E merkure, 07.05.2025, 04:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Andrea dhe Helena (7)

E enjte, 12.07.2018, 07:55 PM


ANDREA DHE HELENA

Vazhdimi

Novelë nga Resmi Osmani

23

Kruja ishte në zi. Pallatit i kishte rënë  hije e përhinjtë, e trishtuar, nga muret dukej sikur pikonte pikëllim. Në të hyrë të të shtatave të vdekjes së kont Tanush Topisë, ardhësit për “kryeshnosh” s’kishin të rreshtur. Erdhi nga Napoli edhe dom Damiani. E ngushelluan axhën si vëlla i të ndjerit dhe ai ngushëlloi të nipërit dhe të tre prisnin e përcillnin dashamirët. Bashkë me Andrean dhe Niketën shkuan te varrezat e kishës së shën Eleuterit.Varri ishte mbuluar me lule të freskëta dhe qirinj që i bënin dritë. Dom Damianit, të heshtur e të dëshpëruar iu përsollën  ndër mend vitet e vogëlisë,të gëzueshme, të hareshme, deri sa ata i ndanë shortet: ai shpatën, trshëgimin e principatës, tjetri kryqin, udhën e zotit , në gjirin e kishës dhe të dijes. Sytë iu rrëmbushën me lot.Bëri kryqin  bekoi varrin dhe kur vuri re pikëllimin e të dy djemve, mori e u tha ato fjalë që ai do t’I kishte thënë ditën e varrimit:

-Bijtë e mi. Zi e rëndë dhe e përgjithshme është, së pari për familjen por edhe për gjithë principatën.Ky varr është mbuluar me dhe e me lavdi. Atë e përcolli për në varr  pikëllimi i mbarë Arbërisë.që e njihte për kryezot të saj, ngaqë jeta e tij ishte e mbushur më shumë me bëma sesa me dit. Për prijësa si ai  varri nuk është terr, por është dritë, ky s’është hiçi, harresa, por është përjetësia. NUk është fundi, por vijimi. Varre ku prehen të tillë burra janë pjesë e pavdekësisë. Shumë i madh është pikëllimi ynë përball kësaj humbjeje të parakohshme, por  të mos biem në dëshpërim.Vdekja e një prijësi, e një njeriu të madh, emëri I të cilit qëndron si gur themeli në ngrehinën e Arbërisë, le të zgjojë në shpirtërat tanë një tronditje të shënjtë, vullnet për ta shpënë më përpara veprën e tij.Për gjithkënd është ruajtur një fund. Le ta pranojmë këtë humbje, sado e ashpër dhe e dhimbshme e të mos biem në dëshpërim,por t’a shpiem përpara veprën që ai nisi,një Arbëri të pavarur e arbërorët zotër të saj. Kësisoj shpirti i tij do të prehet në paqe.Amin!

Kaluan edhe të dyzetat Miqtë e dashamirët që vinin për kryeshnosh u rralluan. Dom Damiani po gatitej për tu kthyer në Napoli, në oborrin e mbretit Robert.Para se të nisej, u dha të nipërve këshilla dhe porosi, veçanërisht si të ndërtonin mardhëniet me princat e principatave të tjera dhe mbretin Robert, por u tregua i kujdesëshëm dhe nuk i kallzoi të nipit se mbreti  nuk e kishte pritur mirë trashëgimin e kont Andreas.

Niketa me Angjelinën shkuan në kështjellën e tyre të Tujanit. Ai nuk rronte dot nën hijen e të vëllait.

Andrea dhe Helena, bashkë me të dy djemtë, mbetën vetëm në Krujë në pallatin prindëror dhe ai u përfshi në andrallat dhe telashet e qeverisjes. Që me sa dukej nuk do të ishte e lehtë. Frynte era e luftës. Në veri, cari serb Stefan Dushani  thuajse kishte  shtënë në dorë gjithë Dardaninë. Aty ishin ndalur dhe siç dukej po përgatiteshin për marshimin drejt Jugut. E vetmja pengesë ishin dukagjinët.

24

Kasneci i dërguar në Berat te Andrea II Muzaka, me një kërkesë për takimin e dy kryezotëve të principatave arbërore, u kthye me lajm të mirë.Kont Andrea Topia dhe princesha Helenë, ishin të mirëpritur në Berat të shtunën e dytë  të vjeshtës së parë.

Çeta e kalorësve doli nga Kruja heret për të udhëtuar në freski. Udha çante mes për mes fushën e ilirikut, që deri në brigjet e shkumbinit ishte zotrim I Topiajve.Shkumbinin e kaluan me trap dhe hynë në sinorin e Matrangëve. Udha gjarpëronte rrëzë kodrave që gjelbëronin nga ullishtet dhe vreshtat, krye tyre ishin qyteza të vogla që zbardhnin në diell. Nën udhë shtrihej  laguna e Karavastasë dhe fusha e Savrës. Aty fillonin zotrimet e Muzakajve.

Bën një pushim të shkurttër në hanin e Barbullinjës për të çlodhur kuajt e ngrënë gjësendi shpejt e shpejt. Pasditja i zuri aty ku lumi Osum bënte një brryl rrëzë kodrës  dhe çante udhën fushës për në det. Vaun e kaluan me lundra. Po i afroheshin Beratit. Në lindje hovëzonte drejt qiellit Tomorri, pështjellë me mjegull dhe re të ëndërrta dhe shënjtëri . Fusha niste dhe mbaronte në të hyrë të Beratit. Në të djathtë dhe të majtë ishin yrtet e mbjella. Mbi lumë çikrikë të drunjtë, që i shtillte rrjedha e lumit merrnin në kova ujin dhe e zbraznin në ullukët e drunjtë për ujitjen e të mbjellave. Piklat e ujit që rridhnin shfaqeshin si qindra ylberë me pasqyli ngjyrash. Në hauzet buzë lumit, dukeshin  figura njerëzore që bënin ca lëvizje te njesojshme, ishin rrahësit e shajakut.

Për t’i pritur dhe mirseardhur, kishte dalë Gjoni, djali i madh i kont Andreas II Muzaka.Kalorësit i vunë në mes çiftin princor dhe i prinë për në qytet. Helena u befasua nga ajo që iu shfaq: Berati, lumi si një shirit i argjendtë që rridhte në mes me reflekse e pasqyli nga reflektimi i dritës së perëndimit, ne të  dy  brigjet që i lidhte një urë e drunjtë, lagjet e banuara, si një magji e bardhë e të mistershme, me shtëpi të ngucura pranë njëra-tjetrës, me çardakë dhe dritare si ca sy kureshtarë, që shihnin botën.mbi kulmoret e përhinjta, nga tymtarët  spërdridheshin shtjellat e tymit të bardhë. Udha shkonte anës lumit dhe rrëzë shkëmbit mbi të cilin lartohej kalaja. Helenës i mbetën sytë te kisha e Shën Mëhillit, që si një mrekulli ishte e strukur midis golleve të shkëmbit, ku besimtarin e shpinte një shkallare me parmakë druri. Kalimtarët e rastit, mbanin këmbët dhe përuleshin me nderim.

Andrea II Muzaka, burrë në mesmoshë, që sapo I kishin argjenduar flokët thinjat e para, shtatmesëm e truplidhur, fytyrëgjerë që i a mbulonte mjekra e plotë, i pari i shtëpisë princore të Muzakajve, i njohur nga Bizanti si despot dhe nga papati e Mbreti i Napolit si kont,ishte në kulmin e fuqisë së tij.  Në një shesh, ku zinte fill udha e kalldrëmtë për në kala, kishte ndërtuar pallatin e ri dykatësh, i gjithi me gur gëlqeror të bardhë të gdhendur, kollona mermeri të trëndafiltë që mbanin harkadat dhe veranda e shtruar me mermer të bardhë. Oborri ishte i selitur me postatet e trëndafilave, borzilokut dhe manxuranës dhe në mes një shatërvan që hidhte në lartësi currilat e ujit që derdheshin me shushurimë në hauz. Piklat e ujit, mbi petlat e tëndafilave ndrinin si xhevahire. Ajri ermironte borzilok e manxuran. Ky pallat i bënte nder ofiqeve dhe zotrimeve të tij.

Aty i priti miqtë.Ishin me të të tre djemtë:Gjoni, Teodori dhe Stoja. Për të pritur dhe bërë shoqëri princeshës Helena, me ta kishte dalë edhe Komita,njëra nga bijat  e muzakajve, e vluara e Gjergj Balshës II. Ishin ftuar bujarë nga paria e qytetit dhe kryepeshkopi, hirësia e tij  Nikodem.

Tryezat ishin mbushur me të ngrëna të shijshme e të zgjedhura për të nderuar miqte e shquar. Në kupat e argjendta zbrazën verën e kuqe, që vinte nga rrushi Vlosh i Mallakastrës. Ullinjtë kokërrmëdhenj të beratit, ndrinin si xhevahirë të zinj. Qingjat dhe kecat e pjekur në hell, ishin vendosur në palaretë e baltës dhe sinitë.Hirësia e tij, kryepeshkopi Nikodem, bëri lutjen “Ati ynë” dhe bekoi tryezën. i zoti i shtëpisë i grishi miqtë dhe ngriti një dolli për adashin,kontin Andrea Topia dhe princeshën Helena d’Anzhu. Darka zgjati gjer në mesnatë.

Të nesërmen, burrat e Muzakajve dhe Konti Andrea Topia u tërhoqën në kabinet për bisedime.

25

Komita Muzaka, vajzë e hedhur, gazmore, truplidhur, e zeshkët, me  sy të zez e të qeshur  nën vetullat e harkuara,kishte dëgjuar për bukurinë dhe dashurinë e princeshës Helenë që thuajse ishte kthyer në legjendë.Takimi me të e bindi për gjithsa kishte dëgjuar.E shihte me admirim. Edhe pse kishte shkelur në të tridhjetat dhe nënë e dy fëmijëve ajo shpërndante rreth vetes bukuri dhe fisnikëri. Komita, teksa burrat kuvendonin, mori përsipër t’i rrëfente Beratin. Bënë një kalim në treg. Anës rrugëve të shtruara me kalldrëm, qindra artizanë ushtronin zejet e tyre dhe tregëtonin mallrat.Helenës I tërhoqën vëmendjen punimet e imta e plot zbukurime me gurë të çmuar të argjendarëve, gjallëria e bakërxhive, mëndafshet dhe cohët e punuara mjeshtërisht. Gjeje në atë treg gjithçka që mund të kërkoje. Në Berat hynin   karvane nga skelat e bregdetit me mallra, që shpërndaheshin në pjesët e brendshme të principatës:Tomorricë, Skrapar, Përmet e Këlcyrë Mokër e Opar,Kolonjë, Devoll e Kostur, por edhe mallra nga brendësia për në Myzeqe dhe skelat e grykëlumenjve Pirgut dhe Spinaricës.Në Tomorricë ishte miniera me mademet e arit.

Pastaj u ngjitën në kala. Gur mbi gur, ngjante se si një kale I harbuar, kishte marrë turr nga kodrat dhe ishte ndalur befasisht buzë gremine , në breglumë Rrethuar me mure të fortë dhe bedena. Pas portës së parë, të rëndë, me dru lisi, forcuar me pllaka hekuri, vinte një oborr i brendshëm dhe një portë e dytë, pas saj, një shesh si i prerë me thikë, mbushur me shtëpi të gurta dhe ngrehinat e garnizonit. E gjitha ishte dëshmi lashtësie dhe e mbushur me thesarë. Prej aty, në perëndim shihej gjithë fusha që tashmë e kishin quajtur e Myzeqesë, në veri vargu i kodrave mbuluar nga kurorat e ullinjve, në lindje Tomorri dhe nga jugu vargu i kodrave dhe maleve. Sa të hante syri , edhe tej horizontit, ishte principatë e Muzakajve. Komita e tërhoqi Helenën nga dora dhe qëndruan në bedenat e kalasë.

-Shikoji mirë-foli ajo-mali karshi është shpiragu, e sheh sesi është i prerë e me plagë të thella?. Hidhi sytë në Tomorr,mbuluar nga thelluka dhe gropa.Dikur ata ishin vëllezër që duheshin shumë. Por në mes u hyri bukuria e një vashe-zanë që e dëshironin të dy. U zunë dhe luftuan për vdekje. Tomorri e preu Shpiragun me shpatë, Shpiragu e dërrmoi të vëllanë me topuz! Nga hidhërimi i asaj ploje që pa dhe shkak i së cilës ishte ajo, Zana qau e qau sa u ngurtësua, u shndërrua në gur. Është ky shkëmb i kalasë dhe nga lotët e saj, buroi Osumi. Kështu thotë legjenda, që na e kanë lënë të parët.

Helens kjo legjendë i nxiti fantazinë : një vashë e bukur sin ë përrallë, dy dashuri, lakmi për të bukurën dhe xhelozi fatale. Me sytë e mendjes  vegoi si t’a kishte para syve atë dyluftim viganësh dhe bukurinë fatale të Zanës së pafat.

-Ky është Berati ynë, thonë që i ka kapërcyer njëmijë e pesëqind vjet.Plak e stërplak por edhe i ri! I mbushur me ngjarje e histori.Kanë kaluar këndej Roma e Bizanti, Hunë e Avarë,kanë rrënuar, djegur, vrarë e shkatërruar, por këtu kanë lënë eshtrat dhe janë kalbur nën dhe , janë harruar, Berati, ashtu si gjithë Iliria është ringjallur e përtërirë, për t’u bërë edhe më i fortë, edhe më i bukur, edhe më i pasur.

Komitës , teksa fliste i qeshinin sytë, dukej që e donte qytetin e saj, ndaj Helena e pyeti:

-Të vjen keq që martesa do të ndajë nga vendlindja?

