Kulturë
Vjollca Pasku: Gjysmë nate kam ëndërruar për ty
E premte, 13.07.2018, 07:29 PM
Vjollca Tiku Pasku
GJYSËM NATE KAM ËNDËRRUAR PËR TY
Gjysmë nate kam ëndërruar për ty,
në brigjet e liqenit të bleruar nga algat,
rrëshqita në baltën me gurët të zinj
ti më zgjate dorën të mos rrëshqas
si rreze e ngrohtë, nga qielli në lartësi.
Gjysmë nate kam ëndërruar për ty,
në lëndinën ku përkunden margarita,
ti u fshehe për të më ngacmuar,
kur bari jeshil drejtoi fijet nga drita,
të më tregonte udhën ku kishe shkuar.
Gjysmë nate kam ëndërruar për ty,
kur një ferrë me gjemba më lëndoi,
me përkujdesje më pe dhe bluzën grise,
me mirësinë e shpirtit që të këndoi,
plagën time me të më lidhe.
Gjysmën nate kam ëndërruar për ty,
gjysmën tjetër isha zgjuar,
se trëndafili i kuq, që më dhurove ti,
m'u kthye në zemër të kuqëluar,
ku ti je ëndrra, që në shpirt më rri...