Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Zëri i babait
E hene, 02.02.2015, 07:43 PM
ZËRI I BABAIT
POEZI NGA PËLLUMB GORICA
PRES MËNGJESET
Me trastën e dëshirave shëtita gjatë
në udhën e natyrës së arnuar,
jetën e shikoj si një bard,
zinxhirët kurrë s’i kam pranuar.
Nata shpesh yjet m’i fshehu,
teksa shpirti im ngre erë,
të pashpresë më pandehu,
por si një anonim të mjerë.
Me legjenda e stolisa vetveten,
imazhet m’i gërvishti pena,
kërkoj prej qiellit të vertetën,
pres mëngjeset mbi bedena.
ZËRI I BABAIT
Përpara meje hesht në kornizë portreti,
me fjalët e thëna dikur si ngushëllim;
ti i dhe kohës sime ca dallgë deti,
vite të mençura mbetur pa harrim.
Ç’emër t’i ve jetës tënde të munguar baba?!
A thua ishe një lis i lartë në mes një pylli?!
Përbrenda meje gjithçka nga ty ka
dhe pak nga drita e këtij ylli.
KUR S'KE Ç'TË THUASH
Një pedofili në gjyq
Mbrohesh me heshtjen si mëllenjë,
por e nesërmja do të të fshijë nën hije,
mishërim mizori, qenie pa ndenjë,
kurrë mos shkel mbi sy fëmije!...
Do të mbysë Ferri patjetër,
si një gjarpër më ngjason!
Edhe në heqsh lëkurën e vjetër,
ty as dreqi s’të ndryshon!
NË SYTË E TU LODHJA TRETET
Ti më përcjell në rrugëtimet e mia
me sytë e thellë, kureshtarë,
në rrugëtime më çon shpesh dashuria,
në qytetërime larë nga dielli rrezear.
Sa shpesh qëllon të të vishen sytë me mall
nga kjo mungesa ime shumë e gjatë,
një rrudhë të mblidhet përmbi ballë,
po edhe pa gjumë mbetesh ndonjë natë.
Ikjet e mia, Odise e vërtetë,
në gërmadha qytetërimesh anembanë,
kala kujtimesh më mbeten në jetë,
veç ti me mua mallet ndan.
Në sytë e tu lodhja me tretet,
tek hyn ngrohtësisht mes krahëve të mi,
tik-taku i orës habertare në çast mbetet
e ndrin si dielli pas shiut kjo dashuri.