Kulturë
Violeta Allmuça: Etje për lirikën
E enjte, 12.07.2018, 08:22 PM
ETJE
PËR LIRIKËN
Shqyrtim mbi librin me poezi “Ishujt e jetës” së poetit Anton Marku
NGA VIOLETA ALLMUÇA, SHKRIMTARE
Rrallë
mund të lexosh poetë që krijimtarinë letrare dhe përjetimet e tyre nuk i lidhin
me atdheun e përjetshëm. Një dukuri e tillë vështrohet nga folklori deri në
lirikat e gjithanshme që lexuesi përcjell në kohë dhe hapësirë. Këtë dëshmi të
tillë na shpërfaq edhe poeti Anton Marku në vëllimin më të ri me poezi: “ISHUJT
E JETËS” një vepër poetike bashkëkohore ku në vargjet e saj shprehen ndjenjat,
dëshirat, mesazhet artistike dhe bota e brendshme e krijuesit. Fatin e tij
krijuesi e bashkon me fatin e rrënjëve të të shkuarës edhe pse e tashmja e lidh
po ashtu me botën e madhe ku jeton. Mirëpo siç duket në poezinë e autorit
mbizotëron arti i fjalës së qenësishme edhe në rrjedhat e universales. Le t`i
hedhim një sy poezisë “LAKURIQ” të këtij vëllimi poetik: Një i krisur shëtit
çative i patrembur/hipur mbi mure këmbëzbathur zvarritet/ Mbi supe mbart një
thes me jetë/ dikur në udhëkryqe kishte gjithmonë/ një shteg të hapur/Tash në
çdo shteg një udhëkryq/. Ndonëse lind trishtimi poeti gjen në udhën e hapur të
fjalës, metaforën e bukur; “thes me jetë”. Duke zbuluar anën shpirtërore
nëpërmjet strukturës së gjuhës poetike poeti komunikon me botën dhe njeriun
përmes vargjeve duke u bërë kështu pjesë e zbulimit të së tashmes. Me frymën e
vargjeve autori na flet për jetën. Trajtimi poetik jo vetëm i individit krijues
por edhe hapësira ku është lindur jeta e krijuesit dhe bota e tij shpirtërore e
qasin poezinë e Markut mes nesh, ashtu siç ai e ndjen dhe e përjeton secilën
fjalë të vargut lirik ku njësohet zëri i secilit me artin e fjalës. Poeti si të
gjithë qeniet njerëzore vuan, kërkon dashuri dhe paqe duke përdorur vetëm
fjalën poetike nga e cila merr fuqinë për të fituar mbi luftën, urrejtjen,
heshtjen, ngjyrën e natës dhe vdekjen. Duke trajtuar thellësisht gjerësinë e jetës
në poezinë lirike ai shton edhe një element artistik, perceptimin poetik që na
afron me poezinë si krijesë lirike. Harta e botës së brendshme të Anton Markut
e përshkuar nga një metaforë e fuqishme dhe figura të tjera letrare e bën të
jetësueshme edhe rrëfimin poetik. Ai nuk i pëlqen rrënojat e ëndrrës sepse
dashuron ëndrrën e vërtetë. Ideali krijues lind e afrohet me thelbin e
realitetit. Çfarë ndodh në trekëndëshin lindje, dashuri vdekje? A është kjo një
dilemë e pazgjidhur për poetin? Këto tema të mëdha për njerëzimin ndërlidhen
pasi janë të prekshme kur vijnë me shqiptim letrar e gjuhësor. Me një stil
vetjak që për çudi gjallon tek poetët e vërtetë, ndoshta do më kujtonin edhe
poetin e madh Ali Podrimja, i cili po aq mjeshtëror shfaqet në poezinë e tij që
e pushton botën e brendshme dhe të jashtme të vargut poetik. Edhe tek Anton
Marku, dilema e njohur tashmë lind vargje që të mbeten në mendje, jo vetëm për
shprehjen e fjalës së bukur poetike por edhe për lexuesin e poezisë. Le të
lexojmë më poshtë poezinë “VALA”: Në sytë e tu fundosen yjet/ buzëve të tua
takohen detrat/ Veten e kërkon degëve të drunjve/ andej nga shkumëzojnë
ujvarat/ Urave të gurit shtrihesh/ mbi lëkurën time shkruan emrin tënd/. Ndodh
pra që ndjenjat e dashurisë janë më të forta pos ndjenjave të tjera, jo sepse
janë vetëm shpirtërore, por, sepse njeriut nuk i ndodh asgjë tjetër më e madhe
në jetë se sa dashuria. Dilemën dhe magjinë e saj nuk e kanë zgjidhur poetët.
Ata të frymëzuar, gjithnjë e kanë shprehur poetikisht dashurinë edhe ndaj
atdheut, vendlindjes, njerëzve të dashur etj. Dashuria mbetet një fuqi e madhe
në qenësinë e saj e cila pushton me anë të ndjenjave të furishme shpirtërore
gjithë njerëzit e botës. Njeriu duhet të luftojë për dashurinë dhe jo për
urrejtjen. Komunikimi shpirtëror gjithnjë ka qenë kështejlla e shpirtit. Ja si
shkruan poeti në vargjet e poezisë, “KTHIMI”: Pasiqë ike nga dritarja ime/e
mbushe zbrazëtinë me aromën tënde/netët e heshtura i futëm në mes/ përqafonim
zërin e asaj nate/një baladë të vjetër/ Tani, eja e struku/ thellë në shpirtin
tim/ të ndiej ngrohtësinë e frymës tënde/. Thelbi i trekëndëshit tematik,
lindje, dashuri vdekje, mbyllet në një largim hyjnor që përjetohet brenda
shpirtit të poetit. Le të lexojmë vargjet “LAVJERRËSI I POETIT”: Varri yt tashmë
ka lëshuar rrënjë/i thanë për të dytën herë/Me lëkurën tënde do të
mbështjellim/eshtrat e atdheut tënd të paemër/Ai shikoi lavjerrësin tre
herë/dhe vazhdoi si më parë/t`i lëkundë këmishën e vdekjes/ pa e çarë
kokën/nëse e nesërmja do të vinte ndonjëherë/.
Poeti Anton Marku e ka fjalën si udhëtare të poezive me të cilën nuk bën kompromise në shtegtimin e tij poetik. Ai kërkon t`i mbjellë rrënjët e saj duke krijuar strukturën e tekstit dhe mesazhet drejt lexuesit. Pra ai është përçues i etur i vargjeve lirike me të cilat duke përdorur qenësinë e fjalës arrin kumtin poetik dhe ndikimin estetik.