Kulturë
Tefik Selimi: Vepër “rrëfyer” me tingujt e zemrës
E hene, 03.11.2014, 08:36 PM
Një vepër poetike origjinale e
“rrëfyer” me tingujt e zemrës…
Nga Prof. Tefik Selimi
S’ka më
bukur se poezia! Ajo është kurora e dashurisë, e autori, princ i saj. Kjo
tingëllon bukur. Bukur tingëllon, se ajo është këngë e zemrës, e shpirtit, por
është edhe këngë zjarrmie që artikulon “gjendjen” nga brenda për dashuri, për
punë a “vdekje”! Lum kush e adhuron poezinë! Ajo të rrëmben, por edhe të sjellë
në botën e çudirave. E, Gorki, shkrimtar, ka shtuar: “Sa bukur tingëllon kjo
fjalë”. Pse jo? Janë tingujt e zemrës! Andaj, në këtë rrugë poetike, kaherë
është nisur, Qëndresa Shala, poete më e re nga Gjilani. Ajo është e lindur në
vitin 1994 në fshtin Ponesh, komuna e Gjilanit. Ajo tash është studente e vitit
të dytë në Degën e Arkitekturës në Universitetin UBT në Prishtinë. Shih për
këtë, ajo ditë më parë botoi veprën poetike “Pritja jote jam”. Një vepër e
veçantë poetike që të magjeps për artin e bukur që posedon. Ajo (poetja), në
veprën në fjalë i këndon vetës. Poezitë e saja janë “ëndrra” të bukura dashurie
rinie. Këtu nuk ka klithje, as filozofi, as dhembje, por ka “zhurmë” e zjarr
dashurie. Vargu i saj ka shpirt të trazuar poetik. Ky varg buron lirshëm dhe
“shënon” pritje të etshme... Pritjet janë të këndshme, sidomos të të rinjve.
Poetja këtu i këndon dashurisë personale. Poezitë e veprës “Pritja jote jam”,
janë reflektime të çiltërta vashërore, të cilat të pushtojnë me elegancën e
shprehjes së bukur poetike. Vargjet e Q. Shalës
kanë gjak, por kanë edhe “aromë” dashurie. E, Nexhat Rexha, redaktor dhe
krijues, duke bërë fjalë për poezinë e Qëndresë Shalës, ka thënë se, “... bota
e kësaj moshe ndjen e përjeton kohën në arritje të trokitjeve të zemrës me
gjallërinë e mallit që sinjalizon ardhjen”. Këtu ka simbolikë. Simbolika e
trokitjeve të zemrës për mallin që pret ardhjen e një kohe “tjetër”! Ndërsa,
Hasan Bunjaku, publicist dhe recensent i veprës, ka shtuar se, te poezia e Q.
Shalës “...kemi të bëjmë me një autore me stil pakashumë origjinal dhe fare të
mëvetësishëm, i cili konsiston në vargun e shkurtër”. Pra, poezia e autores është një krijim
spontan lirik artistik. Këtu nuk ka poezi me shumë vargje. Poetja ka kursyer
vargjet dhe ato janë vetëm sa duhet shprehur ato “qaste” me pak fjalë. Andaj,
këtu është bukuria e veprës poetike. Këto vargje shprehin krye-këput dashurinë
e flaktë, e poetja shton: “deri te qimja e fundme e flokut/ të dashuroj”(f.5).
Kjo është motoja e veprës së saj në fjalë. Janë vargje që shprehin etjen e
zjarrtë të dashurisë. Zëri i saj është i ëmbël, i çiltërt, pa patetikë e pa
nyansa zymtije. Janë vargjet të shkurtëra që përkojnë me qëndrimin e Lasgushit,
poet yni arbëreshë, kur thotë për poezinë: “Asnjë fjalë më tepër, se ç’duhet”.
Dhe, vërtet, poetja e veprës në fjalë ka hartuar vargje që me pak fjalë, thotë
shumë. S’duhet asnjë fjalë me tepër, s’e që është shprehur sakt e qartë
poetikisht. Pra, ajo që të bie në sy te kjo poete është fakti se, poezia e saj
ka “rrëfime” të shkurtëra. Këtu nuk ka përshkrime të gjata, por ka rrëfime të
botës rinore dhe të pëlqen koncentracioni poetik i saj. Autorja shprehet lehtë,
përmallshëm, etshëm, por gjithnjë duke përkujtuar dikë tjetër, atë që e
ëndërron çdo ditë, sepse, për te, ajo thotë qartë e zëshëm: “Pritja jote jam”!
Dikush e pret, se ia dikton Pritjen...koha e mosha e re, dhe në këtë kohë
bandilësh, pasojnë ëndrrat, ku mendja rri tek njëri-tjetri dhe kjo është lodhje
e etshme për dashuri platonike. Poetja këndon: “Ky diell që po rrezon në mua/
je ti që mendjesh s’më hiqesh/ ditë e natë” (f.6). Në poezinë “Mungesa ime të
lë pa fjalë”, të përkujton poezitë e
Lasgushit, poetit të madh arbëresh. Ja si shton autorja: “Largësia po
m’i ha ditët/ E po m’i shton dëshirat/ (f.7). Për të dalë te shprehjet më të
shpeshta të këtij motivi, në vepër ajo ia thotë këngës lirike intime: “Kur jam
me ty/ asgjë nuk humbi/, pa ty s’mund të rri/ Zemra nuk duron”, “Ato buzë/ që
nuk i shijova sa desha/. Por, ajo e do aromën e dashurisë dhe shton: “I dashur/
harresat nuk i dua/ pres të çlodhem mes buzëve tua.../ Pres me padurim/ të
zgjohem në krahun tënd/ Përmes një të puthure që drithëron/. Vonesa atë e
brengos, e shton plot afsh malli: “I dashur mos u vono/ e unë mall të kam/
Pritja jote jam” (f.17). Poetja zihet në vetvete se i mungon dikush, prandaj,
shton: “Zemra ime/ në secilën ditë/ me ty jam/ Heshtaku im i zjarrtë/ përditë
të dua më shumë/, Sot kah ti eca/ nën dirigjimin e zemrës/ Mos më lë anash/,
Malli më mbyti për ty”, Fjala jote më sjell lumturi/, Ai tjetër kënd e puthë/ e
mua re t’përhime/ më lëshohen mbi sy/, S’kam ç’jap tjetër/ pos dy sy të zi”. Ja
si janë vargjet në poezinë: “Dhuratë zemre”: “O shpirt i ëmbël/ thellë në zemër
të kam ndry”, Afromi buzët/ ta shuaj ejte”, “Mendja ime vetëm tek ky rri/ si
kjo zemër/ e këta dy sy”. Por, te kjo autore vëren edhe një tërheqje zemre,
sepse ka një lloj xhelozie në vete apo mësheftësi jete. Kjo xhelozi është më
tepër nga dashuria e madhe e njëri-tjetërit. Ja si shton autorja: “As n’ëndërr/
s’dua të shoh me tjetërkënd (f.60). Nëse jam drita jote/ mos prit më/ mbyte
xhelozinë time/ me tëndën dashuri” (f. 63). Te poezia “Vërshojnë lotët”, edhe
Qëndresë Shala, ka simpati dhe i adhuron vargjet e Kadaresë, por edhe të
shkrimtarëve tjerë shqiptarë. Ajo shton: “Syve t’mi vërshojnë lotët/ dhe
vargjet e Kadaresë” (f. 65). Janë këto ëndrrat e saja të këndshme poetike. Ato
janë “tronditje” të jetës rinore, të cilat më tepër e gëzojnë se e hidhërojnë.
Pra, poezia e saj është e shkurtër dhe reflekton më tepër kah një botë ëndrrash
vashërie. Janë “yrnek” për të tjerë. Me këtë vepër poetike, Q. Shala po hapëron
guximshëm drejt rrugës së artit të shkruar poetik. Për moshën e saj, ajo ka
dalë me një pjekuri të sigurt arti, e cila botë e saj premton më shumë në të
ardhmen e krijimtarisë së pritur artistike. Këto janë këngë rinore, të kohës së
saj, të cilat kanë në vete një narracion të lehtë arti. Poezia e saj është një
lloj vokacioni i çiltër që shënon një prurje të këndshme në jetën krijuese.
Janë këto poezi të brendshme shpirti, të cilat shprehin “qaste” që e diktojnë
autoren e veprës për ta liruar nga trazirat shpirtërore poetike. Veprën e ka
botuar Ars Clubi “Beqir Musliu” në Gjilan. Ka 77 poezi.