E enjte, 07.11.2024, 12:43 PM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Të “zgjedhësh” vetëvrasjen…

E marte, 13.01.2015, 08:10 PM


Të “zgjedhësh” vetëvrasjen…

Nga Entela Binjaku

Kur në ditët e fundit të dhjetorit  një qytetar  rreth të 50-tave nga Lushnja i dha fund jetës në qeli, ndërsa vuante izolimin,   ngjarja mori përmasa të mëdha. Vendi ku u krye i dha një tjetër dimension. Arsyeja e ndalimit e bëri këtë ngjarje edhe më të bujshme.
Kur  në po ato ditë  me rastin e mësipërm, një djalë rreth 27 vjeç,  emigrant në Greqi, i dha fund jetës, disa ditë ishte pasi ishte kthyer nga emigrimi, në familjen e tij në Burrel,  askush nuk  u nxit të pyeste se cila ishte gjëndja  që e çoi drejt këtij akti…Falë medias shoqëria mësoi se ishte nëna  e para që e gjeti në frymën e fundit…Por as për të ndjerin,  sesi erdhi në këtë situatë, e  as për nënën e tij sesi do të mund të jetojë me këtë brengë….
Ndërkohë që  një djalë rreth të 30-ve në kryeqytet i dha fund jetës duke u vetëvarur në shtëpi, askush nuk mësoi përse e bëri, asnjë nuk u nxit të pyeste se si e kishte nisur bixhozin…dhe a ishte varësia që e nxiti të kryente këtë tragjedi….
Ndërsa  një tjetër qytetar shqiptar, 42 vjeç, nga Berati,  i dha fund jetës në qelitë e izolimit për të u tha se ishte ai që disa muaj më parë ishte bërë “i famshëm” sepse “i kishte  kafshuar  hundën gruas”…Vetëm kaq…Po cili ishte, si kishte qenë jeta e tij, a mund të shpëtohej nga ky akt…për këtë as sot nuk dimë të themi…
Në ditët e para të vitit që sapo ka hyrë,  i  dha fund jetës një tjetër qytetar shqiptar.  Për të u tha se ishte pronari i “Antegrandit” lokalit të natës që u bë i shumënjohur për shkak të një krimi të përmasave të mëdha të ndodhur dy muaj më parë. Në kushtet e “vuajtjes” së ndalimit në banesë, zotëria në fjalë, rreth të 50-tave i dha fund jetës. Nëse nuk do të kishte ndodhur krimi i shumëfishtë ku djali i një deputeteje, ju mori jetën 4 njerëzve, ndoshta ky akt nuk do të kishte ndodhur…Ndoshta…por askush nuk e di më këtë.
Dy ditë më parë, një djalë 16 vjeç i dha fund jetës në fshatin Tresh  të Lezhës.  Nga mediat mësuam se ai kishte ndërprerë shkollën për shkak të vështirësive financiare dhe aktualisht ruante bagëtitë…Po cilat ishin aspiratat e tij për jetën, a mund të ishte shmangur kjo tragjedi në familjen e tij…këtë nuk kemi më asnjë mundësi ta mësojmë…është tepër vonë..
E përbashkëta e këtyre historive të jetëve të ndërprera përveç gjinisë,  është  se të gjithë i kanë dhënë fund jetës brenda një  hark kohor prej jo më shumë se 40 ditësh. Në vetëm një rast shoqëria reagoi dhe ky ishte rasti kur në të mori pjesë politika. Në të gjitha historitë e tjera politika nuk u përfshi, nuk tha asnjë fjalë, a thua se jeta e të gjithëve nuk vlente njëlloj, dhe vëtëm historia e njërit prej tyre ishte arsye për t’u trajtuar.
Një nga studimet më të famshme të fushës së sociologjisë është vepra e Dyrheimit me titull  “Vetëvrasja”  e botuar në vitin 1897, ku sociologu francez, kundër shpjegimeve të mëparshme psikologjike, të cilat i gjenin shkaqet e rritjes së vetëvrasjeve në akte individuale, tregoi, me ndihmën e statistikës, se këto ishin në fakt mbi të gjitha shoqërore.
Konkluzionet, në të cilat ai arriti qartësojnë më vonë konceptet e solidaritetit shoqëror dhe të anomisë, koncepte me të cilat po përballet dhe shoqëria jonë.
Në morinë e rasteve që shqyrtoi ai nënvizoi tre tipa vetëvrasjesh dhe konkretisht:
1. Vetëvrasja altruiste që ndodh në ato shoqëri ku mbizotëron solidariteti mekanik dhe ndërgjegjja kolektive.  Në këtë lloj shoqërie  individi mund të heqë dorë nga jeta sepse ndjehet sikur ka humbur funksionin e tij në shoqëri;
2. Vetëvrasja egoiste që ndodh atëherë kur individualizmi mbizotëron mbi kohezionin shoqëror;
3. Vetëvrasja anomike që është një dukuri tipike e shoqërive moderne. Në këto shoqëri zhvillimi ekonomik e shtyn individin të besojë se çdo mjet është i arritshëm. Por  vështirësitë reale për të realizuar dëshirat, bëjnë që tek ai të lindin ndjenja pakënaqësie, të cilat  mund ta çojnë në vetëvrasje.
Vetëvrasja anomike  risolli  në vëmendje problemin e çekuilibrit të shoqërive industriale dhe post-industriale.   Ndaj, Dyrheimi pohon nevojën e një autoriteti moral laik që të promovojë ndërgjegjen e  vlerës së bashkëjetesës civile;  kjo lloj ndërgjegje duhet të  dalë kundër çdolloj  ideologjie për të cilën qëllimi i vetëm në jetë është përparësia ekonomike, atje ku duhet të synojë njeriu. Nga ballafaqimi i të dhënave të shkruara 100 e ca vjet më parë, me ato të ditëve tona, del se përfundimet e Dyrheimit, në tërësi, janë aktuale.
Dyrheimi thekson se sociologjia, si shkencë pozitive, duhet të shpjegojë një realitet më pranë nesh, në mënyrë që të jetë  në gjendje të prekë idetë dhe veprimet tona.
Ndaj sipas tij,  “nevoja e zhvillimit të sociologjisë shkon në raport me problemet shoqërore që duhen zgjidhur”.
Shkenca e sociologjisë, në kuptimin që ka sot,  në vendin tonë është ende e re në kontribute  e megjithatë  edhe pse  ka thuajse të njëjtën moshë me tranzicionin shqiptar, sërish ka detyrimin t’u japë  shpjegim morisë së dukurive shoqërore në  këto 25 vite ndryshimesh.
Kur dukuri të tilla përsëriten shpesh, kur ato mbeten thjesht në kuadrin e evidentimit dhe të statistikave, është e natyrshme që studiuesit të ngrenë zërin për të përforcuar ato politika që shkojnë në shërbim të çdo qytetari për të kursyer çdo jetë të shenjtë.
Tabloja e jetës shoqërore shqiptare e këtij fillimviti ka nevojë të njihet në të gjitha dimensionet e saj, sepse kudo ku jetojnë,  shqiptarët duhet të ndihen pjesë e integruar e shoqërisë dhe të ndjejnë vëmendjen shoqërore.
Ndaj shërbimi social shqiptar, në kuptimin praktik dhe konkret të tij,  duhet të jetë më i pranishëm dhe të japë kontributin e tij të gjithë  qytetarëve që gjenden në vështirësi. Por në mënyrë që edhe  reagimi i qytetarëve të mos jetë i fragmentarizuar, selektiv  dhe i përdorur politikisht, është e nevojshme që shoqëria të njohë edhe masat që shteti ndërmerr, apo ato aktivitete që nuk i ndërmerr,  për të kursyer çdo jetë.
Vetëm duke njohur çdo rrëfim apo histori jete, duke ofruar solidaritet gjithëkujt që ndjehet në vështirësi,  dhe duke rritur presionin qytetar  ndaj  shtetit  për të ndihmuar e shërbyer  jetëve të  qytetarëve, do të mundemi të reagojmë me të njëjtin shqetësim dhe të njëjtën ndjeshmëri ndaj cilitdo që gjendet në vështirësi në mënyrë që të mos i duket  vetëvrasja si  zgjidhja e fundit e mbetur,  e vetme.



(Vota: 19 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora