E merkure, 04.12.2024, 05:39 PM (GMT)

Mendime

Vangjush Saro: Një histori me 'grupe armiqësore'

E marte, 09.05.2017, 06:36 PM


Një histori me “grupe armiqësore”

Nga Mejdani te Blushi, nga Pashko, Kalakula, Topi, Olldashi, etj., te Selami, Topalli, Bregu dhe prapë të tjerë

Nga Vangjush Saro

Jemi sërish përpara një ose disa grupeve armiqësore dhe këtë na e thotë herë pas here politika jonë e dreqit; këtë herë, PD dhe njerëzit e saj më të besuar. E di që shumëkujt nuk i vijnë për mbarë radhë të tilla e fakte të tilla, por e vërteta vetëm mirë bën. Dhe e vërteta është që ne shqiptarët kemi një histori të gjatë, më mirë disa histori, me grupe armiqësore. Ato ndoshta vijnë nga kohë të largëta; por më së shumti, termi dhe debiliteti i kësaj që pretendohet, janë të kohës së monizmit. Gjithsesi, për të mos e humbur “traditën” apo për të treguar “karakterin” - brenda kësaj fjale mund të gjendet edhe më shumë se kaq - ata që kanë pushtetin, përpiqen ta mbajnë partinë të “pastër”. Këtu lindin keqkuptime dhe pastaj… varrosen parimet.

Është e kuptueshme që formacionet politike kërkojnë besim, njëmendësi, etj. Por t’i cilësosh të tjerët armiq, të “blerë”, t’i shtysh tutje, për të  mos humbur pushtetin, fiksimet, rrethin e ngushtë të ndjekësve, duke praktikuar në këtë rast autoritarizëm, kjo nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë dhe luajalitetin politik. Është qesharake të mbash pranë vetes figurat më komike apo më të rëndomta, vetëm e vetëm pse të ndjekin pa u ankuar, pa e vënë në dyshim “largpamësinë” tënde. Mund të vihet re lehtazi se kush i rri ngjitas (le të themi) kryetarit Basha dhe kujt i besohen detyrat më “delikate” në PD; ndërkohë që në Kuvendin e parë pluralist, ata që përfaqësonin opozitën e atëhershme, ishin pothuaj të gjithë me tituj dhe emra tejet të nderuar. Po ashtu, më është dukur mjaft e çuditshme që në takime të rëndësishme, z. Rama është parë në shoqërinë e T. Ballës. Nuk dua ta paragjykoj, ndoshta mund të jetë i zoti; por ndërkaq, ka një sërë figura të tjera me zotësi ku e ku më të shfaqura, që megjithatë duken të sfumuar(!)  (Sikundër më parë, u hoqën qafe krejt edhe Mejdani e Blushi.)

Në të gjitha partitë politike shqiptare, bija të denja të PPSH-së, kohë pas kohe, kanë dalë dhe dalin “grupe armiqësore”. Unë kujtoj që një parti e vogël si PSD, brenda pak kohësh, “polli” disa herë. Histori të tilla me “devijatorë” dhe “grupe armiqësore” ka sa të duash te PDK, alias demokristianët. Edhe te PS, doemos, sepse në frymë, ajo trashëgoi nga PPSH më shumë se të tjerat. Por ajo që të habit më tepër, është numri i madh i “grupeve armiqësore” që janë “zbuluar” në PD; askush nuk e përfytyronte dot në vitet e para të saj, atë që do të ndodhte më pas. Sapo që një apo disa individë shpreheshin ndryshe nga kryetari, quheshin menjëherë të poshtër, spiunë, komunistë, këlyshë, grup armiqësor. Madje edhe të “blerë”. Këtë epitet bolshevik na e flladoi këto ditë edhe F. Lubonja, duke na kujtuar kështu se jemi sërish atje ku ishim, dhe prapë atje do të jemi, se nuk kemi ndërmend të lëvizim, të bëjmë ndonjë hap përpara, të çlirojmë veten nga paragjykimet dhe mentaliteti komunist. O me ne, o kundër nesh; rrugë të mesme nuk ka.

Historia me “grupe armiqësore” është kaq e pasur dhe kaq e ndyrë, saqë nuk do t’ia vlente ta kujtonim; por rrethanat janë të tilla që duhet. N. Ceka, G. Pashko, A. Imami, etj. ishin nga të parët që i dolën dore kryetarit të PD-së, dhe të dëbuar nga partia që ata e kishin krijuar, formuan partinë Aleanca Demokratike. Më vonë, kjo parti u hap edhe u mbyll disa herë. Drejtuesit e saj çfarë nuk u etiketuan; ndokush prej të tyre, si A. Imami, u linçuan nga struktura të shtetit apo nga skuadra ndëshkuese, të organizuara nga partia; ata u rrahën, gati sa nuk vdiqën; dhe sërish u kthyen në kuvlinë e parë. Kurse S. Jolldashi nuk pati asnjë shans, për shkak të “aksidentit”, që ishte finalja e poemës së disidencës së tij.

Historia s’ka të mbaruar. Më kujtohet, kur punoja në gazetën “Alternativa SD” të socialdemokratëve - ku megjithatë s’u bëra pjesë e strukturave, sepse nuk doja, nuk e ndjej politikën ose e mendoj krejt ndryshe - kam shkruar një shënim relativisht të gjatë për “të djathtën”, kur deputeti Petrit Kalakula, me një të kaluar në raporte armiqësore me monizmin, doli nga PD dhe krijoi PDD. E çfarë nuk i thanë. Pothuaj i gjithë kontigjenti i ardhur nga familje të persekutuara, realisht të persekutuara, u muar nëpër gojë, u mbajt larg, në mos edhe u persekutua sërish. Shoqata e Pronarëve asnjëherë nuk gjeti terren në këto parti postkomuniste. (Më duket, i mbrojta ca, se ato janë ultrakomuniste.)

E ç’të kujtosh më parë! A. Hajdari, një nga themeluesit e PD-së, gjithashtu kaloi nëpër një kalvar e histori të tillë me “grupe armiqësore”. E quajtën spiun të ish-Sigurimit të Shtetit, e quajtën të shitur; ku mbahen mend gjithë epitetet e përdorura. Pastaj, u lëpi ajo që ishte pështyrë, në mënyrë reciproke; dhe kaq ishte kjo histori. E. Selami (që tani për së dyti po kapet në një “grup armiqësor”) e provoi edhe ai shijen e përndjekjes në kushtet e demokracisë. Po ashtu D. Shehi, që tani është kthyer prapë në kuvli, në çadër de; pati edhe ai dhe “karrigethyerit e tjerë” një histori këso. B. Kopliku, ish-drejtues i PD-së dhe ish-zëvendëskryeministër, po ashtu. Në atë tragë tradhëtie shkoi puna, për shkak të atij “drurit të ullirit”, edhe me G. Rulin dhe A. Hoxhën; (ky që tani bën si interesant). Një grup të rrezikshëm “bulevardi” bëri edhe B. Topi ish-N/Kryetar e mandej President… Jam i sigurt që po të mendohem edhe pak, do kujtoj të tjerë e të tjera.

Nuk kanë të numëruar pra, “armiqtë” e Partisë dhe “grupet armiqësore”! Ja edhe më i freskëti, me J. Topallin, M. Bregun - realisht gratë më autoritare e më të dëgjuara në PD - dhe mandej z. Selami, që siç u tha, kapet për së dyti në një “grup armiqësor”. Është shumë e qartë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë ndodh. Në themel të strukturave kryesore, gjenden njerëz dhe klane që kanë në mëndje krejt tjetër gjë nga ç’mendojnë “devijatorët”. Kështu, këta të fundit dalin jashtë loje. Ata që mendojnë ndryshe, kanë qenë dhe janë përherë të padëshiruar. Në vështrimin tim, këto histori janë baraz me prapambetje. Të gjitha historitë tona të tranzicionit, veçmas kjo e fundit, ku duket se ka gjasa për dhunë e për sherr, flasin për prapambetje; natyrisht, edhe për çorroditje për shkak të interesave që dihen dhe nuk dihen, që janë të shfaqura apo jo. Për fat të keq, këto interesa, atëherë dhe sot, nuk kanë asgjë të përbashkët me Shqipërinë dhe shqiptarët e sidomos, me hallet e tyre. Askush nuk beson se këtyre apo atyre iu dogj menderi për votën e lirë e për demokracinë. Do t’ua marr pasurinë “këtyre” dhe do t’ua jap “atyre”. Dëngla! Përralla! Ai (z. Basha) dhe ata që ai mbron, iu përkasin gjithashtu “këtyre”. Dhe komedia, farsa më mirë, vodevili, vazhdojnë...

Kaq për sot. Kaq... “Është një mundim për mua të rrëfej, është një mundim që të hesht, sidoqoftë është një mjerim.” (Eskili. “Prometeu”)



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora