E diele, 13.10.2024, 12:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Fran Gjoka: Gjysmë shekulli në shërbim të arsimit

E shtune, 22.04.2017, 05:44 PM


GJYSMË SHEKULLI NË SHËRBIM TË ARSIMIT TË LARTË

(Me rastin e 75 vjetorit të lindjes të Prof. Dr. Vehbi Hotit, Profesor Emeritus)

NGA FRAN GJOKA, LEZHË

Prof. Dr. Vehbi Hoti u lind në Shkodër me 06. 04. 1942, ku përfundoi arsimin 7-vjeçar e atë të mesëm. U diplomua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës në degën Biologji-Kimi- Pedagogji. Për periudha të shkurtra ka punuar në ish Institutin e Studimeve e të Botimeve Shkollore të Tiranës, shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe në kabinetin pedagogjik të rrethit. Për rreth gjysmë shekulli, 1966-2013 ka qënë pedagog i Universitetit të Shkodrës. Gjatë këtyre viteve është shquar si pedagog, si mësimdhënës, si studiues e si drejtues, duke u afirmuar si një personalitet i nderuar dhe i vlerësuar gjerësisht nga studentët, kolegët dhe opioni i gjerë shoqëror. Përveç detyrës së pedagogut,  ai ka qenë i ngarkuar me detyra e funksione të ndryshme. Për më shumë se 15 vjet ka qënë sekretar i Këshillit Shkencor të ILSHP dhe i Redaksisë së Buletinit Shkencor”. Që nga viti 2002 e gjer më sot është kryeredaktor i serisë së Shkencave të Edukimit, organ i Universitetit të Shkodrës. Në vitet 1989-1993 ka qënë përgjegjës i katedrës së Psikologji-Pedogjisë. Për 13 vjet, 1991-2003 dekan i pare i  Fakultetit të Shkencave të Edukimit dhe anëtar i Senatit të Universitetit të Shkodrës. Është dalluar për një punë serioze studimore shkencore. Ka një aktivitet të pasur botues e kumtues. Është autor dhe bashkëautor i shtatë botimeve monografike, 4 teksteve mësimore për shkollën e lartë dhe dy për shkollën e mesme. Ka botuar rreth 60 punime në shtypin shkencor dhe ka referuar në 50 sesione e konferenca shkencore. Ka marrë pjesë në disa projekte dhe ka bashkëpunuar si ligjërues me disa universitete edhe jashtë vendit, si Mal të Zi e Maqedoni. Rrjedhim i kësaj pune janë gradat dhe titujt që ka fituar duke filluar nga Doktor i Shkencave gjer në Prof. Dr. Me rastin e daljes në pension 2013 Senati i Universitetit të Shkodrës e ka nderuar me titullin “Profesor Emeritus”.

Ka marrë vlerësime të larta shtetërore nga Presidentët e Shqipërisë:

Urdhëri “Naim Frashëri i Artë” (2001)

Titulli Mësues i Merituar” (1987)

Medalja “Naim Frashëri” (1977)

Megjithëse më 2013 ka dalë në pension, ai bën një jetë tepër aktive intelektuale, duke dhënë mësim si i jashtëm në Universitetin e Shkodrës dhe në atë të Podgoricës si dhe duke marrë pjesë në veprimtari shkencore, kumtuese e  botuese.

Pyetje: Profesor, para së gjithave ju urojmë 75 vjetorin e lindjes, me shëndet e tërë të mirat personale e familjare. Keni kaluar rreth gjysmë shekulli në Universitetin e Shkodrës. Cila ka qënë ecuria e karrierës suaj, problemet e detyrat të cilat keni përballuar, jeni angazhuar apo ju kanë ngarkuar?

