E hene, 11.11.2024, 10:44 PM (GMT)

Mendime

Dilaver Goxhaj: Esse për deputetet kosovare

E merkure, 01.07.2015, 05:20 PM


ESSÉ  PËR  DEPUTETET KOSOVARE

Nga Dilaver Goxhaj

Duke ndjekur punimet e seancës plenare të datës 26 qershor 2015 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryekuvendari Kadri Veseli, në të cilën u shqyrtua propozim-amendamenti nr. 24 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i propozuar nga Qeveria e saj, e cila pas një maratonë diskutimesh të gjata përfundoi me mos pranimin e krijimit të Gjykatës Ndërkombëtare Speciale, veçan për  “krimet” e bëra nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër ushtrisë e policisë serbe, të cilat vranë mbi 12 mijë shqiptarë të pafajshëm e i groposën në 550 varre masive. Veç të tjerave, në atë séancë na tërhoqi vemendjen përmbajtja e diskutimeve dhe mosmiratimi i atij propozimi nga deputetet: Donika Kadaj-Bujupi, Valdete Bajrami, Xhevahire Ismaku, Ganimete Musliu, Albulena Haxhiu dhe Flora Brovina (abstenim), të cilat përbëjnë 1/5 e deputeteve shqiptare të atij kuvendi. Në fjalën e tyre nuk pati dallime oratorike nga ajo e deputetëve ish-luftëtarë: Ramush Haradinaj, Albin Kurti, Fatmir Limaj, Visar Ymeri, Glauk Konjufca e Nait Hasani, ku të gjithë këta deputetë e deputete me fjalën e tyre ngritën peshë shumicën e popullit shqiptar në mbrojtje të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë së saj Çlirimtare. Guximi i madh zëvendëson dijen e madhe. Ato gra deputete folën dhe votuan haptas me atë guxim ngaqë janë zemëruar me qëllimin e mbrapsht të ngritjes së asaj gjykate speciale dhe, kur gratë zemërohen, thotë Taciti, më lehtë kafshojnë hekurin e nxehtë sesa heqin dorë nga mendimi i lindur prej atij zemërimi.

Jo më kot historia e njerëzimit shprehet se në çdo shoqëri të dhënë, shkalla e emancipimit të gruas është kriteri i natyrshëm për të matur emancipimin e përgjithshëm të asaj shoqërie. Fjala e këtyre shoqeve deputete  nxiti edhe shumë burra deputetë të PDK-së qeveritare të votonin kundër asaj gjykate me tendenca të mirëfillta anti-UÇK.

Kushdo që e njeh sado pak historinë, e di se përmbysjet e mëdha shoqërore janë të pamundshme pa fermentin grua. Përparimi shoqëror mund të matet me saktësi sipas gjendjes shoqërore të gjinisë femërore. Vetëm duke parë e dëgjuar këto deputete nëna se si e mbronin tërë dinjitet e oratori të lakmueshme luftën e popullit të tyre dhe UÇK-në, bindesh, se është ajo Luftë Çlirimtare që e bëri të mundur faktin që gratë në Kosovë jo vetëm të zgjedhin deputetë, por edhe të zgjidhen masivisht e të mbajnë fjalime dinjitoze me të cilët të mbushin trupin gjithë mornica. Si të tilla, ato janë të detyruara dhe të afta që të marrin pjesë në luftën politike që zhvillojnë aktivisht burrat, në një mënyrë të tillë që para 16 vjetëve shumë nga ne do të na dukej e habitshme.

Në Luftën Çlirimtare të Kosovës ka pasur mbi 400 vajza e gra në rradhët e UÇK, madje edhe luftëtare të vijës së parë të frontit, të cilat përbënin dy për qind të të gjithë formacioneve të UÇK-së brenda në Kosovë. Ato e vulosën me gjak besnikërinë e tyre ndaj çështjes së lirisë së popullit shqiptar në Kosovë. Kështu që s’është për t’u çuditur që edhe në Kuvendin e Kosovës të kemi të tilla heroina të politikës, gjë që tregon pathyeshmërinë e ideve të asaj Lufte Çlirimtare, që ato e mbrojtën me dinjitet edhe në rastin e propozimit për ngritjen e një Gjykate Speciale kundër UÇK-së, rast unik në historinë e luftërave çlirimtare, ku kërkohet të dënohet ushtria që luftoi për të çliruar popullin, me mbulesën se “bëhet fjalë për individë të inkriminuar”. Ky justifikim është thjeshtë një gënjeshtër dhe asgjë tjetër, pasi dihet që gënjeshtra është feja e shërbëtorëve dhe e zotërinjve që nuk kanë kohë të skuqen. Nëse kjo gjykatë do të ngrihej veças “për individë të inkriminuar”, pse nuk i çojnë ata “individë” në Gjykatën e Hagës e cila u riaktivizua posaçërisht pasi mbaroi lufta në Kosovë dhe u pajis me kod të posaçëm penal, Statuti i Romës i datës 17 Korrik 1999? Pse nuk i çojnë këta “individë të veçantë” në atë gjykatë sikundër çuan Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, Lahi Brahimaj e shumë të tjerë, për deri sa “bëhet fjalë për individë të veçantë”, apo këta nuk quhen “individë të veçantë”?!

Me fjalimet që ato gra deputete mbajtën në këtë seancë plenare të Kuvendit të Kosovës, bindën cilindo që pati rastin ta ndiqte atë seancë, se gratë kosovare nuk vuajnë më nga sëmundjet karakteristike sentimentale të grave të llastuara e shtëpiake. Diskutimet e shoqeve deputete të mësipërme të bindin plotësisht se pa e tërhequr gjithë masën e grave në Kosovë në jetën politike të saj, pa i shkëputur ato nga atmosfera shtëpiake dhe e kuzhinës që i matufos, nuk mund të shkoi Kosova drejt vetëvendosjes, nuk mund të bashkohet Kosova me shtetin amë, sikundër ishte ideali dhe programi politik i asaj lufte çlirimtare dhe i ushtrisë së saj.

Fjala dhe votimi i atyre grave deputete kosovare në atë seancë parlamentare, ishte në një mënyrë të tillë që donte të thoshte: Ikni ju deputetët meshkuj që s’patët kurajon ta dënonit atë lloj Gjykate Speciale me personel të huaj, pasi nuk e meritoni të rini në krah të këtyre deputeteve!

Sikur Kuvendi i Kosovës të përbëhej jo më shumë se në 1/3 e vet me gra me kurajo si deputetet e lartpërmendura, që nuk u lëviz as qerpiku kur mbrojnë popullin e vet, merreni me mend se çfarë komb i tmerrshëm do të thirrej kombi shqiptar!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora