Editorial » Entela
Entela Binjaku: Në qytetin e tyre...pa biletë
E diele, 19.10.2014, 05:30 PM
Në qytetin e tyre...pa biletë
Nga Entela Binjaku
Të rinjtë në Shqipëri, ata që kanë lindur në këto dy dekada e gjysmë jetojnë një mungesë të lartë aktiviteti dhe veprimi në fusha të ndryshme të jetës shoqërore në vend. Nevoja që shoqëria jonë ka për energjinë dhe potencialin e tyre është e madhe, por impakti i kësaj energjie dhe vitaliteti i aksioneve rinore është thuajse i pandjeshëm për aq sa është i pamjaftueshëm.
Papunësia e madhe në radhët e tyre, numri i lartë i të rinjve ndër ata qytetarë që vuajnë dënimet në institucionet e izolimit, pjesëmarrja e vakët në aksionet e shoqërisë civile, numri i ulët i nismave që ndërmerren prej tyre, orët e gjata që shpenzojnë në mënyrë inaktive nëpër kafene, aksionet e pakta vullnetare që kryejnë për nevoja të ndryshme të shoqërisë, flasin për një apati rinore që të dëshpëron. Arsyet për këtë janë nga më të ndryshmet. Nisin që nga mungesa e perspektivave për të ardhmen, zhgënjimet e të rinjve nga pritmënitë e krijuara, stereotipizimi i aksioneve vullnetare, dembelizmi i kultivuar nga mungesa gjatë e aktivitetit, kultura e paragjykimit të çdo risije, etj.
Në këtë ide për një rini joaktive ka ndikuar edhe fakti se edhe aktivitetet që ata kryejnë, nuk gjejnë pasqyrim në mjetet e komunikimit masiv dhe shoqëria e gjerë, falë mungësës së këtij pasqyrimi, nuk arrin të mësojë për to. Herë për shkak se media nuk tregon interes duke i paragjykuar aksionet e tyre “si pa ndonjë vlerë”, herë sepse edhe në radhët e aktivistëvë të rinj nuk ka zënë vend kultura e të komunikuarit përmes artikujve, shoqëria nuk arrin të informohet për aksionet e tyre kaq të nevojshme në mënyrë që të vlerësojë ndihmën për ta.
Megjithatë edhe në rastet kur të rinjtë guxojnë, kanë ide, nuk përtojnë, përdorin energjinë e moshës dhe kreativitetin, ata hasin vështirësi në radhët e të rriturve që jua fikin edhe atë rreze të natyrshme që ju lind. Kjo kryesisht prej shpërfilljes, mungesës së mbështetjes morale dhe financiare, ofrimit të një ashtuquajture mbështetje por që shpejt shndërrohet në pasiguri, zhgënjim për shkak të mos mbajtjes së fjalës.. Vërtet, ku ka shkuar fjala e shqiptarëve?...E kemi pasur dhe si pjesë të krenarisë së kombit, mbajtjen e fjalës së dhënë apo siç kanë thënë të parët tanë: “shqiptari kur jep fjalën, ther djalën”. As në këtë rast nuk duhet të harrojmë paragjykimet dhe mungesën e besimit për atë që të rinjtë mund të bëjnë.
Këtë fundjavë një nismë rinore erdhi nga ana e një grupi studentësh nga qyteti juglindor i Korçës të cilët realizuan një projekt me titullin: “Historia e qytetit tonë, pa biletë".
Ky grup i quajtur "Bashkë për ide" e nisi punën e këtij projekti që prej 10 gushtit me synimin për të risjellë në fokus të gjitha aspektet që përbëjnë vlerat korçare.
Me dëshirën për të treguar se këto vlera kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë, me pohimin se ata ecin në gjurmët e të parëve, të premten e 17 Tetorit, këta të rinj arritën të mbledhin sëbashku të gjitha grupmoshat e qytetit.
Në zonën e pedonales, përballë Katedrales, gjatë gjithë ditës qëndroi hapur një ekspozitë që përmbante punime qeramike, arkitekturën e vjetër në foto, punime artizanale nga zonjat korçare, traditën e gatimit, punime nga persona me aftësi të kufizuar, arti muzikor etj.
Që nga mëngjesi e deri në mbrëmje vonë, të katër muzetë e qytetit ishin të hapura, hyrja pa biletë, ku të rinjtë i nxisnin qytetarët dhe nxënësit e shkollave të qytetit t’i vizitonin ato.
Aktiviteti kulmoi në orët e mbrëmjes me zhvillimin e një shfaqjeje për qytetarët e pranishëm. Nëpërmjet një sfilate me kostume popullore të zonës, disa video me intervista të përgatitura me pjestarë nga familjet më të njohura korçare, serenatat e kënduara nga grupi i fëmijëve, kjo mbrëmje u mbyll me një ballo të improvizuar të viteve ‘20-‘30, traditë për këtë qytet.
Në shenjë falënderimi për pjesëmarrësit ky grup të rinjsh kishte menduar edhe një ceremoni kokteili gjatë së cilës njerëzit shkëmbyen emocione dhe përshtypje.
Në këtë aktivitet u mbajtën dhe disa fjalë përshëndetëse.
Fillimisht foli Kryetari i Bashkisë, më tej Rektori i Universitetit “Fan Noli” i cili i kishte ndihmuar shumë të rinjtë në këtë nismë, nisur edhe nga fakti se një pjesë e madhe prej tyre ishin kryesisht studentë të këtij universiteti.
z. Kolevica një prej artistëve më në zë të këtij qyteti, foli për rëndësinë që ka nxitja e arsimit profesional edhe në fushën e punimit në qeramikë e gdhëndjes në dru, në mënyrë që kjo traditë të mos humbasë dhe të përcillet edhe më tej në breza.
Ndër të ftuarit, unë isha e fundit që mbylla fjalët përshëndetëse ku theksova rëndësinë që ka mbështetja që shoqëria jonë duhet t’u japë nismave të bukura, të dobishme, të nevojshme për të gjithë.
“E prita me kënaqësi shumë të madhe këtë ftesë. E para, sepse më pëlqeu nisma dhe e kam mbështetur që sapo organizatoret më folën për të, e dyta sepse më kishte marrë malli për Korçën dhe e treta sepse e quaj shumë të domosdoshme mbështetjen që duhet t’u japim të rinjve që mendojnë për qytetin e tyre”.
Kjo ishte e para nismë e kësaj natyre, e ndërmarrë prej të rinjve dhuratë për bashkëqytetarët e tyre dhe një mësim për të gjithë të tjerët...Synimin për të zgjuar krenarinë qytetare përmes njohjes me vlerat e trashëgimisë kulturore ata arritën ta realizonin falë punës dhe përkushtimit, pjesëmarrjes por dhe mbështetjes. Pa këto elementë kjo nismë nuk do të kishte qenë e mundur.
Në një ditë Tetori ata na dhuruan historinë dhe trashëgiminë kulturore korçare, pa biletë...Jeta kulturore nëpër qytetet e Shqipërisë është po aq e varfër sa edhe vetë shoqëria, por disa nisma duhen ndihmuar të mbeten të gjalla, ndryshe do të mbesim në analiza të krizave të identetit tonë kulturor.