Editorial
Gëzim Hoxha: Bli Shqip
E enjte, 15.10.2015, 08:00 PM
Bli Shqip.
Nga Gëzim Hoxha
Të blesh Shqip apo jo. Kjo është shndërruar në një dilemë Hamletiane për konsumatorin shqiptar, të paktën në Shqipëri. Mund të rendisja me qindra arsye sepse duhet blerë Shqip dhe po aq të tjera se pse nuk duhet bërë kjo gjë. Ndër të parat janë arsye jo vetëm patriotike por edhe praktike. Disa prej tyre janë: rritja e shpresës së vazhdimësisë së punësimit të punonjësve që i prodhojnë ato; rritja e fuqisë blerëse si rrjedhim i rritjes së punësimit eventual për shkak se duke parë se ky produkt po shitet prodhuesit do të synonin rritjen e sasisë dhe si pasoj do të kërkonin fuqi punëtore shtesë; më shumë të ardhura që do të përktheheshin më shumë shërbime nga shteti në tërësi etj etj si këto.
Ndër të dytat do të përmendja më kryesoren që lidhet me sigurinë e produkteve kryesisht ushqimore. Këtu nuk dua t’i fus të gjithë në një thes, se ka dhe kompani shumë serioze që me investimet e tyre ia kanë dalë të tregtojnë produkte me të vërtetë cilësore si nga shija dhe parametrat bio – kimik dhe fizik, po ashtu edhe nga ana e ambalazhimit që është bërë një nga përbërësit kryesor të tregtimit të një produkti. Fjalën e kam te një video që qarkulloi në face – book. Në të flitej se si zogjtë e vegjël i therrnin, i injektonin një dozë shumë të madhe hormoni dhe pasi i linin nja 4 a 5 orë ata kthesheshin si me një shkop magjik në pula të majme. Apo për nja dy histori vdekjesh. Shkaku ishte gjetur pas analizave të bëra të një kampioni të mbetur të mishit të konsumuar prej tyre, në njërën prej nën njësive të njësisë Cakran në bashkinë e Fierit. Apo të dy a tre historive që dëgjova në Bubullimë të Lushnjes, në lidhje me rritjen e kastravecave një natë pas blerjes si pasojë e injektimit të dozave të stërmëdha të hormonit. A ka hetuar Ministria e Buqësisë dhe e Ushqimit për këtë? Nuk mund të them por ama rasti i turistëve grek që u helmuan dhe që u bë bujë në lajme e di, se e pashë. A po do ti, çmimet e larta të hoteleve dhe të ushqimeve gjatë verës në bregdet etj etj.
Por a kemi ne një markë tonën që t’a kërkojmë dhe t’a blejmë? Kemi sa të duash produkte që prodhohen në vend por asnjë prej tyre nuk ka ndonjë shenjë dalluese që t’a bëjë të dallueshëm që ky është i yni. Më pëlqeu ideja e profesor Artan Fugës për vendosjen e simbolit të shqiponjës në produktet tona. Vetë ai e kishte marrë atë nga një dokumentar që bënte fjalë për përpjekjet civile në Australi për ndërtimin e markës Made in Australia. Aty tregohej se si një nga liderët e shoqërisë civile australiane, një zotni rreth të shtatëdhjetave, shumë i sigurt dhe i qartë në misionin e tij, rrëfente suksesin e përpunimit dhe reklamimit të markës australiane, me logo kangurin e famshëm simbolik të vendit.
Për ata që nuk e dinë se ç’farë është marka po iu japim disa përkufizime të saj nga studiues të ndryshëm në vite. Në vitin 2001 Hislop e ka përkufizuar atë si "procesin e krijimit të një marrëdhënie ose një lidhje në mes të prodhimit të kompanisë dhe perceptimin emocional të konsumatorit me qëllim të gjenerimit të segregacionit në mesin e konkurrencës dhe besnikërinë në mes të konsumatorëve." Në vitin 2004 dhe 2008, KAPFERER dhe Keller respektivisht kanë dhënë këto përkufizime: një përmbushje në pritjet e konsumatorëve dhe kënaqësi të qëndrueshme të konsumatorëve. Gjithashtu në ligjin nr. 9947, datë 7.7.2008 Për Pronësinë Industriale në nenin 141 jepet karakteri dallues i cili është një shenjë dhe nëpërmjet tij përdoruesi i zakonshëm dallon një numër mallrash dhe shërbimesh specifike, nga një tjetër, të njëjta me të parat,e lidhur, përkatësisht, me origjinën tregtare të tyre.
Historia e markës apo si quhet dhe ndryshe origjina e produktit mund të gjurmohen që në kohët e lashta. Etiketimin e kafshëve të fermës në Egjipt në vitet 2700 pes për të shmangur vjedhjen mund të konsiderohet forma më e hershme e saj. Në Perëndim, Staffelter Hof daton në 862 ose më herët dhe ende prodhon verë me emrin e tij edhe sot. Nga 1266, pjekësve Anglezë u kërkohet me ligj për të vënë një simbol të veçantë në çdo produkt të shitu. Branding ose Marka u bë e përdorur më gjerësisht në shekullin e 19-të, me anë të revolucionit industrial dhe zhvillimin e fushave të reja profesionale, si të marketingut, prodhimit dhe menaxhimit të biznesit. Ajo është një mënyrë për të diferencuar produktin nga mallra të thjeshta, dhe për këtë arsye përdorimi i saj u zgjerua paraprakisht në transport, komunikim, dhe në tregti.
Ndër markat më shumë të dukshme dhe të njohura është Coca-Cola. Pavarësisht nga analizat e shumta me konsumator që nuk mund të shikonin përkohësisht se ç’farë po provonin, rezultatet tregonin se shija e saj nuk është e preferuar, por ajo blihet për shkak të besueshmërisë ndaj maarkës. Vetëm këtë vit ajo ra në vendin e tretë të klasifikimit të markave më të njohura botërore me një vlerë tregu prej 79.2 mld $ duke ia lënë vendin e parë kompanisë Apple me vlerë prej 98.3 dhe Google me 93.3 mld $, vend që e mbante prej dekadash.
Por si ndërtohet një markë? Sipas Bridson dhe Evans (2004), orientimi i markës i referohet shkallës në të cilën organizata njeh vlerat dhe praktikat në prodhimin e një produkti të caktuar dhe i drejton ato në krijimin e aftësive të markës. Kjo është një qasje të qëllimshme për të punuar me të si brenda dhe jashtë vendit, si pasojë e globalizimit dhe shfaqjes të një mjedisi më të ashpër e konkurrues në shumë tregje, ku superioriteti i një produkt në vetvete nuk mjafton për të garantuar suksesin. Kjo ka rezultuar në një situatë gjithnjë e më dramatike për biznesin duke parë ritmin e shpejtë të zhvillimit teknologjik dhe rritjen e shpejtësisë me të cilën imitimet mund të arrijnë deri në treg, gjë e cila ka shkurtuar shumë ciklin e jetës së produktit. Numri i kompanive gjithmonë në rritje, që janë në kërkim për të tjera strategji dhe avantazhe konkurruese më të qëndrueshme, kanë gjetur markën si një mjet shumë efikas.
Kaq për markat individuale po ç’mund të themi për ato kombëtare? Në lidhje me to është edhe më e vështirë sepse një markë kombëtare synon të masë, të ndërtojë dhe të menaxhojë reputacionin e vendeve. Psh për produktet e markës Made in Japan gjë e parë që të vjen në mend është një produkt i cilësisë së lartë dhe me një çmim të mire, si rezultat i politikës së prodhimit në bazë të porosive dhe skarcove zero; ose Made in China mund të perceptosh një produkt të lirë dhe të një cilësie shpesh modeste; Made in Germany do të thotë një produkt i sigurt por edhe i shtrenjtë, rezultat i kostos së lartë të forcës se punës etj, shembuj ka plot sa të duash. Por edhe këtu globalizimi ka bërë të vetën se po vihet re një transferim i kapitalit në vendet me taksa të ulta dhe krah të lirë pune dhe njëkohësisht të kualifikuar si India. Po ka edhe një problem, vetë ky si term filloj të njihej aty nga dekada e fundit e shekullit të kaluar. Ajo ka të bëjë me etiketimin dhe imazhin e një kombi-shtet dhe kalimin e suksesshëm të këtij imazhi në eksportet e tij gjë që është po aq e rëndësishme sa ajo që ata në fakt prodhojnë dhe shesin. Kjo është referuar edhe si shteti-i-origjinës në fuqi. Qëllimi i tyre është për të përmirësuar gjendjen e vendit, si imazhin dhe reputacionin e një kombi, gjë e cila mund të ndikojë në mënyrë dramatike suksesin e tij në tërheqjen e të ardhurave nga turizmi dhe kapital investues; në eksporte; në tërheqjen e një force punëtore të talentuar dhe krijuese si dhe në ndikimin e tij kulturor dhe politik në botë.
Po a mundemi ne të kemi një marke kombëtare, një Made in Albania? Në kushtet kur duhet të jemi të ndërgjegjshëm se Shqipëria akoma është një vend me problem. Edhe pse janë bërë hapa të mëdhenj përpara mund të themi se jemi akoma shumë para daljes së tunelit. Në kushtet kur edhe Britania e Madhe si shembull tipik i lindjes së kapitalizmit e kuptoi rëndësinë dhe filloi t’a ndërtonte markën e vet aty nga mesi i viteve ’90. Dhe jo më kot ajo mori emrin Cool Britania. Kjo frazë është përdorur për herë të parë në vitin 1967 si titulli i një kënge nga grupi Bonzo Dog Doo. Dhe ndodhi që ajo të ishte një periudhë e rritjes së krenarisë në kulturën e Mbretërisë së Bashkuar në pjesën më të madhe viteve 1990 frymëzuar nga kultura pop të viteve 1960. Suksesi i Britpop - it dhe akteve muzikore të tilla si Spice Girls dhe të Oasis çoi në një ndjenjë të ripërtërirë të optimizmit në Mbretërinë e Bashkuar pas viteve të trazuara të viteve 1970 dhe 1980. Pra Britania e Madhe u kap diku, në suksesin e grupeve pop të muzikës. Po ne a kemi ku të kapemi?
Shprehje të tilla si: O sa mirë me ken Shqiptar o hej; më duket si një fillim i mbarë. Po vetëm me kaq nuk mjafton. Një frazë sa do e bukur nuk të bën optimist dhe aq më pak krenar. N’a duhet diç më tepër një arritje e madhe, një ëndërr e realizuar, një gjë që edhe shqiptarin më skeptik do t’a bënte të ndihej krenar. Duket si moral, por çdo gjë fillon me krenarinë kombëtare, me zgjimin e saj. E pra tani është momenti kur kombëtarja jonë e futbollit arriti të kualifikohej në finalet e evropianit. Ashtu si dhe ndeshjet e luajtura me Serbinë. Këto ngjarje të mëdha për nga rëndësia e imazhit të vendit janë si një bingo ose si 4 asa në poker. Vetëm se duhet të dimë si t‘i shfrytëzojmë. Përpjekje të lavdërueshme janë bërë në këtë fushë dhe mund të përmendim panairin e lëvizshëm “Bli Shqip” dhe disa emisione në kanalet televizive si Top Channel dhe Klan. Po a mjaftojnë? Duhet bërë më shumë në lëmin e ndërgjegjësimit dhe të edukimit të konsumatorit. Ne dëgjojmë të njëjtën reklamë disa herë në ditë. E pse jo qeveria të mos financojë promovimin e produkteve tona në markën Made in Albania. E ka bërë me turizmin tek CNN – i. pse të mos e bëjë me monumentet kulturore apo historike dhe festat, apo me projektet infrastrukturore që sigurojnë lehtësira të shumta si për ne dhe për të huajt? Ose për gastronominë dhe kulinarinë, apo për produktet bio që ne kemi shumë mundësi t’i nxjerrim në treg para gjithë të tjerëve dhe të furnizojmë me to Evropën? Po më parë duhet patur siguri si tek ushqimet, rrugët, shërbimet që n’a ofrohen në kohë dhe me cilësinë e duhur. Këto le t’i bëjë qeveria dhe agjensitë e saj. Ne duhet të bëjmë të tonën që kur të blejmë të shikojmë një herë se ku prodhohet dhe pastaj të blejmë. Të blejmë atë që është e jona. Dhe kjo do ishte e mirë për të gjithë ne.
Si përfundim një thirrje për të gjithë “Bli Shqip”dhe uroj që t’iu mbetet gjatë në mendje. O sa mirë me ble Shqip o hej.