E shtune, 27.04.2024, 08:05 AM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Hoxha: Tre ide për Blushin

E shtune, 18.02.2017, 11:50 AM


Tre ide për Blushin

Nga Gëzim Hoxha

Tre ide për programin e Blushit. Po pse për Blushin? Është e thjeshtë, ai i kërkoi publikisht ato. Por këto ide vlejnë edhe për partitë e tjera, nëse do t’i duhen.

E para ka të bëjë me zbutjen e varfërisë. Thuhet se lufta kundër korrupsionit është ilaçi më i mirë për ta bërë këtë gjë dhe kjo është mëse e vërtetë. E kot të renditësh arsyet se pse duhet bërë një gjë e tillë: jo po do të mblidheshin më shumë të ardhura; jo po do të bëheshin më shumë punë me të njëjtën shumë parash etj etj.

Po aq e vërtetë është që kjo luftë është e gjatë dhe rezultatet e saj duan vite që të bëhen të prekshme. Njerëzit vuajnë nga varfëria dhe mezi i shtyjnë ditët me një pagesë minimale që iu jepet si ndihmë sociale. Mund të thuhet se aq sa është kjo pagesë, një famljeje i duhet të shpenzojë çdo ditë. Jeta po bëhet çdo ditë dhe më e shtrenjtë.

E pra duhet ndryshuar ligji që bën të mundur pagesat për këtë shtresë të shoqërisë. Ligji duhet të parashikojë dhënien e një pakete mujore, e cila do të duhej të përfshinte veç atyre kacidheve që shteti ynë ia jep për lëmoshë, edhe gjëra të tjera të nevojshme që do ta bënin jetën e tyre më të mirë, por edhe do t’i kthenin dinjitetin e humbur këtyre njerëzve. Mund të përmendnim të tilla gjëra si: ushqime, detegjentë, veshmbathje dhe të tjera lehtësira si: subvencioni i të gjitha taksave ose i të paktën gjymës së tyre, por edhe pajisja e tyre me kupona për një sasi të caktuar frutash dhe perimesh për konsum të përditshëm. Kjo gjë mund të rriste kompetencate ndonjë ministrie po kjo nuk do të ishte problem.

Njëkohësisht kjo do të kërkonte rishikimin e të gjithë kësaj skeme, vështirësimin e futjes në këtë skemë dhe të përfitimit të këtij statuti, si dhe futjen në kurset e kualifikimit që organizohen nga zyrat e punës me qëllim që ata të futen në tregun e punës. E mira do të ishte që qeveria të hartonte edhe një ligj të veçantë i cili do të përkufizonte për herë të parë këtë shtresë. (Nuk u bë qameti se Shqipërisë i shtohet edhe një status i ri.)

E dyta është e domosdoshme që shteti të ndërhyjë në bujqësi. E vërteta është ai ka ndërhyrë dhe po bëhen punë shumë të mira që ka dekada që nuk janë bërë. Veç kësaj do të duhej një ndërhyrje e një lloji tjetër.

A nuk flitet lartë  e poshtë për kanabisin? E pra vetëm uji për fermerin nuk mjafton. Nëse ti nuk i siguron atij tregun që ai t’i shesë produktet e veta përsëri ai do të përballet me një nga pyetjet më ekzistenciale që lidhen me vetë jetën e tij: “Domate apo Hashash?” Të mbjellë domate detyrohet t’i shesë me një çmim qesharak i cili nuk mbulon as një pjesë të kostos e jo më të dalë me fitim. Të mbjellë hashash përsëri herët a vonë e pret përballja me ligjin pasi kanabisi ende nuk është legalizuar në vendin tonë.

Do të duhej që qeveria të blinte një pjesë të mirë të prodhimit bujqësor vendas dhe ta shpërndante atë personave që do të përfitonin statusin e “Personave të Varfër”.  (MINIMUMI GJYSMËN E TIJ) Kjo do të sillte në joshjen edhe të atyre fermerëve që tani për tani e mbjellin tokën e tyre me hashash, të ndryshonin mendjen dhe të mbillnin atë kulturë bujqësore që do iua blinte shteti.

Kjo ka edhe një të mirë tjetër do të legalizonte ekonominë bujqësore dhe do të bënte që me mijëra fermer të fillonin të paguanin taksat të cilave deri më sot iu janë shmangur me të drejtë (NJERIU NUK MUND TË PAGUAJË KUR NUK KA ASGJË MBI SHPIRT), por edhe do të kontribuonin për pleqërinë e tyre duke e rimëkëmbur sadopak skemën problemmatike të sigurimeve.

E treta lidhet me një premtim të pambajtur të çdo qeverie për rritjen e buxhetin e arsimit dhe pse jo edhe të shëndetsisë. E thënë më thjeshtë, kujt i duhet një njeri pa shkollë e pa zanat? Ose më tej akoma kujt i duhet një njeri i sëmurë?

Do të duhej të ndiqeshin politika si ato që ndoqën tigrat e Azisë, të  Finlandës a ku ta di unë, të cilat i dhanë arsimit në veçanti por edhe shëndetsisë pjesën e LUANIT kur bëhej alokimi i fondeve, në shekullin e kaluar. Kuptohet që Shqipëria është një vend i cili ende nuk ka hekurudha, me rrugë ende të paasfaltuara, me dhe pa porte, me dhe pa aeroporte, pa gjelbërim ku një pjesë e mirë e teritorit është nën pushtetin e betonit, me shumë të papunë, me ndarje tejet të pabarabartë të burimeve ku një pakicë e cila zvogëlohet dita ditës bëhet edhe më e pasur, një shtresë e mesme e cila tretet si sheqeri në ujë pasi rritja e kostove të jetesës është shumë më e madhe se rritja e rrogave dhe e pensiove dhe me një shtresë të varfër e cila po rritet frikshëm. Pra kemi një vend me 1001 probleme ende të pazgjidhura.

Por edhe pse nuk kërkon askush që t’i jepet arsimit 10% e PBB, përsëri asnjeri nuk do të pranonte psh një ulje nën 2%, shifër që është aktualisht e alokuar për arsimin. Ç’të them si çdo sektor edhe arsimi ka nevoja shumë të mëdha. Ju i dini dhe i keni parë gjithandej. Ka shkolla të ndërtuara e të rikonstruktuara, ashtu siç ka edhe shkolla pa sistem ngrohje dhe ftohje, pa xhama e pa bazë materiale dhe didaktike për zhvillimin e mësimit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për spitalet e qendrat shëndetsore.

Këto tre gjëra që mund të bëheshin do të ndikonin në mënyrë të menjëhershme në gjendjen ekonomike të shumicës së familjeve shqiptare. Për ata që do të merakoseshin se ku do të gjendeshin gjithë këto para në një kohë që edhe borxhi publik është rritur duke kaluar nivelin e 70% -it u duhet thënë se një burim i pashtershëm të ardhurash është lufta kundër korrupsionit. Po ka edhe burime të tjera jo aq të parëndësishme të ardhurash.

Njëri  syresh është kontrolli i shpenzimeve operative. Mund të përmendej psh indeksimi i pagave të funksionarëve të lartë. BALLKAN WEB para zgjedhjeve të fundit publikoi shifrat e frikshme që gëlltiste çdo vit një gjë e tillë. Ndoshta edhe një qeveri e vogël dhe më e zhdërvjellët mund të kursente ca para. Tjetër do të ishte vjelja e gjobave të vëna nga KLSH. Po të vrasësh mendjen mund të gjesh para sa të duash.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora