E merkure, 06.11.2024, 09:09 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Mbi 42 % të grave në Kosovë pranojnë dhunën

E diele, 19.04.2015, 09:22 AM


Një hulumtim i kryer nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF-i tregon se krahasuar me vende të tjera të rajonit dhe në botë, gratë dhe vajzat e Kosovës kanë tolerancë mjaft të lartë ndaj dhunës fizike, duke lënë pas në mënyrë të ndjeshme Malin e Zi dhe Serbinë, madje edhe Malauin në Afrikë dhe Vietnamin në Azi.

Megjithatë, krahasuar me vende të tjera, Kosova mbetet pas Zimbabvesë në tolerancën ndaj dhunës, duke qenë se kjo e fundit tregon normë më të lartë aprovimi të grave ndaj goditjeve dhe rrahjeve.

Të dhënat janë nxjerrë nga gjetjet kryesore të Anketës së Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë në Republikën e Kosovës (2013-2014), publikuar në fillim të javës.

Anketa e Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë është një studim ndërkombëtar që realizohet nga UNICEF-i prej disa dekadash, në bashkëpunim me institucionet e statistikave të vendeve përkatëse.

Lidhur me këto të dhëna, Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës ka thënë se problemi nuk duhet parë vetëm te burrat, por edhe te vetëdijesimi i dobët i grave.

“Na ka ndodhur t’i dëgjojmë me veshët tanë kur kanë thënë ‘mirë ia ka bërë burri që e ka rrahur se e ka merituar’, ndaj kemi të bëjmë me një problem real”, ka thënë Rogova.

Ajo shtoi se sipas vrojtimeve të organizuara nga RrGGK-ja, arsyeja kryesore e rasteve të dhunës në familje lidhet me situatën e rënduar sociale dhe ekonomike.

“Shkaku i parë i dhunës në familje është shkalla e lartë e papunësisë”, vëren Rogova. Papunësia ndiqet nga nepotizmi dhe varfëria, si arsyet kryesore me ndikim në dhunën në familje.

Ekzistojnë disa arsye, në të cilat dhuna konsiderohet e pranueshme. Rreth 33 për qind (32.9%) e grave të anketuara (mosha 15-49 vjeç) deklaruan se burri arsyetohet ta godasë ose ta rrahë gruan në rastet kur ajo del pa i treguar atij, kur neglizhon fëmijët, fjaloset me të, nëse refuzon të bëjë seks apo nëse djeg ushqimin.

Për të njëjtën pyetje dhe rrethana, gratë në Serbi e kishin parë dhunën si të arsyetuar në një nivel prej vetëm 3.8 për qind, ndërsa në Mal të Zi (viti 2013), 2.7 për qind. Republika e Kirgistanit, i përafrohet shumë perceptimit të grave të Kosovës mbi dhunën, duke shënuar një normë aprovimi prej 32.8 për qind.

Nëse kësaj liste u shtohen edhe disa “gabime” të tjera, norma e tolerancës ndaj dhunës nga gratë kosovare rritet nga 32.9 në 42.4 për qind. Këto rrethana shtesë janë: nëse ajo nuk kujdeset për punët e shtëpisë dhe higjienën, nëse nuk kujdeset për prindërit e tij, nëse ajo e bën burrin xheloz, nëse merr vendime për familjen pa u konsultuar me të.

Për të njëjtat grupe gabimesh, burrat shprehën aprovim për dhunën ndaj bashkëshorteve në masën 14.9 për qind për 5 gabimet e para dhe 21.9 për qind për 9 gabime në total. Ajo çka bie në sy është se burrat deklarohen aprovues ndaj dhunës fizike vetëm sa afërsisht gjysma e grave, ndërkohë që këto të fundit përfaqësojnë edhe viktimat e dhunës.

Ndërsa pakicat etnike, përfshirë romët, egjiptianët dhe ashkalinjtë e Kosovës janë trajtuar në një pyetësor më vete.

Sipas këtyre të dhënave, 74% e grave dhe vajzave nga këto pakica në Kosovë e konsiderojnë dhunën të arsyeshme për të gjitha rrethanat e mësipërme së bashku, përkundër 45 për qind të meshkujve nga të njëjtat komunitete.

Për të njëjtat komunitete, niveli i justifikimit të dhunës në Serbi llogaritet në 37%, sa gjysma e normës së aprovimit në Kosovë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora