HALUCINIMET PERANDORAKE
Nga Liridon DISHA
Mendimi
për përpilimin e këtij teksti më lindi pasi dola nga një klinikë private ku
shkova për një kontrollë rutinore në Shkup. Pasi që mbarova kontrollën, mjeku
sllavisht-folës kujdestar më pyet se nga isha dhe unë me automatizëm i
përgjigjem se jam nga Dibra e madhe. Pa menduar shumë ai fillon të më tregojë
se sa pak banorë na paska Dibra. T’ju them të drejtën mua mu kujtuan librat e
historisë që lexoja se para 200 viteve Dibra numëronte gati 60.000 banorë dhe
ishte njëri nga qytetet më të banuara në rajon. Pasi që mjeku mbaroi
propagandën nacionaliste mu dha rasti që ti tregoja se Dibra e madhe (me shtatë
minare) dikur kishte qenë kryeqendër e shqiptarëve me gati 60.000 banorë. Por,
mjeku me cinizëm më ndërpret duke me thënë:” po, po e di… ka pasë dhe ende ka
shumë turq në Dibër”. Me këtë po mundohet të më bindë se Dibra nuk banoheshka
dhe kurrë nuk qenka banuar me 60.000 shqiptarë, por me turq. Për një moment u
stepa dhe po ndjeja veprimin e adrenalinës në gjoksin tim. U mundova ta mbaj
veten dhe mos i kundërpërgjigjem injorancës dhe paditurisë. Ia arrita qëllimit.
Ndoshta këto fjalë u ngujuan në ndërdijen time. Këtë mllef nuk munda ta nxjerri
tek mjeku sllavisht-folës, por pa dyshim se do ta hap zemrën dhe do të rëfehem
me ju bashkëkombasit e mi.
Dy ditë para
se të shkoja te mjeku, tek sa po mundohesha të kap lidhjen në telefon për të
caktuar terminin për kontrollë, po lexoja gazetën dhe rastësisht hasa në një
titull interesant. Ishte ky një artikull që thoshte “Do ta ripërtrijmë
perandorinë Otomane”. Fillimisht mendova se ndonjë kokëlajthitur si unë po
tallet me ndonjë tekst të ndonjë injoranti. Por, e verteta ishte dikund tjetër.
Ky njeri nuk ishte i lajthitur. Së paku, sa kuptova unë ishte ministri i punëve
të jashtme të Turqisë Ahmet Davutogllu. Zotëria në fjalë, në një ligjeratë të
mbajtur në Sarajevë me titullin “Trashëgimia Osmane dhe bashkësitë muslimane në
Ballkan”, haptazi flet për njëfarë ripërtrirje të “Perandorisë Otomane” duke
aluduar në një pjesë të madhe të ballkanit. Për fat të keq zotëria në fjalë
harroi se në këto pjesë gjenden edhe shqiptarët e Skënderbeut qe dikur ja
shkulën epshin perandorak sulltanit të Stambollit. Po më shkon buza në gaz kur lexoj se
një turk aziatik në shekullin 21 po halucinon shumë rrezikshëm. Më poshtë lexoj
fjalinë:”Në turqi ka më shumë boshnjakë se sa në Bosnjë, më shumë shqiptarë se
sa në Shqipëri dhe më shumë çeçenë se sa në çeçeni.”. Automatikisht më lindën
shumë pyetje në kokë!? A thua vallë erdhi koha kur turku pranon kombësi tjera në teritor
të vet?! Ky zotëri e bën këtë për interesin tonë apo për interesin e tij
kombëtar? Po mirë, pasi që në Turqi paska më
shumë shqiptarë se sa në Shqipëri, duheshte të kalojë më se 1 shekull që Turqia
ta thotë oficialisht këtë? Pasi ata oficialisht pranohen si të tillë, sa të
drejta dhe liri gëzojnë ata atje? Përgjigje për fat të mirë kam, por për fat të
keq është shumë e hidhur.
Pikë së
pari në çfarë trashëgimie kulturore thirret zotëriu Davutogllu? Si merr guximin
një ministër të mohojë identitetin kombëtar të një populli të tërë?! Trashëgimi
turke qenkan xhamitë, tyrbet, hamamet, kalatë, shtëpitë dhe pazaret e vjetra? Po të ishte ashtu, pse kjo far
perandorie OSMANE u tërhoq nga Ballkani në shekullin XX dhe i la ato të
vetmuara? Po të ishin këto “saraje” trashëgimi kulturore turke, pse kjo far
perandorie nuk mbeti këtu ti mbrojë ato nga “të pafetë”, “kaurët”, “qafirët”?
Kjo një përgjigje ka, zotëri Davutogllu. Ju na e rrjepët mishin dhe në fund i
latë kockat tona që ti lëpinin sllavët. Na çveshët nga trashëgimia jonë e hershme
Ilire, objektet fetare dhe ato historike ia latë sllavit, qytetet dhe katundet
na detyruat ti shndërrojmë në pashallëqe me ndikime orientale dhe tani
deklaroni se ne nuk kemi aset në këtë trashëgimi. Ne nuk qenkemi trashëgimtarë
të kësaj kulture që e ndërtuam vetë si rezultat i miqësisë me “Portën e lartë”.
Këto trashëgimi kulturore zotëria juaj, janë prona të feudalëve shqiptarë dhe
si të tilla u mbrojtën nga po të njejtit me gjak. Ishin shqiptarët ata që i
lanë në dorëzim të perandorisë dhe ishin po ata që dolën në mbrojtje të këtyre
pronave kur atyre iu kanos rreziku nga sllavët, pasi që ju (perandorakët) u
larguat me bishtin nën shalë. Pyes shkëlqesinë tuaj, pasi që para 100 viteve u
larguat dhe shqiptarët i latë të paarmatosur, të pambrojtur dhe të paarsimuar,
ç’kërkoni tani në këto troje?! Sa kohë që perandoria juaj shtriheshte në këto
vise, shqiptarëve nuk iu lejua shkollimi, feja, armëmbajtja, e drejta e pronës,
e drejta e praktikimit të ritualeve dhe traditave kombëtare etj. Mos flasim për
haraçin në gjak. Dhe tani në shëkullin XXI shkëlqesia juaj në vend që të
kërkojë falje për krimet e bëra ndaj popullit tim, krijon iluzione dhe mendon
se do të mund që të bind shqiptarët se ju jeni i vetmi shpëtim! Përderi sa
stërgjyshërit tuaj zotëri Davutogllu në atë kohë ndoshta studionin në
universitetet e Stambollit, stërgjyshërit tanë korrnin fushat e Dibrës që
produktet e tokës së tyre në kundërvlerë të lirave të atëhershme t’ia
mundësonin shkollimin stërgjyshërve tuaj. Jepnin njërin djalë për Jeniçer dhe djemtë
tjerë ua vriste uria. Dhe ju në shekullin XXI flisni sikur të gjitha këto mos
të kishin ndodhur kurrë. Ju harroni zotëri se shqiptarit iu desh të mbijetojë
2000 vjet i dhunuar që në fund të mund të shkollohet dhe të quhet njeri. Ju
harroni se përderi sa ju (perandorakët), jepnit leje që sërbët të hapin shkolla
në gjuhën e tyre, shqiptarëve të ngratë ua merrnit bukën e gojës, ua
përdhunonit gratë dhe ua vrisnit fëmijët. I caktonit shqiptarët si pashallarë
simbas lojalitetit ndaj jush dhe kur ata bëheshin të padëgjueshëm ua prisnit
kokat në stamboll. Ju falemnderit shumë zotëri Davutogllu. Një kohë ishim “miq”
dhe e pamë ç’na gjeti. Sot e kësaj dite ne nuk po mundemi të jemi bashk si komb
për shkak të të kaluarës sonë “të përbashkët” me perandorakët si ju. Ne e
kuptojmë “ndihmën” tuaj dhe “gatishmërinë” tuaj për ndihmë. Por, mjerisht ju
nuk po e kuptoni se po vazhdoni të na dëmtoni si komb me deklarata të tilla. Po të doni të jemi dy kombe miq
zotëri i nderuar, pikë së pari duhet kërkuar falje për 500 vjet robëri.
Menjëherë pas kësaj, të gjithë trashëgiminë historike e kulturore të
shqiptarëve në Maqedoni dhe gjetiu ta pranoni si shqiptare. Të pranoni se
shqiptarët janë komb dhe pakicën shqiptare prej 5 miljon në Turqi ta pranoni si
të tillë. Në fund ti falenderoheni popullit shqiptar për të gjitha
personalitetet shqiptare që i dha në shërbim të kombit tuaj. Po ju rikujtoj zotëri Davutogllu, po
të mos ekzistonin shqiptarët ju sot e kësaj dite do të shkruanit në ato germat
e pakuptueshme arabe. Nuk do të kishit hymnin tuaj dhe do të humbisnit shansën
për të pasë një lider reformues që perandorinë tuaj anadollake e shndërroi në
një shtet modern e demokratik.
Dal prej
dhomës së mjekut me një dëshpërim të thellë. Jo se e kuptova se jam pakëz i
sëmurë , por se dikush në të njëjtën mënyrë po më mohon kombin tim. Paradoksi
më i madh vjen nga fakti se edhe ky kokëbosh po mundohet që të më shndërrojë në
turk. A thua vallë këta të dy kishin pirë kafe dikur diku?! Apo, ndoshta ishte miqësia e vjetër
dhe hartimi i planeve të përbashkëta afatëgjate për zhdukjen e shqiptarëve nga
këto troje, e vetmja pikë takuese e logjikës së dy individëve që nuk ishin
takuar kurrë. Shtrëngoja grushtat dhe kërcëlloja dhëmbët. Më vinte të bërtas
nga hidhërimi. I kujtova në moment bashkëkombasit e mi që sot bredhin rrugëve
si argatë. Fëmijët që lypin rrugës për një kafshore bukë. Filloristët e klasës
së parë që u imponohet gjuha sllave. Shqiptarët e mi të përvuajtur që rrinë
çajtoreve dhe parqeve të xhamive për ti diskutuar problemet që në fakt duhet ti
zgjidhnin institucionet shtetorore. Familjet e bijëve më të mirë të këtij kombi
që ranë me një qëllim, mbrojtjen e identitetit kombëtar. Në të njejtën kohë,
banditizmat (anadollake) universitare të bashkëkombasve të mi. Gjaku i derdhur
i shokëve të mi në vitin 2001 për tu shkolluar në gjuhën shqipe. Të them të
drejtën, mu mbushën sytë me lotë, por prap e mbajta veten. Mu kujtua një
shprehje e vjetër popullore që në moment më ngushëlloi, “Loti është robëri,
gjaku liri”.