-Aha! Iki nga lumi shkoj në det! Balshajt zotrojnë limanin e ulqinit. Ulqinakët janë lundërtarë të zotë dhe I bien detit tej e mbanë. Im vëlla, Teodori që ka qënë, më tha që  pallatin dhe kullat ata i kanë buzë detit dhe i rreh vala.

-Po ty të zë malli për vendin tënd?

-Do të isha e padrejtë po të thoshja jo.Kanë kaluar afro dhjetë vite, po rriten djemtë. Ishte një zgjedhje që e bëra vetë. Tashti jam bërë arbërore. I tillë është fati i grave.

Në kala ishin disa  kisha: ndër to më të bukurat e Tërëshënjta e Vllahernës dhe e Shën Triadhës. Helena shprehu dëshirën të falej. Hynë në Shën Triadhë.Kisha, në formën e kryqit me kupolë të lartë e kambanore, ndriçohej nga dritaret e vogla me xhama me ngjyra, ngaku fashat e vrundujve të rrezeve të  diellit çanin mugëtirën e brendshme dhe tymin e qirinjve. Ikonostasi, altari dhe muret, përfshi dhe kubenë, ishin të pikturuara mjeshtërisht me pamje ungjillore, në ikonostas binte në sy Shënmëria me të birin foshnje në pëqi. Qetësia dhe misteri i përshpirtshëm, aroma e temjanit dhe mugëtira, i ngjallën në shpirt Helenës ngazëllimin mistik. Bëri kryqin dhe nisi të thoshte lutjet.

Komita i hoqi udhën për në kishën e Shën Gjergjit, me nam për bibliotekën e saj dhe kodikët me shkrimet e shenjta. I priti meshtari Theofan Skura dhe murgu i shumëditur Teodulos. Komita u kërkoi t’I rrëfenën princeshës Helenë më të vyerit e librave të shënjtë. Ata u mpakën e u rrudhën me padëshirë për atë që u kërkonin, por kur morën vesh se kush ishte vizitorja u shkrifën. Meshtari Theofan, mori nga raftet dhe uli mbi tryezë dy kodikë dhe nisi të spjegojë:

-Kodiku i purpurt,është shkruar shtatqind vjet më parë, në pergamen të purport, me shkronja të derdhura nga argjend, përmban pjesë nga ungijtë e shenjtë të Mateut dhe Markut. Ka njëqind e nëntëdhjet fletë. Ky tjetri është kodiku i artë, ka katërqind e njëzet fletë. E quajmë kështu se është shkruar me shkronja të arta, është më i ri,i shkruar para treqind vjetësh,janë të katër ungjijtë:Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit. Në të dy ësht6ë fjala e zotit.     Princesha Helenë po i shihte me admirim. Kapakët ishin nga pllaka argjendi të lara me flori. Ca më shumë kur murgu i shumëditur Teodulos, i tha se kodikët ishin krijim i mjeshtrave kishtarë të Beratit dhe se shkronjat ishin derdhur në punishtet e atyshme.

-I ruajmë si sytë e ballit, si gjërat e rralla e të shënjta. Gjithë ç’shihni në këtë bibliotekë është pjesë e dashurisë dhe besimit në Tënëzot, gjallesës së popullit tonë të farës arbërore në këto troje, sido që kanë vërshuar mbi të dallgët e egra të historisë që kanë dashur ta shfarosin nga faqia e dheut.Ky besim dhe shpresa na kanë mbajtur gjall.  Që ia u rrëfyem, bëm një përjashtim për shkëlqesitë tuaja. Popullit të këtushëm dhe besimtarëve që vijnë nga ana e anës, ia u tregojmë vetëm një herë në vit, ditën e emrit të Shën Gjon Gojartit.

Murgu i shumditur Teodulos, u rrëfeu dhe puntorinë ku ngjizeshin librat dhe ikonat. Ishte një sallë e gjatë dhe e lartë. Murgjërit mjekroshë, kokëqethur, të veshur me zhgune , ishin përkulur në tryeza mbi fletet e papirusit dhe pergamenës , me kallamarët e bojës dhe pendë korbi. Shkruanin në heshtje, kurse zografët pikturonin në ikonat mbi sargji apo dru.Ishte aq qetë sa dëgjohej gërricja e pendëve mbi pergamenë.

U bë shkak ardhja në Berat që princesha Helenë, përveç bukurive dhe begative të vendit, të njihte një anë tjetër të arbrorëve,botën shpirtërore, një pjesë të qytetrimit të tyre dhe rrënjët që shtreiheshin thellë në histori, që për ta ishte burim krenarie.

Vijon

Korrik 2018



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx