E enjte, 24.07.2025, 10:32 PM (GMT+1)

Kerko: a

Ndue Dedaj: Mitrovicë, krushqit janë të ngrirë

E marte, 03.11.2015, 11:00 PM


MITROVICË, KRUSHQIT JANË TË NGRIRË

NGA NDUE DEDAJ

Ditët e fundit të tetorit udhëtuam drejt Mitrovicës, për të parë me sytë tanë atë që dihet nga të gjithë dhe që me vajtjen atje nuk është se i shton diçka më shumë njohjes. Një qytet i ndarë në dysh nga ura e Ibrit, që nga vendasit thirret pjesa veriore dhe pjesa jugore. Trokasim në komunë, por, si fundjavë, aty është vetëm një rojë që reagon ngathët pas xhamit, pa na e hapur derën, ndoshta ngaqë institucioni bezdiset nga njerëz si ne që duan të dinë diçka zyrtare për zhvillimet atje dhe në ditët kur komuna është pushim. Nuk gjetëm asnjë guidë të Mitrovicës në dyqanet që mbanin emërtimin “Librari”, ku nuk kishte asnjë libër, po vetëm kancelari dhe shërbim interneti. Ndoshta qytete si Mitrovica dhe jo vetëm duhet ta lënë çelur një dritare të informacionit dhe komunkimit publik dhe në fundjavë kur drejt tyre udhëtojnë gazetarë, turistë, kurreshtarë etj. Mund të takohesh lirisht dhe të “flasësh” vetëm me Isa Botelinin e Nënë Terezën, në dy sheshe të vogla të qytetit, ku njerëzit bëjnë fotografi. Humanistja e madhe sodit kalimtarët e zhytur në blerim, kurse Baca Isa na duket më i pamundur se kurrë. Natyrisht që pozuam dhe ne më ta, por i bëmë një fotografi dhe urës së Ibrit, që është një urë e bllokuar, kësaj here për të kryer disa punime, një rrethrrotullim, na tha dikush. Mbi shtratin e saj ishte rrethoja prej llamarine, me siglën e Bashkimit Europian, si financues i atyre punimeve.

Gjithkund urat ndërtohen për të bashkuar njerëzit, vetëm në Mitrovicë ura është kthyer në të kundërtën e vet, ajo ndan një qytet që nuk ka qenë kurrë i ndarë e që nuk ka asnjë arsye të ndahet tash. Ecim anash, nëpër pjesën këmbësore të urës, me pak të tjerë, që dalin në bregun matanë e kundrojnë dhe ata pjesën veriore, sikur andej të jetë gjysma tjetër e “Berlinit”. Ura është 110 metra e gjatë dhe 24 metra e gjerë, e rikonstruktuar para disa vitesh nga francezët. Ka mbi pesëqind vjet që ajo i ka shërbyer qytetit vetëm për vajtje-ardhje e asnjëherë për përballje të atyre të lagjes së epërme me të ata të lagjes së poshtme. Kurse prej 15 vitesh ajo nuk është më e para, përkundrazi, është një nga urat më problematike të Europës, për shkak të dramës së saj ndëretnike, që luhet herë pas here. Në anën e sipërme të urës shihen ende mbetjet e barrikadave serbe, si për të treguar se beteja aty nuk ka përfunduar. Dy-tre persona që takuam rastësisht dhe që e njihnin situatën na këshilluan që të kishim kujdes në pjesën veriore, se “po ta marrin vesh që jeni shqiptarë, mund t’iu hedhin ndonjë gurë, a shishe nga ballkonet”. Ashtu si padashje këmbet tona stepen mbi urë, ku na duket se është ndalur vetë koha, dhe pse lumi nën të na ngjan miqësor dhe e dhembshur. Dikush shton se nga Beogradi serbët stimulohen të blejnë shtëpitë e shqiptarëve, që këta të kalojnë me banim në pjesën e poshtme të qytetit. Njëlloj spastrimi etnik, si në Jugosllavinë dikurshme. Thënë ndryshe, në Republikën e Kosovës, synohet një Mitrovicë shqiptare e një tjetër (e paqenë) serbe! Nuk do të kishte të keqe nëse bëhej fjalë për një qytet me përkatësi etnike të ndryshme të banorëve, po që bashkëjeton pa një “urë” të tillë në mes dhe pa barrikada guerile, që gjithnjë janë shprehje e dhunës e luftës. Thua me vete si është e mundur të lejohet që ura t’i shëmbëllejë një fortese sogjetare mbi lumin Ibër, të cilin duan ta shndërrojnë në kufi përndarës të qytetit, ndërkohë që austostrada moderne zgjatet nga Prishtina drejt Mitrovicës e më tej, Bedogradit? Dy gjera që përjashtojnë njëra-tjetrën, rruga e re do të thotë integrim, ndërsa ura e ngrirë kthim në qindvjetshin e shkuar.

Mitrovica, pesëqind metra mbi nivelin e detit, është një qytet që njihet nga ura e tij dhe pa ndonjë diçiturë. Qytetet gjithandej kanë lumenj e ura në mesin e tyre, por ato janë pjesët më të bukura, më turistike dhe jo me murana gjaku mbi to. Diplomacia europiane, me punimet mbi këtë urë, sikur kërkon t’i japë kohë vetes për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për Mitrovicën. Qyteti i ndarë përgjysmë qysh nga viti 1999 nuk e ka marrë ende kahjen e rrotullimit kah Europa. Një qytet që dikur rronte pa politikëndarësen serbe në mes. Tej është Trepça, miniera simbol e rezistencës në fundin e viteve ’90. Atje prapë punohet nëntokë dhe përmes përpunimit të mineraleve prodhohet argjend, plumb, zink etj. Ndoshta është dhe ajo “molla e sherrit” e Mitrovicës, ndër minierat më të rëndësishme të rajonit ballkanik, e pasuritë e çmuara gjithmonë janë lakmuar nga fqinjët. Gjithsesi, realiteti i Mitrovicës duhet kuptuar, por pa u pajtuar me dasinë artificiale. Mitrovica tashmë është dypalshe, shqiptare dhe serbe, në vend që të jetë e qytetarëve të saj me përkatësi etnike të ndryshme. Është e vetmja pjesë e Kosovës e marrë peng, më saktë, gjysma veriore e qytetit. Paçka se në besën dhe dorën e ndërkombëtareve. Aty krushqit janë të ngrirë si në në kohët e kreshnikëve, dhe pse Europa nuk flet më gjuhën e krajlive të vjetra.

Duke lënë universitetin në të majtë, marrim rrugën e kthimit për në Prishtinë, teksa ndërmend na vjen kulla e bacës Isa në fshatin Boletin (rrethina e Mitrovicës), e djegur disa herë nga pushtuesit prej dy shekujsh. Sipas studiuesve të Kosovës mbi 500 kulla shqiptare janë rrënuar e shuar nga spastrimi etnik, shpërnguljet, braktisjet, ndaj nuk duam që dhe Mitrovica të bjerë si një “kullë” e historisë sonë me rrënjë ilire. Bash për këtë nuk na duken të gjetur termat “Mitrovica Veriore” dhe “Mitrovica Jugore”, pasi bëhet fjalë për një qytet që vetëm busulla ka të drejtë të shënojë veri e jug. Fjalët “e epërme” dhe “e poshtme” i kemi përdorur për arën, mullirin, shtëpinë si nocione gjeografike, kurse në këtë rast ato sikur përdoren enkas për të ligjitimuar në zhargonin politik-diplomatik, dy Mitrovica etnike!? A është pyetur ndonjëherë populli mitroviciot se si e mendon të ardhmën e tij? Populli i pamanipuluar nga askush? Qytetarët e Mitrovicës, si nënshtetas të Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike? Ata njerëz që lidhin krushqi mes tyre, serbë e shqiptarë, që punojnë bashkë në minierë, bëjnë bashkë tregti, mësojnë në të njëjtat auditore, ndërkohë që politika nuk bën dot “krushqi” pa interesa gjeopolitike e strategjike. Po të mos ishin shtysat politike, për banorët asnjëherë nuk do të ishte prishur xhamia dhe mulliri në pjesën veriore dhe ndërtesa e konsullatës austro-hungareze në pjesën jugore, shenja të identitetit të qytetit. Të gjithë duan të mos përsëritet e djeshmja e hidhur, kur pamja e urës ishte tronditëse për një shtet të pavarur: në skajin verior civilët serbë ruanin barrikadën e sendërtuar prej tyre me gurë e hekurishte, për të mos kaluar pjesa e poshtme e qytetit, në mes sogjetonte patrulla e policisë së Kosovës dhe në cepin jugor forcat e KFOR-it/EULEX-it. Meraku është pas ndërtimit të atij rrethrrotullimit mbi urë, a do të mund të qarkullojnë makinat lirisht, qoftë dhe sa kuajt e mesjetës?...

Apo Mitrovica do të vazhdojë të endet e sh’endet si një pëlhurë konflikti në kontekstin e atij organizimit të (pa)ligjshëm administrativ me emrin “Zajednica”?!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx