Kulturë
Atdhe Geci: Epikë
E enjte, 07.03.2019, 07:42 PM
E M B L E M Ë
Unë jam ai i dënuari,
ai i burgosuri, ai trimi.
ai i plagosuri për liri,
që një jetë të tërë
isha në luftë e beteja.
Unë jam ai bandilli,
ai shkruesi i trakteve,
ai ilegalisti i shkathët,
ai që i mbaja parullat
“ Kosova Republikë ”.
Unë jam ai profesori,
ai i bukuri i rrugëve,
ai poeti i trazimeve,
që me studentët trima,
i ramë grusht armikut;
Unë jam ai i dënuari,
ai i bukuri i UÇK-së,
ai piktori i emblemës,-
një i dashuruar i lirisë...
Atdhe Geci - Dortmund, 2019
E P I K Ë
Ku i ke trimat, moj shtëpi
derën ty kush ta ka mbyllur
luftë ka kudo nëpër Kosovë
i zoti shtëpisë ku do të jetë
Shtëpia s ?flet, shtëpia hesht
retë nga pak pluskojnë shi
dritaret qajnë për pak diell
era pemët sa shumë i dridh
Ku i ke trimat, moj shtëpi
dikur këtu kishte pesë djemë
dy vajza dhe prindërit e tyre
a thua tani, ku mund të jenë
Shtëpia s ?flet, shtëpia hesht
këtu mungokan edhe fqinjët
me pika gjaku qenka oborri
me pika gjaku qenka shtëpia!..
2
Nënë e Drinit e hapi derën:
-eja këtu brenda, ti, o njeri
në kopsht kam dy kufoma
o udhëtar i mirë, më ndihmo
-Kush je ti, o nënë e fisme?
-jam prej gjakut të shtëpisë
tre djem i kam në luftë
ata janë te Mali i Martirëve
-Shoku qytetar prej qytetit
kë po e kërkon këtu i vetëm?
-kërkoj djalin dhe nusen
janë në UÇK, a i keni parë?
-Dreni yt dhe nusja Derada
janë në mbrojtje të atdheut
me ta janë tre djemtë e mi
me ata është tërë Kosova!..
Atdhe Geci - Dortmund, 2019