| E marte, 25.06.2019, 07:46 PM |
Kuvendi i Australise
Parlamenti i 4000 dhomave!
Nga
Prishtina në Australi
Nga
Gani Mehmetaj
Kanberra,
ndryshon nga Sideny, Melburni e Adelaida. Është kryeqytet i administratës
federale, ku nëpunësit e qeveritarët vijnë të shërbejnë, bëjnë karrierë
politike e kthehen nga kanë ardhur. Shteti është punëdhënësi më i madh.
Kanberra nuk e ka jetën dinamike që ua ofron Melburni, Sidnei dhe Adelaida. Por
ka nga ata që pastaj mbetën tërë jetën në këtë vend të qetë, të këndshëm dhe të
pranueshëm për tri kategoritë: çiftet e reja që duan të krijojnë familje,
burrat e gratë që duan të bëjnë karrierë dhe pensionistët që kërkojnë paqe e
qetësi. Përkujdesja ndaj gjelbërimit, lulishteve e parqeve është ajo që bie në
sy. Hapësira e pafund u jep mundësi të
këtillë: kodrinat e pyllëzuara, parqet kombëtare ku jetojnë kangurët, ndërsa në
Australi thuhet se janë 44 milion kangurë (2016), një lloj i papagallit me disa
shpezë të tjera janë aq të shumtë e të shpeshta sa që i has në shumë pjesë të
qytetit, mbi pemë dhe në rrugë.
Kryeqyteti
e ka një liqe artificial, i cili bëri gjashtë muaj të mbushej, ka parqe të
pafundme, zogj të rrallë, ka dhiare malore për ecje të këmbësorëve e vrapime,
ka infrastrukturë moderne. Kanberra
është qytet i shtrirë në një hapësirë të gjerë, me rrugë të shumta, pyje
e drunj australianë aq të dendur e të shpeshtë. Kangurët janë të mbrojtur me ligj,
kanë rezervatet e veta, qarkullojnë lirshëm në hapësira të mëdha, janë shumë
kureshtarë kur u afrohesh, por bënë mirë të mbash largësinë e duhur me ta,
sepse mund të jenë të paparashikuar, të godasin me grushte si në filmat e
vizatuar.
Ëndrra
australiane është shtëpia njëkatëshe me një kopsht para. Janë mijëra shtëpi të
tilla në periferi me nyje komunikacioni që kanë lidhje të mira me qytetin.
Njerëzit e kamur po ashtu jetojnë në periferi. Ishte një ekspozitë
bashkëkohore, ku paraqitej jeta australiane në mënyrë simbolike, në çdo një
metër që e shkelje më këmbë, simbolizonte njëqind kilometra të territorit
australianë, kurse shtëpia shënohej në të gjitha gjuhët më të njohura të botës,
ishte edhe në gjuhën shqipe.
Në
kryeqytet organizoheshin disa ekspozita të përhershme paralelisht: ekspozita e
karikaturës, ekspozita e fotografisë dokumentare, ekspozitave e pikturave të
njerëzve e personaliteteve të kohës dhe ekspozita e makinave e teknologjisë. Që
të katër ekspozitat shënonin historinë australiane nga fillimi i kolonizimit të
kontinentit të ri. Ngjarjet e ndryshme historike e personalitetet paraqiteshin
me aq mjeshtëri sa pos kënaqësisë
estetike të jepnin informacionin e munguar. Aranzhimi i ekspozitave ishte aq i bukur,
me profesionalizëm e korrektësi.
Në
sallën tjetër mbahej ekspozita e
kulturës kineze, ku shfaqej një film i gjatë dokumentar që paraqiste historinë
kineze. Jo larg ishte ekspozita koreano- jugore. Kishte aq shumë ekspozita e
ekzibicione sa të duheshin ditë të tëra që t'i vizitoje e t'i shijoje. Është
mirë të provojmë organizimin e ndonjë ekspozite në kryeqytetin australianë, ku
nuk na njohin, ndërsa duhet ta popullarizojmë kulturën tonë, pastaj kemi
diasporë të organizuar.
Arkivi
i filmit dhe kinoteka ishin në të njëjtën pjesë ose pothuajse ngjitur me
Akademinë e Filmit, që kishte korpuse ndërtesash, hapësirë pushimi e gjelbërimi
për studentë. Objekti i arkivit shtetëror të filmit ishte impozant me dy salla
kinemash ultra moderne, ku shfaqeshin filmat nga mëngjesi në mbrëmje. Mund të shikoje
cilindo film pa të pyetur njeri ku shkoje. Nëpër foaje kishte ekspozita të
përhershme, pllakate filmash, paraqitje të historisë së filmit australianë e
të bashkëprodhimeve dhe pamje që
paraqisnin historinë e Australisë në shiritin e celuloidit. Në njërën kinema ku
ndenjëm më gjatë shfaqej një film dokumentar australian për vitet e
gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar. Ishte mallëngjyese kur i shihje njerëzit,
vendet, mënyrën e veshjes e modën, të njëjta ose të ngjashme me veshjet,
shtëpitë, veturat e mënyrën e jetesës në Evropë. Arkivi i filmit ishte oazë
paqeje e qetësia, ku nuk mërziteshe edhe po të qëndroje tërë ditën. Salla e
kinemasë dhe ambienti të cytnin në përsiatje se e vlente të angazhoheshe për
organizimin e Javës së Filmit të Kosovës në Australi. Java mund të organizohej
edhe në Sidnei e Melburne, ku kishte shumë shqiptarë. Besoj se do të ishte
ngjarje kulturore.
Si
në Arkivin e filmit si në institucionet kulturore e shtetërore mund të futeshe lirisht pa pyetjen bezdisëse : ku
shkon. Këtë liri qarkullimi e patëm në të gjitha ekspozitat e tri galerive,
pastaj në Bibliotekën Kombëtare, ku mund të shkoje deri në sallën qendrore të
leximit që ishte plotë lexues. Mund të futeshe edhe në Kuvendin e Australisë,
ku të skanonin për armë, por nuk të legjitimonin, as nuk të pyesnin ku shkon as
kë e kërkon, gjë që më hutoi, ndërsa e kujtoja rreptësinë policore kur futem në
Kuvendin e Kosovës me punë zyrtare e jo nga kureshtja. Vetëm një herë imagjinova çfarë rrëmuje e
stresi policorë do të krijohej sikur të futeshin qindra a mijëra turistë gjatë
ditës në Kuvendin tonë. Zyrtarja
australiane na mori pwr vendws nga Sidnei, por kur i treguam se vinim nga
Evropa-Kosova na këshilloi që të ngjiteshim edhe në terasën e kulmin e Kuvendit
me ashensor. Ka pamje të bukur na tha. Dhe nuk u zhgënjyem.
Nga
paraqitja monumentale pas Përkujtimores Australiane të Luftës, të imponohet
Kuvendi i Australisë me një ndërtesë që përfshinë hapësirë të gjerë, me 4000
zyre (dhoma) me dy parlamente ai i senatorëve dhe ai i deputetëve, me
restorantet e terasën që të ofronte visore magjike. Mbi kulmin e Kuvendit ishte
hapësira e gjelbëruar, ndërsa punëtorët e mirëmbajtjes e kositnin barin. Ato
ditë kur shkuam ne, qeveria e Kuvendi qenë shpërndarë, bëhej fushatë politike,
krejtësisht ndryshe nga ajo të ne, pa nervozë, pa strese dhe pa fyerje.
Kryetari i opozitës me mbiemër Albaneze që doli në sipërfaqe u bëri përshtypje
shqiptarëve. Të entuziazmuar me thërrisnin me telefon. Se a ishte me prejardhje
shqiptare-arbëreshe nuk arrita ta kuptoj, por që mbiemri të bënte ta besoje se
duhej të ishte stërnip i arbëreshëve që u shpërngulën në Itali pas pushtimit
turk të Arbërisë. Shqiptarët e
Australisë me të parën e pranuan për të tyrin, edhe pse kishin përcaktime të
ndryshme politike, sepse disa ishin me partinë që fitoi, meqë i zvogëloi
taksat, të tjerët ishin me partinë që humbi, meqë propozoi rritjen e taksave.
Australia ka 26 milion
banorë.
Në
Kanberra nuk e pashë asnjë polic sa kohë që qëndrova. Nuk e di cila ishte
shkalla e krimit në kryeqytet, por me thanë se është e ulët. Për kufizimet e
pirjes së duhanit flitej më shumë, meqë gati askund nuk pihej duhan, as në
kafene, as në rrugë, hotele, apartamente, as në trotuare. Sikur të bëja ndonjë
krahasim me ne, imagjinoni sikur për të gjitha kafet e vogla të Prishtinës të
ishte vetëm një pushimore duhanpirësish për katër-pesë veta. Duhani pihej
kryesisht në këmbë. Pakoja e cigares me thanë se është më e shtrenjta në botë-
25 dollarë. Pak kush pinte duhan.
Kanberra zgjerohej. Mbi
20.000 banorë në vit vijnë në kryeqytet.
Të
gjitha institucionet shtetërore janë këtu: Kuvendi, qeveria federale,
institucionet qendrore publike e kulturore, Biblioteka Kombëtare, Arkivi
Qendror i Filmit, Kinoteka, Galeritë e arteve (ishin shumë sish), produksioni
filmik etj.
Një
autobus lokal i qytetit i shëtiste turistët falas tërë ditën nga një
institucion kulture në tjetrin, nga Përkujtimorja Australiane e Luftës të
Kuvendi federal. Disa nga këto institucione i vizituam me sqarimet e
ciceronëve, disa të tjera i pamë vetëm kalimthi.
Narrabunda
ishte një lagje e zgjedhur dhe e qetë ku me gruan i kalonim mbrëmjet. Me Zanën e Dardanin pinim verë
australiane dhe kujtonim Kosovën. Vera australiane ishte e mirë, por ne
gjithnjë në frymën patriotike thoshim se nuk ia kalon verës sonë. Ata ishin të
përmallshëm për Prishtinën, ndërsa unë mendoja me se mund t'u imponoheshim
australianëve: me verë, prodhime bio, me filma, apo diçka tjetër?Australia
ishte e madhe. Fqinjët tonë ballkanik ishin të pranishëm me prodhime bujqësore,
e kishin diasporën e tyre, mbase më të madhe se tonën, ndërsa tregtarët arabë
ua shpërndanin djathin, hajvarin dhe jogurtin serbëve e sllavëve të Maqedonisë.
Ne s'kishim ndërmjetës. Për prodhimet dardane e shqiptare tregu mund të ishte
Sidnei, Melburni, Adelaida, por edhe Kamberra.
Dikush duhej të mendonte për këtë treg, kur edhe diasporën e kemi të
madhe, ndërkaq hapësirat në mes të Australisë e Dardanisë po zvogëlohen
vazhdimisht me avion. Brezi i vjetër
është i lidhur me Dardaninë, jo pak prej tyre kanë ndërtuar shtëpi në
vendlindje apo kanë blerë apartamente në Prishtinë. Vinë për pushime. Por me
rastisi që edhe të rinjtë shqiptarë të interesoheshin për mundësitë e
investimeve. Luli nga Sidnei, menaxher, ëndërronte të udhëhiqte një filial të
kompanisë australiane në Prishtinë. Pyeste për kushtet e rrethanat ekonomike e
politike. E inkurajuam. Eja, shih dhe futu në valle, i thamë.