Mendime
Skënder Kapiti: A është, apo nuk është kështu?
E enjte, 03.03.2016, 08:30 PM
A
është, apo nuk është kështu?
Nga Skënder S. KAPITI
(Shkurtimisht...) Një gjë më duket se dihet, është ajo që dihet se nuk po kuptohet se çfarë po ndodh ndër ne, me ne sot, e jo më të mund të dihet se çfarë do vijë nesër.
Kur nuk nxjerr mësime nga ato se çfarë ke vuajtur dhe pësuar nga e shkuara, dhe kur më keq akoma nuk po e kupton dhe të tashmen që po shkon duke e harruar kaq shpejt të kaluarën dhe të jesh kaq mosmirënjohës për sakrificat e brezave të së shkuarës, a mundet që të kesh vizionin dhe interesimin për të ardhmen? Dhe prandaj për këtë tranzicionin demokratik të sotëm po pyes veten dhe Ju, apo ndonjërin nga Ju që rastis ta lexojë këtë pyetjen time: A është apo nuk është kështu?
A nuk është fakt se demokracia në Shqipëri dhe në Kosovë, pse jo edhe ajo globale, se ajo po administrohet nga paaftësia, injoranca, mashtrimi, gënjeshtra, hipokrizia, papërgjegjshmëria, miopia, korrupsioni, tradhëtia dhe nga shitblerja politike? Këto vese të saj a nuk janë ngritur realisht si “kulte” të mbuluara me demokracinë idealiste?
Dhe ky zbatim i korruptuar i Demokracisë në dy shtetet shqiptare a nuk po verteton kritikën e kritikëve dhe kundërthëniet filozifike të shumë filozofëve të mëdhenj për demokracinë e tillë si një utopi, si nje thashethem, si një demokraci pa demokracitet, si një demokraci antidemokratike, pra , si një demokraci që mashtron sepse praktikisht është ndryshe krejtësisht nga ajo se çfarë duhet të jetë?
A nuk është kjo demokracia e zbatuar te ne si një sistem poliarkik interesash ekonomike e politike sundimi krerësh, oligarkësh, klanesh apo bejlerbejllëqesh e “oxhaqesh”politike të korrupsionit ? A nuk është realisht kjo demokracia një lojë e pandershme mashtrimi dhe korrupsioni, gënjeshtrash e pandershmërie politike ku gjithmonë vetëm populli është humbësi i sigurt dhe gjithnjë matrapazët politikë po fitojnë pushtet, autoritet, pasuri marramëndëse dhe pandëshkueshmëri , mbrojtje e imunitet që as faraonët e diktatorët nuk i kanë pasur.
A nuk është kjo demokracia praktike shqiptare që ka bërë të mundur dhe realitet që Interesi Kombëtar dhe Pavarësia e shtetit, e shoqërisë dhe e individit të jenë nën varësinë dhe nën kërcënimin e krimit, korrupsionit, të padrejtësisë, të parasë së pisët dhe të lirisë së tradhëtisë politike? Them se është kështu, përderisa i kemi dhe punët kështu si i kemi, apo jo!? (Vazhdon...)