E hene, 09.12.2024, 02:14 PM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Mërgata e re dhe mërgata e moçme-Shepparton-qyteza e korçarëve!

E enjte, 06.06.2019, 06:25 PM


Nga Prishtina në Australi

Mërgata e re dhe mërgata e moçme-Shepparton-qyteza e korçarëve!

Nga Gani Mehmetaj

Sa shqiptarë ka në Australi? Është vështirë të thuhet. Pas Luftës së Dytë Botërore erdhën tre breza emigrantësh në kontinentin "kokëposhtë", sikurse quhet ndryshe Australia. Brezi i parë ishin emigrantët politikë: nacionalistë, luftëtarët e Ballit Kombëtar, kundërshtarët e vëllazërim-bashkimit me serbë, kundërshtarët e komunizmit, që ikën nga Shqipëria e nga ish-Jugosllavia. Brezi i dytë janë ata që ikën pas demonstratave të vitit 1981. Brezi i tretë janë emigrantët që u dynden në Australi pasi ra komunizmi në Shqipëri dhe pas fushatës së egër të Serbisë kundër shqiptarëve. Të fundit ishin të dëbuarit e mars-prillit të vitit 1999.

Hamendësohet se janë mbi 100. 000 shqiptarë. Shumica jetojnë në qytetet e mëdha si në Melburn e Sidney, por ka edhe në Kanbera, Adelaide e Darvin. Janë të shpërndarë gjithandej shqiptarët. Në Melburn është e organizuar edhe shkolla shqipe, radiostacioni në gjuhën shqipe etj. Në Adeliade janë regjistruar rreth tridhjetë e pesë nxënës në shkollën shqipe. Shkolla është në sallën e kishës. Funksionon me mësues vullnetarë që janë nga Shkodra, Deçani, Lezha, Rahoveci etj. me tregon Zef Gjonaj, pjesëtar i komunitetit shqiptarë në Adelaide. Në Melbourne, ka shkolla publike në gjuhen shqipe, shteti i paguan mësuesit shqiptarë, ndërkaq, radiot në gjuhën shqipe sponsorizohen nga shqiptarët, tregon ai. Zefi kujton me nostalgji ditët kur diaspora shqiptare në Australi ishte jashtëzakonisht e organizuar, ndihmonte shqiptarët në Dardani e në Shqipëri, protestonte kundër terrorit të Milosheviqit etj. Ai kujton aktivistët e dikurshëm. Ajo kohë nuk do të përsëritet, sepse më vonë sikur ra entuziazmi, por shqiptarët e Australisë janë të lidhur me vendlindjen, edhe pse i ndanë largësi e madhe. Me Z. Gjonajn njiheshim nga rrjeti social FB. Kur mori vesh që isha në Kanberra me thirri në telefon. Nuk ishte shkëputur nga vendlindja, i ndiqte lajmet e rrjedhat politike, djemtë i kishte martuar me vajza shqiptare. Nusja e madhe dhe e dyta janë nga Lezha kreshnike e Gjergj Kastriotit, mburret ai, kurse të tretën e ka nga Rapsha e Hotit.

Mërgimtari tjetër Sadik Ramë Binakaj, nga Belegu i Deçanit, veprimtar i mërgatës e kujton kohën kur organizoheshin për ndihma e mbështetje Dardanisë. Një kohë ishte në kreun e Komunitetit të shqiptarëve. Ai e kujton edhe vitin 1999 kur erdhën refugjatët shqiptarë dhe i vendosën në zonat ushtarake.

Sadik Binakaj, ish basketbollist i "Borcit" të Ferizajit, tregon se si iu bë fiksim të mos shërbente në ushtrinë jugosllave, prandaj vendosi të ikte, një herë në Austri, pastaj në Australi. Me gruan ishin përkthyes në kampin e refugjatëve shqiptarë. Australia u tregua solidare ndaj shqiptarëve, i ushqeu dhe i mbrojti, tregon ai. Edhe ai rejat i ka shqiptare nga Shqipëria e Dardania, njërën nuse të djalit e ka gjirokastrite.

Të takosh shqiptarë është vështirë, sepse janë tepër të shpërndarë, Australia është aq e madhe. Edhe Sadiku, dashamir (fans) nga FB, me thirri të nesërmen pasi mori vesh nga rrjeti social se jam në Kanberra. Ndenjëm në dy dreka me familjen e tij. Ai shpresonte të kthehej në shtëpinë e tij të re në Pejë, afër gjimnazit që e kishte ndërtuar për pushime gjatë verës, ku shkonte shpesh.

Australia u bë kontinent i ri emigrimi edhe për bashkëkombësit e mi shtegtarë proverbial, që s’ka cep të botës ku nuk i gjen nga Alaska në Zelandën e Re. Është vështirë të thuhet kur erdhi shqiptari i parë në kontinentin e kangurëve. Disa thonë në fillim të shekullit XX, të tjerët jo shumë kohë pasi i sollën të burgosurit e parë nga Britania e Madhe. Athua kapën e sollën shqiptarë-piratë të Mesdheut e Atlantikut anglezët? Sepse shqiptarët ishin piratë të njohur, ata e kapën dhe e mbajtën peng shkrimtarin e famshëm Miguel de Servantesin pesë vjet.

Besohet se tronditjet ballanike nxiten valën e refugjatëve shqiptarë shumë më herët. Si janë regjistruar ata emigrantë, është vështirë të dihet. Shtegtarët a refugjatët e parë në numër më të madh erdhën në fillim të shekullit XX, në kohën kur Gadishulli Ilirik ishte aq i trazuar, ikte një perandori, ndërsa dilnin në skenën shtetet e vogla mizore, të babëzitura për territore,të pamëshirshme ndaj popullatës civile.

Pastaj vala e dytë, e treta, e katërta. atëherë kur prapë shtetet fqinje gjetën shesh të bënin përshesh, duke i persekutuar shqiptarët.

Shepparton-qyteza e korçarëve

Shepparton, quhet një qytezë e shqiptarëve, afër Melnburnit, ku mbahet "Festivali i të Korrave Shqiptare". Është ngjarje e veçantë, me treguan ata që kishin qenë. Shqiptarët e Shepartonit mbase janë ndër të parët që erdhën, ose erdhën në mënyrë më të organizuar, por ata ia kanë dhënë vulën qytezës edhe sot. Sipas rrëfimit që tregohet në formë të legjendës urbane (na e tregoi Zefi) , në qytezë u vendosën 99 burra e një grua. Burrat u martuan me gra italiane e greke, por gjuhën shqipe e ruajtën. Banorët shqiptarë të Shepardit janë nga rrethi i Korçës, të ardhur në fillim të nëntëqindave. Janë komunitet që merren shembull. Thuhet se ata sollën edhe mollët e Korçës, që vlerësohen ndër mollët më të mira.

Australinë e kam njohur nga fëmijëria, atëherë kur në netët e gjata të dimrit babai im rrëfente për kushëririn tonë ballist që iku në Australi menjëherë pasi u futën partizanët serbo-malazezë në Pejë. Rrëfimet për te ishin të pafundme, gjë që ma nxisnin imagjinatën. E imagjinoja kushëririn tim në bredhje e aventura. Kushëriri jetonte në Zelandë të Re, merrej me vendësit-aborigjinët! Dikush e barte fjalën nga fundi i botës se kushëriri im me njerëzit tjerë të bardhë i kapnin dhe i zbusnin aborigjinët, i kthenin në qytetërim, megjithëse ai qytetërim, ose mënyrën se si i privonin nga liria, shumë vjet më vonë kur i pashë në filmat australianë nuk më pëlqeu. Të ketë qenë edhe kushëriri im pjesë e një fushate të tillë? Ai nuk është më, nuk e di ka apo jo trashëgimtarë, u shua ashtu si erdhi në heshtje e në vetmi. Pesëdhjetë vjet sa jetoi në kurbet kurrë më nuk u kthye në atdhe, kurrë nuk i pa të vetët dhe kurrë nuk iu dëgjua zëri. Vetëm fjalët e porositë vinin herë të sakta, herë të shtrembëruara, sepse ishte hapësirë e madhe që të besoje në vërtetësinë e asaj që flitej.

Australinë e kujtoj edhe nga një fakt tjetër. E kam dëgjuara apo e kam lexuar në fëmijërinë time se Australia ishte propozuar nga Fuqitë e Mëdha të bëhej atdheu ynë i dytë, sepse të parin po na e merrnin serbët. Dikush e kishte hedhur idenë që të gjithë shqiptarët në ish- Jugosllavi t’i dërgonin në këtë kontinent, meqë t’i ndalnin masakrat serbe s’kishte kush. Me vjet e kam kërkuar një vend në hartën e Australisë, ku supozoja se do të vendoseshin shqiptarët. Drithërohesha kur e imagjinoja vetën në anijen e madhe tej oqeanike që lundronte drejtë kontinentit të largët, me mbërthente një zjarrmi kur fantazoja se si do të bëhesha banor i Australisë, fqinj me aborigjinët e kangurët, me një kamxhik në dorë hipur në kalë, e shihja vetën duke bredhur fushave e kodrinave të largëta.

Kanberra, maj 2019



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora