Mendime
Florim Zeqa: Pengje të liderëve partiak!
E enjte, 16.10.2014, 07:23 PM
Të zgjedhurit e popullit, pengje
të liderëve partiak !
Nga Florim Zeqa
Në një shkrim autorial të datës 8 shtator, me titull: " A do të thyhen barrikadat me 12 shtator ?", më tepër se pyetje, shtrova një dilemë; a do të ketë zgjidhje apo përseritje të 17 korrikut !
Pos përseritjes së seancës së 17 korrikut me 12 shtator nuk ndodhi gjë tjetër, pastaj erdhi 2 tetori me spektaklin e liderëve të njërit bllok në kuvend si dhe debati i deputetëve me 9 tetor pa ndonjë levizje pozitive sa i përket krijimit të institucioneve të vendit,...kështu me këtë defanzivë politike mund të kalojnë edhe shumë afate tjera kohore dhe partitë politike shqiptare prap do të mbesin të barrikaduara në istikamet e tyre.
Pavarësisht numrave dhe madhësisë, të dyja blloqet me forcë të njëjtë po i kundërvëhen njëri-tjetrit. Nëse njëri bllok deklarohet se i ka numrat dhe nuk e demonstron fuqinë e vet politike në kuvend, atëherë thjeshtë vërteton paaftësinë dhe mosguximin për ndërmarrjen e veprimeve politike në kuvend !
Deputetët, të zgjedhurit e popullit përveqse numra janë shëndrruar në pengje të liderëve partiak, me pozicionimet barrikaduese prapa liderëve pa dashjen e tyre janë bërë abuzues të votës së qytetarëve.
Kështu deputetët me ose pa vetëdijen e tyre, duke mbrojtur pozicionet e liderëve të tyre partiak janë duke i rrezikuar mandatet e tyre të fituara me aq mund dhe kosto të lartë materiale.
Liderët partiak, tashmë të barrikaduar në blloqe janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka dhe çdo gjë për arritjen e aspiratave të tyre pushtetore, përfshirë edhe mandatet e deputetëve.
Themë kështu, pasi pavarësisht epilogut apo shkuarjës së vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme, liderët i llogarisin të garantuara vendet në parlament dhe mbetjën e tyre në garë për pushtet, përderisa shumica e deputetëve aktual rrezikojnë të mos i arrijnë më kuotat e mjaftueshme të votave për kuvend.
Tashmë jemi mësuar, kur është në pyetje pushteti liderët partiak nuk respektojnë parime dhe as programe politike,...duke përdorur standarde të dyfishta janë të gatshëm të gëlltitin çdo parim dhe premtim të dhënë para elektoratit të tyre.
Liderët partiak gjatë fushatës elektorale përdorin gjuhë fyese ndaj njëri-tjetrit dhe përqarëse mes elektoratëve, ndërsa pas zgjedhjeve kur rezultati ua pamundësonë realizimin e aspiratave të tyre politike, harrojnë gjithçka për të bërë të kundërtën e "parimeve" dhe premtimeve të tyre, duke u bashkuar mes vete,...për të mos përdorur fjalor tjetër, fillojnë t'i hajnë qershiat e lagura në gojën e njëri-tjetrit, për të "harruar" kështu vullnetin e elektoratit të tyre të shprehur me votë.
Të mëdhenjët i hajnë mollat, të vegëlve ju mpihen dhëmbët", thotë një fjalë e urtë popullore. Pikërisht kështu ka gjasa të ndodhë me një pjesë të madhe të deputetëve të kësaj legjislature.
Shkuarja e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme, përveq dhëmbëve, disave prej deputetëve do t'ua "mpijë" edhe trupin,...nuk do ta kenë mundësinë e kthimit në karrigën e deputetit.
Nisur nga një thënje e Raymond Burke: " Në secilën formë të qeverisjes, legjislatori i vërtetë është populli", atëherë deputetët si përfaqësues të popullit duhet të reflektojnë përgjegjësi, në radhë të parë para votuesve të tyre (obligim kushtetues) e tek më pastaj para liderëve partiak, në të kundërtën rrezikojnë legjitimitetin (mandatet e tyre), por jo edhe pozicionet e liderëve partiak.