Ju falenderoj përzemërsisht për urimet. Natyrisht që detyra e parë, kryesore, ka qënë ajo e mësimdhënies, zhvillimi i lëndëve sa më me nivel e cilësi. Ndër vite më ka qëlluar të zhvilloj shumë lëndë nga fusha e psikologjisë dhe e pedagogjisë. Në funksion të kësaj detyre ka qënë kualifikimi shkencor dhe veprimtaria studimore e botuese. Krahas kësaj kam qënë i ngarkuar edhe me detyra të ndryshme si: për rreth 15 vjet kam qënë sekretar i Këshillit Shkencor të Institutit dhe i redaksisë së “Buletinit Shkencor”, organ i ILSHP, përgjegjës i katedrës (1989-1993). Ndryshimet demokratike në Shqipëri krijuan mundësi dhe hapësira të mëdha zhvillimi edhe në fushën e arsimit. Në vitin 1991 ILPSH u riorganizua duke u kthyer në Universitet, u krijuan tre fakultete ndër të cilët Fakulteti i Ciklit të Ulët (më pas Fakulteti i Edukimit) të cilin pata nderin të isha dekan i tij për 13 vjet (1991-2003). Kanë qënë vite ndryshimesh të thella e të gjithanshme cilësore në strukturën e në përmbajtjen e fakultetit, në vendosjen e lidhjeve e të bashkëpunimeve tepër frytdhënëse me universitetet europiane e përfshirjen në projekte të ndryshme kualifikimi e studimi. Pati një angazhim tepër serioz nga tërë stafi pedagogjik i fakultetit për të bërë ndryshimet që kërkoheshin dhe për të përshpejtuar ritmet e kualifikimit e të fitimit të gradave e titujve shkencorë. Vecanarisht doja te vleresoja e te falenderoja grupin e pedagogeve te pare qe themeluan Fakultetin, ne angazhimin shume serioz ne mbrojtjen e doktoraturave dhe me pas edhe fitimit te titujve shkencore sit e ndjerin Ludovig Shllaku, Mit’hat Hoxha, Gezim Dibra, Fatmir Vadafi, Vildan Tufi, Ikbal Kalaja, Agim Kadillari, Vjollca Medja etj. Zhvillimet demokratike në Shqipëri krijuan mundësi të pakufizuara zhvillimi, kualifikimi e specializimi në të gjitha fushat: me sigurimin e literaturës pa asnjë lloj kufizimi e me mundësi specializimesh jashtë shtetit. Edhe unë pata fatin t’i gëzoj këto mundësi e të përfitoj shumë prej tyre. Në këtë kuadër kam ndjekur e marrë pjesë në kurse kualifikimi e specializimi e marrë përvojë në disa shtete si: Itali, Austri, Angli, Danimarkë, Rusi. Gradualisht fakulteti erdhi duke u forcuar dhe duke u zgjeruar, sidomos 10 vjeçarin e fundit ku u pasurua me degë të reja si ato të psikologjisë, punës sociale, të edukimit fizik e sporteve, të arteve.

Pyetje: Profesor, keni një jetë të tërë si pedagog në shkollën e lartë. A mund të na përshkruani shkurt rrugën dhe vështirësitë e formimit tuaj në këtë fushë? Me thanë të drejtën rruga e formimit dhe e kualifimit shkencor, nuk ka qënë e lehtë. Duhej shumë vullnet, këmbëngulje, pasion, seriozitet e disiplinë pune. Rruga e formimit tim në fushën e psikologjisë dhe pedagogjisë ka pasë një specifikë tepër të vecantë që përdorej për herë të parë në Shqipëri.  Prishja e marrëdhënieve me ish Bashkimin Sovjetik ndërpreu edhe përgatitjen e specialistëve në fushën e psikologjisë e të pedagogjisë. Universiteti i Tiranës nuk kishte një degë të tillë. Nevojat e vendit për kuadro të kësaj fushe ishin në rritje. Qeveria kishte vendosur që të hapej një degë e tillë në Fakultetin e Histori-Filologjisë duke përzgjedhur një grup të vogël prej 8 studentësh nga vitet e dyta të degëve të mësuesisë të shkencave shoqërore dhe shkencave të natyrës. Nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës ishin përzgjedhur dy studentë të degës së Biologji-Kimisë, njëri prej të cilëve isha edhe unë. Gjatë dy viteve mësimet e kësaj dege zhvilloheshin pas dreke në Fakultetin e Histori-Filologjisë sepse paradreke ndiqnin degët e para në Fakultet përkatëse. Pas diplomimit unë u emërova në Tiranë dhe më 1 Gusht 1965 fillova punën si punonjës shkencor në Sektorin e Pedagogjisë të Institutit të Studimeve e të Botimeve Shkollore që sapo ishte hapur. Kisha kërkuar 2-3 herë që të transferohesha në Shkodër, për arsye familjare ekonomike gjë që u refuzua. Pa prit e pa kujtuar një mundësi e tillë u krijua: Instituti i Shkodrës kishte ngelur pa pedagogë për lëndën e pedagogjisë, po fillonte semestri i dytë e lënda rrezikohej të mos zhvillohej kështu që me 10 Shkurt 1966 fillova punën si pedagog në ILPSH.

Me kalimin e viteve problem shqetësues filloi të bëhej sigurimi i literaturës së huaj që erdhi gjithnjë e duke u ngushtuar deri sa pothuajse u ndërpre fare pas një vendimi të qeverisë të Janarit 1975. Bile edhe literatura në gjuhë të huaj që ekzistonte në Bibliotekën e Institutit, hyri në fondin e rezervuar. Për fushat tona as që bëhej fjalë për specializime e kualifikime jashtë shtetit.

Pyetje: Keni nje veprimtari te pasur shekencore, nder te cilat keni botuar një monografi për kontributin e Luigj Gurakuqit për shkollën shqipe dhe arsimin kombetar, e cila ka pasur mjaft vlerësime në shtyp. Cilët ishin motivet që ju shtyen për të studiuar këtë figurë të shquar? Që në rininë time më ka tërhequr e bërë për vete figura e Luigj Gurakuqit. Lexoja çdo gjë që shkruhej dhe  thuhej për të. Me kohë kisha filluar të shkruaja edhe unë diçka për kontributet e tij në fushën e arsimit, duke ardhur gradualisht tek synimi për të botuar këtë monografi e për ta paraqitur për mbrojtje të doktoraturës. Fillimisht nuk e kisha zgjedhur si temë doktorate. Rrethanat e krijuara më çuan drejt saj. Kisha vite që punoja mbi temën e doktoratës mbi zhvillimet e arsimit në Shkodër në vitet 1965-1985, vitet kulmore të asaj që quhej revolucionarizimi i mëtejshëm i shkollës. Kisha shumë vite që punoja. Mjafton të themi se kisha kaluar nëpër duar rreth 20000 mijë faqe të shkruara, raporte, relacione, dokumente, vendime, etj, në arkivën e rrethit. Kisha botuar disa artikuj në shtypin e kohës e kumtuar në disa veprimtari shkencore. E kisha përfunduar, ishte miratuar nga Instituti i Studimeve Pedagogjike (ISP) për mbrojtje dhe caktuar tremujori i parë i vitit 1992. Punimi kishte mjaft gjëra me vlerë, por ishte tepër i politizuar dhe ideologjizuar në bazë të kritereve të kohës. E morra disa herë nëpër duar, pata shumë lëkundje e hezitime dhe në fund vendosa ta tërhiqja nga mbrojtja. Për këtë i bera kerkese me shkrim rektorit te Universitetit të Shkodrës dhe drejtuesit te ISP-se për tërheqjen duke kërkuar të miratohej tema e re “Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar”. Punova rreth 3-4 vjet në mënyrë shumë intensive jo vetëm me literaturën por dhe me dokumentet arkivore në Muzeun e Shkodrës e Arkivën e Rrethit, Arkivin Shtetëror në Tiranë, Arkivat në Durrës e Elbasan.

E vërtetë që u shty disa vite marrja e doktoraturës, por ndjeva një kënaqësi të veçantë kur morra vlerësimet më të larta nga komisioni i doktoraturës të Universitetit të Tiranës dhe më vonë, pas botimit, nga shumë specialistë të fushës.

Pyetje: Përveç se me Universitetin e Shkodrës cfare bashkëpunimesh e kontributesh keni pasur me institucione a shkolla të tjera të larta?

Marrëdhëniet e bashkëpunimit kanë qënë tepër të hershme me katedrën e pedagogjisë të Fakultetit Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës ku kam qënë bashkëautor në dy tekste të psikologjisë dhe jam aktivizuar në ligjërata në kursin pasuniversitar të psikologjisë pranë këtij fakulteti. Vitet e fundit kam udhëhequr tre doktoratura në fushën e Psikologjisë e, në disa raste, anëtar jurie në mbrojtjen e doktoraturave, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Për disa vite në Universitetin e Tetovës (Maqedoni) kam zhvilluar lëndët e “Psikologji e përgjithshme” dhe “Histori e psikologjisë”. Gjatë kësaj periudhe kam qënë i emëruar anëtar i kominsionit për pranimin e pedagogëve të brendshëm në degën e Psikologjisë të këtij Universiteti. Një bashkëpunim afatgjatë kam me Universitetin e Podgoricës pranë të cilit, në vitin 2004 është hapur dega e Ciklit të Ulët për përgatitjen e mësuesve për shkollat 9-vjeçare me mësim në gjuhën shqipe. Në realizmin e programit mësimor të kësaj dege një kontribut tepër të rëndësishëm jep Universiteti i Shkodrës nga i cili 15 pedagogë mbulojnë një numër lëndësh të rëndësishme. Edhe unë, që nga 2004 e gjer më sot zhvilloj lëndën “Psikologji e përgjithshme”.Ndërkaq, që nga 2007 jam i ngarkuar nga Enti i Teksteve dhe mjeteve mësimore të Podgoricës për recensionimin e teksteve mësimore për shkollat shqipe në Mal të Zi. Gjer më tani kam bërë recensionet për 15 tekste mësimore nga klasa I-IX, te cilat kane gjetur vleresimet dhe miratimet nga Enti I mesiperm.

Pyetje: A keni pasur vështirësi, pengesa e shqetësime të ndryshme që iu është dashur t’i përballoni?

Natyrisht, si shumëkush, edhe unë kam përjetuar vështirësi dhe shqetësime të ndryshme. Veçanërisht, kam përjetuar dy shqetësime të natyrave të ndryshme. E para lidhej me momente të biografisë. Burri i tezes sime, Hafiz Sali Myftia, bashkë me djalin e madh, Fuat Myftine, ishin të arratisur politik, bashkë me grupin e nacionalistëve. Këtë fakt unë e kisha shkruar në dokumentet e mia. Por, edhe në ILPSH, kishte komunistë që ishin të dhënë fort pas biografisë së njerëzve, ishin nga ata që, si të thuash fushë kryesore e te vetme “të kualifikimit e kërkimit shkencor” kishin gërmimin në biografinë e njerëzve. Njëri prej tyre, për disa kohë, ishte dhe sekretar i organizatës së partisë. Në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar Ministria e Arsimit, kishte vendosur dhe miratuar një delegacion të vogël (prej 4 vetesh) nga ILPSH për vizitë në Kosovë, njëri prej të cilëve isha dhe unë. Natyrisht që u gëzova, por gëzimi më doli prej hundësh. Organizata e partisë, veçanërisht sekretari i saj kërkuan zëvendësimin tim me një pedagog komunist. Drejtori, i ndjeri Mihal Prifti, mbështeste kandidaturën time. Sekretari i partisë organizoi një mbledhje të kolektivit, te sugjeruar “nga lart”, ku do të diskutohej e të votohej se cila nga 2 kandidaturat do të përfshihej në delegacion. Ndodhi ajo që unë nuk e prisja. Votimi në kolektiv doli në favorin tim. Me thanë të drejtën ndjeva një kënaqësi të veçantë. Megjithëkëtë organi kompetent bëri ndryshime në përbërjen e delegacionit, në të cilin nuk u përfshimë as unë dhe as ai që kërkonte organizata, por dy të tjerë.Po në vitin 1977 u “riaktivizua” biografia ime. Me një urgjencë marramendëse duke kapërcyer edhe rregullat e kohës u largova nga Instituti për në shkollën Pedagogjike. Kur më thirri sekretari i Komitetit të Partisë të asaj kohe për të ma komunikuar lëvizjen në kuadrin e qarkullimit, i thashë që kjo nuk është arsyeja, por po më largoni për arsye politike dhe se në vendin tim keni emëruar pedagog një komunist që ia thashë edhe emrin, sepse e kisha marrë vesh një gjë të tillë me kohë. Më 1981 u riktheva në Institut ku vazhdova deri më 2013, deri kur dola dhe në pension.

Pyetje: Po shqetësimi tjetër qe keni përjetuar me se lidhej?

Kam vuajtur shumë për strehim. Pasi u martova, ne mungese te strehimit, banova me familjen për tetë vite në konviktin e djemve të Institutit, ne Zdrale. Në konvikt lindën dhe tre fëmijët e mi. Ishin kushte të vështira, jo normale për një familje, ku nuk kishe se si ti laje fëmijët e vegjël, ashtu si dhe për të gatuar, apo për të larë rrobat, etj. Vështirësitë më të mëdha i ka kaluar bashkëshortja ime. Për disa vite ishte mësuese në fshat, madje duke shkuar me biçikletë. Ajo ka përballuar një ngarkesë të jashtëzakonshme, ka sakrifikuar shumë nga vetja, që si nënë e bashkëshorte, për të na krijuar kushte sa më të mira të mundshme pune e studimi, si për mua, ashtu dhe për fëmijët tanë. E them me bindje se gjithçka që kemi bërë, e kemi arritur unë e fëmijët kemi në themel edhe mundin e djersën e saj.

Pyetje: Fëmijët tuaj çfarë rruge kanë ndjekur. A vazhdon ndonjëri fushën e mësuesisë në përgjithësi, apo edhe të psikologjisë në veçanti?

Bashkëshortja Fitneti ka qënë mësuese matematike, duke dhene kontributin e saj te cmuar ne shume institucione arsimore te qytetit Shkoder dhe ne vende te tjera, aktualisht eshte ne pension. Kemi tre djem që kanë marrë drejtime të ndryshme në jetë. Djali i madh, Dritani është jurist, me nje experience te gjate ne kete fushe, sot ushtron profesionin e tij si avokat ne Tirane. Dy të tjerët janë binjakë. Njëri, Bledari është diplomuar për Histori-Gjeografi dhe si degë të dytë është diplomuar në gazetari dhe prej mese 20 vitesh punon gazetar. Periudhe gjates se ciles, duke filluar nga viti 1996, ka punuar si korrespondent i qytetit Shkoder per gazeta te ndryshme dhe per nje periudhe te gjate ka pergjegjes per fushen e politikes ne gazetat me prestigjoze te vendit tone, te cilen e vazhdon edhe tani se fundmi.  Djali tjetër Arbeni ka ndjekur rrugën time. Bile edhe fillimet e formimit, në mënyrë krejt rastësore, kanë qënë të ngjashme me timen. Pasi u diplomua në Fakultetin e Shkencave Natyrore për Bio-Kimi, gruaja kishte lexuar në një gazetë se Ministria e Arsimit kishte shpallur 10 vende në Universitetin e Tiranës për ato që dëshironin të vazhdonin studimet me shkëputje nga puna si degë të dytë në degën e Psikologjisë. Përfundoi me sukses studimin në këtë degë ku u diplomua si “psikolog klinicist”. Më pas mbaroi Master të Nivelit të dytë dhe së fundmi mbrojti doktoraturën në fushën e Psikologjisë me rezultate shumë të mira. Ka një angazhim premtues me pjesëmarrje në konferenca të ndryshme shkencore e botime brenda e jashtë vendit. Ka botuar tekste mësimore “Histori e psikologjisë”, “Psikologji e personalitetit”, “Psikologji e grupit” dhe tash së fundmi kemi botuar bashkarisht tekstin “Hyrje në psikologji”. Është pedagog i psikologjisë në Universitetin e Shkodrës gjë që më jep kënaqësi se po i lë Universitetit të Shkodrës diçka nga vetja e familja ime.

Pyetje: Në korrik 2013 dolet në pension. Megjithëkëtë vazhdoni të jeni aktiv me ligjëratë dhe veprimtari shkencore. A mund të na tregoni se me çfarë angazhimesh jeni marrë apo përfshirë gjatë kësaj periudhe?

Jam përpjekur të jem aktiv në punën intelektuale, pedagogjike dhe shkencore. Vazhdoj të jap mësim në Universitetin e Shkodrës si pedagog i jashtëm. Gjithashtu mbaj kursin e ligjëratave të “Psikologji e përgjithshme” në Universitetin e Podgoricës. Diçka “bubroj” në punën studimore shkencore. Kam marrë pjesë në disa veprimtari shkencore dhe kam botuar pesë punime mbi kontributin e gjërë e të shumë anëshëm të personalitetit të shquar të arsimit e të mendimit pedagogjik Prof. Dr. Shefik Osmani, të Mësuesit të Merituar Islam Dizdari, për studiuesin e shquar te historikut të arsimit shqip në Mal të Zi Prof. Dr. Palokë Berisha, për të cilën ai ka botuar disa monografi me interes pedagogjik, shkencor, kulturor e patriotik. Këtë vit, si bashkëautor kam botuar tekstin “Hyrje në psikologji” që përdoret nga studentët e Universitetit të Shkodrës dhe nga studentët shqiptar të Universitetit të Podgoricës.

veprimtarisë pedagogjike e kontributeve arsimore të Gaspër Beltojës, një nga figurat e shquara të arsimit, të mendimit psikologjik e pedagogjik të periudhës së Pavarsisë.

Pyetje: Profesor, çfarë përfaqëson për ju Universiteti i Shkodrës?

Universiteti i Shkodrës është një nga shkollat e larta më të vjetrat e Shqipërisë, një nga qëndrat më të rëndësishme arsimore, shkencore e kulturore të vendit. Është e vetmja shkollë e lartë që i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli “Nderi i kombit”. Të jesh pjesë e stafit akademik të këtij institucioni për një kohë kaq të gjatë sa unë, është një privilegj, nderim dhe respekt i veçantë. Universiteti i Shkodrës përfaqëson gjithcka për mua. Jam tepër i lidhur shpirtërisht me të. Fillova punë aty një djalosh i ri 23 vjecar, duke vazhduar për rreth gjysëm shekulli. Kam shkrirë gjitha forcat dhe energjitë e mia për të kryer të gjitha detyrat që më janë ngarkuar, dhe nuk kanë qënë të pakta, me nivel dhe cilësi sa më të lartë. Asnjëherë nuk kam lënë pas dore apo të kem neglizhuar apo zvarritur kryerjen e ndonjë pune. Ka pas periudha me ngarkesë tepër të madhe që më është dashur të punoja “orar pa orar”. Në këto vështrime kam dhënë gjithçka që kam ditur e kam mundur për Universitetin e Shkodrës. Por edhe Universiteti i Shkodrës më ka dhënë gjithçka që kam arritur në jetën profesionale e  shoqërore. Mjafton të përmend ato që thamë më sipër: gradat, titujt shkencor të fituara, vlerësimet e larta shtetërore me dekorimet nga tre presidentë të Shqipërisë, vlerësimi dhe respekti i gjërë shoqëror që ndjej dhe përjetoj, nga kolëgët e ish kolegët, mësuesit, studentët dhe ish studentët e shpërndarë në katër anët e vendit. Prandaj, them me bindje se Universiteti i Shkodrës është vetë jeta ime. Po të ishte e mundur të bëhesha edhe njëherë i ri, veç për Universitetin e Shkodrës do të dëshiroja të punoja e të kontribuoja me dëshirë e pa hezitim.

Mirënjohje respekt pa fund për  ty dhe mijëra të tjerë pedagog pensionist .Jetë të gjatë e plotë shëndet  të urojnë të gjithë në këtë 75-vjetor!

Faliminderit!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora