E shtune, 27.04.2024, 08:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Fran Gjoka: Shkrimtari që zbukuron botën e fëmijëve

E diele, 15.07.2018, 01:45 PM


Shkrimtari që për 40 vjet  punon pa u ndalur duke zbukuruar botën e fëmijëve

Shkruar nga  Fran Gjoka

Shkrimtari Viron Kona, i njohur  tashmë jo vetëm në Shqipëri, por dhe në diasporë, e veçanërisht në Suedi, është sot autori i më shumë se 40 vëllimeve me tregime, novela dhe romane për fëmijë dhe të rritur. Edhe pse ka dalë në pension  ai  vazhdon të sjellë me modestinë e tij tipike libra të tjerë me tregime, novela dhe poezi. Tek provon të hysh në botën e krijimeve të tij, entuziazmohesh me realizmin dhe gjetjet artistike, ndërkohë që spikat në ato krijime letërsia fantastike-shkencore, që është një pasion i veçantë dhe prioritet i krijimtarisë së këtij shkrimtari. Si lexues i hershëm i Viron Konës, si dhe dëshmitarë i takimeve me lexuesit, veçanërisht me ata të vegjël, kam ndjerë gjithherë dhe kam përjetuar magjinë e tij krijuese, fantazinë e orientuar në ato pasione dhe dëshira që kanë fëmijët, por edhe kam ndjerë në atë letërsi edhe  bukurinë artistike, befasinë, emocionin dhe origjinalitetin.

Është për t`u theksuar se ky shkrimtar nuk cek thjeshtë sipërfaqen e dukurive dhe fenomeneve, por ai përmes imagjinatës dhe fantazisë pjellore e krijuese, zhytet në thellësitë e ajsbergut, duke zbuluar dukuri e fenomene, gjëra të bukura dhe me vlerë, të cilat ua bënë të njohura lexuesve. Në këtë krijimtari   lexuesi provon emocione të rralla, ndjen artistikisht madhështinë dhe bukurinë e vlerave njerëzore. Shkrimtari i qëndron mendimit se i tërë zhvillimi njerëzor, vjen shkallë-shkallë dhe se të gjithë brezat, që nga antikiteti e gjer në ditët tona moderne, kanë kontributet dhe vlerat e tyre në arritjet e sotme, në të gjitha fushat e jetës. Janë fabulat e bukura, të trajtuara me gjuhë dhe mjete artistike, që grishin mendjet e njoma dhe të freskëta të fëmijëve, i tërheqin ata në botën e larmishme dhe të gjerë të fantazisë, duke nxitur kështu imagjinatën e tyre, duke i bërë ata të ëndërrojnë për dijet dhe shkencën, për të ardhmen e tyre, deri edhe të ardhmen e shoqërisë njerëzore, siç është rasti i Bubulinos, i cili ka shprehur dëshirën të jetë njeriu i parë që do të shkelë në planetin Mars apo të ndihmojë së bashku me moshatarët e tij në shpëtimin e planetit tonë nga ngrohja globale. Dhe, siç dihet, lexuesit e vegjël, me çiltërsinë dhe pafajësinë e tyre, përthithin vetëm gjërat më të bukura dhe më tërheqëse që u ofrohen, ata pëlqejnë atë që është maja dhe bukuria e vërtetë e origjinale, ndërsa hedhin përtej mbetjet dhe tepricat e panevojshme, që e rëndojnë imagjinatën e tyre dhe bukurinë e jetës.

Jam entuziazmuar sa herë kam lexuar, veçanërisht librat për fëmijë të këtij shkrimtari modest dhe origjinal, e ku kam përjetuar filozofinë  e thellë dhe përmbajtjen e krijimeve të tij, qofshin romane për fëmijë, tregime, novela, por edhe poezive  të spikatura, që shpesh herë kanë natyrën e aforizmave. Kona portretizon karaktere që i zbulon në jetë, por dhe që tërheqin me vërtetësinë dhe bukurinë e tyre, personazhe që pëlqehen nga lexuesit dhe ata kanë dëshirë t`u ngjajnë atyre dhe të shkëputen nga jeta e rëndomtë dhe pa qëllim. Është një krijimtari që mbetet thellë në kujtesën e fëmijëve, dhe çfarë mendoj se është edhe më e rëndësishme, ajo nxit dhe ngacmon mendimin e tyre krijues, i bën ata të ëndërrojnë për bukurinë dhe madhështinë e jetës, por dhe i përgatit për detyrat që kanë përpara për ta çuar edhe më përpara jetën, për ta bërë nesër paqen dhe humanizmin, shkencën dhe zhvillimin një lajtmotiv, por, edhe për të mbajtur qëndrime ndaj të këqijave apo problematikave që shfaq sot realiteti ynë i ashpër. Lexuesit  e vegjël e kanë tashmë të njohur letërsinë e Viron Konës, ata i ruajnë librat e tij, i kanë në bibliotekat e tyre personale apo ato të shkollave dhe të qyteteve, i shfletojnë herë-herë ato. Ata e kërkojnë shkrimtarin e tyre të dashur. Duke qenë dhe vetë mësues dhe pjesëmarrës në shumë takime të shkrimtarit Kona me lexuesit  e vegjël, jo vetëm dëshiroj të komplimentoj takimet e tij të sinqerta dhe tërheqëse, por kam konstatuar se lexuesit e vegjël  dëshirojnë t`u ngjajnë personazheve të Bubulinos dhe Dardit, të cilët janë të vërtetë, ata marrin nisma të bukura dhe të guximshme, duke e bërë jetën e tyre më interesante, ata janë shoqet dhe shokët e tyre të vegjël, por dhe modele për t`u marrë shembull për vullnetin, këmbënguljen për të arritur qëllimet e tyre, për shpirtin  aventurës dhe dashurinë për shokun, për shkencën dhe zhvillimin. Kur lexuesit e vegjël, janë pyetur nga UNICEFI për parapëlqimet e tyre për personazhet letrarë, ata kanë votuar me shumicë Bubulinon dhe Dardin, teksa Viron Kona është vlerësuar kështu me çmime për letërsinë për fëmijë.  Është interesante se si ky shkrimtar në mbi 40 librat e tij e që vijojnë, ka ditur të kapet aq bukur dhe fort në degët e dëshirave të fëmijëve, duke u zhytur në botën e tyre të ndjeshme dhe romantike, duke ngacmuar dhe edukuar fantazinë dhe imagjinatën e tyre, ashtu si ai kultivuesi i farave dhe bimëve, që u shërben atyre të rriten plot gjallëri dhe të prodhojnë fruta të shëndetshme. Mjafton t`i lexosh tregimet, romanet dhe novelat e këtij shkrimtari dhe do të ndjesh tërheqje drejt  tyre, drejt vlerave të vërteta, të freskëta dhe origjinale. Ndaj dhe një grup arsimtarësh suedezë, të shkollës “Fjardingskolan” të qytetit suedez të Borasit: Annette Ekelund, Sonja Persson, Sokol Demaku, së bashku me rektorin e  tyre Per Kettisen, të tërhequr pas letërsisë së Viron Konës, e kërkuan shkrimtarin, e takuan dhe bashkëbiseduan me të, u entuziazmuan nga biseda, kultura dhe  sinqeriteti i tij, e mbi të gjitha nga vepra e tij e shquar “Eh, more Bubulino!”, teksa vendosën përkthimin dhe botimin e kësaj vepre në gjuhën suedeze. Me nismën e tyre ata e bënë të njohur këtë vepër shqiptare në Suedi, duke bërë të mundur që edhe personazhet e vegjël shqiptarë, të bëhen të njohur dhe të pëlqehen edhe në atë vend nordik, nisur nga parimi se, ajo letërsi që pëlqehet në Shqipëri, pëlqehet edhe në Suedi dhe në çdo vend tjetër të botës. E bukura është e bukur, jo vetëm për një kategori njerëzish, por është e bukur për të gjithë ata që  përjetojnë vlerat e vërteta dhe origjinale. Them me kënaqësi se nga informacionet që kam nga bashkëkombësit tanë në Suedi, por dhe nga leximi i artikujve të shumtë në gazeten "Nacional" dhe në portalet e njohura në gjuhën shqipe në diasporë, ndonëse ka disa vjet i përkthyer, Bubulinoja i Viron Konës kërkohet nga lexuesit  e vegjël suedezë dhe, krahas tyre, është dhe një kërkesë e drejtorive të shkollave suedeze për nxënësit e tyre, gjë që nënvizohet dhe në gazetën suedeze “Boras Tidning”. Si në përurimet e librave të tij në Suedi, e konkretisht “Eh, more Bubulino!”(“Men kara Bubulino!”) dhe “Zonja nga Borasi”, ashtu dhe në ftesat e vazhdueshme, është treguar interesimi suedez për këtë shkrimtar dhe veprën e tij letrare, ai ka qenë i ftuar në qytete suedeze Boros, Goteborg, Vimmerby (vendlindja e shkrimtares Astrid Lindgren), Ferjestaden... Ndërkaq, pas sukseseve letrare në atë vend nordik, në vitin 2013, Viron Kona u shpall Anëtar Nderi i Shoqatës së  Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Suedisë, kurse, në vitin 2016, paraqiti në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rajonit Perëndimor të Suedisë pesë nga librat e tij kushtuar Suedisë dhe popullit suedez: “Bukuri Suedeze”,  “Për Ju, miqtë e mi”, “Zonja nga Borasi”, “Ju dua më shumë se veten!” si dhe “Poleni Viking” me bashkautor Sokol Demakun.

Përfitoj nga rasti të citoj në këtë artikull, vlerësimin e zonjës Qibrije Hoxha, ish deputete e parë e Parlamentit të Kosovës, sot përkthyese në Stokholm, Suedi, e cila në një mesazh drejtuar Viron Konës, ndër të tjera i shkruan: “Unë pata nderin dhe privilegjin që si përkthyese e librit tuaj, t`ju njoh jo vetëm nëpërmes Bubulinos, po edhe t`ju takoj nga afër. Libri juaj "Eh, more Bubulino !", përcjell mesazhe të bukura e pozitive, pikërisht për vlerat e mira të kombit tonë si dhe bukurive, të cilat ia ka falë Zoti, Shqipërisë sonë të mrekullueshme. Butësia dhe urtësia e shpirtit tuaj, bën për vete secilin vogëlush, i cili njohtohet me Bubulinon dhe, kjo, tani po ndodh edhe me lexuesit e vegjël suedezë. Jam e nderuar që m`u dha rasti të bëj një angazhim modest për përkthimin e librit tuaj”.Kurse gazetarja  e njohur shqiptare dhe poetja Vjollca Spaho, shkruan: “Duke lexuar librat e mikut tim Viron Kona kam qenë shumë e befasuar tek ndieja atë liri, atë guxim, atë përvojë, atë njohje, atë pasuri të artit të të shkruarit dhe, me kohë, e kupton që kënaqësia e leximit të tyre nuk mund të të zbehet, pasi përpara të hapen caqet e njohurive të reja...I them Vironit të vazhdojë në të njëjtën hulli, pasi ka për të dëgjuar gjithmonë e kurdoherë psherëtimat e lexuesit pasi të ketë përfunduar një libër të tij: “Ah, sikur të vazhdonte edhe më tej!”

Interesante ishte edhe në  23 prill të këtij viti, në Ditën Botërore të Librit, kur  biblioteka 10 e kryeqytetit, Tiranë, në një takim me nxënësit e pasionuar dhe të dashuruar pas letërsisë, e ftoi pranë lexuesve Viron Konën, shkrimtarin e  dashur të fëmijëve. Në atë takim, duke ia njohur shkrimtarit jetën, veprat, personazhet e shumtë të krijuar prej tij, ashtu dhe ndjesitë dhe imagjinatën e tij krijuese, lexuesit e vegjël, ndërsa donin të mësonin sa shumë nga ai, i bënin varg pyetjesh që pas përgjigjeve nxitnin mendimin e tyre, u rritej siguria për të qenë edhe ata “dikush”, për të shkruar dhe ëndërruar, gjithnjë duke i shërbyer jetës  dhe të ardhmes. Ndaj dhe dëshira për autografe dhe foto me shkrimtarin ishte jashtëzakonisht e madhe.

Nënvizoj se ky shkrimtar ka ecur në rrugën e  tij shkrimore me vullnet e këmbëngulje të rrallë, duke iu përkushtuar “non stop” dhe shpirtërisht letërsisë, por dhe duke qenë kërkues  i thellë për të realizuar vepra letrare me nivel. Prirja, pasioni, sinqeriteti dhe dashuria e tij krijuese, e nisur që në rininë e tij në Vlorën e bukur bregdetare dhe  e kultivuar në mënyrë të vazhdueshme në laboratorin e  pasur krijues, ka qenë e shoqëruar edhe me përgatitjen e lartë kulturore dhe pedagogjike, duke e bërë atë natyrshëm një zë dhe  emër  të madh në  sofrën e krijuesve shqiptarë e më gjerë. Viron Kona ka punuar e sakrifikuar për fëmijët dhe me aftësitë e tij ka hyrë thellë në botën e brendshme të tyre, ka zbuluar larminë  e dëshirave, emocioneve, interesat dhe ndjenjat e kësaj moshe në pafundësinë  e tyre. E pikërisht, fryma dhe aftësia krijuese në mbi 40 librat e tij, është realiste dhe optimiste, mesazhet e tij janë lehtësisht të kuptueshme nga të vegjlit dhe nga prindërit e tyre, por edhe nga gjithë kategoria  lexuesve. Kujtojmë me nostalgji  librat për fëmijët “Eh, more Bubulino!”, “ E fshehta e pyllit”, “Dardi në gadishullin e vetëtimave”, “Bubulinoja dhe Dardi në kryeqytetin e amantëve të lashtë”, “Delfini i dy deteve”, “Erlindi  dhe papagalli  i  çuditshëm”, “Shpëtoni papagallin Çate!”, “Dëgjoni se çfarë thotë ky papagall!”, “Të fshehtat e një mrekullie”, “Kontrolli i befasishëm i një inspektori”, “Dielli është i imi”, “Një udhëtim i çuditshëm!”, “Shitësi i vogël i kekëve” apo: “Drithërimat e yjeve”, “Dëgjoma zemrën, Budapest!”, “Yje mbi Bosfor”, “Nëndetësja”, “Rruga Miss Durham” e dhjetëra libra të tjerë. Thjeshtësia e trajtimit të ngjarjeve dhe personazhet në këta libra mbeten plotësisht të qartë dhe të kuptueshëm, lexuesit  e vegjël dhe adoleshentë  “notojnë” me dëshirë në librat e Viron Konës sepse ata përcjellin optimizëm, ndjeshmëri  të lartë, lirizëm, thjeshtësi, e qartësi, por edhe rrezatojnë kulturë të gjerë shoqërore dhe shkencore, vokal artistik e sens të veçantë psikologjik e pedagogjik, ato  përbëjnë vlera origjinale të një letërsie tërheqëse dhe të bukur.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora