kur Prizreni për një kohë të shkurtër
u bë kryeqytet i Kosovës.
Ashtu
sikurse nga presionet e ndryshme, shqiptarët katolikë e braktisën Prizrenin,
kaptinë edhe më e dhimbshme janë shqiptarët ortodoksë, të cilët në
njëqindvjetëshin e fundit janë shkrirë në serbë a bullgarë, madje edhe gjuhën
ua morën, sepse meshën ua impononin në gjuhën sllave, kishën ua morën serbët,
kështu që nuk patën shumë mundësi zgjedhjeje.
Nëpër
katalogë propagandistikë, Vikipedia, emisione televizive etj., qarqet
antishqiptare përpiqen që Prizrenin t'ua paraqesin të huajve me këmbëngulje
kinse është qytet i kulturave e etnive të ndryshme, një lloj
vëllazërim-bashkimi i tipit të Jugosllavisë socialiste. Këto qarqe
antishqiptare, të fuqishme në medie e në institucione shtetërore, nuk ia kanë
falur Prizrenit pse e mori guximin të bëhej strumbullari i Shqipërisë etnike. Por Prizreni është qytet
po aq shqiptar si Prishtina, Gjakova ose Peja. Elita intelektuale e artistike
shqiptare në Prishtinë nga Prizreni erdhi.
Prizreni
ende është nën terrorin e propagandës e shantazheve të Turqisë. Deklarata
famëkeqe e kryetarit turk, Erdogan, “Kosova është Turqi”, u dha nga Prizreni.
Pavarësisht
deklaratës delirante, Prizreni mbetet krenaria kombëtare, kryeqyteti historik i
shqiptarëve, ku edhe më tutje labët do t'ia thonë këngës polifonike, në majë të
kështjellës ilire. Zambaku i Prizrenit do të jehojë deri në Marash e tutje në
Zym.
Kisha katolike ne Prizren