Mendime
Albert Habazaj: Homazh për veteranin Rushit Skëndaj
E diele, 22.01.2017, 03:58 PM
RA
DHE NJË LIS I LARTË I TËRBAÇIT
Homazh për veteranin Rushit Laze Skëndaj
Nga Albert Habazaj
Në moshën 90 vjeçare ra dhe një lis i lartë e me rrënjë i Tërbaçit plak e me histori, i bardhi Rushit Laze Skëndaj, ish-partizan i Brigadës V Sulmuese Heroinë e Popullit. Ai vinte nga dera e madhe e Skëndajve të Tërbaçit dhe, deri në ditën e fundit të frymës, qe burrë i nderuar, dinjitoz, bujar, zemërbardhë dhe veteran i respektuar i Organizatës së Veteranëve të Vlorës, aktivist i shquar dhe agjitator i flaktë ndër brezat e rinj për vlerat e madhërishme të LANÇ, për heronjtë, dëshmorët dhe drejtuesit legjendarë të Epopesë më të lavdishme të popullit shqiptar për liri e pavarësi. Rushit Laze lindi në vitin 1927 në Tërbaç të Vlorës, ku dhe mbaroi 5 klasë të shkollës fillore (që për kohën ishin shumë). Ai ishte i biri i Laze Malos me emër, i cili mbahet mend si Kanuni i gjallë e në lëvizje i Tërbaçit, Mesaplikut, Lumit të Vlorës e Himarës. Babai i xha Rushitit, Laze Malo ishte xhaxhai i Halim Xhelo Tërbaçit dhe kishte miq të lartë në Vlorë e në Kaninë. Ai qe mik i afërt i Ismail Qemalit, të cilit i kërkoi arsimimin dhe aktivizimin idealist kombëtar të nipit, porosi që Plaku i Flamurit e kreu dhe Halimi nderoi xhaxhain, fisin, fshatin, Fryeflamurtarin dhe Shqipërinë. Babai i xha Rushitit, Laze Malo (pas vdekjes) është nderuar me dekoratën “Personalitet i Shquar i Labërisë”, me motivacionin “Një burrë i shquar në trevën e Labërisë për gjykimin e mprehtë në konfliktet midis individëve dhe grupeve shoqërore të kohës. Është thirrur ndryshe Prokurori Laze Malo. Është shembulli më i mirë, ku drejtësia e sotme mund të mësojë dhe të përfitojë nga përvoja e këtij burri që para së drejtës dhe së vërtetës s’vlerësonte gjë tjetër për të vendosur paqen dhe hamoninë midis njerëzve”. Nga kjo vatër e madhe kombëtare e Skëndojve të Tërbaçit, doli dhe Rushit Laze, një djalosh ëndërrimtar lirie, që u aktivizua që me formimin e Organizatës së Rinisë Antifashiste të Tërbaçit. Në moshën 16 vjeçare, Rushit u rreshtua në radhët e Brigadës së Pestë Sulmuese Heroinë e Popullit, qysh më 28 Nëntor 1943, kur u formua në Gumenicë të Vlorës kjo brigadë- tmerr për armikun, shpresë për popullin. Rushiti dhe motra e tij, Ninua (Inajetja), qysh në moshë fare të re, dolën me armë në dorë në rreshtat partizane. Më 20 janar 1944, kur Brigada e Pestë u plotësua dhe u inagurua në Bramyshnjë të Tërbaçit, Rushiti qe burrëruar dhe kishte krijuar përvojën e luftimeve në krahë të partizanëve më të rritur. Luftoi si trim në radhët e Brigadës, jo vetëm në betejat brenda territorit të vendit, por edhe jashtë kufijve për çlirimin e vëllezërve kosovarë, sikurse dhe motra e tij Nino. Pas Çlirimit, ka qenë oficer, ka mbajtur gradën major dhe ka kryer detyra me përgjegjësi komanduese në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, ku ka treguar aftësi drejtimi të suksesshme dhe komunikim të ngrohtë, korrekt e qytetar me vartësit, kolegët dhe eprorët. Pas Çlirimit, në vitin 1950, shkoi në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në kursin politik. Me mbarimin e studimeve, u gradua officer me gradën e kohës “Aspirant”. Më 1952, u emërua në Përmet, me detyrën e shefit të Propagandës deri në vitin 1966. Nga Përmeti u transferua në Fier, si propagandist në sektorin politik. Nga viti 1967 deri më 1984, kur doli në pension, ka shërbyer në Vlorë, në Regjimentin e AKA-së me detyrën e shefit të Propagandës dhe të Kulturës dhe më vonë, po me këtë detyrë, në Brigadën e 56 - të të Këmbësorisë, me emër të dalluar për kohën. Ka kryer dhe detyrën e komisarit të SHLU Llakatund. Kudo la gjurmë respekti. Rushit Lazja ishte dhe një famijlar dinjitoz dhe prind i mrekullueshëm. Me të mirën dhe të urtën Nurie, i bardhi Rushit ngjante me një pemë të shëndetshme, me rrënjë të thella, trung të fortë e degë të gjelbra e të lulëzuara brezash me Ardin, Fiorentinën, Evën, Rozetën, Algitën, Emin, Arlindën, Ervinin, Borën…
Gjatë viteve të pensionit ka drejtuar një nga organizatat më aktive veteranëve në qytetin e Vlorës, duke qenë mjaft i interesuar që të shtohen radhët e organizatës dhe më gjerë me pasardhës veteran, duke qenë shembullor me prurjet e shëndetshme për forcimin e kësaj vatre të zjarrtë të nderimit të idealeve të LANÇ. Xha Rushiti ishte fisnik dhe rrezatonte mirësi e dashuri. Ai karakterizohej nga cilësi të larta të njerëzishme dhe luftoi për afirmimin e së mirës në familje, shoqëri, jetë e kudo. Dallonte që përtjej trupdrejt, shtatlartë, i bukur, i pashëm, i qeshur, i bardhë. Dhe në tavolinë me të të uleshe, nuk të linte kurrë të qerasje. Ai gjithmonë paguante apo shtronte gosti. Në fakt, kështu kanë qenë të gjithë fëmijët e nënë Hava Çarçanes me derte dhe babë Laze Malos, atij burri kranine e kuvendari, që s’ humbet emri kurrë. Njëri më bujar se tjetri, pesë nga gjashtë fëmijët e tij, se djali i dytë Malua, s’pati fat të lulëzinte (1917-1926) dhe kujtohet si gonxhe 9 vjeçare. Tri vajzat e djemtë e tjerë: Fizja (1915 - 1997), Inajetja (1921 - 2014, edhe Rukia e pafat (1920 - 1942), djali i madh, rrënja në Likudhe të Tërbaçit, Hairo Lazja (1912 - 1982), edhe i vogli i tyre, Rushiti (1927 - 31.12. 2016) mbahen mend si sofërmbudhë shtruar sofrën, se qenë stafetë e traditës sëatyre prindërve të nderuar.
Rushit Lazja ka treguar kujdes të veçantë për mbajtjen e traditave të të parëve dhe për forcimin e unitetit të fshatit, duke kontribuar pa asnjë rezervë kudo ku banonin tërbaçiotë, labë, vlonjatë e qytetarë, me synimin e vetëm - për t’u bërë më i mirë njeriu. Në Shoqatën Atdhetare - Kulturore “Tërbaçi” ishte në ballë të Këshillit të Urtëve bashkë me Arif Haskon, Jashar Goxhon, Tofik Dedën, Skënder Skëndon, Xhafer Nikën, Ali Xhakën, Riza Bajramin e veteranë të nderuar të Tërbaçit. Aktivizohej gjallërisht, sikur të ishte djalë i ri edhe me Shoqatën Atdhetare - Kulturore “Labëria” në Vlorë. Figura e tij përfaqëson cilësi e vlera fisnike, sepse ka mishëruar një frymë të lartë atdhetarizmi. Gjoksi i tij mbante disa dekorata e medalje, ku qenë evidentuar vlerat e tij të larta. Mund të përmendim “Medaljen e Trimërisë”, “Medaljen e Çlirimit”, “Medaljen e 10 vjetorit të Ushtrisë Popullore”, “Medaljen e Shërbimit Ushtarak”, “Urdhërin e Shërbimit Ushtarak”, “Urdhërin e 40 vjetorit të PPSH”, “Urdhërin e 60 vjetorit të Çlirimit të Atdheut”, etj. Ai qe patriot idealist, komunist i ndershëm, demokrat në shpirt, model qytetarie, thjeshtësie, dashurie dhe mirësie. Qe burrë i ndershëm, human dhe i hapur në dasahmirësinë e tij. tek ai, mishërohej plotësisht fjala e urtë popullore: “Fisniku rrjedh nga fisnikëria”. Sa qe, qe në këmbë.