Mendime
Habazaj: Një Vjosë natyrale
E shtune, 26.12.2015, 09:12 AM
BANORËT E PELLGUT DUAN NJË VJOSË NATYRALE, PA BETONIZIME
Ndërhyrja pa beton mbi lumë një zgjidhje e mirë
Nga Meme HABAZAJ/ master, inxhiniere hidroteknike;
Msc. Albert HABAZAJ/ studiues
Vjosa është quajtur lumë i bekuar,sepse ka ujë kurativ për shëndetin e njeriut, për florën dhe faunën e pasur, për ujitjen e fushave e tokave të mbjella me drithëra, pemë e perime, për gjënë e gjallë, për të pirë ujë nga burimet e atij lumi e të të bëhet shëndet. Për pellgun e Vjosës kanë kryer studime dhe kanë realizuar botime monografike me vlera mjaft autorë vendas, si gjeografët Prof. dr. Nasip Meçaj, Prof. dr. Farudin Krutaj, Prof. dr. Mevlan Kabo, apo edhe Prof. Aleko Miho (biolog), Prof. Luan Hasanaj (paleontolog) etj.
Edhe Lumi i Vjosës, (sidomos Lumi i Vjosës), konsiderohet sot si Zemra Blu e Shqipërisë, (jo thjesht në kuptimin metaforik, por si pasqyrim i blusë së kthjellët qiellore në ujin e pastër të Lumit) si pjesë e Ballkanit, si Evropë Jugperëndimore, për gjendjen natyrore të ruajtur më mirë se pjesa tjetër e pellgjeve të lumenjve të vendit, për larminë e habitateve dhe të llojeve bimore dhe shtazore që strehojnë. Kjo gjendje është pozitive dhe ne duhet të diskutojmë e të hedhim ide për ta bërë edhe më shumë pozitive Vjosën, më të mirë, më të bukur e të dobishme për komunitetin që mban, që funizon me ujë, që jetëson e ushqen. Është vërtet fat që ky lumë deri më sot është ruajtur në gjendjen e tij më të mirë natyrale dhe, në fakt, përbën një pasuri europiane, e gjykoj se meriton të ketë një status të veçantë si Park Kombëtar. Organizma joqeveritare mjedisore me emër, si SEEP, Shoqata e Bujqësisë Organike, Edukimi Social dhe Mbrojtja e Mjedisit, Ekolëvizja, Agjensia Kombëtare e Mjedisit etj., kanë ndjekur nga afër dhe kanë mbështetur në gjithë këtë periudhë tranzicioni për vlerësimin dhe mbrojtjen e natyrës, të biodiversitetit, përfshirë këtu përveç Vjosës edhe tre lumenjtë dytësorë, por të rëndësishëm si Sarandaporo, Drino e Shushica (Lumi i Vlorës), apo rrjedhje të dobishme uji si Përroi i Çarshovës, i Lengaricës, i Lemnicës, i Dishnicës, i Bënçës, Luftinjës, Povlës etj., duke bashkëpunuar edhe me organizma qeveritare dhe joqeveritare në rajonin e pellgut të Vjosës apo dhe me Tiranën vertikale. Banorët tanë duan një Vjosë të veshur me gjelbërim fisnikërues, argëtues, që të na sjellë përherë e më shumë dobi, duke e shndërruar Lumin në një luginë mrekullore bio, aktraktive, turistike, pa betonizime. Është një këngë e vjetër këtej nga viset tona jugore, që këndohet dhe sot e kësaj dite. Ndër të tjera, po citoj vetëm dy vargje: “Farën që s’është jona,/ toka jonë s’e rrit…”. Apo të ecim më tej me vizionin e ri, kujtoj një fjalë e urtë popullore që thotë: “Gjella me kripë e kripa me karar”. Cili është nënteksti? Betoni nuk është farë për t’u mbjellë në pellgun e Vjosës. I bën dëm, e shpërfytyron, e tjetërson, dhe, kur tregohesh barbar me natyrën, qoftë edhe për shfrytëzim hidroenergjitik, ajo nuk ta fal prishjen e ekulibrit që i shkakton. Na e ka falë zoti kështu Vjosën, le ta gëzojmë e ta shijojmë me tërë ato visare natyrore, me tërë atë florë e faunë të pasur e të veçantë, që e i jep Vjosës tonë nurin e një nuseje të bukur, hijerëndë e fisnike. Shqipëria në vetvete është një vend me diell, aq më tepër Vjosës, Zoti ia ka falur me bujari të madhe diellin, kështu që specialistët tanë mund e duhet të kenë një laps më të mprehtë e më ekonomik në studimtarinë e tyre të vyer pëe shfrytëzimin e energjisë diellore në dobi të komunitetit; të bëjnë atë që është më e dobishme për banorët, jo atë që u intereson disa personave të veçantë, kushdo qofshin dhe ngado qofshin ata. Me të drejtë dhe shtypi i shkruar dhe mediat vizive ngrenë shqetësimin e drejtë qytetar për Vjosën e bukur, plotë margaritare nga bota bimore dhe nga bota e kafshëve, për Vjosën e panjohur, që e cilësojnë si një nga Perlat e egra të Evropës, për Vjosën e kërcënuar. Me të drejtë bëjnë apel: të shpëtojmë Vjosën- zemrën blu të natyrës shqiptare. Ne duhet ta dëgjojmë, ne duhet ta mbështesim këtë zë të drejtë; ne duhet tat hemi fjalën tonë në kohën e duhur, në vendin e duhur, atje ku duhet. Sot është vonë, por ndoshta, më mirë von se kurrë, që nesër, kur të ndodhemi para fakteve negative, nga devijimi artificial i panevojshëm i misionit human lumor të Vjosës e që mund të sjellë shkatërrime fatale e katastrofa natyrore, mos të themi: “Bobo! Ç’bëmë?!” Kërcënimi aktual më i madh për lumenjtë është ndërtimi i HEC -eve. Më shumë se 100 diga të reja hidrocentralesh janë planifikuar të ndërtohen në të gjithë Shqipërinë. Përgjatë pjesës shqiptare të lumit të Vjosës, Ministria e Energjisë synon të ndërtojë 8 diga. Ndërkohë që në pjesën e sipërme, Qeveria Greke po planifikon aplikimin e një Plani Menaxhimi që ka për qëllim devijimin e rreth 70 milionë m3 /vit drejt lumit Kalamas për qëllime ujitjeje. Ndërtimi i këtyre digave, ose i vetëm njërës prej tyre, do të shkatërronte vlerat e jashtëzakonshme ekologjike të lumit Vjosa. Këto ndërhyrje do të ndryshonin tërësisht regjimin e saj hidrologjik dhe do të pengonin transportin natyror të sedimenteve, forcës fillestare që u jep formë shumë proceseve dinamike dhe morfologjike. Vjosa është një thesar evropian. Vlera e saj më e madhe është gjendja e saj natyore si një ekosistem në tërësi. Ndërtimi i digave do të shkatërronte këtë ekosistem unik dhe potencialin e tij të lartë për shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore në të ardhmen. Duhet të flasim dhe të veprojm ëqytetarisht, që mos të qajmë nesër e të autoankohemi: “Erozioni i shtratit të lumit poshtë digës paska ndikuar në tërë gjatësinë e mbetur të lumit, duke prekur keq madje edhe në deltën e tij në Detin Adriatik. Ekosistemi aluvional paska degraduar në pothuajse X (iks) km gjatësi të rrjedhës lumore. Të gjitha habitatet ujore dhe breg-lumore qënkërkan prekur nga kjo hata hidroenegjiktie e paduhur. Vjosa dhe degët e saj janë veçanërisht të rëndësishme për migrimin e llojeve të peshqve të cilët varen nga pastërtia, temperatura, dhe nga përrenjtë malorë me parametra optimalë, karakteristika që ofron lumi Drinos si kontribuesi kryesor i Vjosës, në rrjedhën e tij prej rreth 85 km gjatësi. Drinosi, si edhe Vjosa e sipërme e paskan ndërprerë komunikimin nga rrjedha e poshtëme e luginës së Vjosës, si dhe nga deti Adriatik, dhe paskan ndërprerë kështu rrugët e migrimit drejt njërit prej habitateve më të mëdha të mbetur për ngjalën e Evropës dhe llojeve të tjera të shumta migratore të peshqve në Shqipëri.
Vjosa është një ekosistem thuajse natyror i pakrahasueshëm me të tjerë lumenj në Evropë. Ai është pothuaj një nga lumenjtë e fundit “të egër”, në të gjithë kontinentin. Nga ana shkencore, ky lumë mund të konsiderohet si një "faqe e bardhë". Njohuritë rreth biodiversitetit, hidrologjisë dhe sedimentologjisë së tij janë shumë të kufizuara. Projektet e devijimit të ujërave dhe ato të ndërtimit të digave janë aktualisht kërcënimi më i madh për lumin, duke vënë në rrezik pasurinë biologjike, funksionet ekologjike dhe hidrologjike të këtij ekosistemi unik. Qoftë edhe një digë e vetme përgjatë lumit do të shkatërronte vlerat natyrore dhe do të ç’ekuilibronte funksionet e këtij ekosistemi, duke “minuar” një potencial të madh eko-turistik të zonës. Në projektin e Kalivaçit deri tani, nuk janë vlerësuar si duhet ndikimet në mjedis të biodiversitetit, të mbrojtjes natyrore nga përmbytjet dhe erozionit të shtratit të lumit, etj. Nuk duhet të sensibilizojmë vetëm me fushata a meiume të tilla, por në vijimësi dhe pa ndërprerë, deri në rivendosjen e situatës natyrale në pellgun e Vjosës, për shpalljen e jo vetëm një pjese të luginës së Vjosës, po rt ë gjithë pellgut të Vjosës në Shqipërisë Jugore si “ZONË E MBROJTUR LUMORE” për të ruajtur integritetin e saj.
Lumi Vjosa tek ne është një nga lumenjtë e fundit,“të egër” të Evropës. Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa rrjedh e pandikuar në mënyrë të natyrshme, e karakterizuar nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme. Në disa zona shtrati i lumit arrin një gjerësi më shumë se 2 km. Së bashku me degët e saj,Vjosa ofron një ekosistem dinamik, pothuajse natyror. Ky ekosistem unikal në kontinent, edhe pse i panjohur, përfaqëson një trashëgimi të vërtetë natyrore Evropiane. Në 80 km e para të rrjedhës së tij, përmes Greqisë lumi quhet Ao?s, ndërsa me hyrjen në territorit shqiptar ai ndryshon emër dhe quhet Vjosë. Gjarpërimet e rrjedhës së poshtëme krijojnë një luginë të gjerë me habitate ligatinore, që bëhen strehë për peshqit, shpendët migratorë dhe shumë specie të tjera. Rrugëtimi i saj natyror përfundon në detin Adriatik, në veri të lagunës së Nartës - një nga lagunat më të mëdha dhe ekologjikisht më të pasura në bregdetin shqiptar, e përcaktuar si Rezervat Natyror i Menaxhuar. Vjosa zë një sipërfaqe totale prej 6,700 km² në Shqipëri dhe Greqi së bashku dhe shkarkon në detin Adriatik një mesatare uji prej 204 m³/s. Studimet për habitatet dhe speciet ujore si peshqit apo shpendët e evidentojnë luginënë e Vjosës si zonë kyçe për këto vlera të biodiversitetit shqiptar.
Digat, që mendohet të ndërtohen përgjatë pellgut, janë më tepër të dëmshme se sat ë dobishme për komunitetin vjosarak; ato mund të ndalojnë "rrahjet e zemrës" të gjithë sistemit natyror të lumit, duke bllokuar transportin e sedimenteve nga malet, deri në Detin Adriatik. Erozioni i shtratit të lumit poshtë digës apo digave të kërkuara për t’u ngritur, do të ndikojë në tërë gjatësinë e mbetur të lumit, duke ndikuar madje edhe në deltën e tij në Detin Adriatik. Ekosistemi aluvional do të degradohet në gjatësi të konsiderueshem (vetëm diga e Kalivaçit merr pothuajse 100 km gjatësi të rrjedhës lumore). Të gjitha habitatet ujore dhe breg-lumore do të preken nga kjo gjë. Vjosa dhe degët e saj janë veçanërisht të rëndësishme për migrimin e llojeve të peshqve të cilët varen nga pastërtia, temperatura, dhe nga përrenjtë malorë me parametra optimalë. Motoja jonë të jetë e duam Vjosën të Bukur, sië e ka bërë MËMA NATYRË. Pë çfarë bën secili prej nesh, sipas mundësisë dhe profesionit që ka për këtë akt të lartë ekologjik dhe kombëtar?!
….
Vjosa, lumi i egër në Shqipëri e në Europë që nuk duhet ndërprerë. Edhe me fqinjët (në rastin korrekt me Greqinë) duhet të jemi korrekt, duke iu përmbajtur me rigorozitet Konventës Ndërkombëtare të Ujërave). Nuk duhet të lejojmë padrejtësi të tilla si këto që dëgjojmë e na thonë a që na tatojnë pulsin tonë e të banorëve ata të paudhë që mundohen t’i bëjnë dëme, shpërfytyrime natyrës sonë dhe popullatës që mbështetet te ky lumë, sepse përbën krim ndaj natyrës dhe vendit një qëndrim tjetër i padenjë. Asnjëherë të mos harrojmë që Motoja jonë është e duhet të jetë: E duam Vjosën të Bukur, siç e ka bërë MËMA NATYRË!