E marte, 27.07.2021, 06:08 AM (GMT+1)

Lajme

Ebi: Dua të ngrihem në këmbë

E hene, 16.03.2015, 08:33 PM


DUA TË NGRIHEM NË KËMBË, TË ECI, TË FLAS, TË KËNDOJ, MOS MA SHEMBNI RRUGËN…

Thirrje e vogëlushes EBI, drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Mbretëreshës së Suedisë dhe shtetarëve të lartë kudo në botë:

Më quajnë Ebi. Vetëm një germë nuk e kemi të njëjtë, ashtu siç nuk e kemi të njëjtë fatin në jetë, një mal i lartë dhe një oqean i paanë na ndan.

Unë në janar nuk munda t’i shuaj nëntë qirinjtë e 9 vjetëve të jetës time. I shuan nëna dhe vëllai im. Nuk mund të ngrihem as ndenjur, as në këmbë, nuk mund të eci, nuk mund të flas. Vetëm një bëj, qaj dhe bërtas, herë – herë në kupë të qiellit. Zhurmat i kam tmerr.

Unë, kur mbusha gjashtë vjeç nuk munda të shkoj në shkollë të mësoj të shkruaj, të lexoj e të këndoj.

Më dhembin në shpirt të gjitha këto. E ndjej këtë në vështrimin e nënës, të babait, të gjyshit e të gjysheve. Ua shoh rrjedhën e lotit faqeve. Nuk mund t’ua thaj. Ua dëgjoj zërin e shqetësuar. Nuk mund t’i qetësoj.

Kam lindur, siç më thotë nëna ime, me një pjesë të trurit të bardhë, pa qeliza që komandojnë jetën e njeriut.

Nënën e kam mjeke. Ka dy diploma për mjekësi dhe farmaci. Ka edhe mastër. Është pedagoge në fakultetin e infermierisë në Universitetin e Mjekësisë. Babanë e kam specialist ndërtimi. Kemi shtëpinë tonë të mjaftueshme për të jetuar me prindërit dhe vëllanë tim shtatë vjeç. E kemi të ndërtuar jetën pa i shtrirë dorën kujt e pa marrë borxh në fund të muajit.

Dua të ngrihem në këmbë. Dua të hap krahët për të përqafuar babanë dhe nënën, gjyshet e gjyshin. Dua të shkoj në shkollë, të dal me shokët e shoqet e klasës shëtitje nga liqeni apo të ngjitem në Dajt.

Për këtë, në pamundësi që shërimin ta gjej në vendin tim, vendosa të shkoj ta kërkoj në Suedi. Më kishin thënë se është një vend human ku fëmijët trajtohen si engjëj.

U zhgënjeva. Zhgënjimi i madh më erdhi nga Ju i nderuar kryeministri im. Ju kishit qenë para meje në Suedi dhe kishit deklaruar se Shqipëria është vend i sigurt. Kaq ka mjaftuar që shqiptarët që për hall zbresin në Suedi të trajtohen pa nderë e dinjitet. Vetëm shqiptarët dhe asnjë komb tjetër trajtohet në këtë mënyrë.

Kam dhjetë ditë në një kamp refugjatësh. Jemi katër vetë në një dhomë. Jemi me një banjë kolektive. Kam dhjetë ditë që nuk jam larë. E dini se çfarë do të thotë të rrijë një fëmijë jo dhjetë ditë por qoftë edhe një ditë pa bërë banjë?

Kërkova nga ambasada e vendit tim në Stokholm ndihmë. Një zonjë më mbajti dhjetë minuta leksion me citime tuajat se “Shqipëria është vend i lirë…”, “Shqipëria është një vend i sigurt”, për të vazhduar me këshillat… “Nuk duhet të kishit ardhur…Duhet të ktheheni…etj., etj.”.

Shkuam në qendrën e pritjes së refugjatëve. Nëna ime që e zotëron shumë mirë anglishten u tha se kemi një javë pa u larë dhe të ushqyer si skllevër. U tha se po mos na pranoni na jepni pasaportat që na i mbani peng. U tha se do të kthehemi me biletat tona që i kemi prerë vajtje ardhje. U tha se kam të drejtë, bazuar në ligjet ndërkombëtare të qëndroj tre muaj. Bërtiti fort. Dhe kur bërtet ajo unë nuk mbahem. Shpërthej në lot dhe e ngre zërin sa dridhen muret.

Duket sikur u zbutën. Thanë se nesër do të na strehojnë në një shtëpi në Stokholm.

Shkuam të nesërmen. Nuk e mbajtën fjalën. Na thanë se pas dy ditësh do të na çojnë në një kamp refugjatësh në Veri. Ikim nga një kamp për të përfunduar në një tjetër! Si skllevër? Si kriminelë? Dhe kjo kur Bashkimi Evropian na e ka dhënë të drejtën të shkojmë në të gjitha vendet e të qëndrojmë tre muaj në gjashtë muaj.

Ju thashë se nëna ime është mjeke dhe pedagoge në fakultetin e infermierisë në Universitetin e Mjekësisë. Ka nëntë vjet që krahas kujdesit si nënë merret edhe me studimin e sëmundjes time. E kush më mirë se ajo mund të hyjë në bisedë me shkencëtarë të mjekësisë e të ndihmojë jo vetëm mua por edhe të gjithë fëmijët në botë me të njëjtën sëmundje si imja?

Nëna ime do të bëhet shkencëtare. Kam besim se ajo mund të më shërojë, të më ngrejë në këmbë…

Dua të jetoj i nderuar kryeministri im, kryeministra, presidentë e mbretër në botë. Dua të ngrihem në këmbë, të eci, të vrapoj. Mos ma prisni rrugën me ligje e marrëveshje qeverish e parlamentesh. Brezi im do t’i ndryshojë e përshtasë me ligjet natyrore.

Pushtetarët, ata që i kanë vjedhë Zotit frenat e jetës për t’i përdorë sipas dëshirës, do të thonë si e ke shkruar këtë letër kur nuk di shkrim e këndim, as flet e as ngrihesh në këmbë?

E kam shkruar me shpirtin e një fëmije që flet në gjuhën e vet, gjuhën e shenjave të Zotit, një fëmije që thotë: mos ma prisni rrugën, mos më dilni përpara, mos ma zëni atë. Zoti më dha jetë për ta jetuar atë.

U bëj thirrje të gjithë atyre që i lexojnë këto radhë t’i përhapin ato, t’i përkthejnë në gjuhët e botës së qytetëruar e t’ua përcjellin mbretërve, mbretëreshave, presidentëve, kryeministrave në gjuhën e vendit të tyre me thirrjen time:

MBYLLNI FABRIKAT E BAROTIT QË ÇDO VIT VRASIN MILIONA FËMIJË DHE HAPNI SHKOLLA, UNIVERSITETE, INSTITUTE PËR NGRITJEN NË KËMBË TË FËMIJËVE SI UNË.

Shpresoj që këto radhë t’i lexojë ndokush edhe në Suedi, t’i përkthejë dhe t’ia përcjellë edhe mbretëreshës e princeshës së vendit. Mbase i lexojnë dhe shtrijnë dorën që unë të ngrihem në këmbë. T’i lexojnë e mendojnë jo vetëm për mua por për të gjithë fëmijët që ëndërrojnë të ngrihen në këmbë, të flasin, të bërtasin, të këndojnë e vallëzojnë, t’u hapë portën e madhe të zemrës të popullit suedez humanizmi i të cilit është i njohur kudo në botë.

Zoti që më krijoi mua më ka vënë dhe ju ka vënë në provë. Në qoftë se nuk shërohem atëherë hapni sa më shumë institute ku të mblidhemi të gjithë ne të pashpresët e jetës. Atëherë, dhe vetëm atëherë, mund të deklaroni se “Shqipëria është një vend i sigurt”, “Bota është e sigurt”…

Ngrini lart zërin për mua dhe të gjithë fëmijët në botë që duan të ngrihen dhe ecin përpara…

EBI

Suedi 0046727854979



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora