E marte, 08.10.2024, 08:23 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Singapori i udhëkryqeve të mëdha

E shtune, 01.06.2019, 10:01 AM


Nga Prishtina në Australi

Singapori i udhëkryqeve të mëdha

Nga Gani Mehmetaj

Sikurse shumica e evropianëve edhe unë në shtegtimin tim nga Prishtina në Australi u ndala në Singapor. Këtë rrugëtim e kanë bërë ndër shekuj udhëtarë e tregtarë, shtegtarë e aventuristë. Singapori ishte caku i parë edhe për shumë shqiptarë që u nisën drejtë kontinentit të ri-Australisë, duke shpresuar për  jetë të re e punë. Vendi i ishujve nuk i ndali asnjërin, por Singaporin e kam dëgjuar në rrëfimet e peripecitë e tyre. Aeroporti pas njëmbëdhjetë orë fluturimi mu duk oazë e qetë e gjumëndjellëse.  Zyrtarja e aeroportit me priste me emrin tim e të gruas, të shkruar në një copë letre të bardhë. Kinezja simpatike mezi dëgjohej derisa fliste me zë të ulët. Aeroporti ishte një ambient i veçantë, me restorante të dizajnuara mirë, me gjelbërim e kopshte botanike, me kaktuse e bimë tropikale të mbjella brenda, sepse edhe qyteti atë klimë e ka. Singapori ka njërin ndër aeroportet më të mëdha në Azinë, të rregulluar me shije. Ambienti i brendshëm është qetësues për shtegtarin e stresuar e të pagjumë që ka kaptuar kontinente,  që vjen nga njëri cep i botës në tjetrin. Shërbimi i mirë nëpër restorante është përshtypja tjetër e këndshme.

Kur dola jashtë aeroportit vala e të ngrohtit tropikal me goditi befasisht, i mësuar me freskun e pranverës të Prishtinë që më shumë ishte fund dimri. Zyrtarët e aeroportit mezi i dëgjoje kur të flisnin me pëshpërima sikur druanin se mos e zgjonin nga gjumi dike të padukshëm.

Singapori është i veçantë nga vendet tjera të Azisë juglindore, e megjithatë ka diçka nga secili prej tyre. Një miku im virtual me dëshiroi pushim të mirë duke me sugjeruar se Singapori është një kryqëzim Kine, Malajzie, Indonezie e Perëndimi. Singapori është sinonim i zhvillimit marramenthës, shembull i shkrirjes së tradicionales me bashkëkohoren, zhvillimin ekonomik dhe disiplinën e hekurt, fatin dhe kujdesin. Durimi tradicional oriental me dinamizmin euro perëndimor, ku shprehia e punës, ngërthehet me ligjet e rrepta, bënë që ky vend të jetë në kreun e vendeve të zhvilluara. Por edhe rreptësia me të cilën trajtohen disa sëmundje të qytetërimit të huton. Secilit udhëtar që vjen nga Evropa a SHBA-të ia vënë në pah qysh në aeroplan letrën me pyetësor se bartja a tregtimi i drogës dënohet me vdekje, që e bëjnë t‘i shkojnë djersë të ftohta, gjithnjë duke  u druajtur se mund t'ia kurdisë dikush ndonjë sasi droge të mjaftueshme sa të dënohet me vdekje. Në të kaluarën janë dënuar disa perëndimorë, pavarësisht faktit që pati ndërhyrje nga qarqe të larta për falje.  Rasti i australianes që është kapur me drogë, ndërsa ajo thotë se nuk është droga e  saj, por këmbëngulte që dikush ia ka vënë në bagazh, është rrëqethës.  Për kurdisje ose fatkeqësi të tilla kam parë edhe filma artistik amerikanë.

Singapor është shembull i qytetit që u pavarësua pa dashje. Pasi u larguan britanikët Malajzia e përjashtoi Singaporin nga shteti i përbashkët, për ç'gjë singaporasit janë mërzitur shumë, sepse britanikët i lanë në një shtet. Në atë kohë Malajzia ishte shumë më e zhvilluar. Emri i vjen nga Singapura  që do të thotë Qytet i Luanit. Sot Qyteti i Luanit është qytet-shtet si Monako apo Vatikani. Është ndër vendet më të vizituara, shumë joshëse për shtegtarë.

Por ajo që të bie në sy, hiq ligjin e ashpër për drogën, Singapori është shembull i vendit të lulëzuar nën kapelën britanike, dëshmi e pushtuesit që nuk të zhvat por të ndihmon e të qytetëron. Anglezët e themeluan këtë koloni, e zhvilluan dhe e ngritën në qendër botërore të tregtisë, për ta vazhduar pastaj kinezët me malajzianët. Dhe kur e sheh këtë mrekulli, se si të vjen, Singapori të gjitha këto i bëri nën sundimit e Perandorisë britanike. Kinezët nuk donin që të iknin britanikët, situatë absurdi po të shihet nga prizmi ynë.  E qeverisën Singaporin më shumë se sa që mund të themi se e pushtuan, i dhanë injeksione dhe e bënë qendër tregtare e udhëkryq në mes të dy botërave, madje në mes të disa kontinenteve. Singapori e shfrytëzoi pozitën e mirë strategjike, kjo i avancoi duke i dalluar nga shteti amë, ku varfëria e barazisë komuniste ua hanë shpitin.

Pozita strategjike e ndihmoi, i dha krah zhvillimit, e bëri qendër nevralgjike jo vetëm për Azinë. sepse Singapor është udhë kyçe nga Evropa në Australi. Shumë nga shqiptarët që i kemi takuar më vonë në Australi e përmendin se si erdhën një herë në Singapor e pastaj vazhduan tutje në qytete të ndryshme australiane. Është fjala kryekëput për shqiptarë nga Dardania e territoret etnike. Thuhet se edhe shumë shqiptarë pasi rënies së komunizmit në Shqipëri ia mësyn Singaporit me shpresën se do të realizohen, meqë i njihnin kinezët e Mao Ce Dunit, mirëpo kinezët e Singaporit ishin ndryshe. Ikën shqiptarët në shtegtime drejtë Malajzisë apo tutje në Australi.

A ka shqiptarë të Singapor? Sigurisht ka, por është i vogël numri i tyre. Është vështirë t'i takosh në këtë qytete shumëmilionësh.

Edhe Shqipëria natyrale mu si Singapori pati pozitë të mirë strategjike në Gadishullin Ilirik , por ky fakt nuk e ndihmoi, përkundrazi e dëmtoi, sepse secili nga pushtuesit e lakmonte vendin pa vendës, ndërsa nuk kishin ide për zhvillim e avancim.

Britanikët me qytetërim ishim para vendësve në Singapor, ishin para të gjithë botës, prandaj kjo gjë i dha krah zhvillimit të kinezëve. Askush nuk e do pushtuesin, askush s’ka pse e lavdëron, mirëpo ata e zhvilluan Singaporin disa herë më shumë se sa që ishte Kina. Derisa në mendjen time i bëja krahasimet e pushtuesit të mirë e të keq, para kisha Singaporin e jetës dinamike e qytetërimit euro aziatik, kryqëzimin e disa kulturave dhe kryqëzimin ekonomik tregtarë të disa kontinenteve. Perandoria britanike ka mbet në kujtesë të mirë, gjë që nuk mund të thuhet për ish- pushtuesit tonë.

Me pushtuesin e mirë jam ndeshur edhe më parë, kur shëtisja në Lubjanë e Maribor  (Slloveni), apo në Zagreb e qytetet dalmatine të Kroacisë. Dhe me dëshpërim krahasoja atë që ua la Austria  sllovenëve e kroatëve me atë që na e lanë turqit e serbët.

Sikur të triumfonte ideja e Haxhi Zekë Biberajt ne do ta kishim Britaninë e Madhe në vend të Turqisë e Serbisë, mbase do të bëheshim Singapor evropian. U nisa nga Singapori me një aeroplanë ndërkontinental australian "Qantas"  mbi oqeanin e pafundmë, me një dozë dëshpërimi pse nuk e kapëm momentin historik.

Singapor, fundi i majit 2019



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora