Editorial » Entela
Entela Binjaku: Në orën e parë të mësimit...
E diele, 18.10.2015, 08:05 PM
Në orën e parë të mësimit...
Nga Entela Binjaku
Në këtë fillim vjeshte institucionet e arsimit publik shqiptar janë gjallëruar e kanë marrë jetë nga dëlirësia dhe njomështia e mbi 500 mijë nxënësve dhe nga energjia rinore e mbi 170 mijë studentëve. Këta të fundit kanë nisur prej 1 jave vitin e ri akademik në 12 Universitetet dhe në 3 Akademitë publike të vendit si shpresa e madhe e zhvillimit të shoqërisë përmes pajisjes me njohuritë e nevojshme për tregun e punës. Në këtë peizazh të çmuar njerëzor bëjnë pjësë edhe ata vajza dhe djem që studiojnë në institucionet e arsimit jopublik.
Shkolla në vetëvete është një agjent formues, që luan një rol të rëndësishëm shoqërizues ndaj të gjitha subjekteve në moshën e rritjes. E ndodhur midis familjes dhe shoqërisë, ajo përgatit fëmijën për rolin e tij si individ i rritur i ardhshëm. Pjesa më e madhe e ideve, e mendimeve dhe e bindjeve të një të riu apo të reje, zhvillohen në shkollë, pikërisht përmes njohjeve të këndvështrimeve të ndryshme, që lidhen mes tyre.
Përmes procesit edukativ, shkolla u mëson fëmijëve se si t´u binden rregullave të lëna pas dore nga mësimet prindërore, i aftëson ata në identifikimin e roleve që lidhen me autoritetin me përpikërinë me vetëvlerësimin (vlerësimi i vetes me të njëjtat kritere që aplikohen tek të tjerët), me respektin ndaj të tjerëve etj.
Në këtë atmosferë të fillimit të vitit të ri akademik nisi edhe ora e parë e mësimit e cila presupozon edhe hyrjen në një fushë të re dijesh.
Për ata që janë pjesë e trupës pedagogjike njihet rëndësia e hyrjes në një fushë studimi, prej së cilës varet edhe jo vetëm suksesi i orës mësimore, por edhe vijimësia në këtë fushë. Qasja që ndërton pedagogu gjatë hyrjes është mjaft përcaktuese për ndërtimin e etapave të tjera të së njëjtës orë ose dhe të orëve në vazhdim. Edhe pse parimisht hyrja zgjat pak, aq sa të nxisë kërshërinë, të aktivizojë vëmendjen e studenteve, falë spontaneitetit të atij që drejton orën e mësimit, ajo ka mundësinë të nxisë edhe intelektin, të zgjojë tek studentët interesin për përvetësimin e njohurive të reja, të përcjellë dobishmërinë e fushës që merret në shqyrtim, rëndësinë e saj në praktikë etj.
Hyrja nis me një bisedë pa korniza, me ngritje pikëpyetjesh duke gërshetuar objektin e studimit me problematikat e hasura në përditshmëri, duke nxitur bashkëpunimin me studentët.
Nga atmosfera që krijohet dhe zgjerimi i komunikimit pedagogu mund të realizojë qëllimin e mësimit që është paraqitja e njohurive të reja dhe aftësimi i studentëve për të përpunuar informacionin e marrë.
Pikërisht në kuadër në orën e parë pyetjet fillestare lidhen me njohjen me studentët, me pasionet dhe prirjet e tyre, me logjikën e përzgjedhjes së degës studimore, me lidhjen që ata kanë gjetur mes fushës së studimit dhe mikromjedisit ku bëjnë pjesë etj.
Kështu kjo orë ndërthur në një të vetme punën pedagogjike dhe parimet e kërkimit sociologjik sepse sic Berger pohon: “Sociologu është një person që ka një interes të madh, të pashtershëm, herë-herë të pacipë, për faktet e njerëzve. Vatra e tij natyrore është çdo vend ku njerëzit takohen. Sociologu mund të shfaq interes edhe për shumë gjëra të tjera, por interesi i tij kryesor është ndaj botës së njerëzve, ndaj institucioneve të tyre, ndaj historisë së tyre, ndaj pasioneve të tyre etj.
Intervistat tregimtare ndihmojnë mjaft në njohjen e shoqërisë. Mbledhja e të dhënave mbi jetën dhe përvojat personale të një individi, ka marrë një vlerë shumë të rëndësishme, sepse reflektojnë shoqërinë apo komunitetin prej të cilit ka ardhur.
Kjo orë e parë e mësimit e cila tashmë është bërë pjesë e një rregullsie në vite, tregoi edhe njëherë vijueshmërinë e traditës së mirë të disa prej shkollave të vendit, aspektin e gjerë në shpërndarjen gjeografike të studentëve, risitë e disa prej shkollave jopublike që po krijojnë ato traditë në arsimin shqiptar etj.
Përtej kësaj, gjatë kësaj ore falë kërshërisë sociologjike mund të kuptosh sa përcaktuese është dëshira e prindërve për fëmijët, sa e natyrshme është zgjedhja e degës së studimit kur ajo nis të kultivohet në fëmijëri, sa vendosmëri tergojnë të rinjtë në përzgjedhjen e fushës së studimit, cilët kanë qenë faktorët që i kanë nxitur të mos bëjnë atë zgjedhje që kanë dashur etj.
Në këtë orë të parë mund të mësosh sa e njohin ata problematikën e jetës shoqërore shqiptare, cilat janë disa nga çështjet themelore që shqetësojnë dhe si mund të përballojmë sfidat e kësaj shoqërie.
Në këtë orë studentët të pyetur se cilat janë sipas tyre disa nga problemet që jeton shoqëria jonë mëson se paragjykimi, mungesa e komunikimit ndëpersonal, tëhuajësimi që po krijon interneti mes individëve, papërputhshmëria mes kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, pamundësia ekonomike e shumë të rinjve për t’u arsimuar, pamundësia financiare për t’u pajisur me libra, mungesa e burimeve të formalizuara të informacionit, stresi individual dhe kolektiv, mugesa e solidaritetit, qëndrimet diskriminuese ndaj më të varfërve etj. ishin disa nga përgjigjet që mora në këtë orë të parë të mësimit.
Sociologjia është një disiplinë e aplikuar dhe akademike, kërkimi i së cilës shtrihet që nga kultura, vlerat, shoqërizimi, bashkëpunimi, deri te pabarazinë, deviacionin, rendin, dhunën dhe ndryshimin shoqëror që aq shumë e dëshirojmë dhe këta të rinj, si të gjithë ne, e aspirojnë.
Shkolla nuk përfaqëson vetëm atë institucion që zhvillon detyrën e të mësuarit të aftësive dhe të dijeve, por ajo është edhe një agjenci shoqërizimi, që edukon vlera të caktuara dhe rregulla të bashkëjetesës civile. Përmes procesit të shkollimit, edhe vetë shoqëria garanton një nivel të caktuar solidariteti dhe njësimi shoqëror, duke transmetuar tek anëtarët e saj ndjenjën e përkatësisë dhe të besnikërisë tek e njëjta kulturë dhe tek i njëjti grup, një ndër të cilët është edhe grupi që krijojnë të rinjtë studentë që sapo kanë nisur vitin e ri akademik.