
Kryeministri Edi Rama dhe Kosova
në Bukuresht
Nga Baki Ymeri
Se Rumania ka qenë gjithmonë motra më
besnike e Shqipërisë, dëshmon edhe vizita e suksesshme 27 shkurtit të
Kryeministrit Edi Rama në Bukuresht. Rumania është vendi i parë në botë që e
njohu pavarësinë e Shqipërisë, fill pas shpalljes së saj. Si pasojë e politikës
destruktive të ish-presidentit Basescu, Rumania ende nuk e ka njohur Kosovën, por
bashkëveprimi i Kryeministrit shqiptar me Kryeministrin Rumun Victor Ponta,
pritet të japë rezultate konkrete edhe në këtë drejtim. “Kryeministri Edi Rama
është një mik i ngushtë dhe partner i afërt në të gjitha projektet e
përbashkëta të cilat Rumania dhe Shqipëria i kanë në ardhmëri.
Dëshirojmë që Rumania të mbetet krejt kohën një
ndihmesë e rrugës për integrim europian të Shqipërisë!”, ka theksuar Victor
Ponta në Facebook.
Takimi i
burrave të lartë të shtetit shqiptar dhe atij rumun ishte tejet konstruktiv.
Nuk është hera e parë kur Rama viziton Bukureshtin dhe Ponta Tiranën. Sipas
lajmeve (HotNews.ro), “Kryeministri i Shqipërisë, i ndodhur në vizitë në
Bukuresht, kërkoi përsëri që Rumania ta njohë Kosovën”. “Vij disa herë
sipas rradhës me kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës si shet, dhe
poashtu, me kërkesën që Rumania të ofrojë përkrahje permanente që
ky vend të bëhet anëtare në këtë bashkësi vendesh në familjen ku ajo bën pjesë.
Ne kemi bindjen se tashmë çështja e njohjes së Kosovës nuk është një çështje
bilaterale, por është një çështje e përbashkët që na preokupon të gjithëve për
sigurimin e paqës rajonale dhe për të gulçuar disa tendenca dhe frustrime të
vendeve tjera fqinje”, theksoi Edi Rama para kryeministrit Pointa, sipas
Mediafax.
Autore e
artikullit është Alina Neagu, e cila përmend faktin se edhe në nëntor të vitit
2013, kryeministri i Shqipërisë e pat vlerësuar qëndrimin e kryeministrit Ponta
lidhur me Kosovën, duke precizuar se po pret me padurim që njohja e Kosovës nga
shteti rumun të zgjidhet sa më parë, gjë që do të kontribuojë në qetësinë dhe
zhvillimin e rajonit. Gjatë verës së atij viti, kryeministri Ponta pat
deklaruar se Rumania nuk ngurron të pohojë se do ta
njohë pavarësinë e Kosovës. Më vonë, në nëntor 2013, Ponta, i ndodhur në
Washington, ia ka thënë nënkryetarit amerikan, Joe Biden, se më 2014 “nuk do të
ndodhë gjë” sa i përket njohjes së Kosovës, por më 2015 Rumania do të ketë një
pozitë të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.
Përndryshe,
sipas shtypit shqiptar, Kryeministri shoqërohej nga Ministri i Mirëqenies
Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, Kreu i Grupit të deputetëve socialistë Gramoz
Ruçi dhe Nënkryetari i grupit Taulant Balla. Delegacioni shqiptar u prit nga
Kryeministri Ponta në Pallatin Viktoria, me një ceremoni zyrtare
mirëseardhjeje, me nderime ushtarake. Kryeministri Rama dhe Kryeministri Ponta
zhvilluan një takim kokë më kokë, i cili u pasua nga bisedimet mes dy
delegacioneve. Nga takimet u konstatua vullneti reciprok për të intensifikuar
marrëdhëniet dypalëshe dhe për të zgjeruar rrugët e bashkëpunimit në fusha me
interes të ndërsjellë. Në përfundim të bisedimeve u nënshkrua Marrëveshja e
Mbrojtjes Sociale.
Marrëveshja
u nënshkrua nga Ministri Veliaj për palën shqiptare dhe Ministrja e Punës,
Familjes, Mbrojtjes Sociale dhe të Moshuarve, Rovana Plumb, për palën rumune.
Marrëveshja e Mbrojtjes Sociale bën të mundur njohjen e viteve të siguruara të
pensionit për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Rumani dhe anasjelltas.
Subjekt i Marrëveshjes janë të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe
punojnë në Rumani, numri i të cilëve është rreth 5.000 vetë. Gjithashtu, nga
zbatimi i marrëveshjes përfitojnë edhe shtetasit rumunë, të cilët vijnë në
Shqipëri për të punuar. Përfitimet kanë të bëjnë me përfitimet në të holla në
rast sëmundjeje apo aksidente në punë nga skema e sigurimeve të detyrueshme të
sigurimeve shoqërore, si dhe përfitimet në natyrë nga skema e detyrueshme e
sigurimit të kujdesit shëndetësor. Me këtë marrëveshje krijohet mundësia e
bashkimit të periudhave të sigurimit. Llogaritja e masës së pensionit
llogaritet duke marrë në konsideratë të dy periudhat, por pagesa e pensionit do
të përballohet proporcionalisht nga secili shtet. Zbatimi i marrëveshjes do të
mundësojë eksportimin e përfitimeve nga Shqipëria në Rumani, kur personi
qëndron apo ka vendqëndrimin në Shqipëri dhe anasjelltas. Takimi në selinë e
qeverisë rumune u mbyll me deklaratat e përbashkëta për shtyp të dy
kryeministrave.
Në
ndërkohë, Kryeministri shqiptar u prit edhe nga ana e kryetarit të Bashkisë së
Bukureshtit, zt. Sorin Oprescu. Me këtë rast ishte prezent edhe ministri i
Punës dhe Mbrojtjes Sociale, Erion Veliaj, deputetë nga Parlamenti shqiptar,
ambasadori i Shqipërisë në Bukuresht, Ilir Tepelena dhe këshilltarë të
Kryeministrit tonë. Gjatë bisedave bilaterale, përveç të tjerave u përmend
fakti se në Bukuresht ekziston një rrugë që mban emrin Tirana, ndërsa në Tiranë
një rrugë që mban emrin Bukureshti. Kryeministri shqiptar propozoi që dëshirën
që në Bukuresht të amplasohet një statujë e Nënës Tereze, ndërsa në Tiranë një
statujë e dijetarit të famshëm, Nikolae Iorga, mik i madh i kombit shqiptar.
Një
moment emocionues ishte shpallja e zt. Edi Rama “Doctor Honoris Causa” i
Universitetit të Bukureshtit. Ceremonia zyrtare u mbajt në sallën e Bibliotekës
Universitare të Bukureshtit që ndodhet përballë Pallatit Mbretëror. Prezentë
ishte një numër i konsideruar studentësh shqiptarë të Bukureshtit, kuadro
universitare, miq të mëdhenj të Shqipërisë (Xhemile A. Susliu, Tiberius Puiu,
Ghergj Bukura, Carolina Ilica etj.), massmedia rumune dhe ajo shqiptare, trupa
diplomatike e ambasadës shqiptare, ish-ambasadori i Shqipërisë në Tiranë, bij
dhe bija të rilindësve tanë, dhe mbi të gjitha, kryeministri i Rumanisë, zt.
Victor Ponta. Në pjesën e dytë të manifestimit u përurua libri “Kurbani” i Edi
Ramës në gjuhën rumune (“Culisele puterii”), të cilin e prezantuan V. Stanila, B.
Horosangian, R. Topçiu. Më në fund e mori fjalën kryeministri shqiptar, fjala e
të cilit u mirëprit me duartrokitje frenetike, sidomos si pasojë e shpirtit të
lirë për t’u shprehur para publikut dhe humorit të tij briliant. Të vetmit që
nuk patën fat ta nderojnë këtë manifestim janë dy antikosovarë: Oana Manolescu
dhe Trajan Basescu.
Më poshtë e plotë konferenca e dy
kryeministrave:
Kryeministri rumun Victor Ponta:
“Mirëdita! Do të doja dhe njëherë t’i uroja mirëseardhjen Kryeministrit
të Shqipërisë, zotit Edi Rama. Mund të them se është një mik shumë i ngushtë i
imi. Është gjithashtu një partner në të gjitha projektet që Rumania dhe Shqipëria kanë ndërmarrë për
të ardhmen. Jam i gëzuar dhe i lumtur që përveç diskutimeve mbi problemet
politike, zoti Rama ka dhe disa evenimente të karakterit kulturor në Bukuresht.
Besoj që promovimi i librit në prapaskenat e fuqisë do të jetë një eveniment
shumë interesant. Tek ne të gjitha prapaskenat e pushtetit i gjen përditë në
televizor. Por këto janë shenjat e demokracisë dhe unë dëshiroj që Rumania të mbetet një nga mbështetëset
kryesore në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Në fakt, një nga
temat kryesore të diskutimeve me zotin Kryeministër të Shqipërisë është
pikërisht ekspertiza dhe mbështetja që Rumania përgatit në mbështetje të
integrimit europian të Shqipërisë. Edhe për vendet e tjera fqinje dhe mike të
rajonit, të cilat ende nuk janë integruara në Bashkimin Europian, qëndrimi i
Rumanisë është ai që ka qenë, qëndrimi i duhur dhe korrekt.
Përveç
mbështetjes që Rumania u ofron të gjithave vendeve për
aderim në Bashkimin Europian, kemi diskutuar për probleme konkrete, sidomos në
fushën e energjetikës. Rumania ka një mbishtesë të prodhimit të
energjisë elektrike, shkak për të cilën Shqipëria mund të përfitojë nga kjo gjë
dhe duhen gjetur mundësitë kontraktuese me Shqipërinë në fushën e energjetikës.
Gjithashtu sa i takon forumit tregtar që është hapur në Tiranë, ne vendosëm
intensifikimin e aktivitetit të këtij forumi. Kemi nënshkruar sot marrëveshjen që
ka të bëjë me mbështetjen sociale. Së shpejti, ministrat e të dy vendeve do të
paraqesin projektet dhe propozimet e tyre në lidhje me implementimin e kësaj
marrëveshjeje në fushën e mbështetjes sociale. Gjithashtu, edhe bashkëpunimi në
fushën e shkëmbimeve kulturore, si dhe të të mirave kulturore të të dy vendeve
tona. Në përfundim dua të them se Rumania do të vazhdojë dhe dëshiron të
luajë një rol të rëndësishëm në kontekstin rajonal, të ruajë dhe të forcojë
marrëdhëniet shumë të mira jo vetëm me vendet që janë anëtare të BE, por edhe
ato që ende nuk bëjnë pjesë në BE. Ashtu sikundër aderimi i Shqipërisë në NATO
përbëri një hap pozitiv për forcimin e sigurisë në gjithë rajonin, gjithashtu
dhe integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian
do të përbëjë një mbështetje dhe një ndihmë të padyshimtë edhe për Rumaninë.
Edhe një herë faleminderit për vizitën tuaj dhe gjej rastin ta falënderoj
paraprakisht zotin Kryeministër Edi Rama evenimentin e lançimit të librit që do
të zhvillohet sot.”
Kryeministri Edi Rama:
“Shumë faleminderit i dashur miku im Victor! Rumania është një vend mik, me të cilin
na lidh historia, na lidh kultura, na lidhin qindra e qindra studentë, si dhe
plot emra të njohur dhe familjarë. Po ashtu, na lidh me Rumaninë edhe një bashkëpunim
jashtëzakonisht i ngushtë mes dy qeverive tona. Në 18 mars të një viti më parë,
Kryeministri Ponta erdhi në Tiranë dhe folëm për rrugët e forcimit të
bashkëpunimit mes nesh. Sot kam kënaqësinë të them se çka kemi folur ka filluar
të kthehet në hapa konkretë dhe me rezultate konkrete. Kemi firmosur një
marrëveshje të rëndësishme për mbrojtjen sociale, e cila i garanton të gjithë
ata që punojnë këtu, lidhur me kontributet e tyre. Po ashtu, reciprokisht edhe
qytetarët rumunë që punojnë në Shqipëri. Jemi në prag të finalizimit të një
tjetër hapi të rëndësishëm që do të sigurohet me marrëveshjen ndërmjet dy
ministrive të Arsimit për një kuotë bursash për studentët shqiptarë që do të
vinë të studiojnë në fushën e IT-së.
Po shkojmë drejt finalizimit të një
marrëveshjeje të parë, por jo të fundit, në fushën e bashkëpunimit për
energjinë, për të mundësuar të përfitojmë reciprokisht nga surplus-i i
prodhimit të energjisë që ka Rumania. Nga ana tjetër, i jam mirënjohës
Kryeministrit për gatishmërinë, për të na mbështetur menjëherë në projektin
tonë të përbashkët me Komisionin Europian për ndërtimin e një rrjeti ekspertësh
në ministritë dhe agjencitë tona që do të na këshillojnë dhe ndihmojnë në
procesin e integrimit dhe posaçërisht në përgatitjen për procesin e negociatave
në Bashkimin Europian. Bëhet fjalë për ekspertë të cilët e kanë bërë këtë
proces në Rumani apo në vende të tjera që sot janë të integruara në Bashkimin
Europian dhe që janë të gatshëm të vijnë të punojnë në Tiranë, sigurisht për
t’iu gëzuar edhe bukurisë së vendit tonë, por edhe për të bërë punën.
E fundit,
jo për nga rëndësia, kërkesa ime e përsëritur dhe urimi im që Rumania ta njohë Kosovën dhe t’i japë
mundësi Kosovës që të shkojë më tutje në procesin e njohjeve, duke u përfshirë
në familjen e atyre vendeve të mëdha demokratike dhe partnere që tanimë e kanë
njohur Kosovën. Ne besojmë që sot njohja e Kosovës nga Rumania dhe nga vendet e
tjera europiane nuk është më një çështje bilaterale, por është një çështje e
përbashkët e sigurisë së hapësirës sonë të përbashkët europiane dhe e fuqizimit
të lidhjeve në këtë hapësirë, për të mos lejuar që të tjera forca të mund të
influencojnë duke përfitua nga frustrimi dhe nga çfarëdo izolimi. Faleminderit
shumë!” Axhenda e Kryeministrit Rama vijoi me takimet në Pallatin e
Parlamentit, ku u prit në takime të veçanta nga Kryetari i Dhomës së
Deputetëve, Valeriu Zgonea dhe Presidentin e Senatit C?lin Popescu-T?riceanu.
Gjithashtu, Kryeministri zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Bukureshtit,
Sorin Oprescu.















