Kulturë
Sejdo Harka: Shkrimtari Skënder Hasko 'rron' mes nesh
E marte, 17.07.2018, 09:00 PM
Shkrimtari
Skënder Hasko “rron” mes nesh
Nga Sejdo HARKA
Kanë
kaluar mbi 5 vjetë nga koha që shkrimtari dhe publicisi i njohur Skënder Hasko
ndërroi jetë, kur ende ishte aktiv e plot energji krijuese. Portreti i tij
njerëzor tepër i dashur e i sinqertë dhe
krijues i spikatur e shumëplanësh ,ka mbetur i gjallë në kujtesën e tërë
brezave të lexuesve: të vegjël, të rinj e të rritur.Ne, miqtë e shokët e tij të
vjetër e kemi bërë zakon të mblidhemi në datën kur ai ka ditlindjen, tek i
njëjti vend ku takoheshim rregullisht me të, para pesë vitesh, për të trokitur
gotat me mungesën e tij fizike ,por me praninë e tij shpirtërore. Ato ditë po e
po, por edhe sa herë që veprimaritë letrare apo interesat kulturore e krijuese
na bëjnë bashkë, Skënder Haskon e kemi mes nesh të pranishëm nëpërmjet
kujtimeve të bukura.Flasim e diskutojmë me të sikur ta kemi pranë; qeshim e
dabatojmë, kujtojmë batutat e tij të forta plot kripë e humor, vlerësimet për
krijimet a punët tona të mira, por edhe fshikullimet e qortimet, që ai i bënte
me aq dashamirësi e lezet, prej të cilave buronte si uji i kthjellët mirnjohja,
humori dhe gëzimi dhe largohej si hije mëria , zënka e trishtimi.Skënderi
spikaste në mënyrë të veçantë me dashurinë që kishte për miqtë e shokët dhe
sidomos për lexuesit. Këtë e tregon edhe fakti që ai kishte menduar e punuar
për ta ushqyer sa më gjatë këtë dashuri, duke lënë të përfunduara disa vëllime
me tregime për fëmijë, dy nga të cilët, “Rrëfimet e rrugës” dhe “S’ka si shoku
im”, janë botuar së fundmi nën kujdesin e vëllezërve të tij, Birçes dhe Arifit.
Siç tregon i vëllai, shkrimtari Arif Hasko, kur Skënderi qe bindur se po e
linin fuqitë… i kishte thënë: “E shikon këtë
tru elektronik? Në “barkun” e tij kam lënë ca “fëmijë”, që do më mbeten
jetimë. Ata duan të takojnë miqtë e mi dhe miqtë e tyre, lexuesit. Besoj se do
t’ia gjeni anën për t’i nxjerrë në dritë”. Amaneti i tij u përmbush. Madje në
bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, në një
nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar u bë përurimi i tyre dhe librat u
shpërndanë falas për lexuesit e dashamirësit pjesëmarrës. Me atë rast u
diskutua gjerësisht edhe për jetën dhe krijimtarinë letrare të autorit.Aty, jo
vetëm diskutuan shkrimtarë e kritikë të njohur, si: Klara Kodra, Riza Braholli,
Sazan Goliku, Bardhyl Xhama, Vasil Prençi, por dhe u shfaqën me projektor tërë
veprat e Skënder Haskos, si edhe pjesë nga vjershat më të njohura të tij. Në
fund, vëllai i tij, aktori i njohur Birçe Hasko, mes të tjerash tha: “Ju
falënderoj të gjithë juve, shokëve, miqve e
dashamirësve të vëllait tim, Skënderit, për dashurinë e respektin e
sinqertë që kini patur për të kur ishte mes jush, gjë që e dëshmojnë të
djeshmet e të sotmet e pasvdekjes!”Po kush ishte në të vërtetë Skënder
Hasko?Siç shkruan edhe vetë në kujtimet e tij, ai erdhi në jetë në një natë të
gjatë marsi të vitit 1936. Nëna e tij i pat treguar se ishte shfaqur me të qara
të fuqishme, sikur ato të qenë profecia
e një jete të vështirë, me të përpjeta të mëdha. Jeta e tij ishte e lidhur
ngushtë me vendlindjen e tij, Dukatin e Llogoranë e Vlorës, ku çdo gjë i dukej
e bukur: edhe deti, edhe gurët, dhe njerëzit, edhe ujët. Qysh fëmijë ai shfaqi
natyrën e tij si kërkues e krijues, duke provuar, mësuar e ushtruar zanate që
ishin të vështira edhe për të rriturit, por që në sajë të dëshirave të
fuqishme, të vullnetit e këmbënguljes së
tij ai arriti t’ia dilte mbanë . Menjëherë mbas shkollës 7-vjeçare ai mbaroi
një kurs për mësuesi dhe u emërua mësues në fshatin e tij. Por ëndrra e tij
ishin publicistika dhe letërsia. Viti 1959 Skënderin do ta gjente mekanik në
Uzinën Mekanike të Kuçovës, ku lidhet ngushtë me grupet kulturore amatore-
trempolina prej nga u shfaq në skenën e estradës së qytetit të Beratit, ku u
njoh dhe lidhi jetën me gjimnazisten Shane Balili, e cila, asokohe
interpretonte këngë popullore si debutuese e jashtme në estradën e Beratit.
Kështu nisi jeta e një çifti simpatik të mbushur me ëndrra të bukura, të cilat
u jepnin lumturi. Por fatkeqësisht lumturinë e këtij çifti model e preu në mes
vdekja e parakohshme e Shanes, bashkëshortes, mësueses e këngëtares së
talentuar të atyre anëve. Dëshpërimin e tij të thellë për “gjysmën e tij më të
mirë”, siç e quante vet Skënderi, ai do ta shprehte në vargjet: “Ah, ky fati,
çfarë fati,/ Fshehtas për fyti më kapi,/
Më shtriu, më shkeli me këmbë,/ Ma mbushi zemrën me plagë”. Kudo ku punoi
e jetoi Skënderi la pas emrin dhe zemrën, shpirtin dhe ëndrrën e vetë. Talenti
i tij i rrallë u shfaq si mësues e gazetar, si aktor e shkrimtar, por edhe si
drejtues e veprimtar i rrallë. Pasi mbaroi studimet e larta për gazetari, duke
qenë njëherazi edhe drejtor i Klubit Studenti, punoi e drejtoi organe të
ndryshme të shtypit e të kulturës, si: gazetar e redaktor në Revistën
“Hosteni”, punonjës i Institutit të Kulturës Popullore, kryeredaktor i Revistës
“Pionieri”, drejtor i Teatrit Kombëtar të Kukullave. Në kujtesën e njerëzve
Skënderi ka mbetur jo vetëm si aktor humori, por edhe si aktor filmash. Miq e
shokë të tij të ngushtë ishin shkrimtarë dhe artistë të njohur, si: Lasgush
Poradeci, Shefqet Musarai, Petro Marko, Odise Grillo, Adelina Mamaqi, Bardhyl
Xhama,Murat Gecaj,Viron Kona…, por dhe njerëz të thjeshtë, ndër të cilët ai
kujtonte me respekt të veçantë Ali Cenaj i cili, si me magji, e risolli në jetë
nga një vdekje e papritur klinike. Ndaj, si me shaka, thoshte shpesh: “Vdekja
me mua e ka humbur davanë, sepse jo vetëm e kam mallëkuar, por edhe e kam
mundur”. Skënderi ishte njeri i drejtë, ndaj jo rrallë ishte shpërthyes si
dallgët e detit. Aty ku ishte Skënderi ishte edhe qetësia edhe shpërthimi, edhe
protesta edhe flijimi, edhe humori edhe trishtimi. Në jetë, siç thekson dhe
vetë në kujtimet e tij, shijoi edhe bollëkun edhe varfërinë, edhe ëmbëlsinë e
mjaltit edhe hidhërimin e zeherit. Por, të pavdekshëm Skënder Haskon e ka bërë
krijimtaria e tij e shumëtë e cilësore, me një tematikë të gjerë e të
larmishme. Të shkruash për këtë krijimtari duhen faqe të tëra, por po ndalem
shkurt në disa nga tiparet dhe karakteristikat e saj më të spikatura.
Shkrimtari dhe publicisti Skënder Hasko ka filluar të shkruajë që në fillim të
viteve ‘70-të. Ai ka botuar mbi 56 libra, 14 prej të cilave janë nderuar me
çmime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, si: “La Fonten”, “Viktor Eftimiu”,
“Xhani Rodari”, “Tasim Gjokutaj” etj. Me brendinë, karakteret, humorin dhe
mesazhet që Hasko përcjell te lexuesit, ka bërë që fëmijët të meditojnë si të
rritur, ndërsa të rriturit të qajnë e të qeshin si fëmijët.Ai kishte një lidhje
shumë të ngushtë me vendlindjen, prandaj nga pena e tij burojnë vargje të
ndjera si këto: “Në vdeksha larg…/ Ku jeta më degdisi,/ Aty do të mbij unë përsëri,/
Siç mbin një lënde lisi…”.Të bukura dhe plot emocione tingëllojnë në veshin e
lexuesit edhe poezitë e tij erotike të përfshira në vëllimin “Ah…” Dashuria për
të është një magji që të sjell herë gëzim, herë trishtim. Ajo herë të ngroh
shpirtin, herë të ftoh mendjen. Në poezitë e tij dashuria nuk është platonike
si tek Naimi, por konkrete si në vargjet e Çajupit. Të dashurës së tij ai i
drejtohet me vagjet: “Zbrit sorkadhe tatëpjetë,/ Të më falësh dashuri,/ Të më
ndezësh zjarr në gji”!Të pavdekshëm e kanë bërë poetin Skënder Hasko edhe
poezitë me vlera didaktike e tepër edukative, si vargjet: “Për një “m” që ti
s’e vë,/ Fjala mik, bëhet ik,/ Ç’bën kështu more Besnik,? A i thuhet mikut
ik?!” Vargje të tillë kanë vite që kalojnë gojë më gojë dhe s’kanë për t’u
harruar kurrë. I kësaj natyre është edhe vëllimi poetik për fëmijë “Vallja e
shkronjave”, i cili, për dobinë që ka për nxënësit e klasave të para për
lehtësimin e mësimit të alfabetit shqip,në Kosovë është ribotuar tetë herë .Një
nga librat më të bukura të Skënderit është romani “6 muaj nga jeta e Besianit”.
Jo vetëm për tematikën e veçantë, por edhe për dramacitetin e thellë e gjuhën e
gjallë, ai u vlerësua si libri më i mirë për fëmijë i vitit 2005. Në qendër të
romanit është Besiani, një fëmijë që bie pre e xhelatëve të trafikimit të
qenieve njerëzore, Tushit dhe Nushit, të cilët, jo vetëm nga zanati i mallëkuar
që ushtronin, por edhe nga emrat e tyre afërsisht të njëjtë, ngjajnë si dy pika
uji të pista dhe të ftohta si akulli. Vepra të tilla, me mesazhe të fuqishme
gjithëkohore, për vlerat që përcjellin, i kalojnë caqet hapësinore që kufizojnë
shtete. Edhe në dy librat e fundit për fëmijë, botuar pas vdekjes, lexuesi has
në karaktere interesante, si: Cinxo lajkaxhiu, Sajmir indiferenti, Ardit kokëpërpjeti,
Fatos gënjeshtari, Genc mburraveci e të tjerë. Brendia dhe karakteret e
tregimeve të vëllimeve më të fundit të tij kanë vlera të veçanta edukative e
artistike, jo vetëm pse tregohet me një gjuhë të bukur e të gjallë, në
përshtatje me moshën, por edhe për faktin se karakteret e fëmijëve ai i vë në
provë e veprim për t’u vetëkorrigjuar e shëruar nga veset e konceptet e
gabuara. Në autografin e librit të fundit që shkrimtari Skënder Hasko më
dhuroi, më shkruante: “Ja ku më ke, kur të mos jem!” Dhe vërtetë, sa herë
shfletoj librat e tij, më shfaqet para syve, ashtu, i gjallë, me atë pamjen e
tij në dukje të ashpër, po shumë të butë e tejet të njerëzishme. Ndërkohë
trurin ma përshkojnë dhimbshëm vargjet e tij të shkëlqyera: “Kur të shihni se
kam vdekur,/ Edhe frymë as marr, as jap,/ Merrjani këngës dukaçe,/ Edhe unë do
ngjallem prapë”!Ndaj themi :Skënder
Hasko “ rron i gjallë mes nesh,sepse ai,edhe pse ka vite që ka ndërruar jetë,
vijon të shkruajë e të komunikojë
shpirtërisht me lexuesit , miqtë dhe shokët.“Njerëz të tillë nuk vdesin kurrë.Ata rrojnë në
veprat ,ëndrrat dhe shëmbulli,që u lënë
pas brezave.