E shtune, 27.04.2024, 09:18 AM (GMT+1)

Mendime

Bedri Tahiri: Lufta e drejtë e UÇK-së solli Pavarësinë

E shtune, 18.02.2017, 12:44 PM


Bedri TAHIRI

Lufta e drejtë e UÇK-së  solli lirinë dhe Pavarësinë

Të nderuar të rinj vushtrrias, Ju ardhmëria e vendit!

Të nderuar organizatorë të këtij debati!

Të respektuar të pranishëm!

Historia e popullit shqiptar është, sa e dhimbshme, aq edhe krenare. Përherë luftëra e  beteja, sakrificë e mbijetesë. Dhe, gjithëherë luftëra mbrojtëse e çlirimtare. Kurrë kujt nuk i ramë në qafë e gjithmonë qemë të rrezikuar nga armiqtë grabitçarë. Ama, kurrë nuk u gjunjëzuam e nuk u pajtuam me robërinë, por qëndruam dhe me armë në dorë mbrojtëm trojet tona stërgjyshore.

Ushtria Çlrimtare e Kosovës është formacioni më i suksesshëm në gjithë historinë tonë. Për herë të parë folëm me një zë dhe bëmë  luftë mbarëkombëtare, duke fituar përkrahjen e botës së civilizuar, andaj edhe fituan atë që na mungonte-Lirinë! Ajo lindi si domosdoshmëri e kohës. Dhuna dhe terrori serb kishin arrirë kulmin. Pasi shteruan të gjitha format dhe mjetet paqësore: demonstratat, protestat, marshimet, peticionet, reagimet, grevat, i erdhi radha rezistencës së armatosur. Pra, luftën nuk e zgjodhëm ne, atë na e imponoi armiku ynë shekullor, Serbia.

UÇK-ja pati organizim të mirëfilltë ushtarak e komandues: pati 7 Zona Operative: Drenicës, Pashtrikut, Dukagjinit, Shalës, Llapit, Nerodimës dhe të Karadakut. Ato kishin strukturim zingjirorë: skuadra, togje, kompani, batalione dhe brigada. Doktrina dhe filozofia e UÇK-së ka qenë e përparuar, evropiane e civilizuese. Ishte ngritur thjeshtë mbi parimet kombëtare e udhëhiqej nga synimi çlirimtar. Ishte pa ngarkesa ideologjike e fetare. Ishte pa ngjyrime partiake. Ajo u përmbahej rregullave të luftës dhe mbante qëndrim dinjitoz e civilizues edhe ndaj armikut. Kjo u dëshmua me zënien robër të ushtarëve në Shalë apo kapjen e 35 serbëve të armatosur në Rahovec, të cilët iu dorëzuan organeve përkatëse. Pra, kemi të bëjmë me një luftë të pastër si loti, një luftë çlirimtare në formë e në përmbajtje.

Fillet e saj janë më të hershme, që në organizimet ilegale dhe në përpjekjet e përhershme për çlirim. Që nga lashtësia dihet se në kapërcyllet historike lindin njerëz të veçantë, që bëjnë epoka. I tillë qe edhe Adem Jashari, burri që ndryshoi rrjedhën e historisë. Ai nuk qe rastësi, ai qe një mrekulli. U lind në Ditën  e flamurit dhe u shndërrua në Flamur lirie. Para varrit të tij në Prekaz deri sot janë përkulur mbi 7 milionë vizitorë. Shqiptarë e të huaj. Kur erdhi aty Kushneri tha: Sikur të kishte çmim Nobel për liri, ai do t’i takonte familjes Jashari!

Ushtrimet e tij ushtarake në Shqipëri, rrethimi i parë i vitit 1991, aksioni i suksesshëm  në Klysyrë të Llaushës, qenë shkëndijat e para të flakadanit të lirisë. Vrasja e mësuesit Halit Geci dhe varrimi i tij më 28 Nëntor 1997, i dha flakë kësaj lufte. Aty doli publikisht Ushtria Jonë Çlirimtare. Dhe, kjo më nuk pati të ndalur. Ngjau edhe Qirezi e Likoshani e pati edhe aksione të shumta guerile.

Mirëpo,  Epopeja heroike e Jasharëve, e cila u zhvillua më 5, 6 e 7 mars 1998 dhe rënia e Komandant Adem Jashari, me gjithë familje e me Jasharët e tjerë, i dhanë jetë lirisë. Ai u shndërrua në legjendë dhe si Prometheu shpërndau flakën e luftës në të gjitha trojet e robëruara shqiptare. Pushkët e lirisë nuk pushuan për dy vjet rresht...

Vushtrria me fshatrat e saj, e gjendur midis Drenicës dhe Shalës, ndoshta përjetoi dhe pagoi më shumë se vendbanimet e  tjera. Ajo, që nga fillimet e para të luftës në Drenicë, luajti rol të rëndësishëm në furnizim, në mikpritje e në strehim të popullatës së zhvendosur nga flakët e luftës. Rruga që shpije përtej Qyqavicës ishte arteria kryesore që mbante gjallë frymën liridashëse në Drenicë.

Pra, fill pas Epopesë së Jasharëve filloi paraqitja publike e nj?siteve t? UÇK-s? edhe këtej Qyqavicës. Më 17 mars 1998 formohet Shtabi në Zhilivodë e më 6 qershor të atij viti edhe Shtabi i Ashlanit. U formuan edhe pika të shumta dhe më 28 qershor 1998 formohet Nënzona Operative Shalës. Në fakt më 30 qershor 1998 formohet Brigada 141 “Mehë Uka” e fill pas saj edhe Brigada 142, që kishte një shtrirje nga Shala e deri në Qyqavicë.  Në kuadër të këtyre dy Brigadave vepronin edhe Njësia Speciale e Policia Ushtarake.

Aksioni më i suksesshëm, që merret edhe si fillim i luftës në Artakoll dhe në gjithë Zonën Operative të Shalës është Beteja e Hamidisë, të cilën e organizoi dhe e udhëhoqi dëshmori Jashar Jashari i Strofcit, i njohur me nofkën Komandant “Duraku”. Më pas zhvillohen luftime në Pantinë dhe në Frashër, më 24, 25 e 26 qershor 1998, të cilat kulmojnë më 6 gusht 1998, kur bie edhe dëshmori i parë i kësaj zone, Jeton Tërstena.

Ofensiva e shtatorit 1998, e njohur me emrin e koduar ushtarak  “QYQAVICA”, konsiderohet si një ndër më të vështirat për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ajo kishte filluar në Shalë, më 14 e 16 shtator dhe pastaj, më 22, 23 e 24 kishte vazhduar përreth Qyqavicës, duke sjellë vrasje, masakrime të papara. Pasojat e saj do të ishin edhe më të rënda, po mos të arrinte  komesarja e Lartë e OKB-së, Sadako Agata më 25 shtator 1998 në Resnik, ku ishin grumbulluar qindëra e mijëra veta.

Pas kësaj ofensive, kur Serbia u mashtrua se e zhduku UÇK-në, u arrit një armëpushim e njohur si Hollbruk- Milosheviq dhe u bën përgatitjet për Konferencën e Rambujesë...

Janari i vitit 1999 nisi me pasoja për UÇK. Në fillim u vra në pritë, në Smrekonicë Xhevat Jusufi. Por, pa humbur kohë patëm edhe një sukses, u zunë robër 8 ushtarë serbë, të cilët u shkëmbyen me 9 ushtarët e UÇK, gjë që ishte një fitore e madhe politike e diplomatike, ngase për herë të parë dy ushtritë u ulën në nivele të barabarta...

Më 22 shkurt 1999, nën petkun e ushtrimeve ushtarake,  nisi një ofensivë e madhe policore-ushtarake pikërisht nga Vushtrria në drejtim të Drenicës, e cila zgjati deri më 15 mars 1999. Armiku taktizonte. Ditën e pranverës 1999 nisi një sulm i ri mbi fshatrat e Shalës e duke zbritur drejt Studimës, Cecelisë, Dumnicës e Samadrexhës. Ato ditë u përdor edhe aeroplani luftarak, duke sulmuar shkollën- spital në Bajgorë.

Më 7 prill 1999 u sulmuan pozicionet e Batalionit IV në Cecceli, Studime, Stanovc e Dumnicë. Por luftëtarët e këtij Batalioni qëndruan dhe rrezistuan, duke i shkaktuar armikut humbje të  mëdha.

Më 2 maj 1999 ngjau edhe masakra më e madhe në këto anë e më gjerë, Masakra e Studimës. Nga dëshmitarët mësohet se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve. Kur jemi të qyteti i lashtë i Vicianës nuk duhet harruar as vrasjet e 22 majit 1999, kur në shtëpinë e Kahriman Pasomës u pushkatuan  68 veta.

UÇK-ja ishte ushtri e popullit, andaj qe e fortë dhe doli fitimtare. Ajo përbëhej nga luftëtarë të moshave e profesioneve të ndryshme. Kishte të rinj e të moshuar. Shumë pleq qëndruan dhe ranë duke i mbrojtur shtëpitë e veta. Himne lire thurën edhe shumë sokolesha shqiptare. Në vijën e frontit qëndruan edhe mësimdhënës e  nxënës. Kështu në Altarin e lirisë ranë 400 mësimdhënës e mbi 1200 nxënës (në komunën e Vushtrrisë 29 nxënës, 17 studentë, 11 mësimdhënës e 6 punëtorë teknikë).

Heroizmi i pashoq i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificat vetëflijuese të masës së gjerë popullore, mahnitën botën e civilizuar. NATO- ja, në krye me Amerikën mike, mblodhi mendjen e fuqinë dhe u hodh në veprim për ta ndalur barbarinë shfrenuese serbe. Aeroplanët e saj iu bënë krah luftëtarëve të lirisë.  Dhe, të koordinuara mirë e mirë, ata nëpër qiell, e këta nëpër tokë, më në fund, më 12 qershor 1999, ia dolën mbanë, dëbuan gjakatarin shekullor dhe çliruan Kosovën. Qyteti ynë, Vushtrria e Hasan Prishtinës, u çlirua më 17 qershor 1999.

I nderuar auditor! Meqë kjo temë e gjerë është e pamundur të përfshihet brenda një çerek ore, po nxjerrim këto konkluzione:

Luftërat tona, që nga Skënderbeu e deri tek Adem Jashari, ishin të drejta, mbrojtëse e çlirimtare;

Ushtria Çlirimtare e Kosovës qe formacioni e më i suksesshëm ushtarak shqiptar, që me luftën e vetë unikate solli lirinë dhe Pavarësinë që sot po e gëzojmë;

Zona Operative e Shalës u dallua për të mirë në organizim, në veprim, në beteja e në aksione, duke i falur lirisë shumë gjak: mbi 136 dëshmorë, 210 invalidë e shumë civilë të vrarë e të plagosur.

Vushtrria dhe 67 vendbanimet e saj luajtën rol kyç në fatin e Kosovës gjatë periudhës 1997-1999, duke i dhënë frymë e jetë lirisë sonë;

Shkolla shqipe mbetet prijetare në kundërshtimin e fuqishëm të Serbisë, duke mbijetuar në periudhën zezonë e duke u përfshi edhe në rrezistencën e armatosur.

Të nderuar pjesëmarrës, mbase nuk reflekton mirë që tua mbushim trurin me ngjarje të tilla, sepse Ju nuk e keni përjetuar luftën, por, duke u nisur nga thënia e latinëve të lashtë se historia është mësuesja e jetës, është e nevojshme të rikujtohet e kaluara e të ecim më lirshëm e më të sigurt përpara. Nuk thuhet kot: Kush nderon e rikujton historinë, krijon ardhmërinë! Çdo herë duhet t’i thërrasim kujtesës sonë historike që të mos gabojmë. Mjerisht historinë tonë na e shkruan të tjerët, andaj, sot, atë duhet ta shkruajmë vetë, ashtu siç ishte, realisht e pa zbukurime, duke i dhënë hapësirën e merituar në tekstet shkollore e jo siç po veprohet, kur gjithë Lufta e lavdishme e UÇK-së dhe komandanti Adem Jashari, të përfshin vetëm me nga 5-6 rreshta! Një filozof thotë: Mjerë ai popull që nuk ka histori!

Ju faleminderit për vëmendje!

Ligjëratë e mbajtur në Konferencën “Kosova ndër vite” përkatësisht “Qyteti i Vushtrrisë në periudhën historike 1980-2017”, organizuar nga Këshilli i Veprimit Rinor Lokal i Vushtrrisë, mbështetur nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Vushtrri, Gjimnazi “Eqrem Çabej”,

më 15 Shkurt 2017


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora