Editorial » Entela
Entela Binjaku: “Një mbrëmje promovuese”
E merkure, 05.02.2014, 08:05 PM
“Një mbrëmje promovuese”
Nga Entela Binjaku
Mënyra sesi i afrohen të rinjtë universit të të mirave kulturore është jashtëzakonisht e rëndësishme për jetën e tyre. Kjo mënyrë bëhet përcaktuese për sociostilin kulturor që nënkupton tërësinë e sjelljeve dhe preferencave për konsum kulturor që kanë lindur gjatë socializimit parësor dhe vazhdon në të gjitha sjelljet e mëvonshme.
Prandaj dhe ushqimi kulturor është i rëndësishëm dhe përcakutes që në periudhën e fëmijërisë.
Të rinjtë shqiptarë, pra ata që sot janë rreth të 20-tave, që kanë filluar të “ushqehen” kulturalisht në këto dekada ndryshimesh, po t’u drejtosh pyetjen: “Si e kalojnë kohën e lirë”? përgjigja më e zakonshme dhe më e kudogjendur është: “dalim... pimë ndonjë kafe”. Nuk bëhet fjalë për sport, për lëvizje, për lexim artistik etj.
Kjo shprehje është aq e pranishme tek ata sa do të çuditeshim po të dëgjonim ndryshe. Por edhe po t’i pyesësh sesi argëtohen gjatë kohës së lirë, përgjigja është po e njëjta.
Duke e vlerësuar kohën e lirë si ekzistenciale për njeriun e sotëm, duke e konsideruar këtë segment të kohës të cilit i jepemi me vullnetin tonë, si shumë të rëndësishëm për funksionet që ai kryen, menduam të zhvillojmë një aktivitet të kohës së lirë për të rinj.
Në kalendarin e aktiviteteve për vitin 2014, fondacioni ka planifikuar disa të tilla, por nisur nga periudha e sezonit të provimeve vendosëm të sjellim një pasdite që do t’i shkëpuste të rinjtë nga një aktivitet me angazhim të lartë sic është ai i të studiuarit.
Këtë vendosëm ta organizojmë me vajza dhe djem universitarë, në vitin e parë, me rezultatet më të mira të shkollave tona të mesme, për të cilët studimi ka qenë një fokus kryesor dhe i vazhdueshëm. Fjala është për të rinj studentë të fakultetit të stomatologjisë. Në qendër të këtij aktiviteti vendosëm promovimin e librit, muzikës, instrumentistëve, fjalës poetike, dhe risisë që sjell teknologjia. Për këtë arsye u treguam të kujdesshëm në përcaktimin e kohës kushtuar secilit komponent ku ekuilibri merrte një vlerë të madhe.
Mbrëmja nisi me promovimin e librit elektronik: “Një copëz Shqipëri”, më tej me intervistën tejet interesante të botuesit të saj shkrimtarit Albatros Rexha, i cili foli për konceptin e filozofisë urbane shqiptare, duke shpalosur edhe elementë nga romani i tij të botuar disa muaj më parë “Edith”. Por edhe njoftimi për romanin e ardhshëm “zonja Z” nga të pranishmit u prit mjaft mirë.
Më tej u vazhdua me prezantimin e poezisë “Heshtje” fituese e çmimit të dytë në konkursin ndërkombëtar “Nosside” në Itali. Ilir Hysenaj është një djalë i diplomuar në shkenca politike dhe komunikim, por që duke ndjekur pasionin e tij e dërgoi këtë poezi në një konkurs mes 361 poezive pjesëmarrëse në 64 gjuhë të botës, duke e renditur veten të dytin. Fotoja që tregonte castin e dhënies së çmimit, u duartrokit fort, por edhe intervista me të ishte jashtëzakonisht interesante. I pyetur mbi ndjesitë e tij pas marrjes së çmimit, ai u shpreh se “pas kthimit në Shqipëri, u ndjeva bosh. Askush nuk më pyeti për këtë çmim, dhe askujt veç familjes nuk i interesoi”. Iliri na rrëfeu edhe për mungesën e një konkursi poetik për të rinj në vendin tonë. Në synimet e tij të ardhshme ai pohoi se qëndronte dëshira për një botim të poezive të përmbledhura.
Një nga momentet kulmore të kësaj mbrëmjeje ishte prezantimi i një të riu student të Fakultetit të Stomatologjisë i cili pasionin për kiminë, e materializoi një një botim me ushtrime të avancuara kimie. Elsad Cukali, student, 18 vjeç tregoi sesi kishte lindur ky pasion për të.
“Në klasën e 10-të një shok imi shumë i apasionuar pas letërsisë botoi një libër dhe aty unë i thashë vetes, po unë që kam pasion kiminë, pse të mos botoj një libër? Duke falënderuar kolegët e tij Elsadi tregoi një detaj që vlen shumë: “edhe pse kemi vetëm dy muaj që njihemi, më dukeni sikur ju njoh prej vitesh” .
Ndër momentet më të bukura të kësaj mbrëmjeje ishin jo vetëm intervistat, por edhe shoqërimi muzikor. Të tjerë të rinj luajtën në instrumenta duke prezantuar veten dhe muzikën që bëjnë para një audience të rinjsh, bashëkmoshatarë të tyre. Pjesë të zgjedhura nga repertori i fizarmonikës dhe flautit dhe violinës sollën më pranë këto instrumenta që njihen fare pak.
Për studiuesit funksionet që përmbush koha e lirë janë ato të pushimit, të argëtimit dhe të zhvillimit të personalitetit. Nga menyra sesi e kalojnë kohën e lirë të njerëzit ne mund të vlerësojmë edhe mbi stilin e tyre të jetesës, e prej aty dhe mbi cilësinë e jetës. Duke u përqëndruar tek të rinjtë, koha e lirë i ndihmon të integrohen ne jetën e grupeve që krijojnë, formale dhe joformale, ajo kultivon aftësi që ata i fitojnë në shkollë, duke zhvilluar vlerësimin për fizikun, për ndjeshmëritë njerëzore, për mendimin logjik.
Pavarësisht se i njihen si “merita” kohës së lirë, këto funksione gjenden thuajse në cdo aktivitet njerëzor, por herë fiton terren njëri, herë bëhet mbizotërues tjetri.
“Një mbrëmje promovuese” rezultoi një aktivitet që u pëlqye për të cilin komentet nga të rinjtë pjesëmarrës ishin nga më entuziastet dhe kërkesa për më shumë aktivitete të tilla lindi natyrshëm. Në këtë mbrëmje sëbashku dhe në mënyrë të njëkohshme të rinjtë u takuan me librin, me dijen, me pasionin dhe muzikën serioze interesi për të cilat është i madh në radhët e tyre, por kur stimuli mungon, ky interes fle. Me kohën i heshtur, humbet...
Kryeqyteti nuk ofron mjedise socializuese të tipit “Tirana art space”, si ky ku u zhvillua aktivititeti në fjalë, ndërsa nëpër rrethe të tjera të vendit as që bëhet fjalë.
Libraria elektronike dhe libri elektronik janë risi dhe pak të njohura, ndaj dhe paragjykimi ndaj tyre në përgjithësi është i lartë. Por në këtë rast risia dhe tradita u shkrinë aq natyrshëm me njëri-tjetrin, sa ky paragjykim mbeti fare jashtë dhe as nuk e pamë askund.
Ndërkohë, takimi i të rinjve me poezinë është edhe më i rrallë. Por duke vendosur përballë, nga njëra anë një poezi fituese e të vlerësuar me çmim ndërkombëtar, dhe nga ana tjetër pohimin e trishtë të një të riu të apasionuar i cili dëshmonte indiferencën e madhe që kishte hasur në vendin tonë, mesazhi ishte mëse i qartë. Të rinjtë kanë nevojë të mbështeten, të ndajnë ndjesitë e bukura dhe të ndihmojnë kultivimin e shijes artistike. Ndërkohë pasioni për shkencat e natyrës, në një vend si yni ku nuk ka “vend për këtë pasion” ishte dëshmia më e mirë se kjo këmbanë duhet të bjerë me fort.
“Një mbrëmjë promovuese” na shërbeu të kuptonim sa pak i njohim të rinjtë, sa pak bëjmë për nevojën që ata kanë për argëtim, për kulturë, për socializim. Mbase kështu nisim të ndryshojmë diçka...Mbase dhe kemi filluar....mbase...