E merkure, 17.04.2024, 11:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Fatmir Halimi: Nazmi Rudari - Portrete reale

E diele, 23.04.2017, 12:20 PM


RRËFIMI I PORTRETIT PËR ROMANIN “PORTRETE REALE”

PORTRETE REALE – Nazmi RUDARI

Ferizaj, 2017

Nga Mr.sc. Fatmir HALIMI

Për të rrëfyer dhe për të portretizuar portretin e romanit “Portrete reale” të shkrimtarit Nazmi Rudari nuk mund të kalojmë nga ky shqyrtim pa e dhënë një portret të shkurtër të jetës fizike të vet autorit. Nazmi Rudari si poet, por edhe si dramaturg krijimtarinë letrare e filloi nga fundi i viteve të 70-ta me poezi, i cili në atë kohë dorëzoi përmbledhjen për botim, por i refuzohet nga institucionet e atëhershme. Të njëjtin fat e pati edhe drama e tij e parë “Letra vinte nga Ballkani”, ku pas provave gjenerale që i bëri Trupa teatrore e atëhershme e qytetit të Podujevës, pushteti komunist e ndaloi së shfaquri. Është kjo krijimtaria e Rudarit gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë, krijimtari kjo e cila nga pushtuesit e atëhershëm u cilësua si e rrezikshme, pasi që autori ngrite lartë vetëdijen kombëtare për çlirim të popullit tonë. Dhe sot mund të them se shkrimtari Nazmi Rudari në atë kohë ishte shkrimtarë i anatemuar dhe i ndaluar. Por nga vitet e 90-ta gjërat ndryshojnë dhe autori arrin t’i botoj librat e parë si “Ag e muzg”, tregime 1990 dhe “Helm e gjak”, poezi 1992. Siç e dimë pushtuesi serb gjatë viteve të 90-ta i kishte shpallur luftë të hapur gjithë popullit dhe masës shqiptare, por kjo luftë ishte specifike për Nazmi Rudarin, sepse ishte i vetmi shkrimtarë, që veprimtaria letrare të bëhet shkak për arrestimin e tij.

Portrete reale- fabula

Diskursin kritik për romanin “Portrete reale” po e filloj nga vet titulli. Pra titulli i një vepre letrare në shumicën e rasteve e ndihmon, por në disa raste edhe e ndërlikon interpretimin e një vepre letrare. Në rastin tonë ky interpretim ka të dy konotacionet. E para është se vepra letrare “Portrete reale” është një roman fiksional, artistik e letrar, e që është ndërtuar bukur estetikisht. E dyta vet titulli pas një leximi të kultivuar, por edhe pas një kritike reflekton se vepra ka të bëjë me diçka reale, me diçka se ka ndodhur me të vërtetë. Pra mund të them se “Portrete reale” i ka dy anët e medaljes, aq sa vepra është e mbushur me ngjarje reale,  të cilat zhvillohen përmes personazhit kryesor, profesorit K., po aq është e mbushur me imagjinatë dhe fiksion të autorit, që Rudari duke shfrytëzuar dijen e tij të pasur mbi letërsinë dhe jetën arrin të krijoj një roman me vlera të larta letrare. Pra kjo tregon se autori ka një vetëdije të lartë artistike të shkrimit dhe të rrëfimit. Fabula, ndodhia, ngjarja te “Portrete reale” zhvillohet nëpër hapësira të ndryshme si Kosovë, Shqipëri dhe Diasporë shqiptare. Kurse koha e këtyre ngjarjeve është periudha e viteve të 90-ta, por edhe koha e tashme e autorit. Subjekti i trajtimit është dhuna dhe agresioni serb që zhvilloi mbi popullin shqiptarë në Kosovë. Romani është i ndarë në tregime të shumta, që mund të them se këta tituj të tregimeve janë vetëm një pushim për lexuesin, pasi që fillim e fund romani zhvillon vetëm një temë, pra temën e madhe të lirisë, temën e heroizmit, qëndresës dhe luftës për liri.

Interteksti dhe retrospektiva

Në diskursin tim kritik për romanin “Portrete reale” nuk mund ti iku dijes dhe metodave postmoderne, të cilat janë duke u zhvilluar sot e tri dekada në letërsitë evropiane për interpretimin e tekstit letrar siç janë: interteksti, metateksti, fragmentariteti, shkalla e shkrimit, retrospektiva e shumë të tjera, pasi që romani i Rudarit na ofron një fushë pa anë të interpretimeve.

Interteksti -  Me intertekst kuptojmë efektet e një teksti në tekste të tjera. Cdo libër flet për librat e tjera, një libër lindë (prodhohet) nga librat e tjerë, dhe çdo histori është histori e treguar njëherë, pra vetë libri i krijuar apo vetë historia e riprodhuar nga autori është intertekst. Pra, thurjet e shthurjet e së kaluarës që e karakterizojnë këtë model shkrimi kanë të bëjnë me intertekstualen e ndërtimit të teksteve, sepse, interteksti merr nga tekstet e më herëshme letrare, merr edhe nga dokumentet e hershme kulturore e historike, merr nga kronikat apo shënimet e ndryshme, të cilat  hyjnë në punë për krijimin e një teksti të ri. Dhe ky tekst i ri që ndërtohet mbi këtë rrjet të gjerë të referencave, mbi këtë rrjet intertekstual, quhet tekst postmodern. Duke parë romanin “Portrete reale” si copëza tekstesh të ndara në tituj të ndryshëm siç janë: Këndi i krijuesit, Drama e ndërdijes, Loja me pasqyrë, Neveria, Shpirti i shqiptarit, e shumë të tjera, vepra na ofron një rrjet të këtyre copëzave të teksteve. Ky rrjet i teksteve është i sistemuar mirë dhe të cilat bartin efektin e tyre te njëri-tjetri.

Pra interteksti për Rudarin bëhet kategori stilistike e shkrimit të tij.

Retrospektiva - Lexuesi ynë  deri më sot është mësuar të lexojë veprat e shkrimtarëve tanë tradicional, të cilet rrëfimin e tyre në prozë e fillojnë duke na e paraqitur heroin që nga femijëria, rritja e tij dhe deri te problemi, ku ata dojnë t’i zgjedhin përmes tij. Kurse te shkrimtari Rudari kemi një mënyrë krejtë tjetër në qasje, një mënyrë krejtë të re të shkrimit dhe të rrëfimit të ngjarjeve. Romani fillon në të tashmen, në momentalen e kohes së personazhit kryesor, profesorit K. dhe e kaluara na jepet përmes retrospectives. Ai futet në kujtime dhe në mendjen e tij zhvillohet e kaluara.  Por në të shumten e rasteve kjo paraqitet përmes takimeve të rastësishme që heroi i romanit i ka me njerëzit e kohës së tij, të cilat takime nuk mbetën të izoluara si dromca kujtimesh, por janë shtytëse të mëtutjeshme të veprimeve  që do t’i ndërmarrin personazhet më vonë. Pra, retrospektiva te romani “Portrete reale” zë një vend të rëndësishëm. Radari gati të gjitha rrëfimet e tij mbi profesorin K i zhvillon përmes retrospektives, si një rikujtesë nga koha e sotme për ngjarjet e zhvilluara dhe të përjetuara në periudhën vitet e 90-ta.

Për fund

Romani “Portrete reale” i Nazmi Rudarit në këtë katrahurë të kulturës sonë, në këtë katrahurë të shkrimit dhe të botimit të librave që në numër e kalojnë edhe mijëshen vetëm në Kosovë, sjell një risi, sjell një ringjallje të romanit tonë, sjell një vepër me vlera të larta estetike. Ai lexuesve u ofron një roman cilësor e përmbajtësor me plotë shije e vetëdije të lartë artistike, të cilët i bënë për vete dhe nuk mund të ndalen deri sa ta lexojnë me një frymë, pasi që secili prej tyre mund ta gjejë një pjesë të jetës tij aty.

Pra mund të them se “Portrete reale” vjen si perlë në letërsinë tonë sot.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora