E hene, 29.04.2024, 07:18 AM (GMT+1)

Mendime

Ndriçim Kulla: Ekstremistët islamikë midis nesh

E marte, 15.12.2015, 09:00 PM


Ekstremistët islamikë midis nesh

Nga Ndriçim Kulla*

Ata janë midis nesh, por nuk janë si ne. Nuk janë as si pjesa më e madhe e besimtarëve myslimanë që praktikojnë fenë e tyre. Ndryshojnë nga pamja, veshja, mënyra e jetesës. Kjo tanimë është një gjë e njohur, për të cilën është shkruar dhe folur shumë, prandaj nuk dua të përsërit këtu gjëra të njohura. Ajo për të cilën dua të tërheq vëmendjen është që ne tanimë jemi mësuar me ta. Kujtohemi të shprehim shqetësimin tonë për faktin që i kemi ata midis nesh kur ndodh ndonjë akt terrorist islamik në botë, siç ishte ai që ndodhi në Paris. Ose kur ata shkojnë e marrin pjesë në luftëra në vende të huaja si në Siri. Ose kur na tërheqin vëmendjen partnerët ndërkombëtarë për ekzistencën e tyre midis nesh. Ose kur disa prej tyre arrestohen nga policitë në vendet europiane apo në SHBA për përgatitje aktesh terroriste. Në Kosovë, problemi është dukshëm më i rëndë se në Shqipëri. Por, a është kjo një arsye për të qenë ne këtu më pak të shqetësuar? Dallimi me Kosovën është më tepër etik. Shqiptarët e Kosovës duhet t’i ishin mirënjohës SHBA-së dhe NATO-s për çlirimin e Kosovës, aq sa nga radhët e tyre nuk duhet të dilnin ekstremistë islamikë që bëjnë plane për atentate në vendet e NATO-s, aq më pak në SHBA. Por ekstremistët nuk e njohin etikën. Tanimë e njohim problemin. Ekstremizmi fetar është një helm me të cilin ekstremistët përpiqen që të helmojnë besimtarët myslimanë, sidomos të rinjtë. Pyetja është se cila është zgjidhja. Për të neutralizuar efektin e helmit duhet përdorur kundërhelmi. Shteti, si në Shqipëri dhe në Kosovë vepron ashtu siç di të bëjë shteti, arreston disa prej tyre dhe i nxjerr në gjyq. Sigurisht që edhe kjo duhet bërë, por a është kjo zgjidhja? Nuk mund të arrestohen të gjithë ekstremistët, madje as pjesa më e madhe e tyre. Dhe përveç kësaj, problemi nuk janë vetëm ata, por edhe të tjerët që radikalizohen çdo ditë. Në qoftë se dënimet penale të ekstremistëve më të afirmuar nuk shoqërohen me masa të tjera për të ndaluar radikalizimin e besimtarëve, veçanërisht të të rinjve, atëherë nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi krijuar heronj për kauzën e tyre me këto dënime. Atëherë, cili është kundërhelmi që duhet përdorur? Ne dëgjojmë shpesh analiza për shkaqet e radikalizimit të besimtarëve myslimanë. Na thuhet se shkaku është te kjo apo ajo shkollë fetare ekstremiste islamike nga vendet arabe, idetë e së cilës kanë depërtuar në Shqipëri, se shkaku është gjithashtu te varfëria. Për arsye se janë të varfër, besimtarët myslimanë, veçanërisht të rinjtë bëhen pre e ideve ekstremiste. Por, në qoftë se çështja shtrohet kështu, atëherë kemi të bëjmë me një luftë idesh. Sepse në qarkullim ka ide të mira dhe ide të këqija, madje edhe brenda vetë Islamit në Shqipëri. Pse idetë ekstremiste janë më të fuqishme dhe propaganda e tyre më e efektshme? Panairi i përvitshëm i librit që mbahet në Tiranë është vendi ku shfaqet më qartë fenomeni i mësipërm si luftë idesh. Atje gjen edhe jo pak stenda të mbushura me literaturë fetare islame, në të cilën gjen shumë ide ekstremiste. Këtë vit kishte më pak, por vitet e tjera ka pasur më shumë prani të shtëpive botuese islamike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia. Megjithëse edhe këtë vit prania e tyre ishte goxha e ndjeshme. Por këtu nuk dua të ndalem te kjo çështje. Këtu dua të flas për fenomenin e ballafaqimit të ideve. Kjo lloj literature fetare, me jo pak përmbajtje ekstremiste, në panair vihej natyrshëm në ballafaqim me literaturën tjetër me përmbajtje të ideve që përbëjnë bazën e qytetërimit europian, të cilit i përket dhe Shqipëria dhe që synon t’i bashkëngjitet edhe në nivel të strukturave integruese politiko-institucionale europiane. Dhe ky ballafaqim i ideve nuk fitohet thjesht duke u ndaluar literatura ekstremiste fetare dhe duke u përjashtuar nga xhamitë hoxhallarët ekstremistë. Duhet mbushur vakuumi i krijuar. Ndryshe, vakuumin do ta mbushin përsëri idetë ekstremiste në mënyrë ilegale, duke qarkulluar libra të ndaluar, gazeta ilegale apo trakte me ide ekstremiste. Sepse siç dihet, ndalimi i diçkaje të shkruar rrit kuriozitetin për të. Prandaj nuk mjafton që ne të ndalojmë përhapjen e literaturës ekstremiste fetare, nuk mjafton që shteti me institucionet e tij të posaçme të vëzhgojë xhamitë dhe të mbështesë Komunitetin Mysliman për t’i marrë nën kontroll xhamitë që janë jashtë kontrollit të tij. Besimtarët myslimanë të cilët ushqehen me literaturë ekstremiste, kuptohet se janë njerëz që kanë dëshirë të lexojnë, ndryshe nuk do të tërhiqeshin nga kjo lloj literature. Ata kanë dëshirë të lexojnë, por marrin ushqimin e gabuar intelektual, ushqim të helmuar. Duhet të gjendet mënyra që atyre t’u jepet ushqimi i duhur intelektual. Për të fituar mendjen e tyre, zhvillohet edhe një garë intelektuale mes ekstremistëve dhe pjesës tjetër të shoqërisë. Jo thjesht mes ekstremistëve dhe myslimanëve të moderuar të përfaqësuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar. Besimtarët e rinj që radikalizohen janë qytetarë të këtij vendi dhe ata nuk kanë vetëm një jetë fetare, por një jetë më të gjerë. Shpesh ata bien viktimë e ideve ekstremiste jo sepse janë besimtarë myslimanë, por sepse literatura ekstremiste është e vetmja literaturë me të cilën ata bien lehtësisht në kontakt, dhe kjo edhe për shkaqe financiare.

Dhe këtu qëndron përparësia që kanë ekstremistët në këtë garë të ideve dhe që ka të bëjë me faktin se ata e ofrojnë falas ushqimin e tyre intelektual, që është literaturë e tyre. Ne kemi në Shqipëri të botuar libra shumë të mirë, me përmbajtje të ideve më të shëndetshme humaniste që ka krijuar qytetërimi europian, libra të shkruar për një shtresë njerëzish më të gjerë se rrethet akademike universitare të shkruara për shumë shekuj, libra me dije antropologjike, sociologjike, filozofike, politologjike etj., të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Këta libra do të përbënin një ushqim të mirë intelektual për këta njerëz që bien pre e ideve radikale islamike. Por midis këtyre librave të mirë dhe këtyre njerëzve qëndron një mur i pakapërcyeshëm ekonomik. Këta libra kushtojnë, ndërsa literatura ekstremiste jepet falas. Këtu është një nga çelësat e suksesit të ideve ekstremiste fetare, sepse në fund të fundit ato nuk janë bukë për njerëzit e varfër që tërhiqen nga këto ide. Shkurt, problemi është se idetë e mira dhe idetë e këqija janë në një garë të pabarabartë në raport me këtë pjesë të shoqërisë sonë. Këtu ka vend për projekte të përbashkëta me donatorët e huaj të Shqipërisë, sidomos nga Bashkimi Europian dhe SHBA. Ata mund të mbështesin, fjala vjen, projekte të llojit “Biblioteka e zgjeruar e një besimtari mysliman”, duke ofruar falas për këta të rinj libra të tjerë përveç literaturës fetare që ata mund ta gjejnë lehtësisht. Kështu, ata do të mund të zgjerojnë horizontin e tyre intelektual, do të mësojnë se shoqëria ku jetojnë është e ndërtuar ose përpiqet të ndërtohet mbi bazën e një modeli europian, që ka si bosht idetë e lirisë dhe të drejtave të individit, pavarësisht besimit fetar, tolerancës, mirëkuptimit, laicizmit etj. Do të mësojnë se laicizmi si parim bazë kushtetues i shoqërive europiane nuk është i drejtuar kundër Islamit, por kundër atyre që prekin parimet e mësipërme, pavarësisht fesë së cilës i përkasin ata. Sepse, kur në vendet europiane u vendos parimi i laicizmit, në to nuk kishte myslimanë. Në qoftë se duam të bëjmë gjëra konkrete, atëherë le të bëjmë më pak konferenca e workshope të financuar bujarisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë me shoqërinë civile e aktorë të tjerë, ku flitet shumë për problemin që paraqet ekstremizmi fetar, e një pjesë të financimeve të përdoren për projekte si ai që thashë më lart. Kështu do të kemi më pak ekstremistë. Sigurisht nuk them që kjo është mënyra e vetme, veç burgut. Një shoqëri demokratike ka shumë mënyra për të zgjidhur problematika të tilla. Ekstremistët, edhe pse më të paktë, do të jenë përsëri midis nesh. Por tanimë ne do ta dimë se ata që kanë mbetur nuk janë më njerëz të manipuluar, por ekstremistë që janë deri edhe patologjikë.

*publicist, botues



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora