Mendime
Gani Mehmeti: Fefi po thotë dhe gjuha standarde
E marte, 14.02.2017, 09:29 PM
FEHI
PO THOTË DHE GJUHA STANDARDE
Nga Gani Mehmeti
Në emisionin Fehi po thotë, u ironizua dhe u sulmua drejtpërdrejt Gjuha Standarde Shqipe, jo nga Fehi, sa nga profesori i Universitetit të Prishtinës, Rrahman Paçarizi.
Është interesante se si mundet një profesor universiteti të bie në nivel aq të ulët në një emision dhe ta sulmojë Gjuhën standarde, Gjuhë, përmes së cilës, kur qe miratuar në Kongresin e Drejtshkrimit në nëntorin e vitit 1972, ishte pranuar aq mirë nga të gjitha shtresat shqiptare, sepse, përmes saj ne simbolizonim Bashkimin Kombëtar Shqiptar në fushën e Gjuhës, kulturës, artit e letërsisë. Edhe pse ishim fizikisht të ndarë e të copëtuar në sa shtete e në sa republika të asaj Jugosllavie, tani ndjeheshim më shumë se asnjëherë qm parë të bashkuar.
Ne i dimë dallimet e Gjuhës shqipe të një vendi me një vend tjetër, dimë se ka dy kryedialekte, dimë se këto dy kryedialekte kanë edhe nëndialektet e tyre brenda tyre, ose ndryshe siç i kemi quajtur të folme, krahinorizma, provincializma, (në emision Fehi po thotë dolën edhe regjionalizmat, që s’ka gjë të keqe).
Ne thoshim se përmes gjuhës bëhet edhe bashkimi kombëtar. Kështu e ndjenim, sepse do të jemi më afër njëri-tjetrit, do ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin, do të mësojmë më shumë për njëri-tjetrin. Nuk e di si përgjigjen studentët e si flasin në ligjëratat e tij, por ata duhet të kenë mendjen dhe të flasin vetëm në gjuhën standarde të shqipes.
Gjuha standarde shqipe nuk i ka ngrirë të folmet sipas vendeve: Ajo, assesi nuk ndërhyn në të folmen e popullit, por ajo ka ngritur në shkallë kombëtare gjuhën në shkolla, në të gjitha nivelet, në shkrime publike, gazeta, revista, tekste shkollore, kupto: shkollore, jo edhe vepra tjera jashtë shkollore, që secili mundet të shkruajë vepra në të folme të shqipes, sipas dëshirës së autorit, përmes së cilës paraqet nivelin e tij krijues në kulturë, arsim, shkencë, gjuhë, letërsi etj. Mirëpo, deri sa është Gjuhë standarde, gjithsesi edhe mësimdhënësi e ligjëruesi në shkollë, e ka për obligim të ligjërojë në standarden shqipe. Ju lutemi, nuk është mirë që ne të punojmë me teke ose me inate.
Nuk mund të jetë e vërtet se ka pasur ndërhyrje politika shqiptare e kohës, në krye me Enver Hoxhën për njësimin e Gjuhës shqipe, siç e thonë disa aso kohe. Jo, sepse, Enver Hoxha u kritikua shumë se ishte kundër bashkimit ë kombit Shqiptar. Dhe, deri sa ai të akuzohet kundër bashkimit, si mund tani të akuzohet për Njësimin e gjuhës shqipe! Sikur ai do të kishte pasur ndikim në Njësimin e gjuhës shqipe, do të kishte vlera dhe do të çmohej edhe më shumë.
Dikush që ka lindur vonë dhe nuk ka mundur të pyetet aso kohe, nuk është faji i atyre që kanë miratuar Njësimin e gjuhës shqipe, por i atyre që kanë lindur me vonesë.
Për të fituar diçka të madhe, duhet sakrifikuar diçka të vogël. Kështu i ka ndodhur Gegërishtes letrare. Ndoshta dikush do të dilte edhe kundër gegërishtes letrare, sepse nuk do të merrej parasysh çdo e folme, sikur që u tha edhe në emision (për hajgare a) nga Fehi folja –ha, që fillimisht tha ngrënë, shqiptoi drejt në gegërishte hangër, por iu duk se më mirë do të ishte honger (që nuk është në gegërishten letrare)! Këtë e mora si shembull, pa ia pa për të madhe Fehi-t, sepse ai këtë e kishte në thumb të kritikës, por këtu vihet në lojë vetë Rraham Paçarizi me titull Dr. i gjuhës dhe me dhënien e plotë dhjetë lëndëve siç i ishin shkruar në jetëshkrim (CV, se jetëshkrim është shqip). Këtu, tani Rrahmani me disa të tjerë na dalin edhe kundër bashkimit të Kombit, na dalin tejet lokalistë, çka duhet t’u shihet për të madhe.
Ky që qenka me titull Dr., le të gjurmojë, le të studiojë dhe pse jo, të gjejë mënyrën e futjes së paskajores e pjesores në Gjuhën Standarde, por jo të prishet e tërë shtëpia për një mur ose për një dritare, po them, përmes së cilës do ndriçohet edhe gegërishtja.
Të gjithë shqiptarët duhet të flasin një gjuhë, të merren vesh mirë e qartë përmes vetëm një gjuhe. Të përfshihen ashtu mirë e drejtë të dy dialektet kryesore në të.
Si është e mundur që popujt e mëdhenj, po mendoj me shumë banorë, siç janë gjermanët, francezët, rusët – të merren vesh dhe ta pranojnë gjuhën standarde, ndërsa ne shqiptarët një grusht njerëzish dhe të mos kemi konsideratë e ta pranojmë gjuhën tonë të bukur Standarde! Sikur ne të ishim qindra milionësh, do të thotë se do të duhej të flisnim dhe të shkruanim në dhjetëra dialekte apo gjuhë!!! Mosni ju lutem.
Këtë problematikë e kam pasur dhe e kam shtruar shumë herë edhe me kolegë edhe me nxënës. Nxënësve të mi ju kam thënë: Gegërishtja është e fuqishme, ajo ka zë, pse vetë konfiguracioni ia ka imponuar, prandaj kemi edhe hundoret. Banorët e vendbanimeve të rrafshta nuk kanë pasur nevojë sepse ata nuk kanë mundur ta thërrasin me kilometra larg njëri-tjetrin. Në vende maloro-kodrinore – po, sepse i ka rënë vija ajrore e shkurt, nga një kodër në tjetrën prandaj janë marrë vesh dhe e kanë thirrur njëri-tjetrin nga një kodër në tjetrën e nga një shpat në tjetrin.
Sot kanë ndryshuar raportet. Sot edhe ashtu, nuk mbeti kush në male të jetojë, sot kanë edhe telefonat dhe nuk ka nevojë të vikasë prej kodrës në kodër.
Po toskërishtja, u kam thënë nxënësve të mi është një dialekt i ëmbël, sa të ka ënda ta dëgjosh. Këtë e pëlqejnë më shumë edhe popujt e tjerë, sepse është ca më melodik, ku vërtet ndjehet edhe ëmbëlsia e dialektit.
Në lloje të ndryshme krijimesh letrare, gjithsesi, secili është i lirë të shkruajë në cilindo dialekt ose në standarde, le të zgjedh vetë krijuesi. Sa i lexohen krijimet e veprat e tij – le të mendojë secili vetë.
Unë, si gjuhëtar, do ndjehesha shumë keq të flisja kundër gjuhës standarde shqipe.
Kam edhe një pyetje për Rrahman Paçarizin. Vallë, si e quan ai gjuhën në të cilën vetë flet dhe shkruan, deri sa fëmijëve të tij ua ndalon të flasin Shqipnisht? Këtë Shqipnisht, unë e kuptoj për Shqip, që ai e thotë me ironi edhe në të shqiptuar para shikuesve në KTV.
Gjuha standarde është bërë edhe shprehi tek të gjithë në të lexuar. Këtë e kam provuar edhe me nxënës nga klasa e pestë e deri në klasën e fundit të shkollimit të mesëm. Nëse i kam ushtruar të lexojnë në dialektin gegë, ata kanë gabuar shumë më tepër në lexim se sa në Standarde. Të mos më besojë mua Rrahman Paçarizi, le t’i ushtrojë studentët e tij, që pa marrë parasysh se ata janë të një niveli më të lartë nga shkolla e mesme, do të hasin në vështirësi më të mëdha në lexim, e besoj, edhe në shkrim.
Prandaj, ju lutem, kontribuoni në formësimin e zhvillimit të Gjuhës Standarde Shqipe, por mos sulmoni dhe mos u ktheni prapa se koha do të ju dënojë. Ne duhet të kemi një gjuhë edhe për vete edhe për të huajt.
Ju, më shumë se të tjerët, duhet të bëni përpjekje dhe të ndikoni në Kuvendin e Kosovës që Gjuha Standarde Shqipe të mbrohet me ligj. Këtë e kanë shumë vende e shtete tjera. Çdo ndryshim do të mund të bëhej përmes ndonjë Kongresi drejtshkrimor, ku do të merrnin pjesë përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare brenda e jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, si shtete, duke përfshirë edhe diasporën. Dhe, ashtu si të vendosej të zbatohej.
E, për momentin, kemi Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 dhe ky duhet zbatuar në të gjitha fushat e jetës.
Prej mllefit në pushtetarët tanë, Shqipëri e Kosovë, po edhe në Maqedoni, Kosovë Lindore e Mal të Zi, që kudo që janë shqiptarët, janë të përçarë dhe më shumë merren ndërmjetvetes se sa me armiqtë, të vetmen, e kam një vjershë – poezi në gegërishte, pikërisht pse po më dukej se po i mëshoja zërit më shumë, të cilën e kam edhe në FB. Por, assesi nuk do të thotë se unë jam kundër gjuhës Standarde Shqipe.
Unë po ua përcjell edhe këtu, po nuk obligoheni ta botoni, nëse nuk e shihni të arsyeshme.
Gani Mehmeti
25.12.2016 •
EH, MOJ SHQIPNI
Po, eh, moj Shqipni, thash
Ashtu, vetmeveti mendova
Kur dramën Migjeni e pashë
Po, kush te don ty
Kur bijtë e tu nuk të duan
Të tjera vende mbajnë në mendje
E ty fare të harruan !
Eh, de, moj Shqipni
Mjerë unë dhe mjerë Ti
Kryelartësinë tande e humbin
Në tokë e gjuejnë e shkundin
Kanë harrue jetën edhe Ty
Vendeve të hueja ua kanë mësy
Tue të harrue me gjuhë e me vend
Tue dashtë krejt tjetërkend
Nuk duen nder, nuk duen Atdhe
Duen metropole në vende të hueja
Gjithçka duen të huejën, asgjë t’ vetën
Ka me ju dal mjaft edhe pak ma tepër!
Se vendi i huej i yti nuk bahet
Atje pa ndalë e me vullnet punojnë
Me filma e lajme shikojnë e ndëgjojnë
Për Shqipe e Shqipni nuk mendojnë.
Shqiptari sot veç emnin e mban
Se kurrgja shqiptare ba ai nuk ka
Dashni, besë, identitet e nder
I ka zhdukur krejt, përnjiherë.
Këtë e kanë ba ata në krye të shtetit
Nuk e zhvillojnë vëndin, mendojnë për veti
Populli asht damtue e shumë vorfnue
Sa vendin e tyne asht dashtë me e lshue.
Në shej proteste, shkrova në Gegnishte
Po, sa vëllaun, e dua edhe Toskërishten
Punët e mira të nisen nga nalt
Ndryshe kemi mbet të gjithë në balt.
Unë nuk kam gjuhë të randë, të gjithë e kuptojnë
Dhe flas e shkruej për ata që ndëgjojnë
Ata që nuk duen për me ndëgjue
Nuk shkon shumë, kuptojnë se kanë gabue.
Flas drejtpërdrejtë e hiç me rrotlla
Kush nuk ndëgjon ka me i shkel rrota
Asht ajo rrota e madhe e histroisë
Që kanë me mbetë shumë larg gjithësisë.
Le t’ia ban, kush si të donë
Më vjen shumë keq kur shajnë vendin tonë
Vendi i tyne asht edhe i imi
Kur flasin keq, më humb durimi...
Dialekti i Toskërishtes, ka ambëlsinë
Dialekti i Gegënishtes, ka fuqinë
Kur këto të dyja bahen bashkë
Asht si njeriu me mish e me asht.
Pra, zgjidhni, merrni cilën të doni
Nuk kisha thanë, këto t’i ndani
Kur janë bashkë, janë si me kmishë
Janë sikur ashti, i veshun me mish.
Me asht asht gegënishtja
Mishi është Toskërishtja
Njana pa tjetrën nuk mund të qëndrojnë
Këto të dyja formojnë Gjuhën TONË.
16. 9. 2013, Francë