E marte, 06.05.2025, 07:17 AM (GMT+1)

Speciale

Marjan Sebaj - Sopi: Ditët e të Lumës Nënë Tereza në Kroaci

E merkure, 19.11.2014, 10:00 PM


„Fryt i qetësisë është lutja; fryt i lutjes është besimi; fryt i besimit është dashuria; fryt i dashurisë është shërbimi; fryt i shërbimit është paqja.” (Nëna Tereza)

DITËT E TË LUMËS NËNË TEREZA NË KROACI

Ekskluzive nga Marjan Sebaj - Sopi

Si çdo vit tanimë tradicionalisht, poashtu edhe sivjet që nga data 13. 11. 2014., e deri më; 17. 11. 2014., u shënuan „Ditët e Nënë Tereza“ në Kroaci.

Këto ditë si në kryeqytetin kroat Zagreb poashtu edhe në disa qytete tjera frymohej shqip, ndihej prezenca dhe shpirti i humanistës së madhe të lumës Nënë Tereza e cila pikërisht kur ishte vajzë e re 18 vjeçare  nga Kroacia – Zagrebi ky vend mik i Shqiptarëve edhe mori rrugën e mirësisë, paqës dhe dashurisë, shërbimit ndaj të varfërve. Për të kujtuar ditët e rinisë dhe misionit të shenjtë të Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, për ta kujtuar bamirësinë dhe zemrën e madhe të saj, për ta kujtuar jetën dhe veprimtarinë, por edhe për t’iu mbështetur e për të lutur këtë Nënë të madhe të botës për nevojat tona, nevojat e botës mbarë, për paqe, mirëkuptim, harmoni e dashuri, edhe sivjet u shënuan „Ditët e Nënë Tereza“.

Për të qenë sa më të dobishme, sa më të mira dhe frytëdhënse këto ditë, pra për shënimin “Ditët e Nënë Tereza” u përkujdes Misioni Katolik Shqiptar në Zagreb nën udhëheqjen e misionarit tonë të vyer don Albert Kristaj. Në organizim ishin edhe Këshilli i pakicave kombëtare Shqiptare në Zagreb si dhe Këshilli i pakicave kombëtare Maqedone. I gjithë programi i pasur katërditorë është mbajtur nën mbështetjën e Qytetit të Zagrebit, pastaj Ambasadës së Republikës Shqipërisë, Ambasadës së Republikës Maqedonisë dhe Ambasadës së Republikës Kosovës.

Nëna Tereza – bashkon të gjithë pa dallime!

Për këto ditë të mëdha, programi ishte i ngjeshur me aktivitete të shumta. Këto ditë dmth nga e Ejta me 13. 11.2014., ku lirisht mund të them ditë të shenjta, siç është e shenjtë edhe vet kjo Nënë e botës, pra “Ditët e Nënë Tereza“ u hapën apo filluan me shfaqjën e dramës së ztr. Venko Andonovski e nën regji, adaptim dhe scenografi të Gradimir Gojer kushtuar të lumës Nënë Tereza e që titullohej; “Shenjtëresha e Errësirës”. Drama u shfaq në Teatrin Kerempuh në ora 20.00 në Zagreb ku salla ishte e vogël për t’i nxën të gjithë të interesuarit për të përcjellë këtë shfaqje. Dhe vërtet e gjitha ishte një mrekulli në vete, interpretimet ishin të perfeksionuara, të interpretuar nga profesionistë në mënyrë mjeshtrore, rolet i interpretuan aktorë nga thuajse e mbarë hapësira e ish shtetit të dikurshëm Jugosllavisë ku në mesin e aktorëve ishte edhe aktori ynë Ilir Tafa… Këtu në mënyrë mjeshtrore-artistike u paraqit jeta dhe veprimtaria e së Lumës Nënë Tereza. Dhe në fund kur aktorët të cilët pas interpretimit e paraqitjes së shkëlqyeshme ngritën në këmbë të gjithë telespektatorët cilët ma duarëtrokitje të gjata iu dhanë mirënjohje dhe iu falenderuan aktorëve, por menjëherë pas shfaqjes po në Teatër në shenjë mirënjohjeje dhe respekti dr. don Lush Gjergji, biografi i njohur i jetës dhe veprimtarisë së Nënë Tereza, iu ndau të gjithë aktorëve nga një libër të tij, librin; “Nëna e Dashurisë”, kushtuar pikërisht kësaj Nëne. Ky ishte një gjest i mrekullueshëm që i bëri aktorët dhe të gjithë të ndihen edhe më mirë.

Program i pasur me aktivitete të shumtë akademike dhe artistike!

Me 15. 11. 2014., e Shtunë, në sallën Vijenac në Kaptol-Zagreb u mbajtë akademia solemne kushtuar Nënës Terezë. Me këtë rast kumtesat e tyre i patën ambasadorja e R. Kosovës në Kroaci znj. Shkendije Geci- Sherifi; “Nëna Terezë arkitekte e paqës në botë” dhe biografi i Nënë Tereza dr. don Lush Gjergji; “Nëna Tereze – Jeta dhe porosia për familje”. Akadamia pati edhe pika artistike të përzgjedhura me këtë rast e ku veçojmë interpretimin e mrekullueshëm me këngë e piano të motrave Mjeda. Në veçanti mallëngjoi të pranishmit interpretimi  këngës “moj e mira more” e cila bëri të këndoi edhe publikun. U recituan edhe poezi të përzgjedhura të Nënë Tereza nga ztr. Kolë Zefi, kurse programin e udhëheqi prezantuesi ztr. Engjëll Kenxhi. Këtu po iu sjellim në tërësi kumtesën e Ambasadorës Republikës së Kosovës znj. Shkendije Geci-Sherifi:

Nëna Tereze arkitekte e Paqes Botërore

“Të nderuar mysafirë, është kënaqësi dhe mbi të gjitha nder që në këtë manifestim edhe unë si përfaqësuese e shtetit të Kosovës, vendlindjes së nënë Terezes, të jap një kontribut modest. E them modest meqë të flasësh për figurën madhështore të nënës Tereze posaqërisht pranë njerit nder biografet më të shquar në botë të Nenës Tereze, të nderuarit Dom Lush Gjergji megjithatë është një impenjim jo edhe aq i lehtë.

Si diplomate, unë sot kam vendosur që të trajtoj rolin e nënës Tereze në ndërtimin e paqes botërore. Do te filloj referimin tim me një fjali të njohur të nënës Tereze: "Me gjak, jam shqiptare. Me shtetësi, indiane. Me besim, jam motër nderi katolike. Me thirrje, i takoj botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Jezusit”. Kjo pra është një fjali signifikante në të cilën nënë Tereza duke zbuluar dimenzionet e identitetit të saj kombëtar e shtetëror tregon se misioni i saj tejkalon përmasat lokale, kombëtare e shtëterore, misioni i saj pra është human dhe si i tillë botëror, pa asnjë lloj kufiri dhe barriere.   Këtë e konfirmon shumë mire edhe fakti se Nënë Tereza themeloi kongregacionin katolik të quajtur Misionaret e Bamiresise i cili ne vitin 2012 perbehej nga me shume se  4,500 motra nderi dhe ishte aktiv ne 133 vende te botes. Per me shume se 45 vjet, Nene Tereza u kujdes per te varferit, te semuret, jetimet dhe ata qe vdisnin duke udhehequr Misionaret e Bamirësisë fillimisht nëpër tërë Indine dhe me pas duke u shtrirë edhe ne vende tjera te botës. Ky kontribut global është vleresuar nga e tërë bota ndër të tjera edhe me cmimin Nobel per Paqe ndërkohë që pas vdekjes së saj, Papa Gjon Pali II e beatifikoi atë duke i dhënë titullin "Tereza e Bekuar e Kalkutës"

Referimin tim e kam titulluar Nënë Tereza, arkitetke e Paqes Botërore e inspiruar nga projekti i ashtuquajtur Arkitektet e Paqes, andaj me lejoni që shkurtimisht t’i them disa fjalë për këtë projekt. Projekti Arkitektet e Paqes u inicua dhe themelua nga fotografi amerikan  Michael Collopy i cili e filloi këtë aktivitet me një seri madhështore portretesh njerëzish eminent nga e mbarë bota të cilët gjatë jetës së tyre kanë punuar në ndërtimin e paqes nga këndvështrime dhe profesione tejet diverse. Kjo seri portretesh njerëzish emimentë perfshinë diplomatë, poetë, shkencëtare dhe liderë fetare dhe padyshim se Nenë Tereza zë një vend të rëndësishëm në mesin e këtyre  figurave të ndritura që kanë kontribuar në ndërtimin e paqës botërore. Sot kam perzgjedhur nje ese original të cilin Nënë Tereza e ka shkruar pikerisht për projketin Arkitektët e Paqes në të cilin ajo vë në pah nevojën për t’u kujdesur për të varfërit në mënyrë që të arrihet paqja ne bote.

Ja pra se si reflekton Nënë Tereza për punën në ndërtimin e Paqes:

Fryt i qetësisë është lutja; fryt i lutjes është besimi; fryt i besimit është dashuria; fryt i dashurisë është shërbimi; fryt i shërbimit është paqja.

Le të mos e përdorin bomba dhe armë për të kapërcyer botën. Le të përdorin dashurinë dhe dhembshurinë. Paqja fillon me një buzëqeshje. Buzëqeshi pesë herë në ditë dikuj që në të vërtetë nuk do të doje t’i buzeqeshësh; bëjë këtë për paqe. Le të rrezatojmë paqen e Perëndisë dhe kështu dritën e Tij ta përhapim nëpër botë të zhdukim urrejtjen tek të gjithe njerëzit dhe dëshirën për pushtet.

Sot, nëse nuk kemi paqe, kjo është për shkak se kemi harruar që e i takojmë njëri-tjetrit, kemi harruar që ky burre, kjo grua, ai fëmijë është vëllau im, është motra ime. Po sikur secili të shihte imazhin e Perëndisë tek fqiu i tij, a mendoni  se akoma do të na duheshin tanket dhe gjeneralët?

Paqja dhe lufta fillojnë në shtëpitë tona. Po që se duam me të vërtetë paqe në botë, ateherë të fillojmë të duam njëri-tjetrin në familjet tona. Nëse duam të përhapim gëzim, duhet qe gëzimi të jetë prezent në cdo familje.

Sot, shtetet bëjnë shumë përpjekje dhe shpenzojnë shumë mjete për të mbrojtur kufinjtë e tyre. Ata dijnë shumë pak për varfërinë e skajshme dhe vuajtjet që ekzisotjnë përbrenda atyre kufinjve.  Nëse ata vetëm do të mbronin  njerëzit e pambrojtur me ushqim, strehim dhe veshje, unë mendoj se bota do të ishte një vend i lumtur.

Të varfërit duhet ta dijnë se ne i duam dhe se ata nuk janë të lënë pas dore. Edhe ata vetë nuk kanë se cka të ta japin neve përpos dashurisë.  Ne brengosemi se si ta përqojmë këtë mesazh të dashurisë dhe te dhembshurisë. Ne jemi duke u munduar që ti sjellim botës paqe permes punës sonë. Puna pra është dhuratë e Perendisë.

Ja pra ky eshte nje reflektim original i nenes Tereze i cili gjithesesi jep nje porosi te fuqishme ashtu sic ishte edhe vete ajo. E pyetur njehere nga ideatori o projektit arkitektet e paqes, z. Collopy se si ka mundesi qe ajo asnjehere dhe ne asnje moment nuk e gjykon askend që i afrohet. Nënë Tereza ishte përgjegjur: “Unë nuk e gjykoj askend sepse një gjë e tillë nuk do me linte kohe per t’i dashur ata”. Andaj une po e permbyll fjalimin tim ketu duke ripersitur mesazhin e nenes Tereze, ta duam njeri-tjetrin se vetëm dashuria sjell paqe!”

Shkendije Geci – Sherifi

Ambasadore e Republikës së Kosovës në Kroaci

Pas kumtesës së Ambasadorës fjalën e mori vikari i përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës dr. don Lush Gjergji, i cili përshëndeti të pranishmit dhe shfrytëzoi rastin të falenderoi për fjalë të përzgjedhura e të mira të ambasadorës sonë drejtuar neve e të gjithëve për paqe, pra në fillim don Lush Gjergji tha; “Falenderoi ambasadorën për këtë kumtesë dhe porosi të mrekullueshme për paqe, falenderoi këtë bijë dhe motër të Nënë Tereza…” Vazhdoi me kumtesën e tij duke theksuar jetën dhe kujdesin e Nënës Teresa për fëmijtë dhe bashkëshortët, për jetën familjiare. Ai mes tjerash ceku edhe disa përvoja të tij me të lumen Nënë Tereza të cilën e pati përcjellë disa herë në udhëtimet e saj ndër të tjera edhe e pati vizituar në Indinë e largët ku pati parë edhe përjetuar edhe vet kujdesin e kësaj Nëne, bijë shqiptare, ndaj fëmijëve të braktisur, familjeve të varfëra, personave të lënë pas dore e të padëshiruar…

Dr. don Lush Gjergji në fund porositi të pranishmit që të ndjekin shembullin e Nënë Tereza, secili të gjejë kohë për vëllaun e motrën njeri, të kujdesemi njëri për tjetërin e në veçanti të pranojmë dhe duam njëri tjetrin, apo siç tha; Kjo botë ka etje e uri për dashuri, dhe se pa dashuri nuk mund të egzistojë kjo botë.

Pas përfundimit të akademisë solemne në të cilën morën pjesë njerëz nga bota e akademisë, bota e artit dhe pa dallime nacionale e vlenë të veçohet edhe prezenca e tërë e stafit të Ambasadës së Republikës së Kosovës, një trup diplomatike e mrekullueshme dhe e denjë të prezantoi Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme këtu në Kroaci e Botë, dhe krejt në fund për gjithë të pranishmit u shtrua një koktel rasti dhe mundësi e takimit vëllazërorë.

Me 16. 11. 2014., në kishën “Shën Pjetri” në Zagreb, në ora 13.00., ku zakonisht mbahet mesha e shenjtë në gjuhën shqipe, pra të Dielën në prani të një numëri të madh Meshën e shenjtë e udhëhoqi në gjuhën shqipe dr. don Lush Gjergji në bashkëmeshim me don Mato Jakoviq, Don Ndue Ballabani dhe misionari në Kroaci don Albert Kristaj. Në homilinë e rastit don Lush Gjergji foli për rolin e familjes, edukimin e fëmijëve dhe brezave të rinjë, për rëndësinë dhe nevojën e lutjës në familje…

Meshën e përcolli me këngë të përshpirtëshme Kori i Misionit Katolik Shqiptar në Kroaci e udhëhequr nga motrat Mjeda. Dhe pas pasurisë dhe pushimit e freskimit shpirtërorë pra Meshës, siç e kanë traditë këtu të gjithë pjesmarrësit e meshes pa dallim feje iu drejtuan lokalit për të pirë nga një kafe – është kjo traditë e lasht e shqiptarëve këtu, dmth të gjithë të bashkuar si në Meshë – Sofrën e Zotit poashtu takimin, bisedat dhe çmalljen e vazhdojnë me nga një kafe.

Po të njëjtën ditë organizatorët dhe ligjeruesit apo kumtuesit iu drejtuan edhe një qyteti Bjellovar-it në të cilin ishin paraparë aktivitete me rastin e këtyre ditëve të shenjta kushtuar Nënës Terezë, Nënës së mbarë botës e në veçanti Nënës së të varfëve e të braktisurve. Aty qe mesha e shenjët e më pas akadamia solemne. Befasoi të gjithë të pranishmit apo musafirët nga Zagrebi e vendet tjera ajo mori njerëzish, akademia ishte madhështore me gjithë ata pjesmarrës (të ardhur edhe nga rrethina e Bjellovarit e më gjerë) të pranishëm të cilët pas kumtesave të parapara e të mbajtura nga ambasadorja Shkendije Geci-Sherifi dhe dr. don Lushi u ndanë jashtëzakonisht të lumtur, të çmallur dhe hareshëm, me shpresë se paqja, mirësia, kujdesi dhe dashuria ndaj njëri-tjetrit do i përcjell edhe viteve në vijim dhe tërë jetës. I gjithë programi për këtë ditë përfundoi rreth orës 20.00. Vërtetë ipet të shihet se shpirti i Nënës Tereza, bënë që shqiptarët të ndihen gjithmonë vëllezër e motra mes veti, të bashkohen dhe të jenë një zemre e dëshire kudo të janë ata.

Me 17. 11. 2014., në qytetin Rijekë ku jeton një bashkësi e mirë e bashkëatdhetarëve tanë, një bashkësi shembull për të mirë, një bashkësi që me fanatizëm mundohet të ruaj vlerat dhe të mirat e trashëguar të popullit tonë Shqiptarë dhe këto vlera t’iu përcjell gjeneratave të reja, u mbajtë programi kushtuar Nënë Tereza. Në ambientet e godinës së Bashkisë së qytetit të Rijekës në ora 17.00 u mbajtë programi i paraparë me ligjeruesit dr. don Lush Gjergji, znj. Ambasadore Shkendije Geci-Sherifi dhe misionari ynë në Kroaci don Albert Kristaj. Me këtë rast u prezantua edhe lutësori (libri) kushtuar Nënë Tereza i autorit don Frok Zefi. I gjithë programi u mbajtë në gjuhën shqipe me përkthim simultan në gjuhën kroate. Pas programit të akademisë ku present ishin shumë shqiptarë dhe kroat nga bota akademike, miqë dhe dashamirë të popullit tonë, në Katedralën e Rijekës “Shën Vidi” në ora 19.00 u mbajtë Mesha e Shenjtë në gjuhën shqipe në shenjë falenderimi Zotit dhe të lumës Nënë Tereza për jetën tonë të përditshme. Meshën e përcolli me këngë të interpretuara nga kori i vogël por shumë profesional dhe simpatik i bashkësisë shqiptare këtu nën drejtimin dhe udhëheqjen znj. Andrijana Gjoni-Barbaliq. I gjithë programi qe i organizuar nga Bashkësia Shqiptare PGZH dhe Këshilli i pakicës Kombëtare Shqiptare për qarkun e PGZH dhe qytetit të Rijekës. Pas programit dhe meshes së shenjtë u shtrua koktel vëllazërorë ku të pranishmit paten rastin të shkëmbejnë përvojat e tyre jetësore e të çmallën mes veti.

Vlenë të cekët se disa antarë të kësaj bashkësie të vyer përcollën ditët e Nënë Tereza edhe në Zagreb në mesin e të cilëve ishin edhe aktivistët shumëvjeçar ztr. Valentin Lleshi me të shoqën Dilje Gjekaj-Lleshi si dhe znj. Andrijana Gjoni- Barbaliq me bashkëshortin e saj Ivica Barbaliq i cili merrë pjesë në çdo aktivitet të shqiptarve dhe është jashtëzakonisht aktiv si në Kor të Kishës Shqiptare në Rijekë, poashtu edhe në të gjitha aktivitetet tjera kulturore, humane…dhe për të mirë e në dobi të bashkësisë sonë.

Me këtë edhe përfunduan ditët e shënuara në kujtim të lumës Nënë Tereza në Kroaci. Ishin ditë të lumtura, ditë të bekuara, ditë të shenjta siç e kemi të shenjët edhe bijën dhe Nënë tone – Nënë Tereza të cilën gjatë të gjithë këtyre ditëve e lutëm të jetë ndërmjetësuesja e jonë te Ati qiellor, të jetë ajo ambasadorja e jonë në Qiell meqë askush nuk i njeh nevojat tona jetësore më mirë se Nëna e bija e jonë Shqiptare Nënë Tereza.

Gjitha ditët qenë të përcjellura përmes masmediave kroate si televizioni kroat e gazeta dhe revista të shumta, me këtë rast falenderojmë të gjithë për punën dhe angazhimin e tyre në ruajtje të vlerave tona naciaonale, për prezantimin sa më të mirë dhe të denjët të botës shqiptare në Kroaci dhe gjetiu. Një falenderim i vaçant i shkon edhe aktivistit tonë të dashur ztr. Sejfedin Prekazi i cili palodhshëm me syrin e tij të një shqiponje përcolli e fotografoi të gjithë aktivitetet e këtyre ditëve, por vlenë të cekët se me këtë nuk përfunduan ditët e bashkimit të shqiptarëve, porse e gjitha kjo ishte vetëm hyre dhe bekim për ditët në vijim.

Vazhdojmë me “Ditët e Kulturës Shqiptare” në Zagreb!

Qysh prej 24-28.11.2014, vazhdojmë të kemi Ditë  e Kulturës Shqiptare në Zagreb, fillon programi në parapërgaditje të shënimit të ditës së flamurit, ditës së pavarësisë së Shqipërisë.

Unioni i bashkësive shqiptare në Republikën e Kroacisë (kryetar Ton Marku), me rastin e 28. Nëntorit 1912., dita e shpalljës së pavarësisë së Shqipërisë si dhe 16. maj. 1992., në themelimin e përvjetorit të Bashkësisë Shqiptare do të organizoj “Ditët e Kulturës Shqiptare”.

Me këtë rast do ket program të ngjeshur dhe aktivitete të ndryshme kulturore në mesin e cilave me 24.11. 2014., do bëhet edhe promovimi i monografisë; “Majka Tereza – ponos albanskog naroda” (Nëna Tereza – krenaria e popullit Shqiptarë) të autorit don Ndue Ballabani e për të cilën vepër do të flasin; Dr. sc. Zheljko Tanjiç, Dr.sc. Martin Berisha dhe don Ndue Ballabani. Kurse me 25. 11. 2014., poashtu do të jetë promovimi i librit të autorit Naser Ferrit “Mythologija Viva”, për librin do të flasin, prof. dr. Naser Ferri nga Prishtina, Prof.Kristina Dzin dhe prof. Marija Buzov.

Marjan Sebaj -Sopi

Zagreb; 18. 11. 2014

Disa pamje nga “Ditët e Nënë Tereza” në Kroaci…

Fotografitë: Sejfedin Prekazi

 



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx