E merkure, 04.12.2024, 11:45 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Njerëzit që drejtuan Shqipërinë

E premte, 05.09.2008, 10:41 AM


Shkruan Ben Andoni dhe Lorenc Vangjeli

Janë 56 njerëzit që kanë drejtuar Shqipërinë në më pak se një shekull. I kanë dashur dhe i kanë urryer, i kanë duatrokitur apo i kanë vrarë, janë përmendur dhe më pas apo dhe i kanë tërhequr zvarrë; ky ka qenë fati i 56 kryeministrave shqiptarë që nga themelimi i shtetit shqiptar në vitin 1912. Duke nisur me Ismail Qemalin, emri i të cilit po i hiqet universitetit të Vlorës nga një anonim e për të përfunduar me Sali Berishën që ka hyrë në vitin e fundit të mandatit të tij. në këtë listë, që e paraqet revista MAPO nuk janë përfshirë presidentët e republikës apo dhe mbreti i vetëm i vetshpallur Ahmet Zogu, që në kohën kur sundoi, ishte padyshim një monark absolut.
Nga kjo listë, të paktën gjashtë nga kryeministrat janë vrarë, ndërsa katër të tjerë kanë përfunduar në burg. Një pjesë tjetër, kanë vdekur në mjerim dhe në vetmi të plotë dhe pak nga ta, fare pak, kanë gëzuar më pas një jetë normale. Kryeministri më jetëgjatë ka qenë Mehmet Shehu i cili qëndroi në atë post që nga viti 1994 deri në 1981, por që për ironi të fatit, u vetvra në shtëpinë e tij, në dhomën e gjumit. Një vetvrasje që ende sot ngre shumë pikpyetje. Në ditët moderne të Shqipërisë pluraliste të pas viteve 90´, tre kryeministra kanë pasur probleme me ligjin: Fatos Nano dhe Vilson Ahmeti të burgosur, Adil Çarçani i vdekur në arrest shtëpie ndërsa ndodhej i akuzuar për genocid. Në Shqipërinë e paraluftës kur qeveritë ndodhte që ndroheshin edhe me ditë, e njëjta pamje e zymtë, a thua se drejtuesit e këtij vendi i ndjek pas një mallkim... Eshtrat e Vrionit i hodhën në lumë, Kosturin e vranë me atentat, Ismail Qemali vdiq me mllef në Itali, kurse Esat Pasha u vra në Paris. Hasan Prishtinën e vranë në Selanik. Kotën e kapën dhe e sollën në burg në Burrel, në vendin që e kishte firmosur vetë ndërtimin, kurse Turhan Pashën, sot e kësaj dite, nuk i dihet varri.

Ismail Qemali
Njeriu i Pavarësisë Shqiptare është edhe Kryeministri i parë i Shtetit Shqiptar. Lindi në Vlorë më 1844 në një familje të madhe bejlerësh dhe studimet i përfundoi shkëlqyeshëm në Stamboll. Falë familjes eci në hierarkinë e Perandorisë Turke, i njohur si reformator dhe disi pro-britanik . Për disa vite ka qenë deputet i Parlamentit osman, Ministër i Sulltanit dhe së fundi kandidat për Kryeministër i Perandorisë. Ishte njeriu që realizoi shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912. Për më shumë se 13 muaj, ishte Kryeministri i parë i Shqipërisë. U largua pas një konflikti me Komisionin Ndërkombëtar, prej një incidenti me një oficer xhonturk të quajtur Beqir Grebeneja, për idenë e ardhjes të një princi turk në krye të shtetit të ri shqiptar. E detyruan të largohej më 1914 dhe vdiq në mërgim në Peruxhia më 27 Janar 1919. U varros me nderime në Kaninë.
Turhan Pashë Përmeti
Turhan Pasha është një nga politikanët më të disiplinuar nga ana profesionale në historinë e politikës shqiptare. Edhe ai, ra viktimë në një vend si Shqipëria, ku nuk përfillej asgjë. Një nga diplomatët më të njohur të Perandorisë Turke, ishte ambasador për 12 vjet në Rusi dhe Ministër i Jashtëm i Turqisë për 4 vjet. Erdhi për pavarësinë pas ngulmimit të Fuqive të Mëdha. Kërkoi vetëm t’i njihej e drejta e pensionit të Perandorisë Osmane dhe të ruante banesën e tij në Stamboll. Braktisi Stambollin dhe më 17 mars 1914 u bë Kryeministër i Shqipërisë, nën Mbretin Vilhelm Vid. Deri në qershor 1920, u rizgjodh 3 herë Kryeministër. Politikani i vjetër u bë Kryetar i Delegacionit Shqiptar në Konferencën e Paqes, në Paris, më 1919, me statusin e Kryetarit të Qeverisë së Durrësit. Ka kryer një akt të jashtëzakonshëm atje, ku për të krijuar imazhin e një Shqipërie katolike, u largua nga drejtimi i delegacionit dhe ja dha kryesimin e tij, Imzot Bumçit, një prift katolik, që përfaqësonte vetëm 10% të besimit të shqiptarëve. Ky akt, që pas ndërhyrjes së Papës shpëtoi integritetin shqiptar, ishte edhe epilogu i tij politik. Pas kësaj u zhduk nga skena politike. Ka vdekur në Paris.

Esad Pashë Toptani
Një nga figurat më të mëdha të bejlerëve të Shqipërisë së Mesme. E filloi karrierën si ushtarak në Stamboll dhe me kalimin e kohës arriti të bëhet një nga komandantët e Gardës së saj. Ishte protagonist në largimin e Sulltan Abdyl Hamitit, që e arrestoi vetë. U rikthye në Shqipëri më 1912, kur u bë i famshëm në gjithë Evropën në fillim si Nënkomandant dhe më pas komandant i trupave mbrojtëse të Shkodrës, duke dorëzuar qytetin.
U aludua se vrau Riza Pashën, komandantin e saj. Ka qenë ministër i Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit, derisa iku për një qeveri të re. Ishte Kryeministër për gati dy vjet. U vra në Paris, nga Avni Rustemi në Qershor 1920.
Sulejman Delvina
Delvina është Kryeministri i parë i politikës moderne shqiptare. Karrierën e filloi si profesor në Turqi, në Kolegjin e Gallatasarajt, deri më 1920 kur u kthye në atdhe. Kongresi i Lushnjës e zgjodhi kryeministër dhe ai e drejtoi vendin me ekuilibre për më shumë se 18 muaj. U zgjodh deputet dhe mbeti në politikë deri në vitin 1924. Në qershor të këtij viti u bashkua me Nolin dhe u bë Ministër i Jashtëm i qeverisë së tij. Në dhjetor, pas kthimit të Zogut, u detyrua të largohet. Jetoi kryesisht në Itali, në mërgim. Atje u sëmur nga kanceri. I kërkoi Zogut të vinte për të vdekur në Shqipëri dhe ky e lejoi, me kusht që të mos banonte në Tiranë. Vdiq në Vlorë më 1932.

Iliaz Vrioni
Iliaz Vrioni, fillimisht, ka qenë Kryetar i Bashkisë së Beratit kur ishte vetëm 25 vjeç. Më 1912 u bë firmëtar i aktit të Pavarësisë dhe më 1920 një ndër figurat kryesore të politikës shqiptare. Ka qenë pesë herë Kryeministër i Shqipërisë dhe disa herë Ministër i jashtëm i saj. Vdiq më 1934 në Paris, ku ishte Ambasador i Shqipërisë dhe ku kishte fituar titullin më të lartë, ”Oficer i Legjionit të Nderit”. Trupi i tij u soll në Berat dhe u varros atje. Më 1948, nxënësit e shkollave të mesme të Beratit, e zhvarrosën dhe eshtrat ja hodhën në lumin e Osumit.

Pandeli Evangjeli
Figurë e njohur e mërgatës shqiptare në Bukuresht. Pronar i një kafeneje ku mblidhej elita e lëvizjes patriotike të Rumanisë, Pandeli Evangjeli, me origjinë nga Korça, ju bashkua grupit të Ismail Qemalit, që vinte për të ngritur flamurin në Vlorë. Ai u bë firmëtar i aktit të pavarësisë dhe më pas Prefekti i parë i Korçës. Iku sërish në Bukuresht dhe u rikthye më 1920. Që nga kjo kohë, u bë katër herë Kryeministër dhe shumë herë Ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Kundërshtoi pushtimin italian dhe më 1939 u tërhoq nga politika aktive. Kur vdiq më 1949 në Korçë, ishte gati një anonim dhe krejt i izoluar.

Qazim Koculi
Ky është kryeministri më me pak kohë që ka qëndruar në ekzekutivin shqiptar. Ai qëndroi vetëm pak orë. Ish-marinari i flotës turke erdhi më 1912. Kurse u bë Hero i luftës së Vlorës më 1920. Më 6 dhjetor 1921 u bë Kryeministër, por dha dorëheqjen pas 13 orësh duke e ndjerë se po e mashtronin. Është Kryeministri më afatshkurtër në historinë e Shqipërisë e mbase edhe të botës. Pas fitores së Zogut më 1924 u largua dhe më 1939 u kthye përsëri në Shqipëri. U vra më 1943 prej italianëve.

Hasan Prishtina
Aktivist i çështjes së Kosovës dhe deputet i Parlamentit Turk në vitin 1908. Ai u bë figurë e rëndësishme e pavarësisë dhe deri në vitin 1914 u përpoq të ashpërsonte Tiranën me Serbinë e më pas me Jugosllavinë. Qëndroi Kryeministër vetëm pas ditë dhe u detyrua të japë dorëheqjen. Më 1927, një i dërguar i Ahmet Zogut e vrau në Selanik.

Idhomene Kosturi
I lindur më 1873 ndërroi jetë me një atentat në Durrës në vitin 1943. Ka qenë politikan i njohur por shumë modest. Ishte dy herë ministër derisa shkoi në postin e kryeministrit të Shqipërisë. Kërkesa që i bëri Ahmet Zogut dhe refuzimi i këtij i hapur e uli shumë personalitetin e tij. Atë e gjejmë dhe në Elbasan në vitin 1909 në Kongresin e shkollës shqipe. Do marrë sërish aktivitet më 1943, kur e gjejmë si Kryetar të Asamblesë që do shpallte pavarësinë nga Italia.

Xhaferr Ypi
Xhaferr Ypi sërish një nga personazhet e Turqisë Perandorake. Pas 1912 qëndroi në politikën aktive. Disa herë ishte Ministër dhe një herë Kryeministër. Spektri i tij shkon nga Zogu deri tek Italianët. E priti me lule Çianon më 8 prill 1939 dhe u vra në vitin 1943, në jug të Shqipërisë si pasojë e një bombardimi të avionëve anglezë.

Ahmet Zogu
Nga figurat më të njohura të politikës dhe historisë shqiptare. Më vitin 1913 u njoh në fillim kur së bashku me disa malësorë të armatosur hidhet në ndihmë të Esad Toptanit, dajës së tij, kundër Haxhi Qamilit. Më 1915 lufton bashkë me Austro hungarezët. Nuk i ndahet kurrë gjatë jetës dashuria për Vjenën. Më 1920 me 400 trimat e tij garanton zhvillimin e Kongresit të Lushnjës, që e zgjodhi edhe Ministrin e Brendshëm të Qeverisë Delvina. U zgjodh fillimisht Kryeministër dhe më pas President i Shqipërisë. Është kryeministri më i ri në historinë e Shqipërisë, i zgjedhur në moshën 27 vjeçare. Më 1928 një Asamble Kombëtare e shpalli Mbret të Shqipërisë, titull të cilin e mbajti deri në fund të jetës së tij. Vdiq në Paris më 1961. Varri tij gjendet në Kanë.

Shefqet Vërlaci
Njeriu më i pasur i Shqipërisë. Një nga pasardhësit direkt të familjeve feudale shqiptare. Pati një lidhje të fortë me Zogun prej krushqisë. Me prishjen e saj u largua pak nga vendi dhe u rikthye më 1939 së bashku me forcat italiane të pushtimit. Më 1943 u vendos përfundimisht në Itali, ku edhe vdiq në fund të viteve ’50.

Fan Noli
Lindi në një nga fshatrat shqiptare të Azisë së Vogël. Në politikë vjen në vitet 1913, si përfaqësues i kolonisë së shqiptarëve të Amerikës. Është dy herë deputet dhe në vitet 1922-1924, u bë shef i opozitës shqiptare në parlament. Më 1924, mori pjesë në Revolucionin e Qershorit. E fitoi me short postin e kryeministrit me Sulejman Delvinën dhe Sami Vrionin. Në pushtet ishte vetëm 6 muaj dhe kur erdhi Zogu ky iku në Itali. Thonë se atje u betua se nuk do merrej me politikë me shqiptarët. U vendos në Amerikë dhe derisa vdiq, ju kushtua studimeve dhe jetës kishtare. Kur më 1946 Enver Hoxha i ofroi postin e Kryetarit të Parlamentit, ai nuk e pranoi, ndërsa vdiq në Florida, i vetëm, më 1965. Varri i tij gjendet në Boston.

Koço Kota
Lindi në Përmet. Kishte bërë shkollën në Kalabri dhe u angazhua në një sërë detyrash në vitet 1920 – 1944. Ka qenë disa herë Kryeministër në kohën e Zogut dhe Ministër në një qeveri kuislinge të Italisë. Më 1944 u arratis, por eksponentë të sigurimit shqiptar së bashku me oficerë sovjetikë dhe të EAM Grek e arrestuan në Selanik më 1945. U dënua me burgim të përjetshëm dhe vdiq në Burgun e Burrelit, paradoksalisht në atë vend, të cilin e kishte firmosur vetë, kur ishte Kryeministër.

Mehdi Frashëri
Figurë e njohur e politikës shqiptare. Ai erdhi në Shqipëri më 1912. U bë Ministër në disa qeveri, ndërsa më 1935 krijoi atë që në Shqipëri njihet si Qeveria e të rinjve. Figurë komplekse dhe në ditët para pushtimit e tregoi veten si një aktivist kundër italianëve. Italianët e internuan, ndërsa gjermanët e thirrën në krye të Këshillit të Regjencës. Donte një Shqipëri të pavarur me aleate gjermanët, por nuk ja arriti dot. U largua në Romë ku edhe vdiq në vitet ’60. Është autor i disa librave, mes të cilëve “Problemet shqiptare”.

Mustafa Kruja
Filo-italian dhe pinjoll i një familje të shkallëve të ulëta. Hyri në politikë, si pro-italian në vitet 1918-’20 dhe mbeti për shumë kohë atje. Karakteristikë e tij është se në pjesën më të madhe të lëvizjeve ka qenë i përjashtuar apo i kërcënuar me vdekje. Kartën italiane e luajti të plotë pas pushtimit të Shqipërisë. Pas Vërlacit u bë Kryeministër dhe pas kapitullimit të Italisë u vendos përfundimisht atje. Më 1951 u transferua në SHBA, ku edhe vdiq më 1958.

Eqrem Libohova
E filloi karrierën si ushtarak në Perandorinë Turke dhe më pas u bë adjutant i Princ Vidit. Gjatë viteve të Mbretërisë disa herë shërbeu si Ambasador dhe Ministër i jashtëm. I njohur si pro-italian ai ju bashkua që në fillim trupave të pushtimit. Më 1943, u zgjodh dy herë, për fare pak ditë si Kryeministër i Shqipërisë në qeveritë kuislinge.

Maliq Bushati
Nuk ka shumë të dhëna për të. U përfshi në Qeverinë e parë të Shefqet Vërlacit. Nga ana tjetër, ai ishte një nacionalist i njohur dhe kjo i bezdisi italianët që e nxorën jashtë. Më datë 12 shkurt 1946, Gjykata Speciale e dënon Maliq Bushatin me vdekje. Ai ekzekutohet menjëherë.

Rexhep Mitrovica
I lindur në Kosovë, më 28 nëntor 1912, ai u bë firmëtar i aktit të pavarësisë dhe që nga kjo kohë militoi disa herë në politikën shqiptare, fillimisht si gazetar i njohur dhe më pas si Ministër. U largua pas fitores së Zogut dhe pas rikthimit, më 1943, u arrestua nga Italianët. Gjermanët e zgjodhën kryeministër për reputacionin pozitiv që zotëronte në popull. Më 1944 u largua dhe u vendos në Francë, ku edhe vdiq.

Fiqiri Dine
Në vitin 1945 Fiqiri Dine arratiset jashtë vendit si kundërshtar i regjimit komunist. Ky ishte epilogu i tij. Ishte vendosur në qershor të vitit 1944 në krye të qeverisë kuislinge me shpresën se do të neutralizonte gjendjen. Por, në atë kohë, situata po rrëshqiste nga duart në të gjitha drejtimet dhe zogisti nuk mundi që të mbante postin më shumë se dy muaj. Ishte si propozim i Abaz Kupit.

Ibrahim Biçaku
Ka qenë dy herë Kryeministër dhe ministër i Brendshëm i Shqipërisë gjatë periudhës shtator, 1944 - nëntor, 1944. Ishte kryeministri i fundit, i mbështetur nga gjermanët. Më 13 prill 1945, Ibrahim Biçaku dënohet nga Gjyqi Special me burgim të përjetshëm, si bashkëpunëtor i pushtuesve. Ibrahim Biçaku doli nga burgu dhe jetoi në qytetin e Elbasanit.

Enver Hoxha
Shqiptari më i fuqishëm pas Luftës së dytë Botërore. Qëndroi në pushtet deri në vdekje, në 11 prill 1985. Në dhjetë vitet e para të pasluftës, kishte marrë në duar të gjitha pushtetet, ishte njëkohësisht edhe sekretar i parë i Partisë Komuniste, edhe i ekzekutivit. Diktator i egër, ai mundi të qeverisë me dorë të hekurt në mynyrë absolute mbi vendin.

Mehmet Shehu
Gjithmonë i dyti në pushtet. Ish-partizan dhe luftëtar i Spanjës, Shehu ishte krahu i djathtë i Hoxhës. Deri përpara vetvrasjes së tij, ende ajo konsiderohet e dyshimët, mendohej si pasardhësi i tij në pushtet. U bë viktimë e klaneve të cilat luftonin për të qenë të zgjedhurit e Hoxhës. Mbas vdekjes u shpall tradhëtar dhe poliagjent, familja e tij pati një fat tragjik.

Adil Çarçani
Kryeministri i fundit komunist. Pa karizmëën e dy diktatorëve Hoxha e Shehu, Çarçani në kapërcyellin mes dy sistemeve u bë simbol i falimentimit të socializmit në Shqipëri. Vdiq në 1994, ndërkohë që ishte nën akuzë penale për genocid.

Fatos Nano
Një nga figurat më komplekse të periudhës së pluralizmit. Disa herë kryeministër dhe kryetar i partisë socialiste. Ka pasur një rol kyç në shndërrimin e PPSH-së dhe tkurrjen e forcave konservative të saj. I burgosur politik për tre vjet nga kundërshtari i tij Berisha. Mbas humbjes së zgjedhjeve në 2005 dhe dështimit të tentativës për t´u zgjedhur President i Republikës në 2007, qëndron i tërhequr nga politika aktive. Deputet i PS-së.

Ylli Bufi
Morri qeverinë në ditët më të vështira. Ka mbetur emblematike thënia e tij e vërtetë se Shqipëria rrezikonte urinë sepse kishte rezerva gruri vetëm për 6 ditë. Qeveria e tij nisi e para të bënte reforma dhe privatizime të dyqaneve dhe magazinave të para. Deputet i PS-së në të gjitha legjislaturat e deritanishme.

Vilson Ahmeti
U konsiderua zgjedhja e duhur dhe drejtoi një qeveri me program të paplotë, thjesht do të shërbente për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. U arestua nën akuzën për shpërdorim detyre si i përfshirë në skandalin Arsidi, akuza që nuk u provuan kurrë dhe fitoi pafajësinë. I papërfshirë në politikë, merret me biznes privat.

Aleksandër Meksi
Kryeministri i parë jokomunist i vendit. Profesor, doktor, shkencëtar. Autor i reformave të qenësishme ligjore, ekonomike dhe sociale. Nismëtar i privatizimeve të para në vend. Dha dorëheqjen mbas shpërthimit të krizës së piramidave. Aktualisht merret me botimin e korpusit të librave të tij shkencorë dhe politikë.

Bashkim Fino
Kryeministri socialist që ju ngarkua përgjegjësia të qeveriste një vend që ndodhej në anarki. Detyra kryesore ishte përgatitja e zgjedhjeve të parakohshme te cilat u fituan nga PS në 1997. më pas zëvendëskryeministër dhe disa herë ministër. Sot deputet i PS-së.

Pandeli Majko
Drejtoi vendin gjatë krizës së luftës në Kosovë. Morri lavdërime të mëdha nga faktori ndërkombëtar, por u dorëhoq mbas humbjes së garës për kreun e PS-në në konkurrim me Fatos Nanon, ky i fundit e zëvendësoi edhe mandatin e dytë në postin e kryeministrit. Sot deputet i PS-së.

Ilir Meta
Dy herë kryeministër. Mandati i tij i parë u shenjua nga përfundimi i disa akseve kryesorë rrugorë, i dyti nga konfliktet me kreun e PS-së Nano. U dorëhoq, por më pas u bë zëvendës i tij në qeveri. Dorëheqjen e tij të dytë e shoqëroi me themelimin e LSI-së. Sot deputet.

Sali Berisha
Një nga themeluesit e PD-së. Dy herë President i Republikës, por mandatin e dytë e ndërpreu me dorëheqje. Mbas tetë vitesh në opozitë rikthehet në pushtet dhe merr postin e kryeministrit që e mban edhe sot. Aktualisht është edhe kryetar i Partisë Demokratike që nga viti 1991.

 

1. ISMAIL QEMALI Dhjetor 1912  – Janar 1914
2. TURHAN PASHA Mars 1914 _ Maj 1914
3. TURHAN PASHA 2 Maj 1914 _Shtator 1914
4. ESAD TOPTANI Shtator 1914 _Janar 1916
5. TURHAN PASHA 3 Dhjetor 1918 _Janar 1920
6. SULEJMAN DELVINA Janar 1920 _Nëntor 1920
7. ILIAZ VRIONI  Nëntor 1920 -Korrik 1921
8. ILIAZ VRIONI 2 Korrik 1921 -Tetor 1921
9. PANDELI EVANGJELI Tetor 1921 -Dhjetor 1921
10. QAZIM KOCULI 6 dhjetor 1921 -6 Dhjetor 1921
11. HASAN PRISHTINA 7 dhjetor 1921 -12 dhjetor 1921
12. IDHOMENE KOSTURI 12 dhjetor 1921 -24 dhjetor 1921
13. XHAFERR YPI Dhjetor 1921 -Dhjetor 1922
14. AHMET ZOGU Dhjetor 1922 -Shkurt 1924
15. SHEFQET VËRLACI Mars 1924 -Maj 1924
16. ILIAZ VRIONI 3 Maj 1924 -Qershor 1924
17. FAN NOLI  Qershor 1924 -Dhjetor 1924
18. ILIAZ VRIONI 4  Dhjetor 1924 -Janar 1925
19. AHMET ZOGU 2 Janar 1925 -Janar 1925
20. AHMET ZOGU 3 Shkurt 1925 -Shtator 1925
21. AHMET ZOGU 4 Shtator 1925  -Shkurt 1927
22. AHMET ZOGU 5 Shkurt 1927 -Tetor 1927
23. AHMET ZOGU 6 Tetor 1927 -Maj 1928
24. AHMET ZOGU 7 Maj 1928 -Shtator 1928
25. KOÇO KOTA  Shtator 1928 -Janar 1929
26. KOÇO KOTA 2 Janar 1929  -Mars 1930
27. PANDELI EVANGJELI 2 Mars 1930  -Prill 1931
28. PANDELI EVANGJELI 3 Prill 1931 -Dhjetor 1932
29. PANDELI EVANGJELI 4  Janar 1933 -Tetor 1935
30. MEHDI FRASHËRI Tetor 1935 -Nëntor 1936
31. KOÇO KOTA 3 Janar 1937 -Prill 1939
32. SHEFQET VERLACI 2 Prill 1939 -Nëntor 1941
33. MUSTAFA KRUJA Nëntor 1941 -Janar 1943
34. EQREM LIBOHOVA Janar 1943 -Shkurt 1943
35. MALIQ BUSHATI Shkurt 1943 -Maj 1943
36. EQREM LIBOHOVA 2  Maj 1943 -Gusht 1943
37. REXHEP MITROVICA Tetor 1943  -Qershor 1944
38. FIQIRI DINE  Qershor 1944 -Gusht 1944
39. IBRAHIM BIÇAKU Shtator 1944 -Nëntor 1944
40. ENVER HOXHA Nëntor 1944 -   1954
41. MEHMET SHEHU  Nentor 1954 - Dhjetor 1981
42. ADIL ÇARÇANI Janar 1982 - Shkurt 1991
43. FATOS NANO Shkurt 1991 - Prill 1991
44. FATOS NANO 2 Prill 1991 - Qershor 1991
45. YLLI BUFI  Qershor 1991 - Dhjetor 1991
46. VILSON AHMETI Dhjetor 1991 - Prill 1992
47. ALEKSANDËR MEKSI  Prill 1992 - Qershor 1996
48. ALEKSANDËR MEKSI 2  Qershor 1996 - Mars 1997
49. BASHKIM FINO Mars 1997 - Korrik 1997
50. FATOS NANO 3 Korrik 1997 - Shtator 1998
51. PANDELI MAJKO Shtator 1998 - Tetor 1999
52. ILIR META  Tetor 1999 - Shtator 2001
53. ILIR META 2  Shtator 2001 - Shkurt  2002
54.PANDELI MAJKO 2  Shkurt  2002 - Gusht 2002
55.FATOS NANO 4   Gusht 2002 - Shtator 2005
56. SALI BERISHA    Shtator 2005 - në vijim



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora