E premte, 06.12.2024, 11:31 AM (GMT)

Kulturë

Meri Lalaj: Botëkuptim i ri në filozofinë e letërsisë

E enjte, 16.03.2017, 08:55 PM


Një botëkuptim i ri në filozofinë e letërsisë shqipe

Nga Meri Lalaj

Shkrimtari, studiuesi dhe publicisti Myzafer R. Berberi, përveç botimeve të mirëfillta shkencore në fushën e radiobiologjisë, është autor edhe i shumë botimeve letrare. Në kolanën e tij krijuese përfshihen katër romane: “Përtej dashurisë”, “Ndodh edhe kështu”, “Dashuri në mister”, “Kulla e nëmun”, dy vëllime me tregime “Skaje”, “Të vërtetat e ëndrrës”, rreth njëzet studime monografike, mbi tetëdhjetë artikuj kritikë për artin, letërsinë, kulturën, publicistikë shkencore, mbi njëqind e tridhjetë tregime e novela, të cilat janë botuar në organe të ndryshme si gazetat: “Shqip”, “Drita”, “Ndryshe”, “Temp”, “Nositi”, “Integrimi”, “Koha Jonë”, “55”, “Telegraf”, “Nacional”,“Ushtria dhe Koha”,"A.S.Pushkin","Bashkimi Demokristian","Poli Qendrës",“Miqësia”, po ashtu në revistat “Shkenca dhe Natyra”, “Shkenca dhe Jeta”, “Mbrojtja”, “Koha Jonë”, “Revista A”, “Super Seks” etj.

Krijimtaria e tij shtrihet përtej hapësirës shqiptare me subjekte, episode, personazhe dhe me tradita kulturore të popujve të ndryshëm të botës: Gjermani, Angli, Itali, Francë, Rusi, Spanjë, Kanada, Amerikë, Kongo, Xhamajkë, Filipine, Kinë dhe Indi, vende me të cilat ai jo vetëm mban të ndezur dhe zhvillon më tej kërshërinë dhe erudicionin e lexuesit, por edhe afron kulturën e këtyre popujve me atë shqiptare.

Krijimtaria e Myzafer R. Berberit për nga vetë tematika e veçantë dhe stili i tij origjinal ka tërhequr vëmendjen e studiusëve: Amneris Drenofci (Haveriku), Dhimitër Gegprifti, Zenun Fero, poetit dhe shkrimtarit Përparim Hysi, përkthyeses dhe publicistes Dr, Shkencave Filologjike Myzejen Shapllo, shkrimtarit dhe studiuesit Prof, Dr. Ilinden Spasse etj., të cilët kanë vlerësuar krijimtarinë e tij si një prurje të re e mjaft cilësore në letërsinë shqipe.

Kultura e gjerë shkencore e këtij autori në fushën e mjekësisë, fizikës bërthamore, veterinarisë dhe letërsisë hapin gjithnjë dritare të reja në krijimtarinë letrare.

Në librin e tij më të ri me tregime dhe novela titulluar “Të vërtetat e ëndrrës”, ky autor shfaqet sërish para lexuesit me prurje të reja. Në këtë libër, nëpërmjet figuracioneve letrare, autori bën përballjen e botëkuptimeve të ndryshme mbi jetën, ndjesitë, dashurinë, familjen dhe shoqërinë.

Altruizmi, sikurse dhe në veprat e tjera të tij, është karakteristikë e veçantë edhe në këtë libër, dashuria për njeriun është mesazhi themelor në të gjithë krijimtarinë e tij. Tregimet “Tano Çollku”, “Rasheda”, “Një dhimbje e mbetur” e tjera.

Autori mban qëndrim kritik ndaj cinizmit, egoizmit, ambicies keqdashëse, hipokrizisë, spekullimeve në dallimin midis vlerave dhe antivlerave të shoqërisë këtu veçojmë tregimet “Hija e burgut”, “Mëkatet nga zilia” etj.

Myzafer R. Berberi me sarkazëm dhe humor ndëshkon karakteret e dobëta të njerëzve meskinë e të djallëzuar si për shembull; ish-punonjës të sigurimit të shtetit, të cilët i përball me fuqinë morale të njerëzve të thjeshtë e të ndershëm në tregimet “Kapter Sakua”, “Grumka”, “Shenja”, “Gomari i Pilos” etj.

Autori në mënyrë të kujdesshme dhe të adhurueshme sjell në kundërti vlerat dhe bukurinë e dashurisë së thjeshtë e të vërtetë ndaj atyre ekstazike tek tregimet “Rasheda”, “Një dhimbje e mbetur”, “Shenja në pajë” e tjera.

Tematikat në këtë vëllim me tregime dhe novela janë të larmishme, të skajshme, një aftësi e veçantë e autorit që të lë përshtypjen e një miniere vlerash të pashtershme.

Sentencat dhe “legjendat” e përdorura në këtë libër janë të përzgjedhura në funksion të subjektit që sjellin kulturë te lexuesi dhe e pasurojnë edhe më shumë vlerën e librit. Kujtojmë gjithashtu që kjo është një aftësi e qëndrueshme e autorit e shfaqur në të gjithë krijimtarinë e tij.

Një veçori me vlerë të madhe e këtij autori është fjalori i pasur, i bukur, i pastër i gjuhës shqipe, madje ndonjëherë në mënyrë mjaft të goditur përdor edhe dialekte të hapësirës shqiptare duke u dhënë edhe më shumë hijeshi episodeve dhe tipizimit të personazheve.

Myzafer R. Berberi shquhet për një stil krijues të këndshëm, tërheqës, të lirë dhe të rrjedhshëm, që ngjason me dallgët e oqeanit në vazhdimësi, që të mbajnë gjithnjë me vete, me ëndje dhe të mbërthyer në kërshërinë e mëtejshme.

Në këtë libër, nëpërmjet figuracionit letrar, autori përshfaq një filozofi të re ndaj një të vërtete biologjike e sociale të femrës, veçanërisht ky problem haset i mprehtë në kohën e sotme. Me inteligjencë të veçantë dhe objekive autori godet frikën apo hezitimin për të vlerësuar gjendjen shpirtërore, mendore e sociale të femrës, realisht ashtu siç ka ardhur ajo biologjikisht dhe historikisht në kohën e sotme. Për mendimin tim ky subjekt kërkon lexues të zgjedhur, ndonëse pothuaj e gjithë krijimtaria e Myzafer R. Berberit i përket më shumë lexuesit të zgjedhur, sepse vetë autori ka motivin se lexuesi duhet të përshtatet me nivelin e krijuesit dhe jo që ky i fundit të bjerë në nivelin e tij. E shpreh këtë mendim sepse ndoshta jo e gjithë shoqëria shqiptare është e aftë për të kuptuar këtë filozofi në mënyrë erudite me vetë realitetin historik, me shembuj të shumtë, një realitet të cilin njerëzit janë të detyruar ta pranojnë në heshtje. A mos ndoshta kemi të bëjmë me një “hop” filozofik të autorit!?

Myzafer R. Berberi është ndër të parët, në mos i pari që sjell vlera të një psikologjie të re në letërsinë shqipe, që ngjason me shkrimtarin gjerman Heinrich Wilhelm von Kleist, jo vetëm si pionier i kësaj prurjeje, por edhe me elokuencën , ndjesitë, ëndrrat apo vegimet që të duken si një realitet objektiv tek tregimet “Pendesë e vonuar”, “Vrasja e bukurisë”, “Shpërthim i vonshëm” etj.

Në përplasjen midis teorisë së Frojdit (Sigmund Freud, 1856-1939) mbi interpretimin e ëndrrave si një gjendje biologjike e fshehtë në neuronet e trurit ndaj teorisë moderne që i shpjegon ato si manifestim biologjik të rastësisë (kuturisjes) gjatë gjendjeve të veçanta, Myzafer R. Berberi i qëndron linjës shkencore të Frojdit për ekzistencën e tyre në gjendje të fshehtë (pra që ekzistojnë realisht në neuronet e trurit) dhe që e shoqërojnë njeriun gjatë gjithë jetës së tij. Të tilla qëndrime mban shkrimtari Myzafer R. Berberi edhe për fenomenet e ndijimit duke i vlerësuar ato si forma apo dukuri të materies. Këto pikëpamje filozofike i shfaq autori në këtë libër nëpërmjet figuracioneve letrare (subjekteve, episodeve, personazheve), të shprehura në tregimet: “Të vërtetat e ëndrrës”, “Shpërthimi i vonshëm”, “Femrat e arkës xy” etj.

Edhe vetë Frojdi i kundërshtonte shpjegimet psikanaliste në veprat komplekse të artit, të cilat i shmangeshin thelbit shkencor të filozofisë së tij, siç bënë neofrojdistët e udhëhequr nga psikanalistja gjermane Karen Horney (1885-1952) dhe psikanalisti amerikan Harry Stack Sullivan (1892-1949), përkundrazi Myzafer R. Berberi i qëndron besnik thelbit të teorisë së Frojdit në ligjshmërinë biologjike të zhvillimit psikologjik dhe dukurive normale të jetës së njeriut, nga e cila sikurse dhe vetë Frojdi, autori përjashton dhe ndëshkon veset (perverset) të cilat nuk mund të mbarten në këtë ligjshmëri filogjenetike të njeriut, pra vetë natyra i pastron, i hedh tutje nga vetvetja dhe autori me të drejtë i vlerëson këto vese si hedhurina apo pëgërje e natyrës.

Prurja e kësaj filozofie në letërsinë shqipe nga shkrimtari Myzafer R. Berberi është një vlerë e re e çmuar që mban origjinalitetin e tij.

Në krijimtarinë e tij, autori i këtij libri, qartëson dallimin midis ndjesimeve normale biologjikisht dhe psikologjikisht të ligjshme ndaj deviacioneve jonormale, delireve me vese të papranueshme në shoqërinë e njeriut si shembull tregimi: “Budja me Maçu Piçunë” etj. Pra, autori përball virtytin me vesin, të mirën ndaj së keqes, tregon të vërtetën lakuriqe të “moralit” të stisur, dhe kështu nëpërmjet veprës letrare jep mesazhe me vlera edukative

Qëndrimi i autorit është i dukshëm dhe i shqetësuar ndaj fenomeneve të degradimit që u shfaqën në shoqërinë tonë si pasojë e veprimit të bandave politike në vitet 1990-2000 të molepsura me gjithfarë të këqijash, që u bënë dhe bëhen shkak për viktima, ndonjëherë edhe këto shndërrohen në djaj aktivë. E tillë është “Danaida”, personazhi i novelës me të njëjtin emër, ajo është një vajzë e thjeshtë, e varfër me shëndet të dobët rritur në një familje plot halle, e mbytur nga mjerimi, ajo shndërrohet në një femër djallëzore, në një vrasëse seriale që na kujton kriminelet e famshme amerikane Lizzie Andrew Borden (1860-1927) dhe Aileen Wuornos (1956-). Danaida, një figurë kontradiktore në jetën e saj, e cila e lufton të keqen me të keqen është kthyer në një kriminele. Megjithatë, autori si altruist që është, nuk i heq asaj nga shpirti atë që i ka mbetur ende, grimcën elementare njerëzore, dashurinë për nënën. Ky është një personazh i skalitur me mjeshtëri artistike nga autori që mbetet i ngulitur në kujtesën e lexuesit.

Në këtë libër, me tregime dhe novela, Myzafer R. Berberi ka realizuar në mënyrë cilësore futjen e një filozofie të re, të botëkuptimit psikologjik në letërsinë shqipe, duke merituar vlera të veçanta, si një nga krijuesit më të rrallë në Shqipëri dhe natyrisht në çdo hap të ri që hidhet duhet guxim dhe kulturë e duhur duke u futur nëpër të vërtetat e jetës. Duke e parë nga ky këndvështrim autori merr vlera të vërteta të cilat e shquajnë si një nga prozatorët më të mirë në letërsinë shqipe.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora