Editorial » Entela
Entela Binjaku: Aktiviz(i)mi i të rinjve tanë…
E shtune, 05.07.2014, 07:44 PM
Aktiviz(i)mi i të rinjve tanë…
Nga Entela Binjaku
Aktivizimin e të rinjve tanë në aktivitete të ndryshme social-argëtuese dhe vullnetare është një gjë që mezi arrijmë ta kemi. Për disa arsye. Kjo sepse një pjesë e madhe prej tyre, përtojnë, një pjesë tjetër nuk e vlerësojnë duke e shpërfilluar ose paragjykuar.
Ka një pjesë tjetër që pasi nuk e kanë provuar as ndjesinë shpirtërore që përftohet në këto raste, as nuk arrijnë ta pranojnë si nevojë të tyren.
Aktivizimi i të rinjve edhe kur ndodh, zakonisht ndodh për çështje të “lidershipit” ose diçka e lidhur me oreksin e të ardhurve në pushtet, ku vetëkuptohet “vullnetarizmi” merr një kuptim tërësisht shqiptar.
Megjithatë ka në radhët e të rinjve tanë ka edhe nga ata që pëlqejnë të jenë aktivë, që duan të japin një kontribut sado modest, që nuk dëshirojnë të rrinë kafeneve por të vibrojnë në drejtim të kauzave të ndryshme sociale.
Por, edhe kur gjenden të tillë, forca e presionit të masës i tërheq pas në atë drejtim sa ju duhet të tregojnë një vullnet të jashtëzakonshëm dhe një kurajo psikologjike të atillë, që të mos heqin dorë dhe angazhimin ta çojnë deri në fund. Kjo është një situatë që tashmë njihet mirë dhe po të mos punohet në drejtim të rregullimit të saj, akivizimi i të rinjve shqiptarë në drejtim të komunitetit do të mbesë një “realitet i largët”.
Kjo ishte arsyeja pse ju bashkova nismës së dy vajzave, studente në një nga Universitetet e Tiranës të cilat dëshironin të tregonin kujdes për fëmijët që jetojnë një situatë specifike në dallim nga të tjerët: ata që jetojnë në shtëpinë e Fëmijës.
Për këtë ato ju drejtuan shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” në kryeqytet me dëshirën që një fundjavë ata fëmijë ta kalonin në shoqërinë e studentëve në një mjedis argëtues jashtë kësaj shtëpie.
Paraditen e së shtunës në mjediset e qendrës “Lodrojmë sëbashku” u mblodhën rreth 12 fëmijë nga shtëpia “Zyber Hallulli”, të cilëve ju ofrua mjedisi me lodra të ndryshme, dy fëmijë të talentuar akrobatë nga trupa Kombëtare e Cirkut, Kllouni i këtij cirku. Këta artistë sëbashku me profesorin e tyre bënë disa prezantime simpatike, të këndshme dhe befasuese, numrash shpejtësie për fëmijët të cilët u bënë shpejt pjesë e këtyre lojrave.
Ndërkohë në bisedat që pata me ta i pyeta se cilat ishin pasionet e tyre dhe ndër ta kishte që pëlqenin futbollin, Brazilin e kishin skuadrën e zemrës, ndërsa Mesi ishte lojtari i preferuar.
Nga vajzat Alisa, dëshironte të bëhej aktore, për të cilën tha se “e kishte ëndërr”. Nga lëndët që mësonin në shkollë gjeografia dhe biologjia ishin më të dashurat, ndërkohë që Mogito pëlqente gjuhën shqipe.
Një pjesë prej tyre kishin disa vite në këtë shtëpi, Fatjoni për shembull kishte 9 vjet, por kishte dhe nga ata që kishin më pak se 1 vit, ose 4 vjet dhe ishin transferuar nga Berati apo Korça. Kujtimet e shtëpisë së mëparshme ishin ende të dashura.
Megjithë rastet e veçanta që paraqesin, ku dikush nuk i ka parë prindërit prej vitesh, kur dikush takon vëllezërit dhe motrat por jo nënën dhe babain, kur dikush takon nënën e cila edhe pse jeton në Greqi vjen e takon, e përbashkëta ishte se të gjithë pohonin se në këtë shtëpi pëlqenin “çdo gjë” por mbi të gjitha shoqërinë me njëri-tjetrin.
Në këtë paradite të ndjerë e të ngrohtë komunikimi duhet të pohoj se fillimisht përshtatja me mjedisin dhe të panjohurit kërkonte një lloj energjie dhe besimi se ata do ta mirëprisnin dashamirësinë njerëzore për t’u qëndruar pranë, qoftë edhe për disa orë të paradites.
Ky aktivitet është i pari i këtij lloji ku merr pjesë Fondacioni “Harriet Martineau”. Si i tillë kjo përvojë do të hyjë në kujtesën e tij si një nga aktivitetet më të dashura dhe më të vlefshme në shërbim të njohjes së shoqërisë sonë.
Por që këto aktivitete të mos mbesin të izoluara, që të rinj të tjerë të bashkohen në nisma sociale që kanë shumë nevojë për praninë dhe angazhimin e tyre, nevojitet që ata të rinj të cilët tregojnë një lloj gadishmërie për të qenë aktivë në jetën komunitare, të mbështeteten, inkurajohen, të mos paragjykohen apo neglizhohen, sikundër rëndom bëjmë ne të rriturit…Edhe pse e dimë farë mirë që kemi nevojë për energjinë dhe kreativitetin e tyre…
Këtë shkrim mund ta përfundoja duke përshkruar edhe përpjekjet që këto dy vajza kishin bërë për të shtuar numrin e radhëve nga bashkëmoshtarët e tyre…
Por, po jua lë ta merrni vetë me mend…fundja të gjithë pjesë e kësaj shoqërie jemi dhe e dimë sa e vështirë është t’i aktivizosh në kauza sociale si vullnetarë e t’i largosh nga apatia që shpesh preferojnë.
Megjithatë për pak optimizëm realist duhet të them se ka në radhët e shoqërisë sonë edhe nga ata që e kanë proritet ofrimin e aktiviteteve argëtuese për zhvillimin e fëmijëve dhe që mirëpresin çdo kontribut në ndihmë të tyre…e tillë është dhe shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”.